Jerina ose mbretnesha e luleve! – tregim Gjergj Kola

0
27
nji krijesë e brishtë mes llomit..
…nji krijesë e brishtë mes llomit…

Jerina ose mbretnesha e luleve!

tregim nga Gjergj Kola

Jerina Shirokës…
ia kushtoj!

Në teatrin e qytetit sapo asht mbledhë mbi skenë llomi i qytetit të Shkodrës.
Murlani i dimnit qi fryn prej majave të alpeve dhe mbledh tanë pluhunin tuj ja shpëla ftyrën qytetit në liqen, ksaj rradhe e ka njeshë tan të keqen në nji skenë.
Po luhet nji komedi me elemente tragjikë, nji prej atyne që n’ambientet e këtij qyteti janë luejtë kaq e kaq shumë herë në k’to 50 vite diktature… e megjithatë s’janë vu kurrë në skenë…
Servilë, njerëz me qepë në sy, kostume të preme me dorë kineze, veshë të palamë që nuk dojnë me ndi kurgja, rrotullohen përreth, e të shtrënguem fort mbas njeni tjetrit pëshpërisin:
-Jena mirë njikshtu, mbaje njikshtu!
Megjithse gjithçka të len përshtypjen e karnevaleve, që tash e 50 vjet janë të ndalume me ligj, për nga kostumet dhe uniformiteti, e tana kjo ngjan ma shumë me nji parakalim të ushtarve kinezë prej terrakote.
Papritmas dikush po thotë se: Po vjen dikush dhe ata ushtartë prej balte të pjekun keq lëvizin nëpër skenë tanë njiherit tuj shpërnda nji zhurmë si prej tanksi të ndryshkun…
E vetmja krijesë e brishtë në tanë kët uniformitet prej llomit, asht nji studente qytetse, e veshun njashtu lehtë si drandofile pranveret. Ajo ka në dorë nji nga lirikat e mrekullushme të poetit që i dha qytetit ma shumë poezi se kushdo: “Jerina ase mbretnesha e luleve!”
Studentja qytetse, sikur u ndje për nji çast  nji mretneshë lulesh, ndërsa rrin aty në rreshtin para skenës së teatrit të qytetit. Gishtat i shetisin nëpër rreshtat e poetit dhe nga lozhet bien me mija petale lulesh. Ajo sheh njerëz të gëzueshëm t’nji kohe tjetër, të mbushun me respekt për të bukurën dhe për njeni tjetrin, njerëz që qeshin dlirshëm.
-Asnjiherë, këtyne 50 vjetve s’e vunë në skenë “Jerinën” e luleve! – pëshpërit ajo.
Papritmas brohoritjet frenetike e mbysin sallën. Murlani shpërthen dritaret e teatrit dhe hin mbrenda tuj i thanë nji fytyrë, tane llomit të qytetit që asht mbledhë njaty. Grupi mbi skenë ka marrë nji dordolec dhe e tund fort tuj ia kallxu spektatorëve…
Studentja qytetse sheh lulet e së mirës që kanë ra për tokë dhe do thundra mushket që kalojnë mbi to tuj i shkelë e i shtypë…
N’at çast dy zana malit i afrohen dhe e marrin në mbrojë prej njasaj turme mushkash të hazdisuna që ka mbushë krejt teatrin e qytetit.

