Fati i njeriut… tregim nga Dine Dine

2
16
Dine Dine - në të hyrë të Lushnjes
Dine Dine - në të hyrë të Lushnjes
Dine Dine - në të hyrë të Lushnjes
Dine Dine – në të hyrë të Lushnjes

Fati i njeriut…

tregim nga Dine Dine

Ishte sezon pushimesh.
Shtëpia e Kulturës në Lushnje, ato ditë ishte bosh, ndaj dhe regjizori i teatrit dhe estradës së Qytetit, Tahsin Demiraj, kish vendosë që provat t’i bënim në një prej atyre ditëve të qeta…
Kisha më se një muaj që përgatitesha thuajse çdo ditë dhe sa i përket të mësuarit përmendësh, s’e kisha problem, e gjithë çeshtja ishte interpretimi, mbasi si herë e parë, kisha mjaft emocione, aq sa nganjëherë më dukej sikur do të më deltë zemra vendit. E vetmja audiencë që më inkurajonte tek stërvitesha në shtëpi ishin kushërinjtë e mi Tomorri dhe Sazani, të cilët nganjëherë qeshnin me të madhe kur më shihnin të përpëlitesha, duke bërë ca lëvizje që të dukesha sa më aktoresk. Ndoshta qeshnin me marrëzitë e mia rinore, kur i shihnin ato përpjekje dhe entusiazmin tim, bile më bënin edhe ndonjë vërejtje, por në asnjë çast nuk donin të më lëndonin shpirtërisht. Si duket e ndjenin se isha tejet i brishtë, për të ma thyer tehun e entusiazmit, po në të njëjtën kohë, mendoja se kështu në njëfarë mënyre ata e thyenin monotoninë, mbasi vinin të lodhur nga një punë rraskapitëse…
Natën e fundit të stërvitjes, them stërvitjes, sepse provat do t’i bëja të nesërmen në Shtëpinë e Kulturës, pasi deklamova dy pjesë nga “Intrigë e dashuri” dhe “Cubat” e Shilerit (që në atë kohë ishin në modë) dhe po rropatesha me një pjesë të tretë, nga “Fati i Njeriut” e Shollohovit, kisha mësuar rreshta të tërë përmendësh, me qëllim që pjesa që do deklamoja, mos ta humbiste kuptimin dhe të ishte sa më emocionuese, natyrisht duke i qëndruar besnik tekstit të autorit. E dija që askujt s’i kish shkuar ndërmend se mund të përdorej kjo pjesë, ose së paku kështu më dukej mua. Për nga subjekti pjesa ishte mjaft dramatike, dhe kushërinjtë e mi më kishin inkurajuar së tepërmi, duke më thënë se pikërisht kjo pjesë mund të ishte edhe kyçi i suksesit tim…

Kushërinjtë Sazan, Tomorr dhe Dine Dine (Savër 1954)
Kushërinjtë Sazan, Tomorr dhe Dine Dine (Savër 1954)

…Isha në kulmin e lojës aktoriale.
Shoferi, i cili ka humbur gjithë pjestarët e familjes në luftën e Dytë Botërore, fillikat i vetëm rropatet të mbijetojë duke transportuar drithë me një kamion të shkatërruar, kur papritmas sheh një djalë të vogël e të uritur që rrinte pranë derës së lokalit ku ai po hante bukë… Ai e thërret:
“Ej Vanjushka!” – dhe vazhdon biseda me të… Një pjesë vërtet prekëse, sepse të dy, si Andrej Sokollovi dhe Vanjushka i vogël kishin mbetur pa prindër dhe pa familje.
Një fatkeqsi e tmerrshme, por në të njëjtën kohë edhe një ngushëllim i madh njohja mes tyre. Lufta kishte shkatërruar gjithçka. Por, kishte marrë mijra jetë njerëzish, duke lënë rrugëve mjaft pleq dhe fëmijë…
E pra, unë kisha marrë përsipër të luaja rolet e të dy këtyre fatkeqëve, të plakut dhe fëmijës.
Mbaj mend, që luaja pjesën e Vanjushkës, dhe për ta bërë sa më të prekëshme, po thërrisja sa kisha në kokë, kur papritur bëj një lëvizje të vrullshme dhe gishti i madh i këmbës u përpoq me cepin e dyshemesë me drrasa të pagdhendura dhe gjaku nisi të më shkojë rrëke. Meqë isha edhe disi i përkëdheluri i familjes, për të tëhequr më shumë vëmendje, e bëra qimen tra… Ndërsa përpëlitesha me zhurmë, papritmas më ndodh një incident tjetër… Tek thërrisja me “oh e ah”, duke kërcyer poshtë e përpjetë, u përula të shihja gishtin e gjakosur dhe se si e humba ekuilibrin dhe u përplasa me kokë në dysheme.
Kështu e harrova gishin e për çudi, nuk nxorra asnjë pasthirrmë, po nisa të kontrolloja hundën mos kisha pësuar ndonjë frakturë. Duke fshehur dhimbjen që po më sembonte në zemër, kthej sytë nga kushërinjtë e mi, të cilët kishin mbuluar fytyrat me duar dhe qeshnin me të madhe… Sigurisht, isha i nxehur, dhe ndjeja se mund të bëhesha edhe më qesharak, ndaj u mundova të përmbahem…
S’di pse po më vinte turp për atë që ndodhi, e që të mos mbesja si guak, ndërsa ata qeshnin me të madhe, i dhashë seriozitet vetes dhe ndërhyra me një vërejtje, duke e thyer heshtjen…
-Kur shkrova para ca muajsh atë esenë: “Edhe sjellja e zbukuron njeriun”, ndër të tjera theksoja se: kur një i ri sheh një plakë që rrëzohet, kurrë s’duket të qeshë me fatkeqsinë e saj… dhe ishit ju të dy ma aprovuat kët gjë… apo gaboj?!
-Është e vërtetë, – pohoi Tomorri – por edhe ti e di atë thënjen që “Përjashtimi përforcon rregullin”. Edhe ky rasti yt ishte një përjashtim…
Pastaj ndërhyri edhe Sazani, i cili akoma s’e kishte ndalur dot të qeshurën:
-O Dine, ky rasti yt ishte si një lloj tragjikomedie, sepse bash në kohën kur po përgjëroheshe, e në kulmin e pasionit, të ndodhi ajo që ndodhi, e që në fakt ishte tepër komike, e s-kishim si të mos qeshnim! Por, sidoqoftë, të na falësh!
Pasi më ndihmuan ta mjekoja gishtin, me ato mjete rrethanore nga më primitivet që gjendeshnin në shtëpi, u vendos që për atë natë ta linim me aq, mbasi të nesërmen ishte e djelë, dhe e kisha lënë të takohesha në Shtëpinë e Kulturës me regjisorin Tahsin Demiraj.
Edhe pse ishte thjesht një provë mes miqsh, ndjeja që kisha shumë emocione.
Të nesërmen, ndërsa i grahja biçikletës me shpejtësi, pa e ditur as vetë pse ngutesha, mbasi kohë kisha plot, për një çast e ndala vrullin dhe mendova me vete: “Po sikur ta lë fare kët gjë!?” – dhe po vetë u përgjigja – “Po ti mor hajvan, ke një muaj që rropatesh çdo ditë, që t’ia arrish këtij momenti, dhe tani për një kapriçio fëmijësh kërkon të braktisësh gjithçka?!” dhe i graha edhe më fort biçikletës drejt qytetit…
Përshkova me mendje gjithë mëngjeset, kur ngrihesha herët dhe, pasi pija një vezë të freskët, sipas “porosisë së Tahsinit” për “n’trashje zëri”, recitoja herë me mend e herë me zë, gjitha pjesët që mendoja se do të më shërbenin për të fituar në konkurs.
Isha edhe ca me fat… mbasi shtëpinë e kisha në cep të sektorit, kështuqë askush s’më shihte duke shqiptuar me zë të lartë, sa më hante fyti, zanoret me rradhë: a, e, o, u, i, y… aq sa më qe bërë ves, edhe në shtëpi mbasi mbaroja darkën, për t’u bindur nëse isha në formë a jo, dilja jashtë në oborr, dhe përsërisja me zë të lartë të njejtën gjë…
Isha në të hyrë të qytetit, dhe ashtu instinktivisht, pa vetëdije, ndjeva se po i shqiptoja zanoret një e nga një (i kisha bërë copë e thërrime), që zëri mos të më tradhëtonte në momentet e fundit! Në rrugën e drejtë që të çonte te hyrja e Shtëpisë së Kulturës, nga larg dallova katër vetë, që siç m’u duk, po flisnin me njëfarë pasioni.
Qysh më parë, kisha biseduar që vetëm Tahsini, do ta ndiqte aktrimin tim, kështu që prania e atyre tre të tjerëve, m’u duk pak si e pavend, megjithatë u afrova, lashë biçikletën, i përshëndeta dhe në fakt ndjeva që ata më pritën aq përzemrsisht, sa në çast ndryshova mendje…
Njeri prej tyre ishte nji shkodran, Leka Ndoja, dhëndër i Xhemal Brojës, athere drejtor i Teatrit Popullor dhe kryetar i Komisionit të përzgjedhjes së aktorëve, i cili qe mjaft dashamirës dhe inkurajues ndaj meje… gjë që më ngrohu mjaft, duke marrë parasysh edhe natyrën e tij prej shkodrani, që me aq lehtësi futesh gjithkund, falë edhe atij humorit karakteristik…

Fuat Dine me nipat Tomorr dhe Dine (Saver 1954)
Fuat Dine me nipat Tomorr dhe Dine (Saver 1954)

Sidoqoftë, krahas atyre të dyve, kishte ardhur edhe poeti Faslli Haliti dhe Vasil Noçka, një student në Shkollën e Artit Dramatik, i cili e kishte kaluar atë provë, dhe më inkurajoi duke deklamuar ai vetë nja dy pjesë nga “Intrigë dhe Dashuri”…
Pak më i çliruar, edhe unë mbas tij përsërita dy pjesët nga “Intrigë dhe dashuri” dhe “Cubat”, dhe kur mbrrita te pjesa e tretë “Fati i Njeriut” e Shollohovit, ku kisha marrë përsipër të luaja dy rolet njiherësh, atë pjesë tronditëse dhe mjaft emociuonuese, duket se ajo u bëri mjaft efekt miqve të mi, dhe kur mbarova më mbuluan me komplimente, e në veçanti Leka Ndoja, më përqafoi dhe ishte aq entuziast sa deklaroi solemnisht: “Me kët interpretimin e fundit, s’ia kisha nevojën askujt për ndihmë!!”
Të nesërmen në orën tetë, Tahsini kish marrë përsipër të fliste me operativin e zonës, Nuri Manokun, për tri ditë leje në Tiranë, ku unë do të paraqitesha për të marrë pjesë në Konkurin e Përvitshëm të Dramës, që bëhej në teatrin e Operas dhe Baletit.
Mezi prisja të mbrrija në shtëpi, për t’ua rrëfyer me gjitha hollësitë këtë sukses timin dy kushërinjve të mi, që kishin qenë edhe nxitësit kryesorë të kësaj pune: Tomorrit dhe Sazanit.
Rrugës me biçikletë ecja si i çmendur… Bëja herë mbas here ca marrëzira e akrobacira, aq sa në një çast vura në rrezik edhe veten. E kujtoj edhe sot shofer Bajramin, me atë kamionin e tij të ngadaltë, i cili frenoi nja 30 metra larg meje, mbasi gjithë ajo dalldi me biçikletë, më bëri ta shoh veten jo më larg se nji metër nga turinjtë e kamionit të tij. Dhe nëse ai s’do të kish qenë i vëmendshëm dhe i ngadaltë, shumë lehtë mund të kisha përfunduar bashkë me biçikletën dhe dalldinë e gëzimit tim nën rrotat e kamionit të tij. Ky çast më ka mbetur i ngulitur fort në kujtesë, sepse Bajrami jo vetëm s’më qortoi, por më mori me të mirë dhe më pyeti disa herë nëse isha në rregull nga trutë e kokës dhe nëse ndjehesha mirë… dhe nuk lëvizi prej aty, derisa u sigurua se unë mund t’i hypja biçikletës dhe të ecja normalisht…
Si u largova nja pedhjetë metra, ktheva kokën dhe e pashë që shofer Bajrami ma bënte me dorë që ta ulja shpejtësinë, pse si duket dalldia ende s’më kishte lëshuar…
Kur u futa në sektor, nisa të mendoj se sa do të gëzoheshin kushërinjtë e mi kur t’u tregoja për suksesin e arritur paraprakisht, pa le kur ta merrnin vesh se të nesërmen kisha edhe premtimin e regjizorit, për nji treditësh leje nga Dega, për konkurim në Tiranë!!

Djemtë e Savrës... 1969
Djemtë e Kampit…  Gradishte 1969

Në atë moshë, si duket as më shkonte mendja se “dardha e kish bishtin mbrapa”, dhe ai entuziazmi im rinor, (isha ende pa i mbushur të njëzetat), jetonte në kufijtë e marrëzisë…
Që të mos zgjatem, mbrrita në Savër, ku jetoja prej vitesh, duke gulçuar. U futa gjithë vrull në shtëpi, i bindur se do t’i gjeja gjithë njerëzit e mi, por për çudi ishte bosh… Si duket ata kishin dalë diku, dhe pashë vetëm Tomorrin, në nji qoshe me libër në dorë, të cilit me nji frymë ia derdha krejt entuziazmin, duke i treguar fill e për pe gjithë ngjarjen pa harruar asnjë prej hollësive të saj… përjashto premtimin për “leje nga Dega”, sepse mendova që ëmbëlsira duhej ruajtur për në fund, ndaj s’u nguta…
S’di pse kisha nji ndjesi, se ajo eufori e imja mund t’i shkaktonte të shkretit edhe ndonjë atak në zemër… e kur mbarova edhe së përsërituri ngjarjen, m’u duk se erdhi ai çasti, kur me fjalë disi të kujdesshme, duhej ta shpalosja “mrekullinë” që do të ndodhte të nesërmen në mëngjes…!! Ndërsa e rrëfeja atë detaj “pa shumë rëndësi”, për habinë time pashë se fytyra e tij, jo vetëm që s’shfaqi asnjë farë gëzimi, përkundrazi, mori një zymtësi të frikshme, gjë të cilën s’e kisha vënë re më parë… Befas ajo mori ngjyrë dheu, sytë iu bënë të thellë dhe seriozë dhe në dy anët e tyre u shfaqën ca rrudha të sforcuara, që nuk më ndillnin asgjë të mirë…
Nga fytyra e tij s’kuptoja më asgjë.
Heshta, dhe krejt ajo kënaqsia e të treguarit m’u tret si një grimcë sheqeri në ujë. Për pak kohë ai s’foli fare, po dukej si i trumhasur. Dikur, në fund e gjeti fjalën:
-Domethënë, ti po na bëhesh aktor?! – më tha me një zë që i doli pak si i ngjirur.
Unë pohova lehtë duke tundur kokën…
-Domethënë, ti nesër do të na paraqitesh në Degën e Brendëshme, për t’ju kërkuar një favor atyre?!
Unë e vështrova drejt e në sy dhe heshta… Ai ishte i prerë!
-A mund ta marrësh me mend, se ky favor që ti po u kërkon, ka edhe ca kleçka të tjera, që si duket ti ende s’i ke kuptuar!? Si duket ti, akoma s’e ke marrë vesh ti, që nëse këta të bëjnë nji privilegj… në një mënyrë a në një tjetër ti duhet t’ua shpërblesh?! Unë besoja se ti kaq gjë e dije… Si duket s’po merr vesh asgjë se ç’bëhet në kët botë?! Besoj se e ke dëgjuar jo pak herë atë që këta e quajnë “luftë klasash”?! Ti s’je më i vogël tani!!! Je pothuaj njëzet vjeç! dhe duhet t’i kuptosh e t’i mësosh vetë ca gjera, pse me to përballesh çdo ditë. Kjo “luftë”, për të cilën flitet gjithë ditën e ditës, nuk ështe luftë në hava, ajo bëhet haptas kundra nesh, dhe kundra krejt racës sonë në përgjithësi. Ne jemi ata “Armiqtë e Klasës” dhe askush tjetër. Unë, ti, njerëzit tonë, shokët tonë që i kanë rrasur burgjeve dhe interrnime, thjesht pse nuk mendojmë si ata: na kanë damkosur si kundërshtarë politikë, vetëm pse kemi ide të ndryshme nga të tyret… Prandaj na mbajnë të izoluar, na burgosin kur i do qejfi, dhe sa u do qejfi, na i kanë mbyllur gjithë rrugët e lëvizjes, shkollimit, krijimit të familjes dhe na kanë bërë të ndjehemi gogola. I ke parë ata dordolecat që venë në parcelat e grurit? – Unë përsëri pohova me kokë… – Ne jemi ata dordolecët që trembim harabelat…! Gjithnji na kanë në shënjestër, dhe bëjnë çmos me të gjitha mjetet dhe mënyrat të na fusin në grackë… Tamam si ata zogjtë që dikur zije edhe ti me grackat e tullave. U fusje brenda ca bukë, oriz, grurë a misër, që t’i joshje të varfërit zogj!! Të tërhequr nga ushqimi, ata mbeteshin brenda… po ta ngreje tullën shpejt, i kapje edhe të gjallë, ndonjëherë i mëshiroje dhe i lije të lirë të fluturonin, herë tjera ua këpusje kokën dhe haje me ta ndonjë darkë të shijshme… Kurse me operativët e Degës ndodh ndryshe…!! Edhe ata vetëm gracka ngrenë… ndoshta nuk të vrasin, por ama po re në kthetrat e tyre, të kanë vrarë dhjetëfish… Ushqimi që ata të ofrojnë është më i larmishëm, se ai me të cilin ti joshje zogjtë!

Syri vigjilent...
Syri vigjilent…

Ai po më fliste aq shtruar sa nuk kishte ndodhur asnjëherë. Isha gozhduar i gjithi dhe vetëm e dëgjoja!
-Është ndryshe kur ata të thërrasin, e ndryshe kur ti u paraqitesh vetë dhe u kërkon favore! Do ta shohësh edhe vetë se sa të sjellshëm e të gatshëm janë ata, kur ndodhesh përballë tyre… Kur u troket, ata e dinë mirë se tashmë u ke shkuar vetë si cjapi te kasapi, dhe mezi çe kanë pritur këtë rast, ndaj përpiqen ta shfrytëzojnë në maksimum kët rast, sepse ky është arti i tyre. Sa më shumë peshq në rrjetën e tyre, aq më të forta bëhen pozitat e tyre… Bile karriera e tyre pëson ngjitje, sa më të mëdha të jenë fatkeqsitë që na shkaktojnë neve. Nganjëherë bëhen edhe dy a tre bashkë e të gozhdojnë me fjalë me gjeste, dhe s’të lenë as të mendohesh e jo të flasësh. Të dehin me premtime të shumta, sa nuk do të habitesha që ti, t’i ngrije sytë nga tavani e të thoje: “O Zot, po ku paskam qenë deri sot dhe s’i kam kërkuar më parë këto mirësi!!! Pse ky është arti i tyre, arti i të mashtruarit të axhamive! Me të krenohen, me të ushqejnë familjet… Sa më naiv dhe idealist t’u shfaqesh ti, aq më shumë përfitojnë ata… Në fund të fundit ata s’kanë asnjë faj, je ti vetë që u ke trokitur në derë, je ti vetë që ju bie në gjunjë në emër të ndonjë privilegji. Ama kaq gjë ti duhet ta dish: që nëse atyre u kërkon nji favor sado të vogël, duhet t’ua shpërblesh me një favor jo edhe aq të vogël… Ata edhe mund të japin një leje, kjo është gjëja më e lehtë për ta, dhe sigurisht do të bindin, se ndjehen fatkeqë që s’mund të bëjnë më shumë për ty, pse ti “sinqerisht” meriton shumë më tepër, e do ta përsërisin se ti je shumë i talentuar dhe simpatik siç “edhe kanë marrë informacion”, dhe se ndjekin me vëmendje çdo ndryshim tëndin gjatë bisedës me ta. Ata s’do të harrojnë ta përsërisin se: “Partia i vlerëson pa masë talentet e reja…”, dhe jo vetëm kaq, por do të premtojnë se në të arthmen do të kesh edhe favore të tjera… në vartësi të sjelljeve të tua!
Më dukej sikur gjithçka mu nxi, dhe po e humbja durimin, por ai s’më la të flisja!
-Prit, prit se kam edhe më… Ata, do të thonë, se je edhe akrobat, nga të paktit që ka qyteti…! dhe se me akrobacitë e tua mund të mahnitësh publikun! A e kupton…?! Se të gjitha rrugët për ty janë të hapura, dhe jo vetëm kaq, po se ti ke shfaqur talent edhe për muzikën! Ti mund të jeshë edhe fizarmoniçisti i parë i qytetit, gjë për të cilën ne kemi aq shumë nevojë!!
E ndërsa m’i përmendte të gjitha këto “dhunti” të miat, zëri i tij acarohej gjithnjë e më tepër… E kisha parë gjithmonë Tomorrin si njeri të butë, të qeshur e plot humor… tani, për çudinë time po më shfaqej krejt ndryshe. Dukej sikur mllefi dhe ironia ndjehej në cdo fjalë e tingull të zërit të tij. Shpesh fjalët i shoqëronte me lëvizje të syve, duarve, kokës… Për një çast ai heshti, u bë edhe më serioz, pastaj vazhdoi.
-A e di ti, ç’kërkon Partia nga ty!?
Do të thonë se: “Ti nuk je si gjithë të tjerët! Ti je brezi i ri, i edukuar me frymën dhe mësimet e Partisë e shokut Enver, dhe kjo është shumë e rëndësishme! Ne kemi kudo armiq që s’ia duan të mirën partisë, që bëjnë propagandë kundër saj, prandaj ne duhet të jemi vigjilentë!! T’ia presim rrugën armikut të klasës! A e di ti që ne kemi armiq edhe në rradhët tona!! Po, po, edhe brenda nesh ka plot nga ata që s’ia duan të mirën Partisë sonë! Prandaj duhet t’i bëjmë veshët dhe sytë katër… Ti që je kaq i talentuar dhe inteligjent, ti duhet të dish të dallosh të mirën nga e keqja; të bardhën nga e zeza, të partishmen nga armiqësorja, duke qenë njeri që ata të besojnë e të vlerësojnë, të gjithë do ta kenë të lehtë t’i shfaqin pakënaqsitë e tyre. E merr me mend se çfarë ndihmese dhe shërbimi të madh mund t’i sjellësh partisë…?! Kudo dhe kurdoherë që të dëgjosh fjalë të dyshimta, ti duhet të vish e t’ia raportosh Partisë. Mos ki merak fare, emri yt kurrë s’do të lakohet, e askurrë s’do të dalë në shesh… Gjithçka do të ndodhë në fshehtësi të plotë! Bile për këtë mund të kesh edhe një pseudonim… fjala vjen: “Artisti”! Jo, jo, – do të tallen ata me ty, – meqë je me të vërtetë artist, mund të dekonspirohesh… ne do të gjejmë një pseudonim tjetër që edhe ty të pëlqeje, po që askush, as punonjësit e Degës, që merren me këtë punë, nuk do ta mësojnë kurrën e kurrës, se kush ky ishte ky informator, me këtë pseudonim…! Ja përshembull “Gojarti”, mendoj se është një kombinim i bukur! Apo jo!? Megjithatë, ti je i lirë ta zgjedhësh vetë sipas qejfit, sipas preferencave të tua personale, pseudonimin tënd… Kjo tregon edhe respektin që ne kemi ndaj teje…!!!”
Tomorri po me shfaqej teatral! Ai heshti dhe po më vështronte ngultas. Unë kisha ngrirë dhe më qe prerë goja. Kurrë më parë s’kisha dëgjuar fjalë të tilla. Isha në një botë krejt tjetër, krejt ndryshe prej asaj që kisha ëndërruar, deri pak orë më parë… e gjitha kjo po më zbulohesh papritmas nga një pjestar i familjes, një njeri, i cili më kishte përkedhelur e dashur, e që unë e doja aq shumë. E doja për shumë gjëra, jo vetëm për humorin e hollë që shpesh na mbante gjallë, po edhe për njohuritë e tija mbi letërsinë, muzikën, artet në përgjithësi. I binte mandolinës dhe shpesh bënim koncerte në shtëpi, e kisha parë me Thabit Rusin kur i binte kitarrës, dhe isha i bindur se kishte një vesh absolut muzike, pse këndonte jo vetëm këngë të muzikës së lehtë, po edhe këngë franceze, italiane, greke e të tjera, pa stonuar; e në të njejtën kohë, këndonte edhe arie të kolosëve të muzikës klasike. Gjithçka e bënte me vesh, pasi s’kishte asnjë lloj përgatitje teorike për muzikë.

Dine DIne dhe Faslli Haliti 2007
Dine Dine dhe Faslli Haliti – Kasharaj 2007

Ai më kish treguar se në Kuç e në Radostinë, e kishte ndarë vuajtjen me profesorë të njohur, të shkolluar në Perëndim, dhe si duket, kët gjë e kishte shfrytëzuar në maksimum. Kjo ishte edhe arsyeja pse ai po më fliste lirshëm. E kisha parë që lexonte italisht, frëngjisht e greqisht dhe ankohej se “s’kishte pasur kohë aq sa duhej” të përvetësonte anglishten… Emrat e Shatobrianit, Lamartinit, Madam de Stalit, Karlajlit, e shumë e shumë të tjerëve, që në vendin tonë ishin të ndaluar, i kisha mësuar prej tij, prej tij dija plot anekdota për Napoleonin, Tylerandin, Fushenë, Madam te Stalit, që i mbaj mend edhe sot e kësaj dite…
I përmenda të gjitha këto, sepse nga që e vlerësoja aq shumë Tomorrin, e ndjeja thellë në shpirt, se ato që po më thoshte, ishin serioze dhe unë duhej t’i kisha vëth në vesh, dhe fakti që po e dëgjoja deri në fund, pa e ndërprerë, ishte leksioni më i dhimbshëm, sepse kundërshtonte ëndrrën time për t’u bërë aktor, por ama njëherësh frymëzonte edhe një qëndrim, e cili do të më orientonte në një rrugë të vështirë, ndaj unë duhej t’i bindesha pa asnjë lloj hezitimi… Fakti që aq gjatë e vështroja si një guak, pa i dhënë asnjë sinjal pozitiv, duket se e kishte irrituar pa masë. Ndërkohë unë ndjehesha tërësisht i hipnotizuar nga fjalët e tij, ndaj e gjithë qenia ime i qe nënshtruar logjikës së tij.
Si duket, ai duke e ndjekur ndërdyshjen time vazhdoi:
-Ata do të ofrojnë aq shumë gjera, sa që edhe vetë djallin do ta mashtronin… bile, në fund do të thonë: “Nuk do të bësh asgjë të madhe… Ti vetëm një firmë do të hedhësh! Krejt e thjeshtë, dhe ne bindemi, që ti do të na shërbesh me devocion…!” Dhe në çastin që ti ta kesh bërë këtë punë, gjithçka ka marrë fund! Ti s’ke nga ta lëvizësh më prapanicën… je vegël e tyre! Atëhere, me plot gojën do të jeshë një spiun i afirmuar. Kudo që të jesh: në punë, në rrugë duke folur për sportin; në pazar duke psonisur; në sallën e kinemasë duke parë ndonjë film; në sheshin e sektorit ku njerëzit mblidhen për të marrë rrogat, se helbete edhe aty shfaqen pakënaqësi… me një fjalë në çdo pozicion, ti do të shndërrohesh në sy e veshë dhe do të raportosh për gjithçka Partinë e Tyre, sepse as e Jotja dhe as e Jona ajo s’do të bëhet kurrë… Në raste grumbullimesh, ata do të dërgojnë nga pas, edhe ndonjë spiun tjetër, sepse spiunët ndër ne janë pa shpërblim, edhe ai do të hedhë andej këndej ndonjë fjalë të dyshimtë, e po qe se ti nuk e raporton, do të raportojë ai, kështuqë ti do të bëhesh i pabesueshëm! Ata, sërish do të thërrasin, do të tërheqin vërejtje, dhe po e përsërite atë gabim do ta pësosh edhe më keq.
Edhe favoret do të ofrojnë me pikatore, sepse qëllimi i tyre s’është se duan të mirën tënde, ata duan vetëm poshtërimin tënd, dhe pasi të të kenë shtrydhur si limon, apo kur të të ketë dalur boja fare, do të hedhin si një leckë të pavlerë në koshin e plehrave…! A e merr dot me mend, se kur ta kesh zbritur veten në atë pozitë kaq të ulët, ku të gjithë të të shënojnë me gisht: “Ja, ai spiuni i fëlliqur!! Ai ndyrsira!”, s’do të keshë më as shokë, as miq… bile as dinjitet…!” Edhe të afërmit e tu do të shohin me përçmim… Njerëzit në rrugë do të shmangin si të ishe lebroz, dhe do të ruhen prej teje si djalli nga temjani… e sa u përket favoreve të tyre, ato s’janë tjetër, veçse ca flluska sapuni, karrema që e joshin peshkun në grepin e tyre!! E di që u bëra i mërzitshëm, duke t’i përsëritur ato që ndoshta t’i thashë edhe më parë, po jam i sigurt se ti kurrë s’do të biesh në një grackë të tillë. Ti kurrë s’do ta lejosh veten të bëhesh nji vegël qorre në duart e tyre?!…
Dhe ai ma vuri dorën mbi sup, në shenjë përkrahjeje, ndërsa unë me një buzëqeshje të mpirë, e shumë dhimbje i pohoja me kokë…
Habitem edhe sot kur e kujtoj këtë ngjarje, se sa i lehtësuar u ndjeva ato çaste, si të isha çliruar nga një barrë e rëndë, për të cilën, s’kisha qenë aspak i vetëdijshëm, se mund ta kisha pasur mbi shpinë gjithë jetën. E megjithatë atë çast gjeta guxim dhe i bëra edhe nji shaka: “Po për këta spiunët, s’ka fare mëshirë!! Fundja fundit, edhe ata janë njerëz fatkeqë?!”
I vetëdijshëm se fjalët e tij kishin bërë efektin e duhur tek unë, m’u drejtua: “Ti s’do të keshë aspak nevojë për mëshirë, dhe për kët jam i sigurt! E që t’i japim fund kësaj historie, nesër të ngrihesh herët në mëngjes, dhe pa shkuar ora tetë, të takosh Tahsinin dhe t’i thuash se s’është aspak nevoja të ndërhyjë për leje… Po qe se një ditë lirohesh nga interrnimi, “meqë je kaq i talentuar”, kurdoherë mund t’i japësh provat. Kështu edhe atë e heq nga sikleti, edhe vetë çlirohesh njiherë e mirë nga iluzionet!
Të nesërmen, ishte vetë Tomorri, që më zgjoi më herët se duhet dhe me porositi se “Kjo është zgjidhja më e mirë!”
E prita Tahsinin, për mëse një orë te Shtëpia e Kulturës, dhe sapo u takuam ia thashë pa shumë shpjegime problemin.
Për habinë time, regjizori hapi krahët dhe duke më përqafuar ngrohtësisht më përsëriste: “Ke të drejtë… Ke të drejtë Dine… Ke shumë të drejtë… Më çlirove edhe mua nga një barrë e rëndë!! Hajde tani, ta pimë kafen e mëngjesit bashkë, se unë s’kam futur asgjë në gojë…. dhe u shtruam për shtatë palë qejfe… Dërdëllitëm jo vetëm për teatrin dhe poezinë… por edhe për shumçka me atë naivitetin e moshës që na karakterizonte, edhe pse rreth nesh, në çdo tavolinë të kafenesë, gëlonin sytë e vëmendshëm e kurreshtarë…

Kur po kthehesha, gjithë rrugës përsërisja fjalët e Tomorrit. Si duket më ishin ngulitur në mendje… “Fati i njeriut… që mund t’i sijellë atij suksesin, njëkohsisht mund t’i sjellë edhe rrënimin…!” -mendoja me vete. Edhe pse ndjeja dhimbje të thellë brenda vetes, duhej të isha krenar ndaj asaj bisede të njeriut tim të dashur, që s’më kish lënë të ndiqja instinktin e ëndrrës, të cilin gjithsesi dikur do të ma thyenin…!

Dine Dine dhe Tahsin Demiri
Dine Dine dhe Tahsin Demiri – Tirane 2014

***
Isha me pushime në Tiranë dhe sapo i jepja fund këtij shkrimi, të ndodhur pesëdhjetë vite te shkuara, më bie celulari: “Alo… Dine… Jam Tahsini… Tahsin Demiri! Kam ardhur mbrëmë vonë… dhe do të jem vetëm për pak ditë… Eh, sa më ka marrë mall…! Na ka marrë malli, xhan…! Me zor pres që të shihemi dhe të ndërrojmë nja dy fjalë… A do të kesh kohë për një kafe sot mbasdite… do të thërres edhe Visarin, edhe Faslliun… Po desha të sigurohem se mos ke ndonjë angazhim…
E lamë të takoheshim te “Ujvara”, në gjashtë mbasdite! Vërtet, erdhën edhe Visari edhe Faslliu me bashkëshortet. Regjizori i dikurshëm, u ul pranë meje, dhe në një çast ma vuri dorën në sup.
-Të thirra vetëm për të qarë hallet, që s’na u ndanë tërë jetën…
I tregova se sapo i kisha dhënë fund një shkrimi, historinë e të cilit ai e mbante mend mjaft mirë. Pastaj shtova: “Po sa naivë paskemi qenë, more Tahsin?!”
“Shumë… shumë… shumë…!” tha, dhe m’i nguli sytë më nji buzëqeshje të lehtë e të hidhët… Mbas nji çasti heshtjeje shtoi: “Gjela Deti!!”

