back to top
14.5 C
Tirana
E hënë, 7 Tetor, 2024

Kupa Botnore e Futbollit rikthehet në Gjermani nga Fritz Radovani…

Gazeta

Kupa e Botes - Brazil 2014...
Kupa e Botes – Brazil 2014…

Kupa Botnore e Futbollit rikthehet në Gjermani

nga Fritz Radovani…

Ma shumë se knaqësi!

Plot 60 vjetë përpara, në shtëpinë e mikut tim Luigj Gjeka, në vitin 1954, kemi ndjekë finalen e kampionatit botnor mes Gjermanisë dhe Hungarisë… Hungaria njihej nga lojtari i madh Ferenc Pushkas, ndërsa Gjermania, kishte dy vllaznit Fritz e Oto Walter, lojtarë që mbeten në histori të futbollit botnor, dhe deri në vdekje Fritz Walter u quejt “Hero i Bernës”, nga zhvillimi i atij kampionati botnor, i pari që u zhvillue mbas Luftës së dytë Botnore në Europë në Zvicër.
Humbja e skuadrës hungareze atëherë ishte e papritun si ajo e Brazilit sivjet…
Futbolli gjerman u ba i njohun edhe nga trajneri Helmut Shën, një nga drejtuesit e vërtetë gjerman, që para ndeshjeve ndërkombtare u kujtonte gjithnjë lojtarëve të vet: “Mos harroni se jeni gjermanë!”, dhe kishte rasë që ndër pushime ulej në piano dhe lonte pjesë muzike gjermane.
Një ndër porositë e Tij të vazhdueshme që ruejti me “fanatizem” ishte: “Lojtarët që mendohen me kenë në formacionin e kombtares nuk duhet të shiten jashta Gjermanisë, mbasi nuk duhet të njihen vetitë e gjenialiteteve tona nga të huejtë…”. Lojtarët Franc Bekenbauer, Gert Myller, Lothar Mateus, dhe dhjetra të tjerë mbetën Yje të futbollit Botnor!
Në vitin 1974, Gjermania e Bekenbauer ishte prap fituese e Kupës së Botës, po asnjëherë nuk duhet harrue se Gjermania gjithnjë ishte nder gjysëfinale dhe finale. Fitoret e saja gjithmonë dukeshin si t’ishin llogaritje matematike…
E vetmja e papritun e tyne ishte “humbja”…
Në vitin 1990 skuadra gjermane, mbas ramjes së “Murit të Berlinit”, kunorzohet me të tretën Kupë Botnore të futbollit, tue u ba tri herë fituese e saj.

Gjermania 2014
Gjermania 2014

13 Korrik 2014, në Brazil… Ndërsa, në Melbourne, ishte ora 05 e mjesit e datës 14 Korrik 2014, kur mbas fitores së skuadrës gjermane me rezultatin 7 – 1 me skuadrën e vendit organizues të Brazilit, do të fillonte ndeshjen finale të kampionatit me Argjentinën e lojtarit njohun L. Messi…
Shumë komente. Shumë parashikime… Shumë të “panjohuna” dhe, mbi të gjitha: Mbas ndeshjes me Brazilin, shumë frikë nga kundershtari kryenaltë i Amerikës së Jugut, Argjentina!
Skuadra gjermane vinte në stadiumin “Marakana” e ndjekun nga zonja Merkel, kancelare e Gjermanisë, me porosi nga i madhi Bekenbauer dhe me një ekip drejtues nga trajneri jo shumë i njohun si parardhësit e Tij, z. Joachim Löw-in …po për 12 vjet me një ekip futbolli gjerman!
Ndeshja filloi sikur t’ishte një ndeshje “miqsore”… Të dy ekipet dukeshin se pritnin një “urdhën” për me fillue sulmet e veta! Të dy trajnerët ishin në lëvizje… ndihmonin me dhanie topi, kur dilte nga fusha! Skuadrat kalonin mesin e fushës dhe ktheheshin në pozicione mbrojtje… Edhe ndonjë gabim ndër pasime nuk shfrytzohej nga kundershtari, se pritej goditja e topit nga “Yjet” e skuadrave! Yjet ma shumë dukeshin të topitun se në rolin që pritej nga të gjithë ne prej Tyne që ishim tue i ndjekë ata! Ishte e para herë që një finale futbolli më dukej ma shumë sesa një ndeshje futbolli, një ndeshje “shahu”… Çdo çast pritej një lëvizje “shah mat!”…
Ishte pikrisht minuti 113, i datës 13 Korrik 2014, që plot mbas 60 vjetësh, i jep mundësi skuadres gjermane që me anën e një lojtari të rij, Mario Götze, me i dhanë “shah mat!” skuadrës së madhe të Argjentinës së Diego Maradonës, me anën e një goli plot forcë, shkathtësi dhe mprehtësi të lojtarit që porsa kishte hy në fushën e lojës së skuadrës gjermane.
Nuk dij pse edhe lojtarit argjentinas Messi, në gjuejtjen e Tij në fundin e ndeshjes i asht dukë se gjuejtja e Tij “ashtu si ne”… asht e “pavlerë”…dhe iku jashtë, pa ndryshue asgja në rezultatin e ndeshjes finale, ku pritej që lojtari i topit t’artë mund të ndryshonte edhe rezultatin…
Ndoshta, dëshira ynë… kishte thye edhe “mitin”…
Gjermania fitoi 1-0 me Argjentinën!

Gjermania - Kampoione e Botes 2014
Gjermania – Kampoione e Botes 2014

Kjo fitore mbetet historike se skuadra Gjermanisë fitoi kupen e artë të Botës, jashta Europës, në Amerikën e Jugut ku asnjëherë nuk ka mujtë me hypë në podin e Fitimtarit!
Edhe Gjermania rreshtohet që sot ndër vendet katër herë fituese të kampionatit botnor!
Fishekzarët mbyllën Festën e madhe të futbollit në Botë… Në Brazilin e Madh…
E bashkë me të gjithë Popullin gjerman, sot festojmë edhe ne simpatizantët e Saj!
A e dini se në gjithë Boten nuk jemi aq pak sa kujtojnë “disa”…
Melbourne, 14 Korrik 2014

Related Images:

More articles

1 Koment

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.