Lazër Radi zbret n’Prishtinë! – nga Agron Gashi

Agron Y. Gashi

Agron Y. Gashi

Lazër Radi zbret n’Prishtinë!

nga Agron Gashi

Lazër Radi, nji kosovar n’rrethin kulturor ma t’mirë të brezit të viteve ’30-të, nji model kulturor n’mesin e artikuluesve ma t’mdhaj dhe ma profesionistë t’shqiptarizmës, t’shkencës e t’letërsisë, t’eseistikës e t’publicitikës shqiptare, krah Branko Merxhanit, Vangjel Koçës, Tajar Zavalanit, tri figura t’publicitikës, t’historisë e t’koncepteve të neoshqiptarizmës për nji Shqipni t’reformueme. T’njajtën kohë krah sensibilitetit e majave letrare si Koliqi e Migjeni, krah interpretimeve filozofike dhe edukimit arsimor të Arshi Pipës, mik e njohës i jetës dhe veprës së Musine Kokalarit, për të cilët ka shkrue kujtime, portrete, po edhe shkrime kritike.
Dhe jo vetëm kaq, për t’qenë herë në skaj, e her n’qendër të tyne dhe bashkëkohanikëve të tjerë, si: Karl Gurakuqi e Ismet Toto, Anton Logoreci e Stefan Shundi, Lazar Shantoja e Et’hem Haxhiademi, etj. Pra, të gjithë i njihte prej afër dhe bashkëpunonte me ta, i kishte miq n’jetë e n’literaturë, n’arsimim e kulturë.
Lazër Radi, herë ishte periferia e herë qendra e këtij mendimi kulturor e politik, ishte meditanti që thuri himne për Prizrenin e tij dhe tonin, por edhe militanti që njohu mirë guximin dhe burrninë e Qemal Stafës dhe rinisë së kohës së vet.
Lazër Radi nji kosovar i madh, që u ba nyje e mendimit e kulturës në mes Veriut dhe Jugut, në mes të Kosovës dhe Shqipnisë, por ajme, të parën e pati n’zemër përjetësisht për t’dytën, e dyta u ba ngritja dhe ‘ramia’ e tij.
.
Dr. Lazër Radi (1916-1998)

Dr. Lazër Radi (1916-1998)

Lazër Radi, nji ideolog të cilit i mungoi aq shumë Kosova e Prizreni, së fundmi po i kthehet Itakës së tij me nji testament letrar e artistik, me shkrime publicistike e eseistike, me prozën autobiografike e dokumentare, si trilogjia e jetës – Prizreni (“Mjegullnaja e nji kohe të largët), trilogjia e jetës – Shkodra (“Gjurmat t’nji ditari të djegun”), Trilogjia e jetës – Roma (“Vorbulla t’jetës universitare”); “Një verë me Migjenin”, “Shqipnia e viteve Tridhjetë; (kujtimet dhe shënime), “Ministri i hekurt, Mirash Ivanaj), si dhe librin e përkthyer në vitin 1944, e botue në 2019: “Sekreti i Anglisë” i Leo Ferrero.
Po i kthehet Itakës së tij, Kosovës, djali i saj i harruem për nji jetë të tanë, studenti kosovar i Romës, atje ku studioi edhe Budi e Bogdani, nji kosovar që ishte i admiruem dhe gjeti përkrahje të madhe nga Musine Kokalari. Radi ish i përqëndruem dhe i doktoruem në filozofinë e së drejtës, e prej andej tuj e njohun edhe t’drejtën romake, deri te filozofia politike shqiptare.
Rol dhe mision i dyfishtë ky, krijues dhe filozof, njashtu si bashkëkohanikët e tij, si Musineja, që bani në letërsi e në kulturën politike, në frymën socialdemokrate, ashtu siç bani mocaniku i tij, Arshi Pipa, me krijimtari, studime letrare e filozofike, deri te filozofia e moralit dhe e fesë, sipas Bergsonit.
Mbi të gjitha, Radi ish në të njajtën udhë të t’menduemi me Koliqin, andrroi dhe admiroi Kosovën, kontribuoi për arsimin kosovar. Natyrshëm, për me qenë vetja, Lazër Radi i Prizrenit, Lazër Radi i Shkodrës.
Lazër Radi, studenti e studiuesi nga Prizreni, që i takoi këtij rrethi mendimtarësh, e që, po ashtu, si nji pjesë e tyne, në mos ma shumë, mësoi dhe pësoi nga diktatura. Mësoi se si duhet çá para me dije e kulturë; pësoi burgun, terrorin për nji jetë, si Musineja, si Pipa, si Gjeçi; provoi heshtjen e madhe po si Koliqi, Shantoja, Toto, apo braktisjen si Merxhani, Koça e Maloki.
.

