back to top
17.5 C
Tirana
E shtunë, 27 Korrik, 2024

Kur përpiqesha me i hapë rrugë artit tim… kujtime nga Arben Morina

Gazeta

Piktori Arben Morina
Piktori Arben Morina

Kur përpiqesha me i hapë rrugë artit tim…*

kujtime nga Arben Morina

Ishte viti 1992, ndodhesha në München (Mynih) të Gjermanisë, në një qendër kulturore të shqiptarëve të Kosovës. Hapa ekspozitë me pikturat e mia ku erdhi një i ftuar special, piktori Gjelosh Gjokaj, i cili jetonte në Augsburg. Piktori i famshëm Gjokaj, shqiptar nga Mali i Zi, pasi pa ekspozitën, menjëherë më ftoi në Augsburg dhe më tha të merrja një pjesë të pikturave për t’i ekspozuar në një Galeri Arti me emër, në Augsburg.
Ndërkohë, i ambalazhova pikturat që kishim përzgjedhur dhe me tren u nisa nga Mynih drejt Augsburg. Në stacion të trenit në Augsburg, më priti sërish piktori Gjelosh Gjokaj, i cili kishte marrë një taksi dhe jo makinën e tij.
Fillimisht, Gjeloshi më çoi në studion e tij ku me sa më kujtohet më prezantoi dhe me bashkëshorten (më duket se bashkëshorten e kishte italiane nga Roma. Gjeloshi para se të shkonte në Augsburg, kishte jetuar në Romë, Itali).
Në studion e tij shumë të madhe, më prezantoi me veprat e tij, një pjesë e të cilave ishin në dimensione të mëdha.
Pasi diskutuam pak për krijimtarinë e tij dhe pasi më tregoi dhe për familjen (nuk më kujtohet mirë, por më duket se kishte një djalë dhe një vajzë) biseda u kthye tek Shqipëria, ku ndër të tjera më pyeti nëse e njihja piktorin Edi apo Edvin Rama. I thashë: “Po e njoh shumë mirë!”
Në vazhdim të bisedës ai më tregon disa piktura të vogla të E. R. dhe më tha se ia kishte dhënë për t’i shitur. Ndër të tjera më tha, pikturat nuk ia blen njeri, por mbase ia blej unë, dhe po i them se pikturat u shitën.
Më pas piktori Gjokaj më tha: Arben je gati, tani bashkë me pikturat e tua do shkojmë në Galerinë… i tha edhe emrin!
Galeria ishte në një pozicion shumë strategjik në Augsburg. Atje na priste Galeristja gjermane. Menjëherë, mbas një bisede të shkurtë, galeristja, Gjeloshi dhe unë ekspozuam pikturat e sjella (pjesa më e madhe portrete), ku përcaktuam gjithçka…
.
Arben Morina në studion e tij
Arben Morina në studion e tij
Më pas Gjelosh Gjokaj më përcolli po me taksi në stacionin e trenit të Augsburgut. E falenderova, e përshëndeta dhe u ktheva në Mynih.
Nuk kaluan një apo dy ditë, dhe në një telefonatë galeristja në Augsburg më tha, Arben, kam kërkesa për pikturat e tua. Për mua, nuk ishte hera e parë.
Në Tiranë, veç suksesit si piktor, kisha një tjetër ngjarje me gjermanët e Ambasadës Gjermane.
Para vitit 1990, punoja në Galerinë Kombëtare të Arteve. Një gjerman i Ambasadës kërkoi të bënte një portret. Ai bashkë me përkthyesin shqiptar të Ambasadës iu drejtuan Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, sekretarit për Artet Figurative piktorit Petro Kokushta, i cili i drejtoi tek unë. Pasi mora porosinë dhe përfundova portretin, ndodhi ajo që pritej, gjermanë të tjerë të Ambasadës porositën portrete të tjera dhe njëri prej tyre, bashkë me pagesën që bëri donte të më dhuronte një palë këpucë. U skuq ai, u skuqa edhe unë… kur këpucët ia ktheva mbrapsht (këpucët donte të m’i dhuronte pa të keq. Ai e dinte gjendjen e Shqipërisë…)
.
*Titulli redaksional nga Radiandradi.com

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.