back to top
-2.5 C
Tirana
E martë, 13 Janar, 2026

Letërsia, vendi ku e kaluara nuk hesht, po transformohet në vetëdije – nga Marsel Lela

Gazeta

Agron Tufa
Agron Tufa

Letërsia, vendi ku e kaluara nuk hesht, po transformohet në vetëdije*
nga Marsel Lela

Vepra e poetit dhe shkrimtarit Agron Tufa është ndër dëshmitë më të fuqishme të asaj se si një përvojë e përvijuar në fjalë mund ta ndriçojë errësirën e historisë dhe të shpirtit njerëzor.
Këtë e shohim me forcë të veçantë tek libri me tregime “Kur këndonin gjelat e tretë”, një prej dëshmive më të errëta dhe më tronditëse të letërsisë shqiptare mbi komunizmin që kam lexuar ndonjëherë dhe të cilin kam frikë ta lexoj për së dyti.
Ky libër nuk rrëfen thjesht për tmerret fizike të burgjeve dhe kampeve të përqendrimit; ai shkon më tej, drejt pasojave afatgjata që tortura lë në psikikë dhe në identitetin e të mbijetuarit. Tufa e rrëfen dhunën jo si spektakël, por si plagë – një plagë që nuk rri në sipërfaqe, por jeton thellë në ndërgjegjen e personazheve të tij.
Shembull i kësaj qasjeje është tregimi “Luka mbas shpine”, një portret i zhytur në një dimension të errët psikologjik. Luka, i mbijetuar formalisht, por i shkatërruar shpirtërisht, është figura që mishëron pikërisht atë zonë të padukshme që letërsia arrin ta artikulojë më qartë se çdo dokument zyrtar, fashikuj, dosje apo dëshmi faktike. Vendimi i tij i pakuptueshëm për t’u zhveshur lakuriq dhe për t’u hedhur në zjarr – një akt i vetëshkatërrimit total – nuk kuptohet dot jashtë kontekstit të torturës së gjatë, të përditshme, të imët, që kishte gërryer çdo fijë të vetëdijes së tij.

Agron Tufa - "Kur këndonin gjelat e tretë"
Agron Tufa – “Kur këndonin gjelat e tretë”

Kjo pamje, kaq e papritur dhe kaq e pashpjegueshme në sipërfaqe, është rezultati i një dhune të brendshme aq të përhershme, saqë i ka zëvendësuar koordinatat e realitetit. Ky moment nuk është vetëm një episod tragjik: është shpjegimi më i thellë i asaj që tortura bën me njeriun – e kthen trupin kundër vetes, ndërgjegjen në armik, dhe lirinë në një koncept thuajse abstrakt.
Në tregime e fragmente të tjera të librit, Tufa ndërton një peizazh ku vdekja është e kudondodhur, por jo dominuese; më e frikshme është jeta pas torturës, mbijetesa si një formë e zgjatur vuajtjeje. Personazhet që dalin nga kampet nuk dalin të lirë, por të riprogramuar nga frika, nga hutimi, nga një faj i pamerituar që rrënjoset në shpirt si barishte e keqe. Ky dimension psikologjik, i përshkruar me gjuhë të kursyer, por të ngarkuar, është ajo që i jep Tufës një zë të veçantë: ai nuk e dokumenton dhunën; ai e përjeton, e përkthen dhe ia transmeton lexuesit si emocione të gjalla, si një trashëgimi të papërfunduar.
Në këtë mënyrë, Agron Tufa e shndërron letërsinë në organ të ndijimit historik. Trauma, frika dhe humbja nuk rrëfehen vetëm për të treguar se çfarë ka ndodhur, por për të bërë lexuesin ta ndjejë atë. Letërsia e tij është një laborator emocional, ku përvoja njerëzore nuk paraqitet si fakt, por si dridhje: si një energji e dendur, e heshtur, që lë gjurmë të pashlyeshme.
Kjo është, në fund të fundit, fuqia esenciale e letërsisë. Ajo nuk mjaftohet të shpjegojë botën; ajo e rishkruan atë nga brenda. Ajo i jep formë së pashprehurës, i jep gjuhë së pathënës, i jep jetë asaj pjese të qenies që realiteti i përditshëm ka prirje ta groposë. Te Agron Tufa, letërsia bëhet vendi ku e kaluara nuk hesht, por transformohet në vetëdije – një vetëdije që nuk na lë të jemi të njëjtë pas leximit.

Fragment nga eseja “Ç’është Letërsia? – Një Udhëtim mes formës, kuptimit dhe përvojës njerëzore”

*Titulli redaksional

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.