Related Images:

Artikulli paraprakKur Washington Post… shkruante për Konicën
Artikulli tjetërHumb jeten Atjon Zhiti… Bir, i vogli im… poezi nga Visar Zhiti
Jozef Radi
Biografi Jozef Radi 16 janar 1957, lind rastësisht në qytetin e Elbasanit, mbasi të dy prindët e posadalë nga burgu ishin interrnuar në kampin e Kuçit të Kurveleshit... Ishte i vetmi fëmijë i të ashtuquajturit “Kampi i 100 Intelektualëve”... 1957, Pagëzohet me emrin Antonin, por xhaxhai i tij me të njejtin emër, e regjistron si Jozef... 1957-1961, ndjek fatin e prindërve në odisenë e kampeve: Radostinë, Gradishtë, Çermë dhe më së fundi n’atë të Savrës... 1963-1971, kryen shkollën fillore dhe tetëvjeçare në Karbunarë dhe Savër me rezultate shumë të mira... 1971-1975, ndjek gjimnazin “20 Tetori” në qytetin e Lushnjes, ku përjashtohet dy herë nga shkolla, thjesht si... i biri i Lazër Radit! 1975, frekuenton të njëjtën klasë me Gëzim Hajdarin dhe Shpend Sollakun: Tre të apasionuar të letërsisë; më vonë edhe autorë mjaft të njohur librash... 1975, fillon si puntor në fermën e Savrës 1977-1979, kryen shërbimin ushtarak në repartet e xhenjos, fortifikim në Dropull të Gjirokastrës... 1981, mbaron shkollën e mesme me rezultate të shkëlqyera dhe as bëhet fjalë për vazhdimin e ndonji shkolle të lartë... 1984, bën gjithë përpjekjet për botimin e librit të parë poetik “Trokitje”, por problemet e biografike... e pengojnë botimin edhe pse Shtëpia Botuese e kishte vlerësuar si... “të botueshëm...” 1984-1990, krahas punës së rëndë në bujqësi, studion intensivisht gjuhët e huaja; merret me përkthime, shkruan dhe redakton veprën e të atit... 1989, së bashku me të atin përkthejnë veprën “Stalini, Moxarti dhe Maria Judina” e poetit Bërkoviqit, e cila kalon dorë me dorë si vepër antidiktaturë... 1990, së bashku me të Atin, vendosen në Tiranë, prej ku nis nji fazë e re shprese dhe entusiazmi, se demokracia mund t’i riparojë pasojat e diktaturës... dhjetor 1990-31 mars 1991, ndjek nga afër lëvizjen dhe ndryshimet demokratike... mars 1991, boton për herë të parë, ciklin me 6 poezi në revistën arbëreshe “Katundi Ynë” në Kozenca. maj 1991, regjistrohet në fakultetin e Gjuhë- Letërsisë dhe më pas kalon në atë Juridik. 1993, botojnë së bashku me të atin librin e parë “Muret e Muzgut” si dhe poemën “Stalini, Mozarti dhe Maria Judina” 1993, nis botimin e revistës tremujore “Arbëria”, e cila del në tre numra... 1993-maj 1997, punon në detyra të ndryshme në Presidencën e Republikës. qershor 1994, mbaron Fakultetin Juridik qershor 1997, ngjarjet e atij viti ishin dëshmi e vrasjes së demokracisë... detyrohet të emigrojë në Itali. shtator 1998, humb të Atin, Lazër Radin, njeriun me të cilin kishte ndarë ditët më të vështira të jetës. 2000, boton librin e dytë poetik: “Kujtesa e Mjegullës” 2004-2005, mbulon për gati dy vjet rubrikën “Qiell i Përtejmë” në revistën “ars” 2007, boton me bashkaautorë albumin fotografik “Ancona nascosta” 2000-2010, bashkpunon me shokun e tij Gëzim Hajdari, në redaktim e veprës së tij të botuar në Itali 2011, boton librin e tretë poetik “Fletorja e Vjeshtës” 2000-2013, bashkëpunon vazhdimisht me shtypin shqiptar 2000-2013, përkthyen mjaft nga veprat e poetëve si: Ungaretti, Montale, Raboni, Senesi, Fatuiva, Pessoa, De Moraes, Hikmet etje, si dhe ka në duar veprën e Bodlerit “Lulet e së keqes” 2016, po përgatit për botim veprën e plotë të Lazër Radit në 14 vëllime... Jeton prej 16 vitesh në qytetin e Anconës...

2 KOMENTET

  1. Tregim i shkruar me mjeshtëri dhe që të dëshmon në mënyrë mjaft konkrete, gati të gjallë, bash atë moment kur të rinjtë e “klasës së përmbysur reaksionare”, përballeshin e kurthet serioze të Sigurimit të Shtetit. Dhe pothuajse sic gjithmonë ka ngjarë, shfaqet në momentin më delikat, personi i familjes, më i madh në moshë dhe më i vuajtur, i cili i njeh mekanizmat infernale të diktaturës, dhe që zgjon nga jermia të riun. Si një engjëll mbrojtës, ky vëlla i madh i tregon të riut endërrimtar, humnerën që mund të gjente, nëse do të ndiqte ëndrrën rinore.
    E frikshme ta mendosh edhe sot, por tmerrësisht e vërtetë.

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.