Hekurudha Tiranë-Rinas-Durrës – test i durimit kombëtar – nga Adri Nurellari

Gazeta

Adri Nurellari
Adri Nurellari
Hekurudha Tiranë-Rinas-Durrës – test i durimit kombëtar
nga Adri Nurellari

Kur Ursula von der Leyen erdhi në Tiranë dhe kryeministri e çoi për të inspektuar hekurudhën Tiranë-Durrës-Rinas, iu servir një copë e vogël e së ardhmes europiane të Shqipërisë: 70 milionë euro investim me financim BE–BERZH, 12 minuta Tiranë–Rinas, 22 minuta Tiranë–Durrës, shpejtësi deri në 120 km/h dhe përfundim në pranverën e 2024-ës. Von der Leyen e vlerësoi punën; me sa duket askush nuk pati mirësinë t’i shpjegonte se në Shqipëri afatet e përfundimit të veprave publike janë më shumë një zhanër i letërsisë fantastiko-shkencore sesa njësi matëse e kohës.
Pranvera e 2024-ës iku, 2025-a u shua, dhe tani jemi në prag të vjeshtës së 2026-ës, ndërsa i vetmi udhëtar i rregullt në këtë linjë ka qenë: buxheti. Nga 70 milionë euro fillestare, fatura ka fluturuar në rreth 120 milionë euro, duke dëshmuar se e vetmja gjë që lëviz me shpejtësi në këtë vend është fryrja e kostove.
Për ta futur në perspektivë, ne kemi hyrë tashmë në vitin e gjashtë të punimeve, ndërsa në Turqi, në afërsisht të njëjtën periudhë, u ndërtua linja Çerkezköy–Kapıkule: 153 kilometra hekurudhë e re me dy palë shina, e elektrifikuar dhe e sinjalizuar, e projektuar për shpejtësi deri në 200 km/h, me dhjetëra ura, tunele, mbikalime e nënkalime. Po ashtu, Serbia, në afërsisht katër vjet, ndërtoi dhe vuri në punë 75 kilometra hekurudhë Beograd–Novi Sad, me dy palë shina dhe për shpejtësi deri në 200 km/h.
Ndërkohë kanë kaluar plot 10 vjet nga Samiti i Parisit i vitit 2016, ku projekti u përzgjodh si një nga projektet fituese rajonale. Në këtë pikë, hekurudha Tiranë–Durrës nuk është më projekt transporti, por test i durimit kombëtar. Një dekadë për 39 kilometra hekurudhë dhe ende numërojmë. Me këtë ritëm, kur treni të niset më në fund, ata të rinj durrsakë që e prisnin trenin në pranverën e 2024-ës nuk do të kërkojnë më biletë studenti, por ulje pensionisti.

Marrë nga Muri i Fb, Elona Caslli, 17 gusht 2026

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit