back to top
9.5 C
Tirana
E hënë, 9 Dhjetor, 2024

“E kishim kushëri Enver Hoxhën, na interrnoi… 30 vjet…!”

Gazeta

Motrat Handan, Suzan dhe Neriman Hoxha
Motrat Handan, Suzan dhe Neriman Hoxha 2012

Tri Motrat Hoxha:

“E kishim kushëri Enver Hoxhën,

na interrnoi… 30 vjet!”

Intervistoi Ani Jaupaj

Edhe sot, që është më e moshuara ndër tre motrat, Handan Hoxha, tenistja e parë femër në Shqipëri, vazhdon të jetë në qendër të të gjitha lëvizjeve në shtëpi. Sado që i ka kaluar 85 vite jetë, ka mbetur më e shkathëta. Është ajo që ngrihet e para, nëse duhet mbyllur një derë, nëse duhen sajdisur miqtë me qerasira, nëse duhet gjetur ndonjë foto e vjetër nëpër sëndukët e vegjëlisë… është më elegantja. 15 vitet që është marrë me sport, kanë lënë ende shenja në fizikun e saj. Motra më e madhe, Suzana, ndryshe Suzi, siç e thërrasin të gjithë, ka qenë dikur mësuese e teorisë së solfezhit në Liceun Artistik. Më e vogla, Nerimani, është marrë gjithnjë me gjuhët e huaja. Ende sot që është në prag të të 80-tave, vazhdon të ketë 2 nxënës të cilëve u mëson anglishten.
Të tria motrat, dikur, aq vite larg sa e kanë të zorshme ta kujtojnë, jetonin të lumtura në shtëpinë e tyre të madhe fare pranë Liceut Artistik. Mësonin gjuhë të huaja me mësues privatë, merrnin mësime sporti, kalonin pushimet në një nga 4 vilat e vetme në plazhin e Durrësit, deri sa, gjithçka u ndërpre si me thikë. Çiflikun i trashëguar nga i gjyshi, e patën kohën e artë për shumë pak kohë. Diktatura do t’u rrëmbente gjithçka, shtëpitë e çiflikun, sado që, siç mund të hamendet nga mbiemri i tyre, Hoxha, ishin të fis me ish-diktatorin. Me shtëpitë përballë në Gjirokastër, me prejardhje të përbashkët, e me hyrje-dalje familjare, prej tij morën pajën e vetme që të tria patën në jetë, 30 vite e 6 muaj internim. Asnjëra prej tyre s’u martua kurrë.
Jetojnë prej 23 vitesh, që kur u kthyen nga Savra i Lushnjes, në apartamentin e pallatit që u ndërtua në tokën e vilës së tyre të dikurshme, që babai kishte lënë. Fuqitë i kanë të pakta, dëshirën për t’u rikthyer në kohët e liga, po ashtu. Megjithatë, pas shumë këmbënguljesh, ato pranojnë të flasin, duke thënë vazhdimisht që kemi nevojë për qetësi, dhe nuk duam intervista. Sidoqoftë, rikthehen edhe njëherë në ato vite që tashmë ju shfaqen mjegullt, sepse datojnë që nga koha e Zogut… kur jeta e tyre ishte e ndritur. Pyetjeve, ju përgjigjet kryesisht më e madhja, Suzi. Në rast se nuk e ka dëgjuar mirë, Nerimani ndërhyn t’ia përsërisë edhe njëherë. Ndërsa Handani, rri thuajse pa folur në kolltukun e saj të rehatshëm. Gjallërohet vetëm kur fjala shkon te sporti, kryesisht tenisi, dashuria e saj e parë dhe e vetme.

“Ç’bëmë” ishte ajo e të parëve tuaj që ju dënoi për 30 vite? Ishin 30 vite e 6 muaj (ndërhyjnë të saktësojnë të tria thuajse njëzëri). Ishte fundi i vitit ’59, kur erdhi kamioni me policë në shtëpi e na ngarkoi për të na transferuar në Savër të Lushnjes.
Nga iu erdhi persekutimi, nga babai, gjyshi… Në fakt, historia nis që nga gjyshi, sado që arsyeja e fundit ishte prej vëllait. Gjyshi ynë, kishte mbaruar shkollën e lartë për jurist në Turqi, vinte nga familje e pasur dhe shkolloi edhe babanë në Janinë në shkollën ‘Zosimea’.
Prej kësaj, por edhe prej librave që fshehtas siguronte gjyshi, babai ka qenë ndër mësuesit e parë në Gjirokastër. Ish diktatori e përmend edhe në kujtimet e tij që mësimet e para i ka marrë prej babit: “Mësues të parë kishim njëfarë Vehip Hoxha, që ishte djali i Asaf efendiut, kadi, njeri i mësuar shumë. Ata rrinin afër shtëpisë sonë, ishim edhe nga një soj. Se ku e kishte mësuar shqipen zoti Vehip, nuk e di, por sigurisht nga abetaret e Stambollit dhe vjedhurazi. Në atë kohë zoti Vehip ishte djalë i shkathët, me iniciativë dhe çapërxhi. Kishte dëshirë të madhe të na mësonte…”, siç shkruan fjalë për fjalë. Mandej babai u zhvendos në Korçë ku punoi si drejtor banke gjatë viteve ‘30, më pas erdhi në Tiranë si nëpunës i lartë në Bankën Kombëtare ku ishte përgjegjës i thesarit.
Nga ç’shkruhet e nga ç’thoni ju, pasuria ka qenë ‘dëmi’ i parë… Po, por nuk u shfaq menjëherë. Jetuam për pak vite mirë, ashtu siç ishim mësuar gjithnjë. Mësonim gjuhë të huaja me mësues privatë, shkonim gjithnjë për pushime, luanim sport. Handani ka qenë shumë e mirë në tenis, e para femër shqiptare që e ka ushtruar këtë sport, stërvitej me Sali Nallbanin. Vetëm at ëndërr kishte, që të bëhej tenistja më e mirë dhe të përfaqësonte vendin e saj nëpër gara ndërkombëtare. Por përveç kësaj luante edhe basketboll, volejboll, ping-pong. Aq sa vëllai ynë sajoi një fushë të vogël ping-pongu që e vumë në oborrin e shtëpisë.
A nuk ishte shumë gjithë kjo liri që ju jepte babai, për kohën? Kuptoni që njerëzit përreth babait ishin të gjithë aristokratë, edhe ata që luanin tenis po ashtu. Tenisi ende edhe sot konsiderohet si sporti i shtresave të larta, jo të gjithë e luajnë. Asgjë si pengon në këto kohëra, por fakti që s’e bëjnë, do të thotë diçka. Të gjithë kanë luajtur qoftë edhe njëherë basketboll apo volejboll, tenis: jo. Duke qenë të rrethuar gjithnjë nga njerëz të tillë, nuk ndihej se bënim ndonjë të ‘pabërë’. Natyrisht që mund të kishte ndonjë rast që i çonte fjalë babait se ç’ishin gjithë këto lukse që po na mësonte, por ai ishte krejt indiferent. Babai ynë ishte modernissimo!!! (nga italishtja, shumë modern) nxiton të shtojë Handani meqenëse biseda ishte fokusuar te sporti, e vetmja pikë ku indiferentizmi i saj, tashmë edhe prej moshës, ngacmohej…
Gjithë këto kanë ndodhur përpara ’44-ës apo jo? Po, por edhe pak vite më vonë, me gjithë që nuk luanim sport, jetuam mirë. Unë (Suzi) studiova në Lice dhe arrita të diplomohem. Po aty nisa më pas të jap mësim dhe të realizoj me shumë vështirësi librin e parë të mësimeve të solfezhit në Shqipëri. Libër që natyrisht kur u internuam u hoq nga qarkullimi. Kam takuar ish student të mi pas ’90-ës, që më kanë falënderuar për mundësinë që ju dhashë me atë libër. Pastaj mësoja me sovjetikët, sepse Nerimani dinte mirë rusisht dhe më ndihmonte me përkthimet.
Kur ndodhën tronditjet e para? Menjëherë pas ardhjes së komunizmit. Babai atë kohë kishte ardhur në Tiranë, në Bankën Kombëtare. Tentuan qysh në atë kohë, ta fusnin dy herë në burg, por nuk ia dolën. Ishim të padëshiruar që në ato fillime, sepse nuk ishim familje e varfër, kjo ishte e meta jonë. Më kujtohet që drejtor i Bankës Kombëtare atë kohë ka qenë një italian që i thoshte babait: “Eja në Itali, mjaft ndenje këtu, sepse ke prona e do të kenë përherë në shënjestër…!”, dhe në fakt ashtu ndodhi. E hoqën menjëherë nga pozicioni që kishte dhe e lanë llogaritar si fillim. Pastaj, në ’51-shin, erdhën na hoqën nga vila që babai kishte ndërtuar, e na çuan te hauret e Ali Begesë. Kujtoj që na erdhi në shtëpi i ati Enverit, i shkreti xha Mulla, si sot e kujtoj. I merrej goja, madje kur nervozohej, i ikte fare. “Ku, ku, ku, po i çoni??” – u thonte. Xha Mullai ka qenë njeri shumë i mirë, ishe ai që ka administruar edhe at pasuri që kishim në Gjirokastër, përpara se të na e merrnin. Shtëpinë tonë në lagjen ‘Palorto’ përballë me të tijën, që në ato kohëra ka qenë krejt njësoj si të tjerat pastaj kur i erdhi radha të hipte në fron e bëri ashtu siç deshi. Nejse, ai s’pyeste ç’i thosh i ati, vrau e preu njerëzit e derës së tij… dhe jo ne!!
Po edhe ju fis me të ishit, a kishit patur hyrje dalje familjare? Në kohën që babai punonte drejtor banke në Korçë, Enveri ishte në Liceun francez. Natyrisht që njohja mes të dyve kishte nisur që kur Enveri ishte fëmijë, për kët arsye, e meqenëse ishim të afërt dhe sidoqoftë ishte djalë nga Gjirokastra, vinte gjithnjë në shtëpi, na tregonte mamaja. Ajo gatuante për të e për djemtë e tjerë si Vedat Kokona, djali i hallës sonë, Asllan Beja (babi i Fatos Bejës), vëllai i Liri Gegës etj, që vizitonin shtëpinë për të lexuar, marrë ndonjë libër apo për të dëgjuar stacionet e huaja në radio. Ata flisnin frëngjisht e italisht, edhe radiot në këto sinjale stacionoheshin.
Kur ju internuan në Savër? Siç ju thamë jetuam për disa vite në hauret e Ali Begesë, më pas, pati një ngjarje tjetër. Vëllai ynë, që s’pranonte, ashtu si të gjitha ne, asgjë prej atij sistemi, u arratis. Bleu si fillim një motorr që t’ia vinte ndonjë varke të vogël e të ikte nga deti, por meqë ashtu rrezikohej të spiunohej, iku në këmbë. Siç na tregoi kur u takuam pas ’90-ës, kishte ikur nga mali i Dajtit në këmbë deri në Jugosllavi.
Nuk na çuan menjëherë në Savër. Na lanë nja 2 muaj, sepse përpiqeshin ta përdornin babain për ndonjë informacion. E panë që s’doli gjë, athere na hipën në kamion e na çuan në Lushnje!!
Kushdo do të tentonte, të paktën për njohjet e miqësinë që kishin patur, të ndërhynte për t’i shpëtuar gjithë kësaj, edhe sikur të dështonte. A e bëri babai juaj? Jo, asnjëherë, ju dorëzua fatit të tij dhe as që e mori mundimin. Sidomos pasi mori vesh që vëllai kishte mbërritur mirë te daja ynë në Amerikë, që ishte arratisur përpara çlirimit.
Si e mori vesh, nga ju vinin informacionet? Daja dërgonte letra të koduara dhe ne e kuptonim. Për shembull njoftimi për mbërritjen e Asafit (kështu quhej vëllai, kishte emrin e gjyshit) ishte: “Drita lindi djalë, është i shëndoshë”. Bashkë me copat e letrave na vinin edhe të holla, ç’ka bëri që mos e vuanim internimin njësoj si të tjerët, por të jetonim relativisht mirë. Me ato që kemi dëgjuar më vonë apo edhe në atë kohë për kampet e Tepelenës apo të Porto Palermos, themi se me siguri do të kishim vdekur!!
A punonit në internim? Babai jo, tentoi njëherë të mbillte grurë po nuk dinte dhe nuk u mor më. Mamaja jo. Handani doli një ditë të vetme dhe në darkë tha le të vijë Enver Hoxha vetë këtu të më pushkatojë, unë nuk dal më në punë. Unë me Nerimanin, pamë ç’pamë, se po na tërhiqesh edhe vërejtje pse familja Hoxha nuk punonte, dhe dolëm në punë, por jo sepse kishim nevojë për para. Punuam në rrallim pambuku, punë që unë nuk e pata të vështirë sepse i kisha të shkathëta lëvizjet e gishtave prej pianos. Më pas në rregullim arkash e kështu me radhë… punë jo të vështira.
