Kur Washington Post… shkruante për Konicën

0
10
Faik Konica me C.E. McGuire 1931
Faik Konica me C.E. McGuire 1931
Faik Konica - Jeta në Washington
Faik Konica – Jeta në Washington

Kur Washington Post… shkruante për Konicën

“Faik Konica – Jeta në Uashington”

Gazetari i së përditshmes amerikane Gerald G. Gross e intervistoi Faik Konicën, ambasadorin e Shqipërisë në Uashington dhe shkroi artikullin me titull “Ministri Konica i Shqipërisë ende beqar; Pasionet e tij janë muzika, teatri dhe filologjia”.
Shkrimi u botua më 13 shkurt 1938.
(Marrë nga libri i Ilir Ikonomit “Faik Konica – Jeta në Uashington”)

Mes shefave të misioneve në Uashington, beqarët janë aq të rrallë sa edhe meshkujt në shfaqjet e orëve të ditës. Ata mund të numërohen me gishtat e një dore, siç del nga një studim i shpejtë. Por më i pandreqshmi prej tyre duket se është ministri Faik Konica, i Shqipërisë.
“Gjithnjë e shtyj për vitin tjetër”, thotë me zërin e tij të butë ky emisar, të cilit vetëm një muaj më parë iu desh të bënte një deklaratë zyrtare për t’u dhënë fund zërave se ai dhe një farë kërcimtareje amerikane kishin ndërmend të lidhnin kurorë. “E vërteta është se nuk do të martohem kurrë”.

Faik Konica - Ambasador ne Shtete e Bashkuara
Faik Konica – Ambasador ne Shtete e Bashkuara

Ai nuk i jep arsyet dhe në fakt nuk u pyet për to, por hamendja të thotë se ai e kupton se gratë nuk i durojnë dot komodinat plot me libra, gramafonët me bririn gjigand në dhomën e ndenjes dhe dorëshkrimet të shpërndara andej-këtej nëpër shtëpi. Lulet e portokallit, – pranon ai, – e kanë vendin e tyre, por ajo që kërkon ai është biblioteka, muzika, një kallamar plot me bojë dhe e drejta e pamohueshme për t’iu gëzuar atyre kur dhe si të dëshirojë.
Këmbanat e dasmës dukeshin të pashmangshme jo vetëm se ministri Konica i plotësonte kushtet si dhe për shkak të aferës që u shfaq nëpër gazeta e që e përmendëm më sipër, por edhe sepse Shqipëria, për të cilën flitet pak, është bërë temë e faqeve të para të shtypit pas shpalljes nga Mbreti Zog I, javën e kaluar të fejesës së tij me konteshën hungareze Apponyi, nëna e së cilës është amerikane.
E gjithë kjo ngre një çështje tjetër: diplomatëve shqiptarë u ndalohet me ligj të martohen me gra të kombësive të tjera. Por, kufizime të tilla me sa shihet nuk vlejnë për monarkun, megjithëse ai, si musliman, dhe nusja e ardhëshme, janë zhytur në vorbullën e ndërlikimeve kishtare. Kjo nuk duket e drejtë sidomos kur mendon se martesa e një diplomati në Uashington me një grua nga vendi i tij është më tepër përjashtim se sa rregull.

