Kur “Poeti i Ferrit” shprehet si korrespondent gazete – nga Rezart Palluqi

Gazeta

Visar Zhiti
Visar Zhiti
Kur “Poeti i Ferrit” shprehet si korrespondent gazete
nga Rezart Palluqi

I kam kritikuar rregullisht poetët apo artistët e njohur, ngaqë kanë heshtur me vetëdije gjatë pesë muajve të fundit, ndërkohë që populli shqiptar e shkundi si asnjëherë tjetër heshtjen tetëdhjetë e pesëvjeçare ndaj bandës enveriste me kollare komuniste!
Qëllimisht e kam vizituar herëpashere Facebook-un e shkrimtarit Visar Zhiti, ngaqë ai njihet si poeti i lirisë. Lexuesit e njohin edhe prej librit të tij të mirënjohur Ferri i çarë. Për habinë time më të madhe, nuk ndesha aty asnjë varg poetik apo çfarëdo gjurme revolte ndaj moskokëçarjes katërmujore të qeverisë përballë protestës paqësore të miliona shqiptarëve.
Kisha pritur që zoti Zhiti t’i paraprinte protestës, të recitonte poezi, të hidhte parulla dhe të frymëzonte shqiptarët, të cilët më në fund u derdhën në rrugë pa praninë e opozitës enveriste! Dolën të vetëm atje dhe e dinin shumë mirë se duhej t’i mbanin larg spiunët e regjimit komunist!
U dëshpërova!
Gjatë muajit të parë dhe të dytë pyesja veten: Si është e mundur që autori i “Ferrit të çarë” të fshihet pas perdeve të dhomës së tij të gjumit? Ndërsa, gjatë muajve të tretë dhe të katërt, shkova pak më larg, duke vënë në dyshim nëse zoti Zhiti e kishte shkruar vërtet Ferrin e çarë apo ia kishte vjedhur veprën ndonjë autori tjetër, të panjohur për botën e letrave shqipe.
Përse heshtte zoti Zhiti pikërisht në kohën kur duhej të ishte ai që do të thërriste i pari, që në pikë të mëngjesit?
Ndërsa populli shpaloste protestën më paqësore, më fine dhe më të qytetëruar, zoti Zhiti merrte pjesë në aktivitete letrare nëpër botë, ku trajtoheshin tematika të sistemeve tiranike! Paradoks që kapëcen çdo kufi përfytyrimi!
Epo, u foka!
U dëshpërova, ngaqë zoti Zhiti dhe poetë të llojit të tij duhej të më frymëzonin mua dhe brezat më të rinj, të cilët nuk ia njohëm diktaturës fytyrën e vërtetë. E akuzova publikisht, nëpërmjet disa statuseve thumbuese në Facebook!
Më në fund, zoti Zhiti u zgjua! Kishte ndarë me ne një shkrim të gjatë.
Sa u gëzova! Por edhe u zgërdhiva! Herë mërmërisja: “Më mirë vonë se kurrë”, herë: “U dhje nusja në kalë”.
E mblodha veten! I dhashë kurajë vetes dhe, me gjithë zellin, përvesha mëngët për të lexuar kushtrimin e zotit Zhiti.
Ngazëllimi u shua shpejt. E kjo nuk ishte hera e parë. Proza e Zhitit mua nuk më ngjit, ngaqë petët e byrekut të tij letrar kanë pak ose aspak mish e spinaq.
Po të jetonin sot Naim Frashëri apo Fishta, ata do t’i thurnin vargje poetike plot nder, mllef, dhimbje dhe frymëzim për sakrificën që kanë bërë dhe po bëjnë shqiptarët, sidomos studentët dhe mijëra të mitur.
Një diçka të tillë nuk e ndesha fare në shkrimin e zotit Zhiti. Aq shumë u hutova, saqë, në një çast, nuk po merrja vesh kush ishte xhelati dhe kush viktima!
Stili ambig i Zhitit më kujton Kadarenë, mjeshtrin e “as mish, as peshk”, ndonëse Kadareja, edhe kur e përdredhte të vërtetën, e mbështillte me ndonjë lëvdatë.
Në shkrimin e Zhitit nuk ndesha asnjë grimë ironie. Fare sarkazëm. As vargje poetike kundër kamxhikut barbar të policëve mbi trupat e njomë të studentëve? Jo mor, jo!
Zoti Zhiti përqendrohet vazhdimisht te të rrahurit dhe rrahësit. Ai shpreh keqardhje për të dyja palët, pra edhe për xhelatin, i cili vazhdon t’ia thyejë brinjët dhe kurrizin studentit që tashmë e ka nën kontroll.
Në çdo vend të botës, i arrestuari nuk goditet më pasi është vënë nën kontroll. Në Shqipëri, kjo ndodh. E megjithatë, zoti Zhiti barazon dhimbjen trupore dhe shpirtërore të dhunuesit me atë të të dhunuarit!
Madje, edhe për policin që nuk abuzon me dhunën, por që dhunohet nga një student që ndodhet në anën e të dobëtit dhe që, nga pafuqia, e lëndon policin, Zhiti ndien keqardhje. Dhuna është vija e kuqe që e përshkon tejpërtej shkrimin, vetëm se Zhiti fsheh një të vërtetë të madhe: pjesa më e madhe e dhunës ndaj policëve dhe objekteve është kryer prej patronazhistëve të Edi Ramës.
Edhe poeti më i dobët në botë, nëpërmjet një analize të thjeshtë, do të arrinte në përfundimin se polici dhunohet ngaqë padroni i tij nuk ka as shpirt, as veshë dhe as kurajë për ta dëgjuar qytetarin e për të gjetur një rrugëzgjidhje të pranueshme!
Shkrimit të gjatë të Zhitit i mungon, qëllimisht, analiza. Ai nuk e ngul penën thellë nën akull. Ai vetëm sa rendit disa fakte e ngjarje që ne i dëgjojmë papushim në stacionet televizive.
Zhiti nuk guxon as t’ia përmendë emrin kryeministrit Rama; mjaftohet me fjalën “kryeministër”. Nuk i përmend gjëkundi enveristët, komunistët apo pasenveristët!
Zhiti shënjestron presidentin, duke i vënë mbi shpatulla peshën më të madhe të përgjegjësisë. Nuk thotë asnjë fjalë për shpërblimin barbar që Rama u premtoi xhelatëve, vetëm e vetëm për të ruajtur karrigen e tij!
Nëse këtë shkrim do ta lexonte një i huaj, do të hutohej dhe nuk do të ishte në gjendje të dallonte viktimën nga xhelati. E nëse ky shkrim do të lexohej në shekullin e ardhshëm, do të ishte e pamundur të kuptohej se kush e udhëhoqi Shqipërinë në prag të luftës civile.
Poetët dhe intelektualët mund ta krijojnë fare lehtë tablonë e një regjimi diktatorial. Aty nuk ka zonë gri. Gjaku është në duart e xhelatit. Thikën e jep kryexhelati.
Besoj se zoti Zhiti, ashtu si çdo shkrimtar oborrtar, i është shmangur përballjes së madhe me të keqen. Ia ka dalë të mos e zemërojë mbretin. Ka fituar edhe simpatinë e xhelatit, përveç asaj të viktimës.
Viktima, përkundrazi, e sheh me neveri dhe pështyn me përçmim e keqardhje drejt dritares së Ferrit të çarë!

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit