back to top
19.5 C
Tirana
E diel, 19 Maj, 2024

Kumtet moderniste që dekodojnë poezinë e Rei Hodos – nga Emrije Krosi

Gazeta

Rei Hodo - Apricus - Poezi
Rei Hodo – Apricus – Poezi

Kumtet moderniste që dekodojnë poezinë e Rei Hodos

nga Emrije Krosi

Të lexosh poezinë dhe të tentosh t’i qasesh asaj, jo si lexues por si dekodues i poetikës së një poezie të një poetit të ri, (që padyshim quhet poet me {P [të madhe]}), ku vargjet e tij kanë një topikë shumë interesante, por tepër individualiste. Thuhet, se çdo poet ka individualitetin e tij, por nga ndërtimi stukturor i këtij vëllimi poetik, që nga stuktura e ndërtimit të librit, tematikat, idetë dhe e gjithë konstruksioni i poezisë, konstatojmë një mynyrë shkrimore totalisht postmoderniste.
Në ciklin poetik “Apricus” (Hodo: 2022), janë poezi që nuk kanë njëtrajtshmërinë e një rryme caktuar, ku dominon një poezi e mendimit e stukturuar në pak vargje, ku mbizotërojnë tropet metaforiale.

***
Libri ka një konstrukt të jashtën shumë personal. Është një risi. Poezitë nuk kanë fare tituj dhe kanë nëndarje, që dekodojnë edhe thelbin e mesazheve të fabulave apo tematika të ndryshme poetike.

1.Kodimi/(de)kodimi i thellësisë: (epton poezi të mendimit, ku bota artistike jetohet përmes “zhytjes” në thellësitë): në s’më gjen askund në qytet dhe as/ në pavijonin e të vdekurve nuk/ gjendet emri im/ kërkomë në manastirin e poezisë/ atje do të jem bërë murg, duke marrë trajtën e poezisë së tij. Gjithërrokshmëria dhe qasja ndaj (pa)arsyes dhe kundërarsyes, kur shpërfaqet logos-i (logiké epistéme), mëtimi i bashkëvendosjes, mes prehjes/ shtrirjes apo edhe lidhjes jashtë ose brenda leximit, eksplicit-ia/imlicit-ia, kanë natyrë semantike (Genete: 1982: 154). Përmes shkatërrimit të kodeve letrare, jashtë miteve, “zhbëhen” modelet e kotësisë/absurdit, modernes dhe postmodernes, kur shkruan: heronjtë e heshtur/ heronjtë e zëshëm/ gjithkund heronj pa heroizma/ pa jetëzim të ethshëm, vetë loja e fjalëve, [heronjtë/ heroizma], është një përsëritje e tingëllimave të asonancave dhe kosonancave.

2.Kodimi/(de)kodimi i tej thellësisë: (referimi i postmodernizmit me përtej thellësisë), ku dominon shenja dhe imazhi dhe zhduket realja. Analiza konkrete e realitetit poetmodernist, në fomën e një diskuri kameleon është më afër kulturës masive dhe pop artit ku struktura kuptimore dhe shenjimi simbolik i kotësisë, përmes komunikimit të përditshmërisë lidhet përmes hapsirës referenciale (Cassirer: 1955: 13). Tipari dallues i historisë, që mvesh moderniteti/(post)modernitetit shenjojnë imazhet e të shkuarës, që risjellin mitet, si parim i zhvendosjes, por edhe si domethënie, duke e lidhur me mitin me krahasimin: në kalatë që/ ndërtuan/ grekët/ ilirët romakët/ tani modernizmi/ buzëkuqet dhe sheh brigjet e detit/ deti është po ai ka mbetur i kaltër/ po loti i historisë/ vallë/ i tillë mbeti.
Një tërësi imazhesh, që fjalori i të cilit bazohet në të njëjtin “sistem përshkrues” sociolektik të tipit “retro-lexim”, në formë e një strukture matriciale (Feber: 1999: 46), ku një imazh që duket se përfaqëson një matricë të caktuar poetike, qartësisht mund të jetë fillimi i një leximi në çfarëdo rendi dhe radhe, që godet lexuesin, sipas rasteve të kërkimeve të varianteve të tjera të matricave të mëpastajme. Është e rëndësishme të theksohet, se asnjë imazh i vetëm nuk injorohet në procesin letrar, duke i krahasuar ato me qëllim e formulimit të një propozimi matricial, si konfigurim i gjendjeje psikike dhe shpirtërore të poetit.

3.Kodimi/(de)kodimi i dashurisë, si një port i heshtur: (dashuria nuk është një matricë poetike, por një plotësim i dëshirave shpirtërore të poetit përmes poezisë). Poezia erotike i jep lexuesit, një emocion të veçantë përmes mungesës dhe dëshirës, mallit dhe pritjes, erosit dhe dashurisë. Imazhi i mallit, përplotëson rrethin e të kënaqurit, për të lehtësuar dhimbjen që po vuan. Të dashuruarit, bëhen të frikësuar kur distanca i ndan, është shumë e madhe: më fal veç një puthje/ t’u flas nimfave/ në thellësi/ zgjohem deti/ në qofsh nimfa ti, imazhi i një nifme përtej pamundësisë së dashurisë, megjithëse me një përfshirje edhe më të gjerë pjesëmarrësish që dekodojnë dashurinë (si qëllim dhe për të zgjeruar hapsirat e komunikimit me letraren, që përbën një befasi poetike), që epton dëshirën erotike/dashurore si topikë e mëvetësishme poetike të shkuar, por jo si metaforë gjithpërfshirëse të gjithë përmbajtësisë së tekstit. Etosi poetik, është njizur jo vetëm si subjekt universal (poezia), me format tashmë të njohura më të hershme të poetikës aristoteliane të shkrimtarisë së letërsisë (kryesisht poezia), që shpërfaq fizioniminë e postmodernizmit (Calinescu: 1987: 62). Vargjet: të desha unë – të desha/ edhe kur/ ëndrrat mbanin emrin tend/ të dua – të dua/ edhe pse/ gjumin tani e prishin rënkimet e natës, identifikohet vetori i vetës së [parë/ dytë{unë/ti}] dhe pse gjithmonë romantika dashurore ka fjalën magjike: Të dua!

Promovimi në Durrës i Librit "Apricus"
Promovimi në Durrës i Librit “Apricus”

4.Kodimi/(de)kodimi i një shpirti tjetër; (shpirtra qëndrestarë por edhe vdekatarë), përmes vargjeve: qëndroj/ pa ikje tërë mall/ mbi muret e/ qëndresës/ qëndroj/ për të ikur nga ty/ qëndresë pa mure…// poeti në çdo në nëndarje jep referenca nga poetë shqiptarë, në kujtim edhe të artit të tyre. Evidentimi i përsëritjeve në shumë vargje, duket si qëllim estetik, si përforcues vargu [p.sh.: qëndresë] është një minielipsë, që eptohet përsëri përmes asonancave[qëndroj/qëndresë etj].

5.Kodimi/(de)kodimi i një cogitatio: (si substacë e shprehjes), duhet padyshim të ketë në thelb: a)formën e shprehjes, b) formën e përmbajtjes, duke lartuar marrëdhënien mes këtyre dy formave: frika nuk është të vdesësh/ është vetë/ vdekja/ në njërin qiell unë vdekja në qiellin tjetër/ na ndan të dyve një jetë.// Eptimi i elementeve të metaforës simbolike nëpërmjet “simboleve sunduese” të “vdekjes” poetike, kumton larushi të figurave radikale (Christine: 1985: 147), si një dukuri, që shenjon një motiv lëvizës metaforik jetë-vdekje ose anasjelltas

6. Kodimi/(de)kodimi i erosit: (koncepti i përjetshëm mes trupores dhe shpirtërores). Imazhet erotiko-dashurore, janë të hershme në poezinë lirike, që me Safon, por që mëtojnë përreth një bashkimi të drejtpërdrejtë, se motivet erotike jo vetëm si përcaktesa të objektit krijues, por edhe në trajtimin poetiko-estetik të poezisë erotike, në letërsinë shqipe janë shumë të hershme. Përmes vizionit femër, si emancipim shpirtëror i çdo shoqërie, e ka zgjeruar ketë temë më dy rrafshe: a) rrafshi erotiko-dashuror, b) rrafshi erotiko-pornografik, (letërsia shqipe nuk e ka pranuar akoma si nën/substrat të saj) për të përplotësuar dhe vlerësuar poezinë lirike të dashurisë (Zogaj: 201), nëpërmjet vargjeve: shpirti yt u/ zhvesh – kurm që s’e pata nuhatur/ qetësisht bëmë dashuri të çmendur të xhelozonim/ dashuritë e mia/ rrekëm trupat dhe dashuruam çmendurisht/ si bënë dashuri.

7.Kodimi/(de)kodimi i rrudhave të qyteteve: (imazhi i hapsirave dhe infrastrukturës), lidhet me mendimet e ndryshme dhe subjektive mbi tekstet, bashkë me dokumentacionin shkencor të burimeve, duhet t’i lejojë lexuesit t’i referohet teksteve origjinale historike dhe fiksionale, se kështu bën të mundur krahasimin e rezultateve dhe gjykimin e cilësisë së interpretimit poetik se është vetëdija autoriale ajo që mban me shumë intencën e tekstit (Qosja: 1979: 67). Vargjet: me pak hënë në krahët e mi rioshë/ nisa të lundroj dhe/ sytë/ ah sytë e tu që prej së largu feksin/ si fari në Durrës tek shtatohet stoik/ unë nuk jam as anije as velierë të çaj detërat/ pa kokëçarje për erën por përsëri/ sytë e tu/ ah sytë e tu thua të përkëmbehen me valën/ i ngrysur shpirti i ngjan një deti të trazuar/ vala s’është veçse një puthje që shuguron qetësinë//, është tjetërsimi i qytetit, që përballet edhe me moralin dhe konservatorizmin e komunitetit, në mënyrë të gabuar, përmes heshtjes ose indiferencës duke e vlerësuar përpjekjet e dështuara për të zbuluar një “format kritik” të poetit: botët heshtën/ si oktapodë/ u korrën fitoret/ humbja turpërohet/ mjerisht/ njoha humbësit.// Zgjerimi kaotik i një qyteti bregdetar, që lidhte mbi “shkatërrimin dhe qëndrueshmërinë” e qyteteve, pa asnjë ndërdyshje, shtrihet edhe topika e atdheut, por edhe ndiesia jo vetëm i një poeti, por bashkëqytetari ndaj krimit urban, dhe (për)rrokja e shqetësimeve qytetare, larg indiferencës shoqërore/ sociale, familjare/ miqësore dhe politike.

8.Kodimi/(de)kodimi i mëkateve: (heshtja ndaj realitetit surreal të shoqërisë), duke na përqasur një realitet (për lexuesin e sotëm surreal) nëpërmjet vargjeve: mëkatomë dhe mua që i dehur shpirtërisht/ përkëmbeva buzët/ me mëkatin tend/ i njoha sytë e mëkatit dhe shtriva mbi to/ pushtetin tim si në/ toka të Ilirisë/ si lypës endesha kofshëve të tua mishtore dhe/prej zotit/ kryemëkatar të njerëzimit pak kohë/ aq fare pak kohë doja hua, se fuqia shprehëse në mënyrë shumëpërmbajtësore dhe shumëpërmasore dhe ogurmirë, depërton mes errësirës ekzistenciale, të absurdit dhe surreales, por mënyra sesi e shikon botën (çdo poet), nuk e shmang dot vëmendjen ndaj rrethanave të jashtme. Në raportin ndërmjetësues me realitetin, vëren një subjekt shndërrues/shkatërrues (Zoti), se njerëzorja jonë është mëkatare, por e “spastron” realitetin nga përmbysjet postmoderne (Brooker: 1972). Endja mes miteve dhe historisë, shkon deri tek Qenie Sipërore, Zoti, si kundrim ndaj besimit, bekimit, apo ndëshkimit.

Si përfundim: poezia e Rei Hodos, është një poezi e një poeti të ri, që ka një stil jo vetëm individual por edhe edhe rrok shumë kohra, hapsira, stile dhe rryma. Gjetja e vetvetes, në këtë formë shkrimi pa tituj, nuk do të thotë varfëri mendimi, sepse edhe kursimi gjuhësor, shton emocionet e një mendimi të thukët plot filozofi jete dhe mendimi, ku dominon herë ekspresionizmi dhe herë surrealiteti. Poeti, ka nevojë për lexuesin klasik por edhe lexuesin kritik, si një vlerësim por edhe si një çertifikim, për të mbetur mes poetëve të rinj modernë shqiptarë, duke gdhendur edhe emrin e tij, si poeti bregdetar, ku deti nuk “ia përmbyti” mendimet, por ia shkumëzoj përmes baticave/zbaticave, drejt rritjes së tij poetike.

Studiuesja Emrije Krosi
Studiuesja Emrije Krosi

Bibliografia:

1.Brook R. Christine – (1985): A Grammar of Metaphor, London.
2.Brooker Peter – (1972): Modernism/Postmodernism, London and Neë York: Longman.
3.Calinescu, Matei – (1987): Five Faces Of Modernity. Duke University Press, Durham.
4.Cassirer, Ernst – (1955): The Philosophy of Symbolic Forms, volume tëo: Mythical Thought, Neë Haven: Yale University Press.
5.Ferber, Michael – (1999): A Dictionary of Literary Symbols, Cambridge: Cambridge University Press.
6.Genette, Gérard – (1982): Palimsestes. La Litterature au second degré, Seuil, Paris.
7.Hodo, Rei – (2022): Apricus, “Jozef”, Durrës.
8.Qosja, Rexhep – (1979): Dialogje me shkrimtarët, “Rilindja”, Prishtinë.
9.Sartre, P. Jean – (2011): Qenia dhe hiçi, përkth: Rexhep Hida, “Fan Noli”, Tiranë.
10.Zogaj, Preç – (2021): Një e tretë dashuria, “UET PRESS”, Tiranë.

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.