Rozafa - Legjenda e Murimit
Rozafa – Legjenda e Murimit

Dordoleci i madh shfaqet në sallë mbi nji mushkë të tredhun dhe me grusht përpjetë përshëndet sa në nji anë në tjetrën triumfalisht. Ushtarët e terrakotës të pjekun keq, bërtasin sa u han gabzherri n’kupë të qiellës emnin e dordolecit…
Diktatori me za të hollë ka tash 5 vjet që e drejton Shqipninë me grusht të hekurt si paradhësi i tij qoftëlargu, dhe s’len rast pa u krenu llumshëm se rrjedh prej këtij qyteti,  kur s’e ka ngulë qoftë edhe nji gozhdë të vetme në muret e rrënueme e të pajeta të tij.
Ai sapo asht ngjitë në skenë dhe servilat e pshtirë prej terrakote të pjekun kuq, megjithë urinë që sundon prej majës së maleve e deri në liqen, i bien në gjunjë dhe ai kalon mbi shpindat e tyne solemn deri sa mbrrin në podium.
-Unë jam presidenti juaj – gjimon ai – dhe ju them të mos e braktisnin idealin tonë, se ashtu siç thotë shkrimtari ynë me famë botërore: “Kush e braktis vendin tonë të begatë, asht jashtëqitja e tij…”
Salla s’priti me mbarue mirë fjala po shpërtheu n’frenezi shuplakash tuj uluritë nji e emën e nji mbiemën që veç zoti e pshtoftë, të rrethuem me “shokun” para e “shokun” prapa. Ishin zane të egra burrash që po i thejshin ndejset e teatrit, ishin skërmitje dhambësh që trembshin edhe qejtë e tërbum, t’përzime me do klithma lakandraqesh që mbrrijshin deri te studentja Jerinë e zvoglueme si zog aty ndër rreshtat e parë.
-Nji ditë kanë me ardhë njerëz që kanë me folë gjuhën e mushkës – iu kujtuen fjalët e poetit.
Studentja qytetse mblidhet në vedi, njeshet fort mbas nji kolone të sallës, s’di ku me i ulë sytë e me i mshehë duert që i djersijnë, veç kur diku e shef Rozafën, që asht ulë prej kështjelle dhe e shtëngon fort… fort.
-Kur asht puna me mbrojtë njena tjetrën, gratë e këtij vendi shkulen prej legjendash dhe vijnë e rrijnë bashkë! – i pëshpëriti asaj poeti, prej fletëve të melodramës “Jerina – ose mbretnesha e luleve!”.
Ai burrë i shkurtë, me shikim të lagun, çehrevramë, i pashije, që fliste si bir i qytetit, po zbret prej podiumi dhe po shetit nëpër platenë e njerzve të mbetun përgjysë, pse ata janë hjedhë nën kambë para tij dhe ulërasin sa ju han fyti emnin e tij, të partisë, e të dreqit të mallkuem.
Midis studentes qytetse dhe diktatorit prej qyteti – asht hapë nji hendek i madh dhe krejt ata urat e vogla të andrrave që dikush i kish skicue nadje herët, tashma janë shembë prej frenezisë se njerzve në delir.
Në hollin e teatrit ku asht rreshtu grupi i përzgjedhun i studenteve, pinjoj të pjellës së kuqe, pedagogë me tesera të kuqe vdekjeje përkulen deri në shpinthyemje tuj ia zgjate dorën njatij burrakoçi të shplamë, me nji servilizën të llomtë prej skllavit.
Studentja Jerinë shef gjithçka. Asht ba e gjitha sy, dhe ndjen se po i afrohet nji dordolec i fushës së djegun, tuj tërhjekë kambët zvarrë. Prej cepave të xhaketës, prej krahëve e kambve i rrjedh gjak i freskët, i  të pafajshmve që sapo janë vra kufinit. Vajzës qytetse i shfaqen përpara kufomat e djelmoshave me emna zogjsh, dhe karrocieri Byrosë që i terhjek nëpër qytete e fshatna tuj rrahë me kamzhik mushkat e kohës.
Në kët çast hija e diktatorit të kuq u ndal para saj… dhe nji hon përbimës ferri iu shfaq përpara studentes qytetse dhe atij burri pa yndyrë. N’at hon gjëmonin shpirtnat e pafaj, martirët e pavarr, njerëzit e pagojë të shkapetun gjithka burgjesh.
Dora e atij burri u shtri përmbi hon dhe u zgjat për kah vajza. Ajo ndali nji çast dhe sheh  do gishta të përgjakun që po i afrohen.
E trembun ajo e tërhjek dorën dhe instiktivisht i jep trupit mbrapsht.
-Jo… – i thotë – nuk ta jap dorën.
-Pse? – e sheh si bishë burrakoçi i quejtun Ramiz.
-Sepse ju keni vra parardhësit e mi, vetëm pse kishin mbarue shkollat në perëndim.
-Epo, “Lufta e klasave”, kështu qe atëhere.- nënqesh ai.
-Kurse sot po vrisni të rinjtë nëpër kufij veç pse dojnë me u shkollue në perëndim. Kështu po e mbyllni rrethin e së keqes.
Midis vajzës qytetse dhe qytetarit ma të kuq të qytetit tashma asht hapë nji humnerë e pafund dhe asnjeni s’e ndinte ma zanin e tjetrit.
Tufa e klyshve prej terrakote të pjekun keq, ia skërmit dhambët kolektivisht studentes qytetse.
Atkohë, Teuta (ajo e lashta, e jo mbesa e njatij shufulaku, që emnat ia mori emnat shqiptarve porse zemrën ia shitë shejtanit) u lëshue si shqype prej kalasë dhe ia shtërngoi dorën fort njasaj vajze qytetse. Nji prej klyshave t’përjargun iu afrue vajzës dhe prej asaj goje dhambëprishun i ranë do copa të ndyta shamjesh si bagla…
Nora dhe Tringa zbritën prej malesh dhe e shtrënguen nga krahët  tuj e mbajtë fort.
Diktatori i fundit ecte me bisht ndër shalë dhe shihte në sfond kalanë e qytetit tuj u ba përherë e ma e madhe, përherë e ma kërcënuese mbi kryet e tij të zbathun.
Atje nalt n’kala, për t’parën herë ishin s’bashkut Rozafat, Teutat, Norat, Tringat dhe Jerinat, tuj kujtue ato kohna kur jepesh jeta tuj u hjedhë nëpër humnerat e maleve, për mos me ia falë as shpirtin as emnat pushtuesve dhe barbarëve…