Agron Gashi, në promovim e veprës së Lazër Radit në Panairin e Librit 2019

Agron Gashi, në promovim e veprës së Lazër Radit në Panairin e Librit 2019

Lazër Radi, vuajtjet e tij i bani apologji, apologji për të tjerët, për Mirash Ivanajn, Petro Markon, Jusuf Vrionin dhe Andrea Varfin, me t’cilët ndau qelinë, bukën dhe vuajtjen. Me t’parin ndau adhurimin dhe vlerësimin dinjitoz; me të dytin shestonte dashuninë për rezistencën, solidaritetin, heroizmin në luftë, mendimet për brezin e humbun; me të tretin për pjesën tjetër të letërsisë frankofone, për përkthimet, (ndaj përktheu fshehtas vepra autorësh të ndryshëm, në mes tyne ato të poetit malazias, Jevrem Bërkoviq: “Stalini, Moxarti dhe Maria Judina”, por edhe veprën e ushtarakut malazez, Mark Milanit: “Jeta dhe zakonet e shqiptarëve”, e deri te vepra e Platonit.
Lazër Radi, sot po i kthehet Kosovës, Prishtinës, Prizrenit, pas nji shekulli në kërkim të fëmijënisë së humbun. Jo rastësisht ai tha: “Kosova leu intelektualët që i duheshin, Shqipnia i shkatërroi ata që i kishte”.
Ky asht’ kthimi i vonë, po i fuqishëm, i intelektualit- filozof, shkrimtarit, disidentit që kurrë s’u thye.
Lazër Radin pak e njohëm n’jetë, por rinjohja po ndodh nëpërmjet literature. E, rinjohja pas dekës nëpërmjet literature, thonë se asht’ pakti ma i fortë i autorit me lëçitësin e tij, të cilit Lazër Radi, i la vepra t’kullueta dhe artistikisht të realizueme, gjithë kohën, tuj marrë parasysh kohën kur ai nisi me shkru e me botu.
Sot, gjysma e veprës së Lazër Radit, (gjysma tjetër në dorëshkrim), merr trajtën e nji testamenti, që hyn në dialog të gjithëhershëm me të tjerët, tuj mbetun shenjë jete, shenjë pasioni, shenjë përkushtimi e përvujtnie.
N’tanësi, vepra e Lazër Radit asht’ shpirti i tij i gjallë i mbetun n’jetë, asht’ zani i tij prej poeti e prozatori, eseisti e filozofi, përkthyesi e studiuesi, asht’ zani i thellë i medituesit të madh.
Në fund, po citoj një fragment interviste, të dhanë më 1992:
“Kosova, Prizreni është ëndrra ime më e madhe, dëshira ime më e flaktë. Zoti deri tani m’i ka plotësuar të gjitha dëshirat. Duket se do të ma realizojë ëndrrën time të madhe, ta shoh edhe një herë Prizrenin tim. Ditën e kthimit në vendlindje e përfytyroj si kthimin e Uliksit në Itakë. Me një ndryshim, se pas shumë peripecish dhe aventurash udhtimore, në fund, pas njëzet vjetësh, ai mundi t’i hedhë çenglat në Itakë. Mua po m’u dha mundësia e bëj pas 62 e vjetësh, prandaj dhe malli dhe dëshira janë dyfish më të mëdha.”
Lazër Radi, mirë se erdhe n’Kosovë!
Pastë fat ma t’mirë vepra jote!
.
Panairi i Librit, 8 gusht 2019
.
Prishtine 2019 - Panairi i Librit... Leka Ndoja, Botuesi Aurel Kaçulini, Luljeta Progni, Selami Zalli, Jozef Radi

Prishtine 2019 – Panairi i Librit… Leka Ndoja, Botuesi Aurel Kaçulini, Luljeta Progni, Selami Zalli, Jozef Radi

Ky tekst u shoqnue me një video të përgatitun nga Andi Gashi, dhe në konsideratë u mor Biografia e detajizueme: https://www.radiandradi.com/biografia-dr-lazer-radi-1916-1998/

 

 

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook