
I dashur armik
nga Robert Aliaj Dragot
Jam në një bar-restorant dhe po shoh një shqiponjë të balsamosur në cep të lokalit mes një abazhuri të zbehtë mbi një televizor që nuk fiket dhe ekranin e ka të mbuluar me dantelle. Qëndron aty me krahët e hapur në një gjest të fiksuar mbretëror me bythë jashtë. E rrjepur krejtësisht nga puplat. Ka dy sy qelqi që e kanë humbur kuptimin e horizontit, që duket se shikon pronarin duke numëruar arkën. Është simboli i kombit tonë, shenjtorja jonë heraldike, shpendi që mbi flamur nuk ka pasur kurrë nevojë ta shpjegojë veten. Dikush e ka vrarë për ta vendosur aty ku duket se po i mungon edhe një pjate me byrek dhe ndoshta një kalendar nga ato të reklamave të bankave.
Duke naviguar në instagram, më tërheqin vëmëndjen komentet ku njëri thotë se autori është hajdut, i shitur, injorant, by..im. Komenti që vijon shpreh urrejtje patologjike, etj. Nuk bëhet fjalë për zemërim. Zemërimi ka një adresë dhe një arsye, dhe prandaj ka dinjitet. Ajo që shoh është urrejtja pa lëndë, e llojit që nuk e ka kërkuar kurrë një motiv sepse i mjafton ekzistenca e tjetrit. Është urrejtja si zakon, si higjienë.
Ajo që po shohim mes nesh nuk është thjesht një konflikt mendimesh, as një përplasje e zakonshme interesash, as ajo mospërputhje temperamenti që e bën shoqërinë të gjallë. Është diçka më e ulët dhe, në të njëjtën kohë, më e frikshme: një uri e vazhdueshme për ta poshtëruar tjetrin. Një kënaqësi perverse që shfaqet sa herë dikush rrëzohet, gabon, flet, mendon ndryshe, apo thjesht guxon të ekzistojë jashtë kufijve të rrethit tonë të vogël emocional.
Do të ishte e lehtë ta quaja “poshlost” (një koncept kulturor rus që përshkruan një përzierje të veçantë të vulgaritetit, banalitetit, shijes së keqe dhe pseudo-intelektualizmit apo sentimentalizmit të rremë) dhe ta mbyllja aty me atë lloj vulgariteti që vishet me virtyt, dhe pretendon për moral.
Shqiponja e restorantit na ilustron më mirë se çdo definicion. Pronari nuk e ka pasur kurrë për qëllim ta fyejë simbolin; ai beson sinqerisht se po e nderon. Ai shpend që duhej mbrojtur me ligj, që ka fluturuar mbi male që ai nuk i ka ëndërruar kurrë, është tani dekor, dhe ne e quajmë patriotizëm. Kështu veprojnë edhe komentuesit e rrjeteve sociale.
Në këtë teatër të vogël provincial, edhe protestat, që në çdo vend të qytetëruar janë një pajtim i përkohshëm i të pakënaqurve kundër një arsyeje të vetme, këtu shpërbëhen para se të bashkohen. Secili ka protestën e vet, flamurin e vet, armikun e vet, dhe më shpesh armiku është protestuesi tjetër. Kam vërejtur se mes dy shokëve të së njëjtës kauzë ka një distancë më të madhe se mes tyre dhe pushtetit që pretendojnë se e luftojnë. Ndodh që për një flamur të vetëm kanë dalë tri kampe, secili i bindur se të tjerët janë provokatorë. Flamuri, fundja është e njëjta shqiponjë, por të vetmen që njohin është ajo që e mbajnë në duar.
Mendova se këtu fshihet shpjegimi. Një popull që ka jetuar gjatë nën dyshim, ku të gjithë ishin denoncues të mundshëm, ka mësuar ta lexojë çdo person si kërcënim. Pasoja nuk shuhet me ndryshimin e regjimit. Mbetet si zakon.
Kush nuk është i yti është potencialisht armik, dhe kjo i hap rrugën çdo demagogu të ardhshëm që do të mjaftohet vetëm të tregojë me gisht. Kështu edhe simboli i bashkimit bëhet instrument përçarje.
Besoni ju që ky popull nuk ka nevojë për një armik të huaj real, sepse ka mësuar ta prodhojë vetë? Çdo diktator e ka kuptuar se detyra e tij më e lodhshme, përçarja, i kryhet falas.
Do të doja që, herën tjetër kur të hyjmë në atë bar-restorant, të ndalojmë një çast para shqiponjës me sy të qelqtë dhe të mos pyesim veten pse e vranë, por pse duhet ta lejojmë të fluturojë.
Sepse një popull që e ka vrarë dhe kthyer simbolin e vet në dekor, ka të ngjarë ta ketë shitur edhe shpirtin e tij për më pak.
Robert Aliaj Dragot
(pjesë nga shënime, e hënë 9 Nëntor 2026).