Nga këto që tregoni, ndihet një farë tolerance. Po të donin, pas arratisjes, mund t’iu kishin bërë shumë më shumë. Ka të bëjë kjo me mbiemrin që mbani? (të tria motrat qeshin. Kush më herët e kush më vonë sepse jo të tria mundën ta dëgjojnë pyetjen për shkak të dëgjimit të dobët. Ama kur e kuptuan, reagimet i patën të menjëhershme dhe krejt njësoj, për shkak të kujtimit që ju rikthye si të ishte dje.) Nisur nga mbiemri, babait i thonin shpesh se ai ishte xhaxhai i Enver Hoxhës dhe se i biri nuk ishte i arratisur, por ishte dërguar nga shteti në Amerikë, prandaj edhe ne kishim lehtësira. Babai kundërshtoi sa kundërshtoi pastaj tha: “Po, xhaxhai i tij jam!!” Kur e pyetëm ç’ish ajo që tha, u përgjigj: “Epo mirë ua bëra, le të turpërohet edhe ai siç na turpëroi ne!!”.
Në 30 vite, nuk pati asnjë ngjarje që të lëvizte ujërat, t’iu jepte një shpresë? Pati, pas 6 vitesh. Demek na liruan, na dhanë një pasaportë që tregonte se mund të lëviznim në të gjitha qytetet përveç Tiranës. Suzi (tregon Nerimani) shkoi në Durrës ku filloi sërish mësuese muzike dhe ndërkaq po përpiqej të gjente shtëpi të na tërhiqte edhe ne. Në këto përpjekje, unë pata një dhimbje dhëmbi dhe dentisti më thotë se duhet të bëja një radiografi, çka ishte e mundur vetëm në Tiranë. Mos ta zgjas, pas shumë peripecish e marr lejen dhe nisem. Rrugës, diku nga Rrogozhina, më ndalin e më thërrasin në degë dhe më kërkuan të bëhesha pjesë e Shërbimeve Sekrete komuniste. Ç’të dëgjoja lart e poshtë, ta raportoja. Pasi ma thanë mua dhe e refuzova, mësova se kishin bërë të njëjtën gjë edhe me babanë, prandaj po bënin sikur po na nxirrnin nga internimi. Kjo ishte ngjarja e vetme, Suzin e rikthyen në Savër, babai vdiq një vit më vonë, e ne ngelëm 4 femra aty. Të paktën nuk ishim nevojtare për të holla. Po të 4-ta dolëm nga internimi dhe erdhëm në këtë shtëpi që jetojmë sot. Mamaja vdiq në ’94-ën.
Po vëllain kur e takuat? Menjëherë sapo u hapën mundësitë ai erdhi bashkë me familjen. Shkuam, ashtu të gjithë bashkë edhe në Savër, sepse donte të shihte ku kishim jetuar gjithë ato vite. Pastaj, më vonë kemi vajtur e kemi ardhur shpesh në Amerikë, si ne si ai.
Kur ju internuan, të tria ju keni qenë vajza të reja, të bukura e të shkolluara. A latë përgjysmë ndonjë histori dashurie në Tiranë? Jo, atëherë mendonim se ishte herët, pikërisht për këtë emancipimin që kishim, ndryshe nga të tjerat. I kushtoheshim punëve, argëtimit…
Po në Lushnje? 30 vite janë një jetë… nuk krijoi asnjëra prej jush ndonjë lidhje? Jo, jo. Atje jo e jo. Ne ishim mësuar ndryshe, niveli i bashkëvuajtësve tanë ishte krejt tjetër me atë tonin. Ka ndodhur edhe të na kenë kërkuar për t’u martuar në internim, por asnjëra prej nesh s’ka pranuar. E mblodhëm mendjen që do të jetojmë vetëm dhe siç e shihni, ashtu kemi bërë.

Meshkujt, martesa, iu duk tema më e largët nga gjithë ato ç’kishim folur. Po aq e largët ju është edhe rinia, kur me siguri, për secilën, pak apo shumë qoftë, stomaku është ngushtuar e mendja ka fluturuar. Asgjë më s’kujtojnë. Jetojnë të tria me huqet e njëra tjetrës. Handan-i, emri i së cilës, prej arabishtes përkthehet optimiste, e qeshur, është vërtet më e qeshura ndër të tria. Neriman-i, është qibarja, ndërsa Suzan-a, e zjarrta (të tri emrat janë pa nyjë shquese, pra pa zanore fundore). Babai u zgjodhi emra arabë, nga ata që për herë të parë tingëllojnë si meshkujsh, por kuptimet e të cilave sikur iu parashkruan jetën. Cilësitë e njërës kompensuan mangësitë e tjetrës. Ndryshe, bashkëjetesa për më shumë se 80 vite, nuk do të kishte zgjatur kaq gjatë…)
(Gazeta Panorama, e dielë, 14 prill, 2013)

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.