“Kthimi i Skënderbeut në Krujë” – Poemth nga Henry W. Longfellow – përkthyer prej Fan S. Nolit – i kushtohet Faik Konicës

Gjergj Kastrioti - Senderbeu (1405-1468)

Gjergj Kastrioti – Senderbeu (1405-1468)

“Kthimi i Skënderbeut në Krujë”

Poemth nga Henry Wadsworth Longfellow

Perkthyer prej Fan S. Nolit e i kushtohet Faik Konicës

Henry Wadsworth Longfellow (27 shkurt 1807-24 mars 1882) Poeti i shquar amerikan i shekullit tё 19-tё, botoi me 1873, vёllimin e tretё tё veprёs sё tij me poezi “Rrёfenja tё njё Hani ndanё Udhёs”, ku pёrfshihet edhe poemth pёr Heroin tonё Kombёtar Gjergj Kastriotin titulluar “Kthimi i Skënderbeut në Krujë”.
Mё 1916 Fan S. Noli, e shqipëroi kёtё poemё nё gjuhёn shqipe me shënimin – I kushtohet Faik Konicës dhe e botoi nё njё vёllim mё vete nё Boston tё Shteteve tё Bashkuara

Henry W. Longfellow (1807-1882)

Henry W. Longfellow (1807-1882)

Lëfton luftën dhe fiton
Mbreti Ladisllav1 gjëmon,
Djek si Ferr, si vdekje pret
Ditën e Rushajevet,2
Dhe nga fush’e kuqe gjak
Ikën, rent përpara tij
E Muratit3 ushtëri
Që shpëtoj e s’ra në lak.

Kur u ngrys e kur u err,
Skënderbeu, nder, lavdi
I asqerit Osmanlli
Tok me Turqit krismën merr,
Si lëfton e si humbet
Ditën e Rushajevet.

1.Lufta e Nishit ngjau në mes të Hungarezëve nën mbretin Ladislav dhe gjeneralin Gjon Korvin Huniadi dhe Turqvet nën Skënderbenë dhe Karaman Benë.
2.Rushaje: Rrshajt.
3.Sulltan Murati i II

Mbet e vdekur prapa tij
E Muratit ushtëri,
Kryerojtja udhën hap,
Praparojtja rent me vrap,
Dhe armiku gjakësor
Si me drapër grin e korr.
Po kujdes ay s’të ka
As për Bej as për Pasha,
Edhe natën tek po shkon
Yjt’e fatit po shikon
Që i ndritnin n’udhëtim;
Edhe kalit t’tij i ra,
Nënëqeshi edhe tha:
“Është koha për gëzim!”

***
Mez’i natës kur afroj,
Ikja e rreptë kur pushoj,
Një Qatip na vjen i Mbretit
Me myhyrin e Dovletit
Edhe tha me zemërim:
“Njoll’e parë t’u vu sot
N’emër, o Gjergj Kastriot!
Pse kështu? Oh, mjerë ne!
Ushtërinë perse e le
Therur fushës për vajtim?”

***
U përgjeq Skënderi e tha:
“Dergjen mbytur nëpër gjak.
Thembr’e kalit i ka prak,
Po kështu e shkruar qe
Nga i Madhi Zot atje
Q’urdhëron çdo ushtëri.
Dhe ku kemi ne fuqi
Kur ngre dorën kundër nesh
Dhe na grryen si rrebesh?!

***
“Lidheni, – tha, – me litar
Shkronjësin me kallamar!”
Dhe Qatipi tha: “Po ç’faj
Paskam bërë që Pashaj
Ma bën mua këtë gjë?”
U përgjegj Skënderi e tha:
“Faj s’ke bërë asndonjë,
Po që të mos na shpëtosh,
Dhe të fshihesh e të shkosh,
Përandaj ta bënj këtë!4

4.Simbas vjershëtarit Amerikan, Skënderbegut i erdhi mendimi të ikë për në Shqipëri, duke përfituar nga humbja turqëve nw Betejën e Nishit

Tani shkruamë një shkrim
-Dhe për fis e paç bekim!
Me myhyrin e Dovletit
Për Mytesarifn e Mbretit
Që mban Krujën, një qytet
Rreth me mur e me hendek,
Të ma kthenjë gjën’e atit
N’emrin e Sulltan Muratit;
Se çdo urdhër që të japë
Kurrë nukë merret prap.5

***
Dhe Qatipi u krrus prej tmerrit
Dhe kështu i tha Skënderit:
“O Allah i math, i naltë,
Që të jemi hi e baltë!
Qysh t’i shkruanj këto shkrime
Kur e di që kokën time
Po ma pret ay Dovlet?”

***
Shpejt ahere si një yll
Që këputet lark nga qjelli
Çpallet nga i arti myll6
Një hanxhar me rreze djelli
Dhe gjëmon Skënderi: “Shkruaj!”
Dhe Qatipi i tmerruar
Shkroj në dritën e drithmuar
Afër zjarrit, i dërmuar,
Flokë-bardhë, kokë-ngrirë,
Nga e ftohta i mërdhirë,
Zëmër-prerë, vdekje-grirë.

5.Qeveritar i Krujës ishte Sabel Pasha.
6.Myll: mill i shpatës.

***
Dhe Skënderi prapë tha:
“Tani eja pas me mua
Se të mbetesh këtu s’dua
Do t’të kem si mik e vlla,
Gjithënjë do t’të nderonj
Me kujdes do t’të rrethonj
Sa të rrosh në këtë botë.”
U përgjegj Qatipi e thotë:
“Udha jonë këtu ndahet,
Shoqëria jonë s’mbahet!”

Skënderbeu - bust nga Mumtaz Dhrami

Skënderbeu – bust nga Mumtaz Dhrami

***
Pa mbaruar këtë fjalë
Një hanxhar i rëndë ra,
Kur s’ish afër asnjë tjatër
Dhe Qatipi po përmbyset
Si një gur që rrugulliset
Në liqen të zi dhe shket
Tatëpjetë dhe humbet;
Edhe rreth në qetësi
Asnjë pipëtim s’u ndi
Përveç kalit t’Skënderbeut
Që përpjet’ u hodh prej dheut.

Pastaj sulet si shigjeta
Me treqint pothuaj veta
Nëpër lum’e pyll e gardh
Përmi malet Argjendar;7
Dhe me zemrën plot gëzim
Kapërceu lumin Drin
Dhe u gdhi e n’agullim
Pa kështjellën Ak-Hissar,8
Krujën, ah atë qytet
Rreth me mur e me hendek,
Tek u lint e tek u rrit,
Yll mëngjezi mbi të ndrit.

7.Malet e Sharit në Kosovë-Métohi.
8.Kështu turqit e quejshin Krujën: Ak-Hisar, Kështjellë e Bardhë

***
Dhe ahere trumbetarët
Brirëve t’argjëntë u bien
Edhe togje rreth i mblidhen
Turqit bashkë me Shqiptarët
Që dëgjuan atë thirrje.
Dhe kremtoj me miqt’e tij
Dhe u ngrohnë me dolli.
Dhe u thotë: “Miqt’e mi,
Shihni fati ç’na dërgon,
Perëndia ç’na bekon!
Mbret Murati urdhëron
Mall’i gjërë i tim-eti,
Vend’ i tërë dhe qyteti
Të më jipen nga Dovleti.”

***
Dhe pastaj me salltanet,
Veshur armët si një mbret,
Shkon kaluar në Kështjellë
Edhe hyn nga port’e gjerë
Dhe pashajt që urdhëron
Përmi Kruj’i dorëzon
Urdhërin e Murat Mbretit
Me myhyrin e Dovletit.
Dhe Pashaj, si heshti, tha:
“Lavdi pastë Perëndia,
Ja ku hiqem nga fuqia.
Merre vendin dhe qytetin;
Kush lëfton dot me kësmetin?”

***
Nga kështjella shpejt ka rënë
Flamuri me gjysmë-hënë
Edhe populli shikon
Që në vënt të tij valon
Flamur’i Skënderit n’erë
Shkab’ e zezë me dy krerë.

Dhe një thirrje lart u ngrit,
Se çdo zëmër e çdo shpirt
U mërzit nga Turku i lik,
Q’e kish bërë atë Krujë
Zi, murtajë edhe rrëmujë.
Ay zë me gas me bujë
Q’oshëtin nga breg në breg
Është: “Rrofsh, o Skënderbeg!”

***
Ja kështu Skënderi trim
Mori Krujën me rrëmbim;
Edhe lajma u përhap
Si një flakë, si një zjarr
Q’i fryn era në behar
Dhe qytetet afër larg,
Thotë Ben Isa Ben Miri*
Në Qitap*, të tij fakiri*
“Binin m’atë lehtësi
Që zë burri veshn’e tij”.

Përkëthyer: nga Fan S. Noli)

Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Gazeta  Etiketat: , , , , , ,

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook