back to top
14.5 C
Tirana
E hënë, 7 Tetor, 2024

Kur flasim për Mrì Dedjen e Merrnaçajve – nga Liza Pllumbi

Gazeta

Liza Pllumbi duke folë gjatë promovimit
Liza Pllumbi duke folë gjatë promovimit

Kur flasim për Mrì Dedjen e Merrnaçajve

nga Liza Pllumbi

(fjala e mbajtun në promovimin e Librin “Mrì Dedja e Merrnaçajve”
– Zoja e Hekurt me Shpirt Florini” 

Mirse keni ardhë!
Se pari falenderoj Kishën shqiptare dhe famulltarin tonë të nderuem, Dom Pjetër Popaj, për mundësinë e kushtet që na krijojnë përherë, për realizimin e gjithë veprimtarive: falenderoj organizatorët, Familjen Merrnaçaj, mediat dhe gjithë pjesëmarrsit që e vlerësuan dhe gjetën kohën, me marrë pjesë në kët event!
Me ba analizën ideo-artistike të nji vepre, duhet nji kohë dhe hapsinë mjaft e madhe, aq ma tepër k’tu për nji biografi të personazhit tonë real! Prandaj, un kam zgjedhë që sot ma shumë me u marrë me ato momente kulmore e dramatike të jetës së Mrìsë – heroinës së këtij libri, të cilat nxorën në pah karakterin e saj të fortë, moralin e të sajë të lartë, zemrën e bardhë dhe bujare, e atëherë guximin dhe forcën e k’saj grueje kreshnike, si vetë malet prej nga ajo vjen, për me i përballue gjithë k’to vshtirësi e sfida në jetën e saj!
Me shumë kujdes e delikatesë Jozef Radi, na prezanton qysh në rreshtat e parë të librit me modestinë dhe thjeshtësinë e personazhit përmes fjalëve të saj: “Jo s’kam dashtë me kët libër m’u duk se jam dikushi… por veç kam dashtë me kallzue gjithçka që më ka ndodhë… -thotë Mrìja, kur merr vesh se po shkruhet një libër për jetën e saj!
Sepse primend, ajo s’ka dashtë as me e lëvdue, as me ba e njoftun… por, veç ka dashtë me kallzue historinë e vshtirë të jetës së vet, e të krejt familjes së saj!
-Por ama të gjithë ne e dimë që Mrìja s’ka nevojë as me u ndrojtë, as me u strukë as rrudhe, pse sot ajo nuk asht as e panjoftun dhe as kushdo! Mrínë dhe familjen e tyne, tash i njeh thuejse gjithkush ndër k’to anë!
Virtytet dhe vlerat e tyne të çmueme janë të njoftuna e të vlersueme masivisht!

Mrì Dedja e Merrnaçajve, njifet k’tu në Diasporë, ajo njifet prej lexuesve të librave dhe dokumentarëve të përgaditun për familjen e saj; Ajo njihet po aq mirë edhe atje në Shqipni e në krahinat tona në Malësi – si bijë sojnike e bajraktarëve të Vuklit, e jo vetëm për prejardhjen dhe familjen e saj, po mbi të gjitha për forcën, durimin, qëndresën dhe karakterin e sajë të veçantë e të dalluem – në at rrugëtim të gjatë e të vshtirë që ajo pati, mbushë përplot drama e tragjedi, me sfida, pengesa e vuajtje që rrallë mund të ndigjohet t’i kenë ndodhë të gjitha këto histori – nji personi të vetëm!
Por fatkeqsisht, Kelmendi e krejt Shqipria ishte ba atëherë prej ktij shteti vrasës e gjakatar, shesh i eksperimenteve ma çnjerëzore, fat i keq ky, që i ndoqi thuejse shumë nga malsorët tanë, derë për derë. Ishte kjo nji eksperiencë e tmerrshme dhe e pakrahasueshme që po e përjetonte krejt Shqipnija. Janë pikërisht k’to ngjarje trishtuese e të tmerrshme, që i ndodhën ksaj gruaje gjatë jetës së saj, e që e tërhoqën edhe vëmendjen e autorit dhe e frymëzuen atë, ta shkruente kët libër – Odise, plot vuejtje e dhimbje.
Mrija vinte prej nji Dere të Madhe dhe Fati e çoi ate në nji shpi të madhe, sepse dihet, në miqësi e krushqi, gjithkush zgjidhte e përzgjidhte!
Djemtë e Ndue Ujkës, tashti plotësonin në Kelmend at korrnizën e djemve sokola, të ditun e patriotë, puntorë e duarartë, ishin të zotët, i njihte dhe i vlerësonte Kelmendi, ashtu si i njohin dhe i vlerësojnë edhe sot mbas mase gjysë shekulli, kët familje të mirë – për vlerat dhe gjithë kontributet e tyne!

Liza Pllumbi, i shoqi Lazri dhe Mrì Dedja
Liza Pllumbi, i shoqi Lazri dhe Mrì Dedja

Bashkëshorti im, Lazri kujton nga fminija e tij, se kur delnin Ndue Ujkajt në bjeshkë – Karvani i tyne dukej si nji delegacion i madh shtetnor, nji Paradë e vërtetë ku të tanë delnin e i shifnin ata me admirim e respekt, – thotë ai!
Pikrisht këtu filloi jeta e re e Mrìsë me Marashin, e mbushun plot shpresa e dëshirë për jetën, plot punë e mund, plot vuajtje e dhimbje, sfida e sakrifica, që i vuni këta bashkëshortë kaq shumë në sprova, por që u dha edhe kaq shume vlera, e sidomos Mrìsë, e cila, vërtet u vu në prova dhe duroi aq shumë tanë jetën e saj, po kurrë kjo grue as u mposht e as u dorzue!
Dhimbja e tmerri i papamë filluen për Mrìnë, kur hala ishte nji fmijë 5-6 vjeçe, dhe pa babën e vet tue iu djegë për së gjalli në shpinë e vet, për të vazhdue pastaj jetën e vshtirë si fmijë jetime me nji gjyshe të mjerë, po sokoleshë, që edhe pse ia vranë djemtë e ia larguan krejt familjen, tash mbeten të dyja bashkë pa askënd përreth, bile pa buke e strehë mbi krye!
Mrìja pa vdekjen e vllazënve, e prej mjerimit dhe braktisjes, pa shkatërrimin total të shëndetit të nanës së vet, të vetmes familjare në shpinë e babës!
E çka tjetër ma shumë duhej me i ndodhë në këtë jetë nji fëmije apo nji femne për me e shkatërrue plotsisht. Pse duhej atëhere ajo Nanë e mjerë të shihte e të përjetonte edhe vdekjen tragjike të birit të saj të shtrenjtë?!
Siç e shofim, jeta e kësaj familjeje ishte kombinue për fat të keq, aq dhimbshëm, sa as regjizorët e skenaristët ma të zotë, s’do mund ta tejkalonin kët dhimbje, me krijimet e tyne artistike!!
Para disa vitesh asht organizue këtu promovimi i librit “Forca e Kelmendit” i Zef Naçajt, kushtue Nikollë Merrnaçaj, vllaut të madh të Marashit e kunatit të Mrìsë, jeta e të cilit ishte kry… Aty unë kam tregue që familja ime kishte nji konsideratë të veçantë për Merrnaçajt, ishim edhe kjoshi me njani-tjetrin: na jetonim në Bardhaj e ata në Pshtan. Kishim lidhje gjaku e shumë karshillëk mes nesh, po kurrë s’e gëzuam si duhet njani-tjetrin… se, ata nuk na lanë kurrë, as kohë e as hapsinë:
Kur na internoheshim – ata burgoseshin, kur na burgoseshim – ata internoheshin!!! Sepse ata kishin plane, po edhe grafik të studiuem mirë!

Mri Dedja e Merrnaçajve
Mri Dedja e Merrnaçajve

Qëllimi i tyne ishte: Askush që vlente apo që njihej ndopak në ato vende mos bante hajër kurrë!
Ishte kjo nji mënyrë e gjetun prej tyne, me shkatrrue e me kryqzue gjithë vlerat e virtytet njerëzore e për ta mbytë – krejt at vend, ashtu si edhe ata banë, për gadi 50 vjet me rrallë!
Shpesh i kujtonim Merrnaçajt me respekt e nostalgji: Mama jeme mbas kthimit nga internimi, vetëm nji herë pati rastin me e pa Mrìnë, at nuse të bukur plot jetë, inteligjente e fine, siç shprehej mama për gratë që i vlerësonte! Ishin ato kohna, kur njerëzit vazhdonin t’ishin të piklluem e gadi askuj s’i qeshte buza! Krejt rrallë shihje njerëz të gzuem!!
Kujtonin Nikollën, djalin e madh të Merrnaçajve, që u ndëshkue e po vuente dënimin, vetëm pse ishte njeri i ditun, i zoti edhe i vlerësuem nga gjithkush e në miqësi me nji familjeje të mirë!
Me dhimbje ata flisnin edhe për Dranen, gruen e tij fisnike, nanën e Markut, Diellës e Maries, e cila tanë jetën e saj vuajti shumë nëpër interrnime, për me i rritë fëmijtë edhe me e mbajtë burrin nëpër burgje! Eksperience jete mjaft e hidhun dhe e vshtirë, që ja shkatërroi krejt jetën edhe shndetin e saj.
-Kujtoj edhe vetë, në vitet ’90, nji vizitë me Marianën – shoqen tonë të mirë, edhe kjo nuse ndër Merrnaçaj, kur shkueme në familjen e Markut, për me pà pikërisht nanën Drane.
Në shpi na priti Kristina, nusja Markut, elegante, e hijshme dhe me shumë marifet e respekt. Aty e njoha vetë, për herë të parë, nanën e Markut, kunatën e madhe të Mrìsë, at gruen tjetër legjendë të Merrnaçajve, që siç e përmenda, edhe ajo me nji fat të hidhun, që tanë jetën e saj, ju desh e vetme me mbajtë shpinë dhe me rritë fëmijët e vet jetimë me babë gjallë!!!
Babë, e çfarë babe, – thoshte Mrìja, kur fliste për kunatin e saj, Nikollën – Atij i pati hije, me kenë deri në zyrat ma të nalta të shtetit, – vazhdonte ajo, – e jo ma, me i shkue jeta në burgje e internime! Pra, atë ditë, në at vizitë un njofta personalisht atë gruen tjetër të fortë, që kurrë s’u dorëzua në misionin e saj si nanë, njofta at bashkëshorten besnike, që tanë jetën e saj, priti dhe të shoqin t’i kthehej në shpi e të bashkoheshin si familje!
-E shifsha dhe mendoja: Çfarë fati patën kto nanat tona!?
Ishte ajo nji grue me tipare të skalituna e hijeshi të hershme, mirësi në shpirt, por nga ana tjetër, vështrimi në sytë e saj të lodhun, shprehte shumë vuejtje e dhimbje të kalueme. Rrinte njashtu e heshtun dhe pa fjalë. Vuejtjet fízíke e dhimbjet shpirtnore që kishin kalue cakun, e kishin bà tash punën e tyne në shpirtin e saj, me vdekjen e parakohshme e tragjike të burrit të saj, Nikollës, në ditët e para të lirimit prej burgu. At ditë lirimi që familja e priti nji jetë të tanë, por që s’e gëzuen kurrë, pse u kthye për ta në tragjedi. Nikollën e vranë sërish, qëllimisht për së gjalli – para daljes nga burgu, e braktisën në sëmundjen e tij për të mos pà e mos gzue as edhe nji ditë të vetme me familjen e në shpinë e tij.
