back to top
12.5 C
Tirana
E enjte, 18 Prill, 2024

Koço Kota – Personalitet i madh në Historinë e Shtetit Shqiptar

Gazeta

 Kryeministri Koço Kotta
Kryeministri Koço Kotta

Dr. Koço Kotta –

Personalitet i madh në Historinë e Shtetit Shqiptar

nga Harallamb Kotta

“Demokracia, ndoshta gjënë më të mirë që ka
është se po u mëson historinë e vërtetë
të njerëzve dhe ngjarjeve të këtij vendi…”
 
Kostaq Kota ose Koço, siç i pëlqente ta quanin, lindi më 14 mars 1888 në Korçë, qytet shqiptar i dalluar për lëvizjet e mëdha patriotike, për lirinë e mëmëdheut, për kulturë dhe arësimimin në gjuhën shqipe, procese në të cilat ishin përfshirë historikisht edhe kontribuon intensivisht familjet Kota.
Origjina e tyre është nga Kalaja e qytetit të Beratit. Koço ishte djali i dytë i Nuçit, i cili kishte edhe dy djem të tjerë, Kristaqin dhe Ilian, si dhe një vajzë Leonorën. I jati ishte njeri shumë praktik, tregëtar dhe merrej me tregëti lëkurësh. Koço lindi, u rrit dhe u formua në një mjedis familjar të lidhur ngushtësisht me fatet e atdheut dhe të kombit, për interesin e të cilëve ishin të angazhuar pandërprerë. Ky mjedis ndikoi fuqishëm në formimin e karakterit të Koços dhe e bëri atë vazhdues të paepur të traditës familjare, idealit kombëtar dhe ndjenjave patriotike e atdhetare të saj. Koço e kreu arësimin fillor në Korçë, arsimin e mesëm në gjimnazin “Zosimea” të Janinës, arësimin e lartë në Universitetin e Athinës, ku u diplomua në Shkencat Politike. Arsimi i lartë i dha mundësinë të njihet me figura të lëvizjes kombëtare shqiptare dhe shpejt u lidh dhe nisi bashkëpunimin me ta, duke u bërë një nga më aktivët e të dalluarit e saj. Në udhën e jetës së tij pati fatin të takonte, të punonte, madje shpesh herë të bashkëpunonte ngushtësisht me tre nga figurat qëndrore të kombit shqiptar gjatë katër dekadave të para të shekullit XX, me Fan. S. Nolin me Ismail Qemalin dhe Ahmet Zogun.
Koço Kota pasi përfundoi studimet e larta dhe mbrojti diplomën, në qershor të vitit 1911, u largua nga Athina dhe u vendos në qytetin e Vlorës nga ku, pak kohë më pas, emigroi në Amerikë.
Në SHBA, u anëtarësua në shoqërinë e emigrantëve shqipëtarë, “Përlindja” ose “Malli i Mëmëdheut” dhe u zgjodh Kryetar i saj. Mbështeti Fan Nolin në veprimtaritë e tij atdhetare, lidhur me çështjen kombëtare shqiptare, kishën ortodokse autoqefale, bashkimin e shoqërive të emigrantëve shqiptar në Amerikë etj. Në saj të veprimtarisë patriotike Koço Kota shpejt u bë i njohur në radhët e emigrantëve shqiptarë dhe midis drejtuesve dhe organizatorëve të tyre. Atje, ai ishte një nga pesë anëtarët e Komisionit nismëtar që shqyrtoi, diskutoi dhe vendosi për themelimin e Federatës “Vatra” shoqëri patriotike e emigrantëve shqiptarë në SHBA, e cila siç dihet u themelua në Boston (SHBA) më 28 prill 1912. Vatra ishte nga më të mëdhatë, më të rëndësishmet, dhe më jetëgjata në Diasporën Shqiptare.
Më 1912, “Federata Vatra” e zgjodhi Koço Kota-n si një nga përfaqsuesit e tij delegat në Kuvendin Kombëtar të Vlorës, i cili më 28 nëndor 1912, shpalli Pavarësinë e Shqipërisë. Gjatë punimeve të Kuvendit Kombëtar të Vlorës, drejtuesit e Kuvendit e ngarkuan Koço Kotan me detyrat e shkruesit (sekretarit). Me formimin e qeverisë shqiptare të kryesuar nga Ismail Qemali, e emëruan në detyrën e inspektorit të përgjithshëm në ministrinë e Arësimit të drejtuar nga Luigj Gurakuqi.
Koço Kota, mbështeti fuqishëm Ismail Qemalin dhe programin e tij qeverisës, lidhur me reformat: administrative, arsimore dhe agrare, të cilat u sabotuan nga elementi turkoshak dhe nga pronarët e mëdhenj të tokave.
.
Koço Kotta dhe shtetarë në audiencë të mbreti Zogu i I
Koço Kotta dhe shtetarë në audiencë të mbreti Zogu i I

Në fillim të marsit 1914, Koço Kota bashkë me figura dhe personalitete patriotike të njohur të lëvizjes kombëtare shqiptare, themeluan në Durrës organizatën politike “Krahu Kombëtar”, e cila u përpoq të organizonte dhe drejtonte lëvizjen kombëtare për mbrojtjen e stabilizimin e shtetit shqiptar.