Petale luledh e dhimbjesh...
Petale lulesh e dhimbjesh…

Jerina – ose mretnesha e luleve – i ka ftue të tana së bashkut, sepse duket se për t’parën herë, historia e ka kthye fytyrën përsëmbarit.
-Sot, e keqja e shekujve, me tanë zhelet e përgjakuna, mbledhë në figurën e atij burrakoçi hije, po then qafën në honin e kohës së re… – po i thonë zanat e malit, Mretneshës së Luleve.
Ato kapen përdore dhe kërcejnë deri nadje herët në festën e nji qielli të ri që shndrit mbi alpet me plisat e bardhë mbi krena.
Prej njasaj dite, kur studentja qytetse, Jerina ia kallxoi dyert e ferrit të keqes komuniste, mbi qiellin e qytetit ndrin nji diell ma ndryshe. Prej asaj dite po linden breza të rinj varzash shqiptare, varza që e kapin t’keqen për flokësh dhe e hjedhin në humnerë, varza që e shohin të ardhmen me sy të dlirtë e të qeshun.
Kjo asht nji shenjë e mirë e fatit që kallxon per nji të ardhme pa burrakoçë, pa ushtarë terrakote të pjekun keq, pa servila të squlltë e të pështirë, e kjo asht e mundun për qytetin e Grave me “namë” buzë Adriatikut e deri atje poshtë n’Jon.
Gjk 2014

Related Images:

Artikulli paraprakEmil M. Cioran (1911-1995) Muzika
Artikulli tjetërProtokolli i Moskës: Stalini me jugosllavët: Shqiptari besnik si qeni
Jozef Radi
Biografi Jozef Radi 16 janar 1957, lind rastësisht në qytetin e Elbasanit, mbasi të dy prindët e posadalë nga burgu ishin interrnuar në kampin e Kuçit të Kurveleshit... Ishte i vetmi fëmijë i të ashtuquajturit “Kampi i 100 Intelektualëve”... 1957, Pagëzohet me emrin Antonin, por xhaxhai i tij me të njejtin emër, e regjistron si Jozef... 1957-1961, ndjek fatin e prindërve në odisenë e kampeve: Radostinë, Gradishtë, Çermë dhe më së fundi n’atë të Savrës... 1963-1971, kryen shkollën fillore dhe tetëvjeçare në Karbunarë dhe Savër me rezultate shumë të mira... 1971-1975, ndjek gjimnazin “20 Tetori” në qytetin e Lushnjes, ku përjashtohet dy herë nga shkolla, thjesht si... i biri i Lazër Radit! 1975, frekuenton të njëjtën klasë me Gëzim Hajdarin dhe Shpend Sollakun: Tre të apasionuar të letërsisë; më vonë edhe autorë mjaft të njohur librash... 1975, fillon si puntor në fermën e Savrës 1977-1979, kryen shërbimin ushtarak në repartet e xhenjos, fortifikim në Dropull të Gjirokastrës... 1981, mbaron shkollën e mesme me rezultate të shkëlqyera dhe as bëhet fjalë për vazhdimin e ndonji shkolle të lartë... 1984, bën gjithë përpjekjet për botimin e librit të parë poetik “Trokitje”, por problemet e biografike... e pengojnë botimin edhe pse Shtëpia Botuese e kishte vlerësuar si... “të botueshëm...” 1984-1990, krahas punës së rëndë në bujqësi, studion intensivisht gjuhët e huaja; merret me përkthime, shkruan dhe redakton veprën e të atit... 1989, së bashku me të atin përkthejnë veprën “Stalini, Moxarti dhe Maria Judina” e poetit Bërkoviqit, e cila kalon dorë me dorë si vepër antidiktaturë... 1990, së bashku me të Atin, vendosen në Tiranë, prej ku nis nji fazë e re shprese dhe entusiazmi, se demokracia mund t’i riparojë pasojat e diktaturës... dhjetor 1990-31 mars 1991, ndjek nga afër lëvizjen dhe ndryshimet demokratike... mars 1991, boton për herë të parë, ciklin me 6 poezi në revistën arbëreshe “Katundi Ynë” në Kozenca. maj 1991, regjistrohet në fakultetin e Gjuhë- Letërsisë dhe më pas kalon në atë Juridik. 1993, botojnë së bashku me të atin librin e parë “Muret e Muzgut” si dhe poemën “Stalini, Mozarti dhe Maria Judina” 1993, nis botimin e revistës tremujore “Arbëria”, e cila del në tre numra... 1993-maj 1997, punon në detyra të ndryshme në Presidencën e Republikës. qershor 1994, mbaron Fakultetin Juridik qershor 1997, ngjarjet e atij viti ishin dëshmi e vrasjes së demokracisë... detyrohet të emigrojë në Itali. shtator 1998, humb të Atin, Lazër Radin, njeriun me të cilin kishte ndarë ditët më të vështira të jetës. 2000, boton librin e dytë poetik: “Kujtesa e Mjegullës” 2004-2005, mbulon për gati dy vjet rubrikën “Qiell i Përtejmë” në revistën “ars” 2007, boton me bashkaautorë albumin fotografik “Ancona nascosta” 2000-2010, bashkpunon me shokun e tij Gëzim Hajdari, në redaktim e veprës së tij të botuar në Itali 2011, boton librin e tretë poetik “Fletorja e Vjeshtës” 2000-2013, bashkëpunon vazhdimisht me shtypin shqiptar 2000-2013, përkthyen mjaft nga veprat e poetëve si: Ungaretti, Montale, Raboni, Senesi, Fatuiva, Pessoa, De Moraes, Hikmet etje, si dhe ka në duar veprën e Bodlerit “Lulet e së keqes” 2016, po përgatit për botim veprën e plotë të Lazër Radit në 14 vëllime... Jeton prej 16 vitesh në qytetin e Anconës...

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.