E vetmja e mirë, nëse mund thuhet në kët tragjedi, ishte se familja arriti me e vorrosë trupin e Nikollës në Shkodër, falë përpjekjeve të mëdha dhe kambënguljes së fortë të të birit, Markut, për mos me i humbë vorri dhe eshtnat babës së vet, që aq shumë e deshti dhe aq shumë e dishroi – tanë jetën e vet! Pra, jo rastësisht Dranja ishte kunata e Mrìsë. Pra, diktatura dhe bishat e asaj kohe e kishin mirëplanifikue fatin e ktyne dy grave dhe familjeve të tyne, ashtu si dhe fatin e mija familjeve të tjera nëpër Shqipni!
Se primend, ata nuk merreshin me këdo!
Ata kishin farue e shkatrrue familjet ma të mira në tanë Shqipninë, e tashti rralla i kishte ardhë Kelmendit!
Ata i zgjidhnin e përzgjidhnin mirë viktimat e tyne: Aty ku ishin familjet e fiset ma të mira, të sojit e patriotë, me zà e famë, me urtì, pasuni e vlera, atyne u suleshin ato bisha të egra!
Kështu ndodhi edhe me Merrnaçajt!
Siç e përmenda ma nalt, kjo familje po rritej e pasunohej. Nikolla ishte ndër njerëzit e njoftun të asaj ane, kishte jetue e shërbye në Itali, si njeri i zoti, i zgjedhun prej shtetit të atëhershëm. Marashi po ashtu patriot e shqiptar i flaktë, punëtor i pashoq. Vllaznit e tjerë Rroku e Pjetri, edhe ata të hijshëm e të vyjshëm si vllaznit e tyne – dikush i binte fizarmonikës, tjetri kishte aparatin e bante fotografi për familje e shokë. Jeta atyne po u bahej përditë e ma e mirë, punonin shumë e gëzonin të tanë!
Po kush me të lanë me gzua n’at kohë?
E mjerisht atje, gëzimi nuk zgjaste shumë, sepse sapo ata e hetonin se dikush po përparonte ndopak, menjiherë i turreshin si çakej me e shkatrrue! S’u mjaftonte kurrsesi burgosja e e Nikollës, plagë kjo, që s’u shnosh kurrë në zemrën dhe shpirtin e Marashit e që e vuejti tanë jetën e vet.
Ata tash po përgadisnin ferrin e krejt familjes Merrnaçaj dhe shumë familjeve tjera nëpër Shqipni. Ishin ato metoda çnjerëzore enveriste, të kësaj rrace të dalun fare, për me shkatrrue malsorët. Ata, rivalët e tyne luftës sajuen luftën vllavrasëse të 1945, sepse urrejtja dhe tërbimi, injoranca dhe ligësija ua kishte verbue komplet sytë, mendjen dhe gjykimin njerëzor.
S’mund të shihnin, a të pranonin kurrsesi – zhvillim a gjana pozitive në kët popull!
E çka nuk banë ata, e çka nuk ndodhi në Kelmend prej dorës tyne gjakatare! Edhe Hitleri e Stalini do t’ia kishin pasë lakmi Enverit, në këto kohna!
Kështuqë, familja Merrnaçaj e ndjeu kërcënimin që po u afrohej, dhe shpejt vendosën me u arratisë në Jugosllavi, të paktën nji herë, veç me pshtue kryet, siç themi na malsorët! Këtu fillon prap dhimbja e pikëllimi i Mrìsë, ky vendim i Familjes e tronditi shumë atë, i dha shumë vuejtje e trishtim shpirti, ishte shumë e vshtirë për Mrìnë me lanë mbrapa Nanën, të vetmen familjare që i mbet gjallë, mbas vdekjes tragjike të dy vllaznve të saj! Por, kët largim të së bijës, ajo e vuajti shumë, aq shumë, saqë, shumë shpejt, në moshë krejt të re, u shue e vdiq, e la këtë botë përgjithmonë, e kështu nanë e Bijë, kurrë ma s’e panë njena-tjetrën me sy!!
Po jeta vazhdonte gjithsesi…
Marashi e Mrìja ishin familje e kishin detyrime, kishin fëmijë me rritë, andrronin të ardhmen e tyne! E kështu ata fillojnë prap nji jetë të re, atje në Jugosllavi, e përpiqen, punojnë shumë, arrijnë fmijë të tjerë, por Mrìsë edhe ktu, s’po i largohen vuejtjet e hallet. Vrasjen atje të axhës së vetëm, Kolë Bajraktarit, e përjeton shumë dhimbshëm, se ata po vriteshin e vdisnin me rradhë e s’po i mbetej askush në jetë…!

Në promovim u shitën 120 libra - paratë e mbledhura i kaluan Kishës Zoja e Shkodrës...
Në promovim u shitën 120 libra – paratë e mbledhura i kaluan Kishës Zoja e Shkodrës…

Kalvari i vdekjeve në familje dhe vuejtjet shpirtnore, s’po dinë kurrë me i mbarue ksaj gruaje!! Po, prap ajo nuk mposhtet, qëndron e mbahet, përpiqet shumë me kenë e fortë!
Mbas tanave ktyne, nji ditë Familja Merrnaçaj mbrrin në Amerikë, në “tokën e premtueme”! Tashti shpresojnë shumë se i shpëtuen atij mallkimi të atjeshëm! Ishin puntorë e shpijakë e të mirë, Marashi e Mrìja, të ndershëm e besnikë, ambiciozë e familjarë; bajnë plane për të ardhmen, përpiqen e sakrifikojnë, nuk ndalen kurrë, përparojnë e arrijnë, pse ishin në vendin e mundësive, bahen të zotët, të njoftun e shembull i mirë për komunitetin, ashtu si edhe shumë familje të tjera shqiptare këtu! Ishin kohna të mira atëherë!
Shpresohej, që ditë ma të mira do vinin edhe për Shqipninë.
Por, ata mizorët e etun veç për gjak e ligësi, mbas tana atyne të kqijave që u kishin shkaktue, planifikonin përsëri vrasje e rrënim të plotë të kësaj familje!
Edhe tash, mbas 30 vjetësh, ata s’i lanë rehat kurrsesi. I godasin thellë në zemër tue u vra djalin – Nishin – Dritën e syve të tyne, birin e shtrenjtë, atdhetarin e flaktë, që luftoi e dishroi aq shumë ta shihte Shqipninë të lirë e demokratike:
-Ja vranë familjes Djalin
-Ja vranë Liderin – Rinisë shqiptare në diasporë!
E vranë, dhe si e vranë barbarët?
-As hasmi në Mesjetë nuk do ta bante në kët mënyrë!!! Pse o Zot, edhe kjo duhej t’i ndodhte ksaj Nane?! Pse a pak dhimbje e tmerr kishte kalue ajo në fëmini e tanë jetës së saj?!
Si nuk u nginë kurrë k’to egërsina me gjakun e njerzve të mirë? Pse s’e lanë kët nanë me gzue fmijtë e familjen e vet?! Kjo familje sapo e pat marrë veten këtu në Amerikë! Iu rritën fëmijtë, po i shkollonin e martonin, krijuen lidhje, njohje e miqësi me shpija të mira e patriote, u banë nji derë e hapun për shqiptarë e atdhetarë, bujare e zemërbardhë, ndera, mikpritja, respekti e kujdesi i tanve!
Pse vallë duhej t’i ndodhte edhe ajo hata në zemrën e asaj nane, pse ja vranë edhe djalin?!?
Kjo gjamë që ndodhi këtu – s’pati kufi jo vetëm për familjen, por gjithë shqiptarinë, këtu në Diasporë, ishte nji dhimbje e madhe dhe e papërshkrueme.
As Ajkuna e Jutbinës, nuk e pati dhimbjen dhe trishtimin ma të madh për Omerin, sa e pat Mrija për vrasjen e djajit të saj, Nikës!
Por… Njeriu asht ma i fortë se guri, dhe… u duruaka edhe kjo! Edhe pse ato ishin ditët ma të vshtira e ma të dhimbshme në jetën e tyne, prap kjo familje përpiqet të qindrojne e të mbahet disi!!!
Zoti i madh në të cilin besuen gjithmonë Mrìja dhe familja e saj, ju bane atyne ndihmë e madhe me e përballue kët dhimbje të tmerrshme, gjithashtu mbështetja që patën prej njerzve të afërt, nga krejt komuniteti shqiptar në Amerikë, nga Kisha shqiptare – u dhanë atyne forcë të madhe!
Nji mbështetje e kujdes të veçantë n’ato ditë zije, trishtimi e dëshprimi, pati kjo Familje edhe nga vetë shteti amerikan, që iu gjind shumë afër me të gjitha mënyrat e përkujdesjet, për t’ua lehtsue disi e për t’ua zvoglue sado pak, dhimbjen e dëshprimin e pafund të Vdekjes së Djalit! Bile shpejt, në ato muaj, Shteti Amerikan e shpall Nikë Merrnaçaj: “Hero të Lirisë e Demokracisë Shqiptare” këtu në Diasporë, duke e përkujtue ate çdo vit në “Ditën e lirisë shqiptare”.
Kjo vdekje e tmerrshme e djalit e dërmoi dhe shkatërroi shumë Mrìnë, po përsëri kjo grue s’u mposht! Ajo gjeti prap forcë për mos m’u dorzue, po me vazhdue me jetue edhe për fëmijtë e tjerë, me ruajtë traditat e zakonet e babës e tanë fisit të sajë, me qindrue e fortë, me shpresue se dëshira, qëllimi, idealet dhe sakrifica sublime e djalit të saj të shtrenjtë të bahen realitete, që liria dhe demokracia të vinin nji ditë edhe në Shqipni!
Por hallet vazhdojnë!
Edhe sëmundja edhe vdekja e Marashit bashkëshortit e bashkudhëtarit të saj të çmuem, me të cilin kaluan tanë ato vshtirsi e tallaze jete, e lodhën shumë Mrìnë, por ishin fmijët e saj të mirë e fort të përkujdesun! Leka, Pavlini e vajzat: Lula, Liza dhe Vera e mbajtën atë gjallë dhe s’e lanë me mbarue e me u dorëzue… Bashkë me fëmijët edhe gjithë të afërmit përreth, ajo po qindron sot e po mbahet prap e fortë!
Si mundet nji njeri me i durue të gjitha këto!?
Por Ajo s’asht si të gjithë ne! Mrìja asht simboli i qëndresës, i mirësisë, i drejtësisë e ndershmërisë, simboli i përkrahjes dhe bujarisë, ashtu siç e pat zakon kjo familje, gjithmonë me ndihmue gjithkend që ka nevojë dhe me mbajtë derën hapun për miqtë e dashamirët!
Thuhet ndonjëherë se historia të ve në provë, e kjo ndodhi edhe me Mrìnë, i dha shumë goditje, po edhe ia nxori në pah tana vlerat e saj!
Pra, ajo sot asht nji legjendë e gjallë e fisnikrisë, e forcës dhe qëndresës së grues malsore! Ajo mbetet nji kreshnike, si vetë malet tona prej të cilave ajo ka ardhë. Fatmirsisht, Ajo sot jeton edhe me na kallzue ne të gjithëve, për gjithçka ajo ka pa e për çka ka hjekë, siç thotë edhe At Zef Pllumbi te: “Rrno për me kallzue”, edhe Mrija shumë na kallzoi me kët libër të çmuem nën kujdesin profesional të Jozef Radit, autorit të ksaj vepre.
Jo më kot ai e zgjodhi kët histori! Nji proverb thotë: “Nuk asht i fortë ai, që nuk rrëzohet kurrë, i fortë asht ai që çohet përsëri…!”
Shumë herë u godit dhe u sulmue fort ajo, shumë drama e tragjedi pati në jetën e saj – por përsëri qëndron në kambë, mbahet e fortë, pavarsisht moshës e gjithë atyne rrebesheve që i ranë mbi krye!
Kjo pra, asht Mrìja – Gruaja e hekurt, që mban dhe titullin libri! Kjo asht Mrija – Gruaja me zemër të bardhë e shkëlqim si fiorini!
-Janë këto figura letrare të zgjedhuna me shumë vëmendje e fínesë nga autori, që e personifikojnë ma së miri portretin e kësaj grueje qysh në titullin e veprës, e që qëllimisht ai e emërtoi kështu librin e tij.
Pse ai i përmbush më së miri kriteret e nji vepre letrare, si në formë, edhe në përmbajtje, me të gjithë elementët kryesorë, duke fillue nga tema, ideja dhe mesazhet që vepra përcjell, e veçmas, atëherë edhe me gjuhen e veprës at gegnishten dialektore të kodifikueme dhe të miksueme me shkodranishten letrare, duke i shtue së fundi edhe shprehjet e rralla dialektore, së bashku me humorin e filozofinë e tyne që rrallë e has kështu e kaq kandshëm, si në gojën e personazhit tonë real, Mrì Dedjes, me të cilat ajo e kalon epiken, ashtu siç ishte edhe vetë jeta e saj epike!
Thurja e subjekti të veprës përmes vetërrëfimit të personazhit, janë nji gjetje e autorit, për ta ba veprën shumë interesante, intriguese për lexuesin, mjaft atraktive, po edhe mjaft komode në perceptim.
Mesazhi madhor i forcës dhe qëndresës njerzore, për mos t’u dorëzue kurrë para vuejtjeve, dhimbjeve e vshtirsive, para sfidave e pengesave – përcillet qartazi nga titulli i veprës e në gjithë brendinë e saj! E për të përfundue pastaj te vlerat që të jep vetë jeta me gjithë sprovat e saj: për t’u fisnikrue e përsosë pafundsisht në tanë at rrugëtimin të vshtirë e me pengesa siç ndodhi edhe me Mrìnë, me këtë grue zemërbardhë e të fortë si çeliku, që me guximin e forcën e saj, sfidoi çdo goditje që mori, e çuditërisht, bile dhe për të dalë prap shumë e fortë prej tyne! Dhe pastaj përsëri: Mrija, kjo grue e vogël, po me zemër të madhe, pavarësisht gjithçkaje që hoqi, ajo bashkë me familjen e saj ndihmuen gjithkënd që pati nevojë pa asnjë dallim, tue fillue nga familjarët e tyne t’afërt, komunitetin tonë këtu, të ardhunit nga vendlindja, kishën tonë shqiptare, e deri atje larg në Shqípni, shkuen përherë ndihmat dhe kujdesi i tyne!