Faik Konica me C.E. McGuire 1931
Faik Konica me C.E. McGuire 1931

***
Faik Konica është njeri që disa gjëra i pëlqen pa masë, të tjerat nuk i pëlqen fare. Në kategorinë e të parave hyjnë studimet filologjike, teatri, muzika klasike, ushqimi dhe pijet e mira, të shkruarit krijues dhe vetmia. Ato që ai nuk i duron dot janë turmat, ushtrimet fizike, kafshët, ritmet e xhazit, të shtirurit në shoqëri dhe të folurit me zë të lartë.
Kur iu kërkua të bënte një përshkrim të vetes për ta përdorur në këtë artikull, ai shkroi:
“Megjithëse ka një mospëlqim të madh për turmat dhe natyra e rezervuar është cilësuar si tipari i tij kryesor, Faik Konica ka shfaqur gjithmonë një simpati të vërtetë për masat. Në vitin 1930, ai iu lut Mbretit Zog të merrte në shqyrtim një projekt për rishpërndarjen e tokës në Shqipëri. Pa kaluar shumë, projekti u mishërua në një reformë të gjerë agrare, e cila pas një debati të gjatë në parlamentin e vendit u kthye në ligj”.
I vetëdijshëm për natyrën e tij të tërhequr – ndonëse nuk është as i drojtur dhe as njeri që e fsheh veten nga modestia – shkëlqesia e tij dyshon se të tjerët e shohin si asket. Ai kurrë nuk e tregon se sa vjeç është, por duhet thënë se edhe kolegët e tij ministra apo ambasadorë preferojnë të mbajnë heshtje për këtë temë. Ai nuk ka qenë në atdhe prej nëntë vjetësh sepse, siç thotë, vizita të tilla “më rraskapisin fizikisht”.
Diplomatët e tjerë mund të luajnë golf, të ngasin kuaj, të merren me alpinizëm apo me boks sa të duan, por për Faik Konicën çdo formë ushtrimi fizik është e huaj. Kjo urrejtje, si dhe mospëlqimi i tij për kafshët shtëpiake, mund të ishin të kuptueshme për një psikanalist po të mësonte se në moshën 15-vjeçare, Faiku është rrëzuar nga kali dhe është detyruar të qëndrojë një vit në paterica. Sot ai i urren kuajt, qentë dhe macet. Qentë, mendon ai, janë tepër servilë, ndërsa macet tepër të pavarura.
“Po të kishte ndonjë krijesë shtëpiake që të ishte në mes të qenit dhe maces, ndoshta do të dëshiroja ta mbaja pranë”, thotë ai.

Faik Konica Midis nji grupi bashkatdhetarësh
Faik Konica – midis nji grupi bashkatdhetarësh

***
Emisari i Tiranës në Uashington është lindur në qytetin Konicë, nga i cili ka marrë emrin familja, në kufirin e Shqipërisë dhe Epirit grek. I ati ishte pronar i madh tokash dhe i përkiste njerës prej 30 e ca familjeve feudale, të cilat prej disa shekujsh formonin klasën sunduese të këtij rajoni malor në brigjet perëndimore të gadishullit ballkanik. Stërgjyshi i tij ka qenë mik i ngushtë me Sër Hudson Lowe, në atë kohë guvernator i ishujve jonianë dhe që më vonë do të bëhej i famshëm si guvernator i Shën Helenës dhe roje i Napoleonit të burgosur. Mes punimeve që ministri po përgatit për botim është vëllimi i korrespondencës mes paraardhësit të tij të shquar dhe anglezit të njohur.
Ministri Konica studioi në Kolegjin Jezuit të Shkodrës (Shqipëri), në Liceun Perandorak të Stambollit si dhe në Francë. Në vitin 1909, ai erdhi për herë të parë në Shtetet e Bashkuara për të bërë propagandë në favor të autonomisë së Shqipërisë në Perandorinë Otomane, për të ndihmuar refugjatët në këtë vend si dhe për të marrë titullin Mjeshtër i Artit në filologji nga Universiteti i Harvardit.
Familja e tij, mjaft e kënaqur me regjimin e Stambollit, shpresonte se ai do të hynte në Shkollën e Shkencave Politike të Parisit për të shërbyer më vonë në trupin diplomatik të Sulltanit. Por me të marrë gradën e bakalaureatit në Francë, Konica i ri, i ndezur me zellin e çlirimtarit, filloi lëvizjen kombëtare shqiptare që synonte autonominë. Megjithëse programi ishte fillimisht i moderuar, ai i zemëroi aq shumë autoritetet otomane saqë tokat e themeluesit të tij u konfiskuan dhe Konica u dënua me vdekje në mungesë.
Këto masa nuk bënë tjetër veçse e forcuan lëvizjen, jo vetëm brenda por edhe jashtë vendit. Kur Konica kërkonte mbështetje dhe simpati në Shtetet e Bashkuara dhe ithtarët e kësaj çëshjtjeje bënin të njëjtën gjë në vende të tjera, rebelimet kundër sundimit otoman u shtypën brenda vendit. Pika e kthesës erdhi në vitin 1912, kur turqit e dhanë autonominë dhe po atë vit u shpall pavarësia e Shqipërisë nga Ismail Qemal Vlora. Konica u emërua si njëri nga delegatët në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, e cila, më 20 dhjetor, njohu në parim pavarësinë e Shqipërisë. Shtatë muaj më vonë, konferenca e shpalli Shqipërinë shtet të pavarur dhe sovran.
Në vitin 1925, Konica si udhëheqës i opozitës nacionaliste liberale, këshilloi kundër një kryengritjeje të armatosur për rrëzimin e qeverisë së atëhershme konservatore, në krye të së cilës Ahmet Zogu sapo ishte zgjedhur president me një mandat shtatëvjeçar. Pas kësaj, Konica, ky burrë me sy të zinj që kishte mbaruar Harvardin, u nderua duke u emëruar si emisari i parë i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara. Ai ia paraqiti letrat kredenciale Presidentit Coolidge në tetor 1926 dhe
shërbimi i tij këtu ka vazhduar i pa ndërprerë.
Lidhur me përkrahjen e tij për reformën agrare, ministri thotë:
“Pronarët e mëdhenj të tokave e dënuan atë me zemërim. Ata e mallkuan Faik Konicën si njeri që kishte tradhtuar klasën e vet dhe lanë të kuptohej se do të hakmerreshin dhunshëm. Por ligji nuk ishte i padrejtë, sepse ai përfshinte një dispozitë që parashikonte dëmshpërblim të plotë në para për pronarët e tokave të rishpërndara dhe pikërisht për këtë arsye, ligji nuk ka arritur ende fazën e zbatimit, sepse shteti ende nuk ka patur mundësi të heqë mënjanë milionat që duhen për dëmshpërblimet”.
Ministri shqiptar është ndoshta pranë të gjashtëdhjetave dhe flokët e thinjura po i rrallohen. Ai ka shtat mesatar dhe të ngjeshur. Bethoven, Moxart dhe Bah janë kompozitorët e tij të pëlqyer. “Kur isha i ri më pëlqente Vagneri, por tani muzika e tij më duket tepër e ngjyrët dhe ekstravagante”, thotë ai.
Ai i shmanget dëgjimit të radios për shkak të reklamave që ato japin, por kontribuon për transmetimet e përjavshme të Toskaninit. Banesa dhe legata e tij janë të kombinuara në një apartament të thjeshtë në Hotelin Mayflower.

Hoteli Mayflower Washngton - 1940
Hoteli Mayflower – Washington – 1940

***
Në Amerikë ka 30 mijë shqiptarë dhe 100 mijë burra, gra e fëmijë me prejardhje shqiptare. Shumica e tyre janë të shpërndarë në shtetet lindore dhe pjesa më e madhe punon në industri. Vetë Shqipëria, një vend pak më i madh se Belgjika, ka jo më shumë se 1 milion e 500 mijë banorë.
Ministri Konica ka këtu 2 mijë e 500 libra dhe po aq në shtëpinë e tij. Disa vizatime origjinale të Rodinit zbukurojnë muret e dhomës së tij të gjumit. Ai lexon në italisht, spanjisht, rumanisht, portugisht, turqisht, gjermanisht, greqishte të vjetër e të re, latinisht, hebraisht dhe arabisht si dhe shqip, frëngjisht dhe anglisht, të cilat i flet me të njëjtën lehtësi.
Ai është i kujdeshëm dhe selektiv kur pi por rrallë pi përpara drekës sepse nuk i pëlqen të ndërpresë të ngriturit e gotës për t’iu përgjigjur një telefoni apo për të nëshkruar një letër. Është i shqetësuar se duhani e ka vënë poshtë. Ai pi tri paketa cigaresh amerikane në ditë.
Shkon në kinema “vetëm kur nuk ka gjë tjetër për të bërë”, por le të guxojë dikush po deshi ta pengojë për të parë filmin “Borëbardha”!
Përgatiti: Flamur Maxharri
http://zeri.info/dosier/10708

Related Images:

Artikulli paraprakVirna Lisi (8 Nentor 1936 – 18 Dhjetor 2014) Gruaja
Artikulli tjetërFati i njeriut… tregim nga Dine Dine
Jozef Radi
Biografi Jozef Radi 16 janar 1957, lind rastësisht në qytetin e Elbasanit, mbasi të dy prindët e posadalë nga burgu ishin interrnuar në kampin e Kuçit të Kurveleshit... Ishte i vetmi fëmijë i të ashtuquajturit “Kampi i 100 Intelektualëve”... 1957, Pagëzohet me emrin Antonin, por xhaxhai i tij me të njejtin emër, e regjistron si Jozef... 1957-1961, ndjek fatin e prindërve në odisenë e kampeve: Radostinë, Gradishtë, Çermë dhe më së fundi n’atë të Savrës... 1963-1971, kryen shkollën fillore dhe tetëvjeçare në Karbunarë dhe Savër me rezultate shumë të mira... 1971-1975, ndjek gjimnazin “20 Tetori” në qytetin e Lushnjes, ku përjashtohet dy herë nga shkolla, thjesht si... i biri i Lazër Radit! 1975, frekuenton të njëjtën klasë me Gëzim Hajdarin dhe Shpend Sollakun: Tre të apasionuar të letërsisë; më vonë edhe autorë mjaft të njohur librash... 1975, fillon si puntor në fermën e Savrës 1977-1979, kryen shërbimin ushtarak në repartet e xhenjos, fortifikim në Dropull të Gjirokastrës... 1981, mbaron shkollën e mesme me rezultate të shkëlqyera dhe as bëhet fjalë për vazhdimin e ndonji shkolle të lartë... 1984, bën gjithë përpjekjet për botimin e librit të parë poetik “Trokitje”, por problemet e biografike... e pengojnë botimin edhe pse Shtëpia Botuese e kishte vlerësuar si... “të botueshëm...” 1984-1990, krahas punës së rëndë në bujqësi, studion intensivisht gjuhët e huaja; merret me përkthime, shkruan dhe redakton veprën e të atit... 1989, së bashku me të atin përkthejnë veprën “Stalini, Moxarti dhe Maria Judina” e poetit Bërkoviqit, e cila kalon dorë me dorë si vepër antidiktaturë... 1990, së bashku me të Atin, vendosen në Tiranë, prej ku nis nji fazë e re shprese dhe entusiazmi, se demokracia mund t’i riparojë pasojat e diktaturës... dhjetor 1990-31 mars 1991, ndjek nga afër lëvizjen dhe ndryshimet demokratike... mars 1991, boton për herë të parë, ciklin me 6 poezi në revistën arbëreshe “Katundi Ynë” në Kozenca. maj 1991, regjistrohet në fakultetin e Gjuhë- Letërsisë dhe më pas kalon në atë Juridik. 1993, botojnë së bashku me të atin librin e parë “Muret e Muzgut” si dhe poemën “Stalini, Mozarti dhe Maria Judina” 1993, nis botimin e revistës tremujore “Arbëria”, e cila del në tre numra... 1993-maj 1997, punon në detyra të ndryshme në Presidencën e Republikës. qershor 1994, mbaron Fakultetin Juridik qershor 1997, ngjarjet e atij viti ishin dëshmi e vrasjes së demokracisë... detyrohet të emigrojë në Itali. shtator 1998, humb të Atin, Lazër Radin, njeriun me të cilin kishte ndarë ditët më të vështira të jetës. 2000, boton librin e dytë poetik: “Kujtesa e Mjegullës” 2004-2005, mbulon për gati dy vjet rubrikën “Qiell i Përtejmë” në revistën “ars” 2007, boton me bashkaautorë albumin fotografik “Ancona nascosta” 2000-2010, bashkpunon me shokun e tij Gëzim Hajdari, në redaktim e veprës së tij të botuar në Itali 2011, boton librin e tretë poetik “Fletorja e Vjeshtës” 2000-2013, bashkëpunon vazhdimisht me shtypin shqiptar 2000-2013, përkthyen mjaft nga veprat e poetëve si: Ungaretti, Montale, Raboni, Senesi, Fatuiva, Pessoa, De Moraes, Hikmet etje, si dhe ka në duar veprën e Bodlerit “Lulet e së keqes” 2016, po përgatit për botim veprën e plotë të Lazër Radit në 14 vëllime... Jeton prej 16 vitesh në qytetin e Anconës...

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.