back to top
22.5 C
Tirana
E diel, 28 Prill, 2024

Julka Kakarriqi – Daragjati dhe shpirti i saj i përkushtimit – nga Zenepe Dibra

Gazeta

Zenepe Dibra - 2023
Zenepe Dibra – 2023
Julka Kakarriqi – Daragjati dhe shpirti i saj i përkushtimit
nga Zenepe Dibra

Janë disa personalitete shkodrane që i harrojmë për kontributin që kanë dhënë, e shpesh nuk i kemi në kujtesën tonë duke shkruar për ato me kontribute më të mëdha por Shkodra ka me qindra personalitete që kanë dhënë kaq shumë për Shkodrën sa ne nuk do të na falë historia mos t’i nderojmë dhe t’i themi faleminderit për ato çfarë kanë bërë për qytetin tonë të dashur.
Njëra nga këto asht Julka Kakarriqi – Daragjati, biografinë e së cilës në mënyrë të shkurtuar po e risjell për miqtë dhe shokët shkodranë, e sidomos për brezin e ri.

Julka Kakarriqi - Daragjati
Julka Kakarriqi – Daragjati

E karakterizuar nga një shpirt i tepruar sakrifice, e përcaktuar në veprimet e saj më tepër nga ndjenja për punën se sa nga materialja, me një energji të jashtëzakonshme dhe vetëdije për t’i prirë aktivitetit të saj në drejtim të ringjalljes së jetës artistike, u bë vetë promotore e kësaj lëvizjeje në fushën e artit. Ndër aktoret e para të dramave teatrore, mësuese e devotshme, aktorja e parë dhe më aktive e teatrit kukullave, mjeshtre, ideatore dhe koreografe e baleteve në gjitha shkollat ku punoi, mbartin një shpirt vetmohues të një sakrifice të pashembullt në personalitetin e Julka Kakarriqit.
Julka lindi më 9 korrik 1922, në Korçola të Jugosllavisë. I jati i saj Luigj Kakarriqi, me profesion mekanik, kishte prirje për artin duke u bërë udheheqës i shfaqjes së dramave teatrore dhe baletesh. Nëna e saj, Liza Saraçi rridhte nga familja e vjetër shkodrane Saraçi, emrin e të vëllaut të së cilës, Ludovik Saraçit, mban rruga e ish Badrës, për qëndrimin e tij burrëror e antikomunist, për të cilën u sakrifikua. Julka shkollën fillore dhe unike e mbaron tek motrat Stigmatine. Që e vogël me gjallërinë e saj të pazakontë shfaq prirje për art. 12 vjeçe mëson mandolinën dhe më vonë fizarmonikën, kitarën dhe pianon.
Shkollën e vazhdon në gjimnazin femëror “Donika Kastrioti”. Maturën e merr në Prishtinë më 1944.
Mbas çlirimit të vendit, Julka emërohet mësuese në shkollën fillore të Ajasmës, pastaj në Dudas dhe në shumë shkolla të tjera të qytetit si në lagjen “Liria”, në shkollën “Ndre Mjeda”, “11 Janari” dhe “Jordan Misja”.
Si mësuese Julka dallohet në dhënien e mësimit me një frymë të re duke e bërë orën më tërheqëse për nxënësit. Në orën e mësimit të saj, do të dominonte jo vetëm serioziteti dhe disiplina shkencore por edhe humori e dramaticiteti, afërsia me nxënësit dhe rreptësia në kërkimin e llogarisë. Zakonisht ka dhënë mësim në fillore, në klasat e katërta me një profesionalizëm ku dallohesh një erudicion i thellë. Ajo asnjëherë nuk e maste vehten me atë çfarë kërkonte programi por me ato çfarë i duheshin nxënësit.
Si udhëheqëse dhe ideatore e disa aktiviteteve artistike në shkollat e qytetit, në skenimin e dramave, koreografinë e baleteve, krijimin e koreve të nxënësve dhe grave, Julka ishte pionierja e zhvillimit të këtyre aktiviteteve në qytetin tonë. Në çdo shkollë, jo krahas punës si mësimdhënëse organizonte aktivitete artistike me një nivel të lartë, me përkushtim, seriozitet dhe organizim të përsosur. Krijon grupet e baleteve të vajzave në disa shkolla, drejton disa tipe vallesh baletesh, deri në veshjet e balerinave, gjë që do të linte një përshtypje në rrethet artistike të qytetit për këtë gjini arti që nuk ishte në traditën e tij. “Me inisiativën e Julka Kakarriqit, do të merrte frymë vallja në qytetin tonë që vetëm ajo e bëri të gjallohet” – do të shprehet Serafin Fanko në një intervistë. Shfaqjet e këtyre baleteve edhe në qytetet e tjera të Shqipërisë, do të linin përshtypje impresionante të shoqëruara vazhdimisht me çmime. Po kështu ajo krijoi korin e parë të pionierëve me dy zëra, si dhe korin e parë të grave, shfaqjen e të cilit do ta japë në Tiranë. Ishte edhe regjizore e dramave të luajtura nga nxënës të shkollave si dramën “Pionieri në burg” me tekst të Lin Cuk Markut, dramën “Tokat pranë kufirit” të Teofik Gjylit, ku luan edhe djali i saj. etj. Si drejtuese e Shtëpisë së Pionierit në Shkodër, ajo tregon aftësi në ngritjen e disa rretheve të pionierëve me njerëzit më të aftë që mbledh rreth këtij institucioni kulturor të fëmijëve si Tonin Harapin, Angjelin Dodmasej, Gjosho Çarkagjia, etj ku dallohet në organizimin e shumë aktiviteteve artistike me nivel të lartë.

Julka Kakarriqi - Daragjati me mandolinë
Julka Kakarriqi – Daragjati me mandolinë

Julka është një nga aktoret e para të shfaqjeve mbas çlirimit. Më 1945, merr pjesë në dramën e Lec Shllakut “Djersë dhe gjak” ku luan rolin e nënkomandantes të partizanëve, një rol ky shumë i bukur dhe me emocione të mëdha për spektatorët. Është një nga aktoret themeluese të Shtëpisë Kulturës të riorganizuar më 1946. Më 1947, luan rolin kryesor në dramën e regjizorit Lec Shllaku “E verbëra”, rol që do të tregonte avancimin e vetive interpretative të saj. Pastaj më 1948, në dramën “Trathëtari” në rolin e nënës, e cila vret djalin për trathëtinë e të birit akt mbas të cilit ajo do të çmendet, Julka interpreton si një aktore e konfirmuar, e gatëshme për të përballuar sfida të tjera. Në vitin 1956, luan në komedinë “Fejesa” të shkruar dhe vënë në skenë nga Andrea Skanjeti, pastaj në dramën “Endrra e 500 vjetëve” e dhënë më 1959, etj.
Në teatrin e kukullave Julka është pionierja e parë e ideimit të këtij teatri si dhe një nga aktoret kryesore të afro 100 premierave. Për herë të parë ajo eksperimenton teatrin e kukullave në Shtëpinë e Pionierit, ku kukullat kompozohen me kartona dhe ku luan i gjithë stafi i Shtëpisë Pionierit. Pastaj, do të jetë një nga aktoret e para dhe më përmanente, në të tjera shfaqje të këtij teatri, të drejtuara nga regjizori Andrea Skanjeti, Artist i Popullit, themeluesi i teatrit të kukullave. Luan në rolin e ujkut, të dhelprës, të ngjalës, të deles, Mbretëreshës Teuta, etj. në shfaqjet e pjesëve “Çika”, “Lepuri dhe dhelpra”, “Qypi dhe bilbili”, “Liljana e vogël”, “Farkëtari i lumturisë”, “Tre kecat”, “Bje topuz”, ”Lumturia”, “Mësimi i gjyshit” etj. Rolet e dhelprës në teatrin e kukullave, kanë qënë të realizuara në mënyrën më perfekte nga Julka. “Dhelprat e saj ndryshonin nga njëra çfaqje në tjetrën, duke i dhënë vazhdimisht emocione spektatorit fëminor” – do shprehesh shkrimtari Xhahid Bushati
Julka ka marrë me dhjetra fletëlavderime, çmime të ndryshme deri në çmime Republike dhe Urdhërin “Naim Frashëri” të Klasit Parë.
Jetën e Julkës, një jetë e trazuar, e mbushur me fatkeqësitë dhe dallgët e saj, e ndriçoi flaka e një pasioni për artin dhe kulturën, për ta përcjellur me dritën e diturisë, në masën e fëmijëve dhe të rinjëve së bashku me mesazhin e një përkushtimi shembullor.

Marrë nga Muri i FB, Zenepe Dibra, 13 mars 2024

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.