Si nji grue e forte, ajo gjithmonë u mundue shumë të mbahej e të mos mposhtej, mos t’i dorzohej as dhimbjes as fatit, po të gjente forcë me qindrue si fisnike, njashtu si asht traditë e zakon në Malsi, me jetue edhe për familjen, po edhe me shpresue që andrra, dëshira dhe idealet e Djalit nji ditë të bahen realitet – e Shqipnija të gzojë liri e demokraci, si bota.
Vendimi i Familjes Merrnaçaj me shkue në dasmën e kumarëve, pak ditë mbas vdekjes së Djalit, ishte nji sakrificë shumë e madhe, po edhe nji burrni e papame në këto kohna!
E kështu vjen dita e Mrìja kthehet në Shqipni, mbas ma shumë se 30 viteve dhe shkon drejt e në Kelmend, njatje në Vukël te shpija e Babës s’vet, që s’e gëzoi i ngrati kurrë…!
Ehhhh! Shumë mall, lot e kujtime pati ajo e shkretë në kët derë!!!
-Nuk ishte baba te dera me i thanë, mirse erdhe Bijë!!
-Nuk erdhi as nana, me i bashkue të tanë në darkë!
-As vllaznit nuk dolën, me e pritë e përqafue motrën e vetme!
Kurkush prej tyne, s’foli aty me Mrinë!!
Gjeti atje veç vorret e ftofta të robve të saj mblue me bar e ferra, që s’kishte mujtë kurrë me ardhë e me i pa.
Britma edhe vaji i saj n’ato vorre – shkuen deri n’kupë të qiellit, sa as 1000 fjalë s’munden ta përshkruejnë dhimbjen dhe dëshprimin e asaj dite!!
Si mund të jenë fatkeqsitë dhe trauma ma e madhe, se të gjitha kto që i ndodhin ksaj grueje?!
Sa mundet me durue njerì në këtë Botë?!
Prandaj, Mrija sot gzon nderim dhe respekt prej të gjithëve. Pse e tillë dhe e veçantë asht ajo! Gjithkush që e njeh, dhe ka ndigjue për të e familjen e saj, e duen shumë Mrìnë dhe kanë për ta nji konsideratë të naltë. Bile, kam pasë rast me ndigjue disa herë këtu, që disa komunitarë a këshilltarë te Kisha Jonë, të cilët ia dinë mirë historinë asaj dhe familjes së saj, edhe thonë: “Mrìja asht Nanë Tereza jonë!”
Ky asht me të vërtetë nji vlerësim i lartë që i bahet asaj prej njerëzve që e njohin dhe e çmojnë jetën, veprën dhe zemrën e saj të mirë, durimin, qëndresën dhe forcën e saj!
-Zoti asht i madh e i vërtetë në këtë jetë, e gjithkujt ia jep meritat nji ditë!
-Jam gzue primend shumë, kur kam pa e ndigjue sa kredit i japin njerëzit Mrìsë, siç jam gëzue shumë edhe atëherë, para 22 vjetësh, kur shkollës që unë drejtoja në Tamarë, i dhamë emnin e Djalit të saj: Shkolla e Bashkuar Nikë Merrnaçaj, emni i heroit të lirisë e demokracisë shqiptare në mërgim! -E kështu pra, të dy ata – Nanë e Djalë: bahen legjendë dhe banë histori në tanë Shqiptarinë, e do të kujtohen për shumë kohë e kohë!
Se kjo familje vërtet meriton shumë!
-Komplimente edhe për ju Jozef Radi, autori ynë, që me veprën tande arrite ta përjetsosh emnin dhe veprën e kësaj “Grueje të Hekurt”, e cila qëndron sot këtu para nesh, si nji Legjendë e forcës dhe qëndresës, si nji simbol i mirësisë dhe fisnikrisë së grues shqiptare. Ajo mbetet përherë model për ne gratë dhe nanat shqiptare, tue na ba të tanave, të jemi shumë mirënjoftëse për të, po dhe shumë krenare njikohsisht, që e njoftëm dhe e patëm bashkëkohëse kët Malsore Kreshnike!
I uroj sot Mrìsë: Nji jetë sa ma të qetë e të shndetshme, rrethue përherë nga kujdesi dhe dashnija e familjarëve dhe gjithë dashamirësve të saj!
-Përgëzimet ma të mira, e suksese të përhershme autorit Jozef Radi, që ja dha këtë shans lexuesve me pasë në dorë kët libër kaq të vlefshëm që asht nji Testament për tanë brezat pasardhës e jo vetëm për familjen e Mrìsë, po për krejt shqiptarët, edhe atyne që do jenë të interesuem se cila asht historia që kaluem ne shqiptarët nëpër shekuj e diktatura!
-Falemnders dhe Ju të gjithëve për kohën dhe durimin tuaj!

Hartsdale, 16 shtator 2023

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.