Në datën 20 mars 1914, Koço Kota-n e emëruan në Ministrinë e Arësimit, e cila drejtohej nga Dr. Turtulli Ministër Arësimi në qeverinë e Turhan Pashës.
Meqenëse shkolla shqipe thuajse nuk funksionoi, ai u largua nga Durrësi dhe u vendos në Berat, ku punoi në profesionin e tij të juristit – avokat.
Më 4 shtator 1914, shkoi në Shkodër, së bashku me patriotët shqiptar të “Krahut Kombëtar”. Me fillimin e Luftës së Parë Botërore, komanda ushtarake e ushtrisë malazeze që pushtoi Shkodrën, e arrestoi Koço Kota-n bashkë me patriotët e tjerë dhe i internoi në Mal të Zi. Pasi doli nga burgjet malazeze u largua dhe shkoi përsëri në Amerikë.
Më 27 janar 1916, u rikthye në Shqipëri pas largimit të Esad Pashës dhe ardhjes së austrohungarezëve.
Në fund të shkurtit 1916, Koço u caktua anëtar i Gjykatës së Apelit në Prefekturën e Beratit. Në fillim të gushtit 1916, u largua nga Berati dhe shkoi në Shkodër, ku e caktuan inspektor arësimi në Drejtorinë Arësimore, të drejtuar nga Luigj Gurakuqi. Qëndroi në këtë detyrë deri më 30 tetor 1918, kur ushtritë austrohungareze u larguan nga Shqipëria dhe në teritorin shqiptar u vendos ushtria italiane.
Luigj Gurakuqi, ministri i Arësimit në qeverinë e Turhan Përmetit më 30 dhjetor 1918, e emëroi Koço Kota-n “Inspektor Arësimi” pranë Prefekturës Berat.
Në shkurt të vitit 1919, shkoi në Korçë për të krijuar lidhjet e Komitetit të Shpëtimit Kombëtar të Beratit me Shoqëritë Atdhetare të Korçës drejtuar nga Sotir Kotta dhe të Aleksandrisë në Egjipt drejtuar nga Llambi N. Kotta.
Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, nisi në Paris Konferenca e Paqes, e cila u hap më 18 janar 1919. Në atë Konferencë, morën pjesë edhe delegacioni shqiptar. Më 30 prill 1919, Kostaq (Koço) Kota, Inspektori i Arësimit, bashkë me një grup patriotësh përfaqësues të popullit të Beratit, (Hekur be Vrioni Kryepari i Katundaries, Zarif Aga Haznatari – Kryetar i klubit “Bashkim”, Fevzi Ruli – Advokat, Themistokli Kassapi – Notablë i krishter, Salih Gjuka – direktori Arsimit, Adem Shehu – sekretari i Arësimit, Islam be Vrioni – Notabël muhamedan, Melek be Frashëri -Kapitan, Xhevdet Meqemea – Advokat, Zejnel be Prodani -Notabël, Teki be Selenica – Notabël, Zoj Tonçi – Tregtar, Todi Naska – Nëpunës drejtësie, Bektash H. Berberi-Zanatli, Gaqe papa Zaharia – direktori i Kancelarisë së Prefekturës, Emrullah Psarizi – Sekretari i Parlimentares, Hajredin Kuçi – Notabël, Andon Capo – Tregtar, Hysni aga Kafasi – Këshilltari i Perlimtares, Nuri Osman Smundja – Sekretari i Drejtësisë), bëhet nismëtar për hartimin e një “Memorandumi” në favor të çështjes shqiptare, drejtuar Komandës Franceze në Shkodër, Konsullit amerikan në Shqipëri e “Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, ku ndër të tjera kërkohej: “Nëse, shteti shqiptar duhet të mbetet nën mandate të nji Guvernes së madhe, atëherë na dëshirojëm mandatin amerikan, qi kështu të mundim të sigurojëm e t’i apim nji frymë kombëtare zhvillimit e lulëzimit të vendit tonë”.
Më 6 shtator 1919, së bashku me patriotët dhe vullnetarë berates Koço Kota ishte ndër drejtuesit më aktiv në komisionin “Mbrojtja e Korçës”, në organizimin e forcave vullnetare e mbledhjen e ndihmave materiale për mbrojtjen e krahinës dhe qytetit të Korçës nga agresioni dhe sulmet e andartëve grek.
Më 21 dhjetor 1919, shkoi në Korçë, për të mobilizuar dhe organizuar patriotët dhe vullnetarët korçare dhe përkrahësit e tyre, në luftën vendimtare kundër synime aneksioniste greke dhe për krijimin e kushteve që edhe Korça ti bashkëngjitej Shqipërisë. Ai u shpreh hapur publikisht kundër marrëveshjes italo-greke dhe ishte i bindur e besimplot tek amerikanët.
Më 21-31 janar 1920, Koço Kota mori pjesë në Kongresin Kombëtar të Lushnjës si delegat dhe përfaqësues i Korçës, midis 50 përfaqësuesve të gjithë krahinave të përfshira më 1913 në kufijtë e shtetit shqiptar. Sikurse dihet Kongresi Kombëtar i Lushnjes ishte ngjarje me rëndësi të veçantë, mori vendime për rimëkëmbjen e shtetit Shqiptar, për sigurimin e pavarësisë dhe mbrojtjen e tërësisë teritoriale të tij. Drejtuesit e Kongresit e caktuan Koço Kota-n Sekretar të Kongresit. Në fund të punimeve Kongresi i Lushnjes e zgjodhi Koço Kota-n anëtar të Këshillit Kombëtar, përfaqësues të krahinës së Korçës në atë organ me 37 anëtar që kryente funksionet e parlamentit shqiptar, organ i krijuar për herë të parë në Historinë e Popullit Shqiptar dhe që shënoi fillimin e parlamentarizmit dhe të demokracisë parlamentare. Në këtë mënyrë, vendimet e Kongresit Kombëtar të Lushnjes në të cilin mori pjesë mjaft aktive edhe Koço Kota, shënuan një moment kthese në Historinë e Shqiptarëve, shënuan fillimin e një periudhe të re. Përmbajtjen e procesit të ri historik, Koço Kota jo vetëm e kuptoi qartësisht dhe plotësisht, por me ndërgjegje e bindje të patundur i kushtoi angazhimin pakushte dhe devocionin e paepur mbi 20 vjet të jetës së tij.
Dokumentet arkivore të kohës, dëshmojnë se Koço Kota gjatë vitit 1920, sipas kërkesës së ministrisë së Arësimit, hartoi tekstin e parë të matematikës në gjuhën shqipe, për tre klasat e para të shkollës fillore. Më 21 qershor 1920, Qeveria e Sulejman Delvinës e emëroi Koço Kota-n, Prefekt të Korçës. Përballja me pronarë të mëdhenj tokash dhe me pushtetarë turkomanë, e detyruan Koçon t’i shprehte Ahmet Zogut Ministër i Punëve të Brendshme në Qeverinë e S. Delvinës, indinjatën e të krishterëve shqiptarë ndaj ligjeve osmane në fuqi dhe praktikave diskriminuese turkomane. Paralajmëroi strukturat shtetërore, për rrezikun e madh që i vinte shtetit Shqiptar nga vazhdimi i zbatimit të legjislacionit otoman, parimet dhe praktikat e të cilit ishin në kundërshtim me parimet e Rilindjes Kombëtare dhe me vendimet e mara në Kongresin Kombëtar të Lushnjes.
Qysh në fillimin e fushatës së zgjedhjeve të para parlamentare pluraliste në Shqipëri në janar të vitit 1921, Koço Kota konstatoi dhe kundërshtoi parregullsitë në hartimin e listave të kandidatëve për deputet në dëm të përfaqësuesve të popullsisë ortodokse. Për t’i bërë presion qeverisë, që të merrte masa për mënjanimin e parregullsive, i inkurajuar edhe nga mbështetësit e tij, u tërhoq nga kandidimi. Gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare, Koço Kota me një grup intelektualësh korçarë, më 13 shkurt 1921, i paraqitën qeverisë Vrioni një “Memorandum”, ku kërkonin që në Shqipërinë Juglindore të ngrihej një “Administratë Autonome” me parlament dhe legjislacion të vetin, me qendër në Korçë, por e varur plotësisht nga pushteti qendror i shtetit Shqiptar. Në Memorandumin drejtuar Qeverisë Shqiptare, Koço Kota e personalitetet që e mbështetën, i paraqitën edhe argumentet që spjegonin dhe justifikonin parashtresën e tyre. Ata analizonin shkaqet dhe arsyet politike, sociale, fetare, kulturore, legjislative (juridike) specifike dhe të veçanta të krahinave të Juglindjes së shtetit Shqiptar, shkaqe të cilët diktonin, sipas hartuesve të memorandumit, nevojën dhe domosdoshmërinë e krijimit të saj si njësi e posaçme teritoriale-administrative autonome, por të varur plotësisht nga pushteti dhe administrata qendrore e Shtetit Shqiptar. Madje në Memorandum i sillnin në vështrim Qeverisë Shqiptare edhe organizime të tilla shtetërore të suksesshme në shtete të ndryshme të Europës.
.
Ahmet Zogu & Koço Kotta dhe perfaqësuesit e Feve në Shqipëri
Ahmet Zogu & Koço Kotta dhe perfaqësuesit e Feve në Shqipëri

Kur qarqet drejtuese shtetërore Greke u përpoqën ta shfrytëzonin këtë çështje në favor të tyre, Koço Kota e tërhoqi Memorandumin dhe me një telegram dërguar Lidhjes së Kombeve, deklaroi: “Të huajt nuk kanë të drejtë të flasin për çështje krejt të brëndshme të shtetit Shqiptar”.

Në korrik të vitit 1921, qeveria e Iliaz Vrionit e caktoi dr. Koço Kota-n Prefekt të Beratit, detyrë të cilën e kreu deri në fund të vitit 1923. Në ushtrim të detyrës së prefektit, u njoh me situatat social ekonomike të popullsisë krahinore dhe ju përvesh punës për çeljen e fondeve dhe fillimin e punimeve botore. Gjatë viteve 1921-1923, periudhë gjatë të cilës Kota ishte Prefekt i Beratit u hapën 19 shkolla të reja; në Sinjë, Sadovicë, Pobrat, Drobonik, Tomorr dhe Kapinovë, duke e çuar numërin e tyre në 61 shkolla fillore.
Më 14 tetor 1921, ai u përfshi në hartimin e një plani konkret veprimi lidhur me shkëputjen e familjeve ortodokse të Toskërisë nga Patriarkana dhe lidhjen e tyre me Kishën Katolike.
Nga 10-19 shtator 1922, me përkrahjen e Koço Kota-s që ishte Prefekt i Beratit, dhe mbështetjen e kryeministrit Xhaferr Ypi, ministrit të P. Brendshme Ahmet Zogu, në Berat (në sallën e Shkollës së Mangalemit) u mbajt Kongresi Themeltar i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare (KOASH).
Më 27 dhjetorit 1923, dr. Koço Kota u zgjodh deputet i Korçës për Asamblenë Kushtetuese, e cila u mblodh në janar 1924. Më 30 mars 1924, Kota u emërua ministër i Punëve Botore dhe i Bujqësisë, në qeverinë Vërlaci. Më 27 maj të vitit 1924, në qeverinë Vrioni mbajti të njëjtin portofol.
Më 16 qershor 1924, Noli u zgjodh kryeministër i Shtetit Shqiptar, por më 24 dhjetor 1924, Zogu i mbështetur nga forcat mercenare jugosllave erdhi në Tiranë. Qeveria demokratike e Fan Nolit u rrëzua. Më 6 janar 1925, Ahmet Zogu zgjidhet President i Shqipërisë, njëkohësisht Kryeministër dhe Ministër i Punëve të Brëndshme.
Më 6 janar 1925, Kostaq Kotta në qeverinë e Ahmet Zogut, caktohet me dy detyra tepër të rëndësishme: Ministër i P. Botore dhe zv. Ministër i P. Brëndëshme.
Më 21 janar 1925, Shqipëria shpallet Republikë. President u rizgjodh Ahmet Zogu. Më 2 mars 1925, u miratua kushtetuta e parë e shtetit shqiptar.
Më 17 maj 1925, Dr. Koço Kota u zgjodh deputet i popullit të Korçës, në zgjedhjet parlamentare të organizuara nga Presidenti Ahmet Zogu.
Më 18 korrik 1925, Asambleja Legjislative e Republikës së Shqipërisë e përbërë nga Senati dhe Dhoma e Deputetëve, vendosi për ndërimin e kufive të vijës Vermosh e Shën Naum në favor të Jugosllavisë.
Më 23 shtator 1925, dr. Koço Kota u caktua me detyrën e Ministrit të Bujqësisë dhe më 28 shtator 1925 u zgjodh Kryetar i Dhomës së Deputetëve.
Më 11 maj 1928, kryeministri Ahmet Zogu e emëroi Koço Kota-n Ministër të P. të Brëndëshme.
Më 17 gusht 1928, Ahmet Zogu në cilësinë e Presidentit të Republikës, shpërndau Asamblenë dhe shpalli zgjedhjet e reja.
Më 1 shtator 1928, u mblodh Asambleja Kushtetuese, e cila në mbledhjen historike të saj procedoi me një zë: “Shqipëria është Mbretëri Demokratike Parlamentare Trashëguarë” dhe e shpalli Ahmet Zogun, Mbret të Shqiptarëve.
Më 5 shtator 1928, dr. Koço Kotta u zgjodh Kryeministër dhe Ministër i P. Brëndshme. Ahmet Zogu i kurorëzuar Mbret, nxiti reformat legjislative në marëdhëniet civile, tregëtare dhe agrare. Kryeministri u angazhua tërësisht, për ndarjen e fesë nga shteti, për reformën arsimore, për krijimin e shkollës kombëtare e laike dhe për herë të parë u projektuar një program pesëvjeçar zhvillimi. Gjatë mandatit të tij, u ndërtuan ministritë, bulevardi i madh, disa spitale, burgu i Burrelit dhe disa burgje të tjera.
Më 4 mars 1930, Kryeministri Kota, duke mos dashur të bëjë hapa prapa, dha dorëheqjen. Në letrën drejtuar Mbretit Zog, kryeministri Kota theksonte, se shkak i dorëheqjes së tij “ishte mungesa e harmonisë midis qeverisë dhe Parlamentit, gjë që pengonte zhvillimet e veprave të rëndësishme”.
Në vitin 1930, Koço Kota u zgjodh deputet i Korçës në parlamentin shqiptar, i cili në mbledhjen e parë të tij zgjodhi dr. Koço Kota-n Kryetar Parlamenti.
Gjatë ushtrimit të mandatit, shqyrtoi në seancë parlamentare dy ligje: më 13 prill 1930, Ligjin “Mbi Reformën Agrare”, i cili u miratua po atë ditë dhe ligjin për Reformën Legjislative dhe Kodin Civil.
Në vitin 1932 dr. Koço Kota, mandatohet përsëri deputet i Korçës në parlamentin shqiptar, ku zgjidhet përsëri Kryetar Parlamenti. Diskutimet e deputetëve në legjislaturat parlamentare, përqëndroheshin mbi problemet e arsimit e luftës kundër dukurive dhe shfaqjeve që nuk i përkisnin kulturës dhe tradidave të popullit shqiptar. U dekretuan tre ligje: modifikimin e ligjeve 197, 206, 207, për shtetëzimin e shkollave, “Mbi ndalimin e Mbulesës së Fytyrës dhe Mbulesën e Kresë të grave; Mbi ndalimin e martesës së nëpunësave me gra të huaja.
Mbreti Zog më 9 nëndor 1936, dekretoi dr. Koço Kota-n Kryeministër dhe Ministër i Punëve Botore dhe i Ekonomisë Kombëtare (Bujqësisë), për ta pasur në kontroll dhe për të ndjekur nga afër investimet në sektorët e industrisë e bujqësisë.
Më 31 janar 1937, parlamenti i dha votbesimin qeverisë së Koço Kotës. Në detyrën e Kryeministrit, Koço Kota u kujdes për organizimin e xhandarmërisë, duke marë masa drastike për të vendosur rendin në Shqipëri dhe për të goditur çdo ideologji e qëndrim kundër monarkisë. Edhe administrimi i bashkësive fetare, bëhej sipas ligjit të hartuar nga Koço Kota dhe dekretuar nga Mbreti Zog – I, më 16 korrik 1929. Sipas këtij ligji, klerikët nuk kishin të drejtë votimi e nuk mund të kishin asnjë detyrë publike. Bashkësitë nuk duhej të merrnin asnjë ndihmë e subvencion nga jashtë. Ata kishin për detyrë të mbanin qëndrim patriotik. Beteja për kishën shqiptare, e nisur nga patrioti dhe rilindasi i madh Fan S. Noli, qysh në vitin 1909, i cili themeloi kishën autoqefale shqiptare në Amerikë, u përfundua në prill të vitit 1937, nga Ahmet Zogu dhe Koço Kota.
Më 23 prill 1937, qeveria shpalli një dekretligj për fajet kundër rendit shoqëror dhe ekonomik, sipas të cilit ndalohej formimi i shoqatave që kishin për qëllim “vendosjen e diktaturës së një klase mbi një tjetër”, përmbysjen me forcë të rendit shoqëror-ekonomik në fuqi dhe përhapjen e ideve komuniste.
Në 15 maj 1937, shpërtheu në Delvinë një lëvizje antiqeveritare e organizuar nga Et’hem Toto, ish ministër i P. Brendëshme në qeverinë e kryesuar nga Mehdi Frashëri, e cila u shtyp me lehtësi. Për uljen e tensioneve politike me emigracionin, Ahmet Zogu dërgoi Koço Kotën në Paris, për të biseduar me ta, të arrinte kompromise dhe t’u mbushte mendjen që të ktheheshin në Shqipëri, por misioni dështoi. Pasi qeveria jugosllave i ndërpreu ndihmat financiare, emigrantët antizogistë, pas shumë dilemave vendosën kthimin në Shqipëri.
 
Në gusht të vitit 1938, Koço Kota vajti për një kurim në Paris. Për të realizuar qëllimin e tyre, anëtarët e komitetit drejtues, shfrytëzuan ardhjen e Kryeministrit, u takuan me të e i paraqitën kërkesën e kthimit në Shqipëri. Mbreti e dëgjoi me vëmëndje kryeministrin e i tha: -Tashmë është tepër vonë për kundërshtarët e mi.
Më 1 shtator 1938, u festua me pompozitet të madh dhjetë vjetori i Monarkisë Shqiptare. Në shtator 1938, Koço Kota, në kontakt të vazhdueshëm me Mustafa Krujën, u informua për një “Lëvizje italiane” në ndihmë të patriotizmës shqiptare, për largimin e Zogut, me kushtin që në vendin e tij “shqiptarët të pranojnë një princ Italian”.
Në shtator 1938, Koço Kota, Mustafa Kruja, Qazim Koculi, Angjelin Suma, Kol Tromara, Rexhep Mitrovica e Sejfi Vllamasi, firmosën një Marëveshje lidhur me aprovimin e “lëvizjes italiane” me kushtin e mospranimit të një princi italian për Shqipërinë. “Marrëveshja e Parisit” quhej e shfuqizuar, në rastin e një pushtimi italian të Shqipërisë dhe vënien e sajë nën kurorën perandorake të Savojës.
Më 11 janar 1939, Konsullata italiane në Tiranë, e njofton Legatën italiane, për pregatitjen e një “Lëvizje për largimin e Koço Kotës nga Qeveria”.
Më 7 prill 1939, nisi agresioni ushtarak fashist italian në brigjet shqiptare. Mbreti sapo kapërceu Kapshticën e shpërndau qeverinë dhe kaloi në mërgim si Sovran i arratisur. Shqipëria mbeti pa një qeveri antifashiste në mërgim.
Më 7 prill 1939, Koço Kota i zhveshur nga funksioni i kryeministrit, u shkëput nga oborri mbretëror dhe u sistemua në Selanik.
Në periudhën pas 7 prillit 1939 deri në dhjetor 1944, ish kryeministri Koço Kota, i palëkundur në qëndrimin e tij atdhetar nuk u përfshi në asnjë Qeveri Kuislinge të formuar gjatë pushtimit Italian të Shqipërisë dhe në asnjë nga Qeveritë Regjencë të ngritura nga Ushtria Gjermane.
Në pranver të vitit 1944, për të ndalur marshimin sllavo-komunist në Ballkan, Mit’hat Frashëri ideoi një dokument lidhur me një aleancë të forcave të djathta shqiptare dhe greke, si dhe krijimin e një shteti dualist greko-shqiptar federatë apo konfederatë. Sipas Mit’hat Frashërit, delegacioni i të djathtës shqiptare do të përbëhej nga Dhimitër Fallo – përfaqësues i Ballit Kombëtar dhe Koço Kota – përfaqësues i Legalitetit. Projekti shqiptar pranonte si kufij jugorë të Shqipërisë ato të vitit 1939, ndërsa kërkonte mbështetjen greke për përfshirjen e Kosovës e tokave shqiptare në zonën e Dibrës në shtetin shqiptar të pasluftës. Kushti i palës greke, që pala shqiptare të pranonte dorëzimin e Vorio Epirit, ishte toleruar nga Balli, por u quajt i papranushëm nga Legaliteti. Dr. Koço Kota i kërkoi z. Dhimitër Fallo, një shtesë në materialin e ideuar nga z. Frashëri, si më poshtë: “Përfaqësia shqiptare kishte kujtuar gjithashtu se të dyja shtetet janë nën të njëjtin pushtim dhe që të ketë sukses bashkimi duhet të ndërmarrin aksione të përbashkëta kundër gjermanëve”. Projekt-idea e fundit, e paraqitur nga Fallo-Kota, pra një front greko-shqiptaro-turk kundër nazistëve dhe rrezikut sllavo-komunist, ishte krejtësisht e papranushme nga qeveritë kuislinge shqiptare dhe greke. Operacioni diplomatik e njëkohësisht politik i Mit’hat Frashërit, falimentoi në muajt prill-maj 1944.
.
Harallamb Kotta - gjate nje interviste per kryeministrin Kotta
Harallamb Kotta – gjate nje interviste per kryeministrin Kotta

Pas vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri

Një rruge në Kryeqytetin e Shqipërisë në Tiranë të cilës në vitet 30-të i qe vënë emri Rruga “Koço Kotta”, pas pushtimit fashiste italianët asaj rruge ia hoqën emrin Koço Kota dhe i vunë emrin Rruga “Galeazzo Çiano”, pas vendosjes së rregjimit komunist po asaj rruge iu hoq emri Galeazzo Ciano dhe iu vu emri Rruga “Qemal Stafa”.
Më 1945, Koço Kota u rrëmbye në Selanik nga një oficer i zbulimit sovjetik së bashku me oficerin shqiptar Andon Çeti, të ndihmuar nga EAM-i grek dhe u soll në Shqipëri. Në gjyqin special, Koxi Xoxe e akuzoi Koço Kota-n ndër të tjera, edhe për dy çështje.
Lidhur me mosorganizimin e rezistencës, kundër pushtimit fashist të 7 prillit 1939. Koço Kota ka thënë: “Më 7 prill 1939, qeveria jonë jo vetëm nuk u frikësua, por organizoi edhe rezistencë të armatosur… Unë i kam sugjeruar Mbretit Zog për këtë rezistencë… Unë pjesën time si qeveri e bëra. Në rast se ka patur ndonjë neglizhencë, kjo u takon Forcave të Armatosura…”
Lidhur me marrëveshjen greko-shqiptare, për krijimin e një shteti dualist greko-shqiptar
Koço Kota deklaroi: “Nuk kam qenë kryetar i delegacionit shqiptar, nuk kam përfaqësuar Partinë e Legalitetit, por kam qenë pjesëmarës në bisedime si person privat…”
Pavarësisht nga mospërfshirja e tij në organizimet e kundërshtarëve të regjimit hoxhist, dr. Koço Kota u gjykua nga gjyqi farsë i drejtuar prej shërbëtorit të serbëve Koxi Xoxe.
Ish Kryeministri u dënua me burgim nga Gjyqi Special komunist shqiptar dhe vdiq në vitin 1949, në burgun e Burrelit. Me vdekjen e Koço Kotës, segmentet sllavo-komuniste, realizuan eleminimin fizik dhe moral të njërit prej kundërshtarëve të tyre më të vendosur, atdhetarit të paepur e të pakopromentuar, i cili krejt jetën e tij ja kushtoi vetëm atdheut dhe kombit shqiptar.
.

Pas vendosjes së sistemit demokratik pluralist,

Më 24 Nëndor 2014, Dr. Koço Kota u dekorua nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë z. Bujar Nishani, me medaljen “Nderi Kombit” pas vdekjes, me motivacionin: “Për veprimtarinë e çmuar atdhetare dhe përkushtimin e paepur në shërbim dhe mbështetje të çështjes kombëtare, shumica e të cilëve u martirizua nga diktatura çnjerëzore komuniste”.
Historia e jetës dhe e veprimtarisë politike kombëtare e patriotit Koço Kota, dhe kontributet e tij plot devocion në interes të Atdheut e të Kombit, nuk i harroj populli shqiptar, por i rregjistroi në analet dhe në kujtesën historike kombëtare, si pjesë e ndërgjegjes kombëtare, duke e vendosur figurën e tij në panteonin e patriotizmit shqiptar. Populli nuk i harron bijtë dhe bijat e tij, që i kanë shërbyer me ideal kombëtar, me shqiptarizëm dhe me përkushtim kanë bërë e dhënë gjithçka që kanë mundur për interesat e popullit, të Atdheut e të Kombit, siç veproi edhe Dr. Koço Kota.
Autori: Harallamb Kota d.v
Studiues i Historisë
Tiranë më 31 dhjetor 2015
Kryeministri Koço Kotta (ne qender)
Kryeministri Koço Kotta (ne qender)

Koço Kotta – Dossier

nga Dashnor Kaloçi

 
Historia tragjike e ish-deputetit,
Ministrit të Brendshëm dhe
dy herë Kryeministrit të Shqipërisë,
dy herë Kryeparlamentarit të Shqipërisë
të cilin komunistët e rrëmbyen në Greqi dhe e vdiqën në Burgun e Burrelit
Si e mbytën në Burrel Koço Kotën, ish-Kryeministrin e Shqipërisë
 
Kush ishte Koço Kota, ku ishte shkolluar dhe nga ç’familje rridhte ai. Si u angazhua në jetën politike të Shqipërisë që nga viti 1912 kur Ismail Qemali e emëroi Kryesekretar në Ministrinë e Arsimit dhe pjesëmarrja e tij në Kongresin e Lushnjes ku ai u zgjodh sekretar i Kongresit e Senator. Përse e përkrahu ai Ahmet Zogun dhe cilat ishin funksionet e larta që iu ngarkuan gjatë kohës së Monarkisë. Cili ishte qëndrimi i tij gjatë agresionit fashist të 7 prillit 1939, kur ai ishte Kryeministër i Shqipërisë dhe si e rrëmbyen komunistët shqiptarë në Selanik të Greqisë. Si e mbrojti atë avokati i tij Dr. Spiro Stringa në Gjyqin Special dhe vdekja e tij tragjike në Burgun e Burrelit
 
Xhaxhai im Kostaqi, apo Koço siç e thërrisnim ne në familjen tonë, u largua shpejt nga Korça dhe u vendos në Tiranë, që para vitit 1920, për arsye se ai u muar me politikë. Ndryshe nga Koço, babai im Ilia që u diplomua në Stamboll për Drejtësi, jo vetëm që nuk u muar me politikë, por ai i thoshte sa herë Koços që të hiqte dorë nga politika.
Por Koço nuk e dëgjoi kurrë babain dhe ai u angazhua në politikë që fare i ri në Qeverinë e Ismail Qemalit, ku u emërua si Kryesekretar në Ministrinë e Arsimit. Ndonëse Koço punoi dhe luftoi një jetë të tërë në të mirën e Shqipërisë, që nga Kongresi i Lushnjes ku u zgjodh Sekretar i tij dhe më pas si Ministër i Punëve Botore dhe dy herë si Kryeministër i Shqipërisë, ai pati një fat tragjik. Pas mbarimit të luftës, ai u largua nga Athina ku ishte vendosur pas largimit të Zogut dhe u vendos në Selanik së bashku me dy shokë të tij, ish-funksionar të lartë të Monarkisë.
Aty nga fillimi i vitit 1945, në shtëpinë ku banonte shkuan dhe e takuan tre oficerë të Sigurimit të Shtetit të cilët arritën deri aty të ndihmuar nga komunistët grekë që në atë kohë kontrollonin një pjesë të madhe të territorit të Greqisë ku përfshihej dhe Selaniku. Ata iu hoqën si nacionalistë dhe e gënjyen duke i thënë se duhet të kthehej me ta në Shqipëri, pasi do formohej një Qeveri koalicioni me komunistët e Enver Hoxhës. Ndonëse Koço nuk i besoi thëniet e tyre dhe nuk pranoi të kthehej, ata e morën me forcë në një furgon të mbyllur dhe e sollën në Tiranë ku e nxorrën para Gjyqit Special në marsin e vitit 1945. Fatkeqësisht Koços i doli fjala e vëllait dhe babait tim Ilias, i cili i kishte thënë që të mos përzihej në politikë. Kështu pas dënimit me burg të përjetshëm në Gjyqin Special, ai vdiq në mënyrë tragjike në qelitë e errta të Burgut të Burrelit”. Njeriu që flet dhe dëshmon për herë të parë për “Gazetën”, është 69-vjeçarja Kristina Kota, e cila rrëfen gjithë historinë e xhaxhait të saj, ish- Kryeministrit të Shqipërisë Koço Kota, i cili mori pjesë aktive në politikën shqiptare që në moshë fare të re në Qeverinë e Ismail Qemalit dhe më pas në Kongresin e Lushnjes ku u zgjodh Senator, për ta vazhduar karrierën e tij të gjatë si deputet, Ministër i Brendshëm, i Punëve Botore si dhe dy herë Kryeministr i Shqipërisë. Po cili ishte Koço Kota, nga ç’familje rridhte ai dhe cila ishte e kaluara e tij? Ku u shkollua ai dhe si u angazhua për herë të parë në politikën shqiptare? Cilat ishin funksionet që mbajti Koço Kota nga viti 1912 e deri në vitin 1939 kur agresioni fashist italian i 7 Prillit, e gjeti në postin e Kryeministrit të Shqipërisë. Ku u vendos ai pas largimit nga Shqipëria dhe përse nuk e ndoqi nga pas Mbretin Zog, të cilit i kishte shërbyer me besnikëri për 20 vjet me rradhë në konsolidimin e Shtetit Shqiptar? Si e gjetën atë në Selanik oficerët e Sigurimit të Shtetit Shqiptar dhe si e rrëmbyen ata duke e sjellë me forcë në Shqipëri me ndihmën e komunistëve grekë? Cili ishte qëndrimi i Koço Kotës në Gjyqin Special në marsin e vitit 1945 dhe si e mbrojti atë avokati i tij Spiro Stringa? Përse e dërguan Koçon në Burgun e Burrelit dhe si vdiq ai në vitin 1949 nga torturat që i bënë atij dhe dy shokëve të tjerë të qelisë tij? Lidhur me këto dhe të tjera ngjarje e fakte nga jeta e ish-Kryeministrit të Shqipërisë, hedhin dritë dëshmitë e mbesës së tij, 69-vjeçares Kristina Kota, dokumenti origjinal i mbrojtjes së avokatit të tij Spiro Stringa (të cilin e ka ruajtur i biri Pandeliu) si dhe rrëfimi rrënqethës i Avni Bejkovës, i cili ka qenë prezent në vdekjen tragjike të Koço Kotës në Burgun e Burrelit, ku ai vuante dënimin bashkë me të.
.

Kush ishte Koço Kota simbas se mbeses

Kristina Kota, së bashku me të motrën e saj Gallatën, (dy vjet më e madhe se ajo) janë të vetmet trashëgimtare nga familja Kota që jetojnë në Shqipëri, me të cilat ne morëm kontakte për të na rrëfyer diçka më shumë për xhaxhanë e tyre, ish-Kryeministrin e Shqipërisë i cili pati një fat tragjik. Kristina, tashmë në moshën 69-vjeçare, e cila jeton me familjen e saj në një shtëpi private diku në fillim të Rrugës “Qemal Stafa”, e priti me shumë kënaqësi qëllimin e vizitës sonë dhe u tregua e gatëshme për të dëshmuar rreth xhaxhait të saj. Lidhur me origjinën dhe të kaluarën e familjes Kota, Kristina shprehet: “Koço apo Kostaqi, siç është emri i tij i vërtetë i xhaxhait tim, u lind në qytetin e Korçës në vitin 1888, prej nga është dhe origjina e familjes sonë. Gjyshi im dhe babai i Koços, quhej Nuçi Kota dhe në atë kohë ai merrej me tregti lëkurësh e importe të ndryshme nga Italia dhe Greqia. Koço ishte fëmija i dytë nga tre djem dhe një vajzë që kishte Nuçi Kota, i cili ndonëse nuk e kishte mbaruar shkollën e lartë, ishte njeri shumë praktik. Nga mosha, i pari prej xhaxhallarëve ishte Kristaqi, pas tij vinte Koço dhe më i vogli i tyre ishte babai im Ilia. Në atë kohë shtëpia e gjyshit Nuçit, ku u lindën dhe babai im me dy vëllezërit e tjerë dhe motrën Leonorën, ndodhej diku në afërsi të Kishës së sotme Orthodokse të qytetit të Korçës. Nga të katër fëmijët e Nuçit, vetëm babai im Ilia dhe Koço mundën të mbaronin shkollat e larta, kurse i madhi Kristaqi dhe vajza Leonora, mbaruan vetëm shkollat e mesme. Siç më ka treguar babai im Ilia, mësimet e para Koço i kreu në qytetin e lindjes në Korçë dhe më pas ai shkoi në Greqi dhe vazhdoi Universitetin në Athinë, ku u diplomua në Shkencat Politike. Ndërsa babai im Ilia u diplomua po për Drejtësi, po në Universitetin e Stambollit. Koço u martua fare i ri pas kthimit nga Greqia dhe me gruan e parë që i vdiq në moshë të re, ai kishte tre fëmijë, dy vajza dhe një djalë. Vajzat quheshin Tefta dhe Beatriçe, kurse djali kishte emrin e gjyshit, Nuçi. Koço u largua që herët nga shtëpia dhe pasi mbaroi Universitetin e Athinës, ai nuk u kthye më në qytetin e Korçës, pasi iu kushtua politikës. Në vitin 1912, ai iu përgjigj thirrjes së Ismail Qemalit dhe mori pjesë në administratën e tij duke punuar si Kryesekretar i Ministrisë së Arsimit në Qeverinë që kryesohej nga vetë Ismail Qemali.
Avni Xhomaqi (1924) “Dekorata e Artë e Shqiponjës”
Avni Xhomaqi (1924) “Dekorata e Artë e Shqiponjës”

Rrëfimi i Avni Bejkovës (Xhomaqi):

“Torturat që iu bënë Koços dhe tre shokëve të tij në Burrel”

Për të mësuar diçka më tepër rreth të vërtetës
mbi vdekjen tragjike të ish-Kryeministrit të Shqipërisë Koço Kota,
në burgun e Burrelit në vitin 1947, ne iu drejtuam 78-vjeçarit Avni Bejkova (Xhomaqi)
i cili në atë kohë ka qenë duke vuajtur dënimin me 25 vjet në atë burg.
 
Z. Avni, kur dhe në ç’rrethana e keni njohur Koço Kotën? “Për herë të parë Koço Kotën unë e kam njohur aty nga fundi i vitit 1946 në burgun e Burrelit, ku isha dërguar për të vuajtur dënimin me 25 vjet. Burgu u Burrelit u hap për herë të parë (pas Luftës) në 16 shtator të vitit 1946 dhe aty u dërguan shumë të dënuar politik që regjimi komunist në atë kohë i konsideronte persona me rrezikëshmëri të lartë. Pjesa më e madhe e tyre kishin pasur funksione të larta gjatë kohës së Monarkisë dhe periudhës së Luftës, si gazetarë, prefektë, deputetë, ushtarakë madhorë, ministra, kryeministra etj. Të gjithë këta të burgosur që populluan të parët burgun e Burrelit në 16 tetorin e vitit 1946, u muarën nga burgje të ndryshme të Shqipërisë ku ishin duke vuajtur dënimin në atë kohë dhe u grupuan të gjithë aty. Kjo gjë u bë për arsye se ai burg konsiderohej dhe ishte një nga burgjet më të tmerrshëm që kishte Shqipëria. Që në fillim të vajtjes sonë atje, ne e kuptuam qëllimin se përse na kishin çuar aty dhe secilit iu mbush mendja se nuk do të dilte më i gjallë që andej. Aty më mirë se kudo tjetër, mishërohej dhe gjente zbatim thënia e Dantes: “Ti njeri që futesh këtu, lëre jashtë çdo shpresë se një ditë mund të dalësh i gjallë që këtej”. Mirëpo edhe pse ne ndodheshim në atë situatë dhe e kishim mbledhur mendjen për fatin që na ishte paracaktuar, ngushëllonim njëri-tjetrin duke thënë se njeriu duhet ta jetonte jetën në çdo rrethanë që i paraqitej ajo”.
Më konkretisht si e keni njohur ju Koço Kotën atje në atë burg? “Siç thashë dhe më lart, unë nuk e kisha njohur dhe as nuk e kisha parë ndonjëherë më parë Koço Kotën dhe rasti na e solli që ata ta njihja aty në burgun e Burrelit. Si shumë të rinj të tjerë që ndodheshim në atë kohë aty në atë burg, edhe unë kisha dëshirën dhe kuriozitetin që të njihja disa nga ish-politikanët e lartë të kohës së Monarkisë dhe periudhës së Luftës, për të cilët vetëm kishim dëgjuar dhe lexuar nëpër gazeta. Kështu në këto rrethana pata rastin të njihja nga afër dhe Koço Kotën, duke shfrytëzuar mundësitë që na krijoheshin gjatë ajrosjes apo rreshtimeve që na bëheshin, për të qenë afër tij. Koço ishte një njeri shumë serioz, fliste shumë pak dhe kishte një shoqëri të kufizuar”.
 
Me kë shoqërohej Koço Kota në atë burg? “Koço kishte miqësi dhe rrinte më shumë me Qemal Vrionin, Mihal Bellkamenin dhe major Atif Golen. Edhe Qemali ashtu si Koço ishte njeri shumë serioz, shumë i zgjuar dhe tepër human. Ai ishte njeriu që i mbante gjallë me ushqime të gjithë ata të burgosur që nuk kishin asnjë lloj ndihme në atë burg. Mihal Bellkameni që rridhte nga dera e njohur e Bellkamenëve të Qarkut të Korçës, ishte një intelektual shumë entuziast dhe në të kaluarën kishte pasur aktvitet të madh patriotik. Ndërsa Major Atif Golja i diplomuar në Akademitë e Italisë, ishte shumë i zgjuar, i sjellshëm, me kulturë të madhe dhe me moral të fortë. Atifin e donin dhe e respektonin në mënyrë absolute të gjithë të burgosurit. Të gjithë këta të dënuar ishin në dhomën Nr. 6, ku vuanin dënimin dhe të burgosur të tjerë që kishin pasur pozita të larta në të kaluarën”.
.
Kryeministri Pandeli Evangjeli & Ministri i Brendshem Koço Kota 1928
Kryeministri Pandeli Evangjeli & Ministri i Brendshem Koço Kota 1928

Çfarë dini rreth vdekjes së Koço Kotës? “Në burgun e tmershëm të Burrelit, që nga koha që ishin ne e deri në fundin e viteve 80-të, kanë vdekur me dhjetra të dënuar. Por rasti i Koço Kotës dhe tre shokëve të tij, Vrionit, Bellkamenit e Goljes, them se është i veçantë për nga mënyrat shtazarake dhe çnjerzore që u përdorën për vdekjen e tyre. Duhet të ketë qenë muaji korrik i vitit 1947, kur unë ndodhesha i dënuar në birucën Nr. 17. Në atë kohë Koço Kotën dhe Qemal Vrionin, i hoqën nga biruca Nr. 6 dhe i sollën në një birucë tjetër, e cila ndodhej përballë birucës Nr. 17 ku ndodhesha unë. Në fillim ne të burgosurit nuk e kuptuam se pse i çuan aty Koçon e Vrionin dhe kujtuam se mos ata i morën për t’i pyetur rreth ngjarjeve të së kaluarës së tyre. Por brenda javës u kuptua se nuk ishte ajo arsyeja që i futën në atë birucë. Si duket regjimi komunist nuk ishte kënaqur me dënimet që u kishte dhënë në ato gjyqet e famëshme!”.

.

Pse, çfarë ndodhi me ta? “Ata filluan t’i torturonin në mënyrën më shtazarake që natën e parë dhe për afro dhjetë ditë rresht, nga qelia e tyre dëgjoheshin ulurima rrënqethëse. Pas dhjetë ditësh, ata bërtisnin gjithë kohën duke kërkuar bukë dhe thirrjet e tyre, bukë, bukë, dëgjoheshin për netë të tëra. Pas kësaj thirrjet e tyre ishin për ujë. Nga sa morëm vesh, atyre filluan t’u bënin torturën e urisë dhe pasi i linin ditë të tëra pa bukë, u jepnin bukë me kripë dhe nuk u jepnin fare ujë. Kjo ishte një torturë tjetër, njëlloj si ajo e urisë. Nga ulurimat e Koços dhe Qemalit, ne të burgosurit e tjerë rrënqetheshim dhe diskutonim me njëri tjetrin duke nxjerrë konkluzionin se ata donin t’i mundonin para vdekjes. Ndërsa i gjithë burgu ishte alarmuar nga gjëndja e tyre, oficerët dhe Komandanti i Burgut (V. R.) qeshnin dhe talleshin me ulurimat e tyre. Nga torturat e rrahjes, urisë dhe etjes, atyre iu bë abses në disa pjesë të trupit (iu ça mishi vende-vende) dhe ata filluan të qelben. Pas kësaj policët jo vetëm që nuk ua mjekonin plagët, por ua lëndonin ato me shufrat e armëve dhe atëherë ulurimat e tyre arrinin në kupë të qiellit”
 
Sa kohë zgjati kjo lloj torture? “Koço Kota me Qemal Vrionin vuajtën një një muaj dhe më pas ulurimat e tyre nuk u dëgjuan më. Nga kjo gjë ne kuptuam se ata të dy ishin shuar. Pasi i morën natën dhe i mbuluan me dhe tek qershiza, (në anën lindore të burgut) muarën Bellkamenin e Goljen dhe i futën në qelinë e tyre, duke iu bërë të njëjtat tortura. Pasi filluan të dëgjoheshin edhe ulurimat e Atifit dhe Bellkamenit, të gjithë ne të burgosurit e tjerë pothuaj u shokuam, duke menduar se kush do e kishte rradhën pas tyre. Ndërkohë në ajrosje diskutonim me njëri-tjetrin dhe ne më të rinjtë dëgjonim Kudret Kokoshin i cili ishte njohës i shkëlqyer i “Komedisë Hyjnore” të Dantes dhe e dinte përmëndësh atë. Kudreti na tregonte se Dantja e kishte shpënë Kardinal Ruxheron në një rrathët e tmershëm të ferrit, duke e dënuar me uri të përjetëshme, që ishte dhe dënimi më i madh për tradhëtinë e lartë që kishte bërë ai. Ruxhero ishte i dënuar aty së bashku me dy nipat që vdiqën para tij se ishin më të rinj dhe nuk duronin dot. Pas vdekjes së tyre, Ruxhero u gjet duke u lëpirë kafkat, pasi uria e kishte mposhtur. Këtë gjë Kudret Kokoshi na e tregonte ne të rinjëve, si për t’i shfajsuar miqtë e tij Kotën, Vrionin, Bellkamenin dhe Goljen të cilët ulurinin nga tortura e urisë”.
 
Po Bellkameni dhe Golja sa vuajtën nga ajo torturë? “Bellkameni vdiq më shpejt, kurse Atif Golja duroi më shumë se ishte më i ri dhe më i fortë se ata. Vdekja e llahtarshme e Atifit, më kujtohet si tani, ka qenë paradreke. Pasi na nxorrën të gjithëve ne të burgosurve në ajrosje, (së bashku me të sëmurët) nga dera e pasme e burgut u futën brenda në biruca rreth 20 policë. Vetëm dy tre minuta pas hyrjes së tyre, u dëgjua një klithmë e llahtarshme. Të gjithë ne të burgosurit e kuptuam dhe e njohëm se ajo ishte klithma e Atif Goles, i cili kishte mbetur akoma i gjallë. Në atë moment, unë u ndodha rastësisht afër vëllait të Atifit, (Syrja Goles) i cili po shfletonte disa revista tek dera ku bëheshin takimet. Syrja sapo dëgjoi klithjen, u pre menjëherë se e kuptoi se ishte i vëllai tij Atifi. Kështu vdiqën aty në burgun e tmershëm të Burrelit, Koço Kota me Vrionin, Bellkamenin e Atif Golen, nga korriku deri në shtator të vitit 1947”.
marrë nga gazeta Shqip
Marrë nga http://www.forumishqiptar.com/threads/544-Kryeministri-KoçoKota

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.