back to top
12.5 C
Tirana
E mërkurë, 17 Prill, 2024

Lazër Radi: “Ndjehem i emocionuem…” Mustafë Xhemaili

Gazeta

Mustafë Xhemaili
Mustafë Xhemaili

 Lazër Radi: “Ndjehem i emocionuem…”

nga Mustafë Xhemaili

Kur viziton Shqipërinë për herë të parë, (siç kisha rastin unë, në verë të këtij viti), domosdo të zgjojnë kurreshtjen shumë shkrimtarë dhe poetë, të cilëve ua ke lexuar veprat e tyre, por s’i ke parë kurrë. Dhe, natyrisht, tash dëshiron t’i shohish, të bisedosh me ta.
Mirëpo, pas përmbysjes së regjimit të Enver Hoxhës në Shqipëri, nji kurreshtje të veçantë të zgjojnë intelektualët e shumtë ish të burgosur dhe të persekutuar politikë. Sot në atmosferën e përgjithshme demokratike shqiptare, imponimin e tyre pozitiv e ndien vetvetiu. Veçanërisht kjo ndihet nga krijuesit e persekutuar që arritën të mbesin gjallë.
Me kënaqësi të veçantë takova në shtëpinë e tij në Tiranë, intelektualin nga Prizreni, të persekutuar për 46 vjet me radhë, krijuesin e mbi nëntë veprave (asnji të botuar!), njeriu shpirtgjerë, plaku i urtë, tolerant e mendjekthjelltë – Lazër Radi.
Dr. Lazër Radi u lind më 1916 në Prizren.
Që në vitin 1929, u emigrua në Shqipëri. Gjimnazin e kryen në Shkodër në vitin 1938 dhe Fakultetin e Drejtësisë në Romë, në vitin 1942 në Universitetin “La Sapienza”. Që në bangat e shkollës është marrë me letërsi dhe me publicistikë. Mbas Luftës së Dytë Botërore, kur ishte 25 vjeç, për veprimtarinë e tij publicistike, u dënua në Tiranë në “Gjyqin Special” (të udhëhequn nga Koçi Xoxe, kryetar dhe Bedri Spahiu, prokuror), me 30 vjet burg. Pa ndërprerë ka mbajtur 10 vjet burg, 20 vjet internim dhe 16 vjet dëbim. Ishte shok dhe mik i Migjenit dhe Ernest Koliqit si dhe mjaft personaliteteve të tjera të asaj kohe. Sot jeton në Tiranë, në një shtëpi përdhese. Ka 76 vjet, dhe ani se krijon në kushte të rënda (banjon e ka përshtatur për dhomë pune), flet me optimizëm për të ardhmen, pret e përcjell miq të shumtë, daktilografon dorshkrimet e tij, që ka arritur t’i shkruaj me dorë dhe t’i ruaj gjatë persekutimit 46 vjeçar. Ka shpresë t’i botojë librat e veta që tash i ka gati:
1.“Memorialin” (kujtime në tre vëllime)
2.“Ato vite të paharruara tridhjetë” (fakte dhe materiale interesante, për vitet tridhjetë e veçanërisht për Shkodrën), “Kandila në errësirë”, “Mesazhe” dhe “Kangët e vendlindjes” (poezi) “Kujtime për Migjenin” (kujtime), “Vitet e fundit të Mirash Ivanajt”, “Murgesha dhe poeti” (novelë kushtuar Migjenit), “Apologjia e tretë e Sokratit në Shqipëri” etj.
Pas bisedave të gjata e interesante për të shkuarën e të ardhmen, veçanërisht për krijimtarinë dhe poezinë, dr. Lazër Radit ia kërkova nji tufë poezish për prezantim dhe botim në “Rilindjen” e “emigrueme” të Kosovës. Ai pranoi me kënaqësi, aq ma shumë, kur “mbas daljes nga burgu do të botojë për herë të parë, madje në shtypin e Kosovës sime të dashur” siç u shpreh me mall. Veç kësaj më porositi që, mundsisht, të botohen edhe kjo fjalë tekstualisht, si përshëndetje dhe si mall për lexuesin mërgimtar të Kosovës dhe Shqipërisë në Evropë:

Dr. Lazër Radi (1916-1998)
Dr. Lazër Radi (1992) (foto M. Xhemaili)

“Të shkruaje poezi, të mendoje për ndjenja të holla kur ndodheshe nën vorbullën e terrorit komunist të burgut, kur ishe nën survejim të përditshëm dhe nën kërcënimin e vdekjes – ishte nji çmenduni. Na dukej sikur të gjithë ishin shndërrue në Argusa. Edhe të friksuemit edhe friksuesit kishin nga njiqind sy e veshë. Të mendoje për gjana të tilla ishte e tmerrshme, të shkruaje ishte nji marrëzi. Pra, midis këtij tmerri dhe kësaj çmendunie kanë lindun këto vargje që për të parën herë ua paraqes lexuesve…
Asht nji jetë e tanë e mbërthyeme në morsë! Në çaste të thella dëshpërimi – por edhe besimi e shprese – i kam shkrue disa libra modestë, të cilët janë përbledhje e nji epoke dhe atij njeriu që e shkeli dhunshëm ajo epokë…
Çdo poezi ka nji histori të vetën, nji dhembje të sajën, nji shpresë të gjallë, në pritje të nji dite lirie…
Ndjehem po aq i emocionuar përballë lexuesit si të isha nji djalosh që shkruan për së pari…!”.

Kjo tufë poezish asht përzgjedhë nga libri i përgatitun për botim “Kandila n’errësinë”. Pavarsisht se asht ende herët me thanë diçka me synin kritik për vlerat e poezisë së Lazër Radit, sepse ende s’ka mundë me dalë me nji libër të botuem para lexuesit dhe kritikës… qysh tash mund të parathuhet se ai arrin me mjeshtri prej poeti të vërtetë, në të shumtat e herave me nxjerrë në sipërfaqe ndjenjat ma të holla njerzore për të bukurën, dhimbjen dhe vuejtjen shpirtërore të nji njeriu të ndrydhun me dekada nëpër burgje, kampe pune dhe internime të diktaturës enveriane, për pothuej nji gjysëm shekulli që e sundoi Shqipërinë.
Jo si zakonisht, poeti Lazër Radi gërsheton ndjenjën poetike me filozofinë, çka e ban poezinë e tij të qëndrueshme ndër kohna dhe arrin edhe sot të marrë nji konotacion interesant e përgjithësues. Kjo asht arritë për shkak se ai nuk e sforcon me dhunë ndjenjën as talentin. Atë e la të rrjedhë lirshëm, pavarsisht rrebesheve tragjike që rënduan mbi personalitetin e tij…

Lazër & Jozef Radi "Muret e Muzgut"
Lazër & Jozef Radi “Muret e Muzgut”

Poezi nga Lazër Radi

(nga dorshkrimi Muret e Muzgut)

N’kërkim të vetvetes

Tinëz
i shkoj mbas nji hijeje të zezë:
hije që m’ndjek mbas –
hije që e ndjek mbas
…por, fytyrat
njeni-tjetrit
s’ia shohim!

Shtegtar i rraskapitun,
rrugë pa rrugë shkela:
po askund, as fytyra
e as hije s’gjeta…

N’cilën pasqyrë burimi shterrë
ka tretë vallë
imazhi im i mjerë?!
Grabian, 1976

Paradokset e fitores – Dithiramb niçean

Luftëtar do të mbesë veç ai
që me plumb ndër dhambë
e pret mëngjesin…
dhe vdes duke besue
duke humbë,
duke fitue…

Guralecë në pellg

Argëtohem duke hedhë guralecë
n’nji pellg… të shpirtit tim!

Si fëmijë knaqem kur i shoh rrathët
që lindin si andrrat e mia
që rriten si dëshirat njerzore,
që zmadhohen prej pakënaqsive të jetës
e shuhen n’kërkim të përmbytjes!

Hedh guralecë n’pellg të shpirtit tim
duke besue se ata rrathë
që zmadhohen
janë rrebelim!
Rinas, 1952

.
(Rilindja, e hënë 26 tetor 1992)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.