back to top
10.5 C
Tirana
E martë, 23 Prill, 2024

Havzi Nela në revoltën e Spaçit – nga msc. Florin Zyberaj

Gazeta

Havzi Nela me nxënësit - Shishtavec 1962
Havzi Nela me nxënësit – Shishtavec 1962

Havzi Nela në revoltën e Spaçit

nga msc. Florin Zyberaj

Abstrakt: Revolta e Spaçit, organizuar nga të burgosurit politikë më 21-23 maj 1973.
Kjo revoltë, është trajtuar gjithmonë në korniza të trasha, pavarësisht së përbën një ngjarje madhore dhe shënon një qëndresë të fortë kundër regjimit komunist.
Megjithatë, shqyrtimi i këtij fenomeni historik është i mangut për nga trajtesa nga njëra anë, dhe nga ana tjetër nuk është plotësisht shterues apo i plotë, pa u ballafaquar dhe sinkronizuar me dokumentacionin arkivor. Në këtë kontekst, për përgatitjen e këtij shkrimi kam përdorur dokumente arkivore të ish-Sigurimit të Shtetit që administrohen nga Autoriteti për Informim mbi Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, artikuj në gazeta (material përkujtimor e dosier) dhe një studim historik kushtuar Havzi Nelës.
.
Studiuesi Florin Zyberaj
Studiuesi Florin Zyberaj

Hyrje

Shkrimet kushtuar mësuesit Havzi Nela në shtypin shqiptar dhe në portalet online, në shumicën e rasteve janë të karakterit publicistik dhe propagandistik. Në shumë pak shkrime gjej elemente studimore rreth figurës së tij. I them atij mësues, pasi në asnjë dokument arkivor në AQSH, AMPB, apo në AIDSSH, nuk përmendet emri i tij si poet. Po kjo situatë më rezulton edhe në shkrimet e para viteve ’90-të.
Havzi Nela, si poet u njoh vetëm pas viteve ’90-të, me daljen në dritë të fletoreve me poezi që ai i kishte shkruar fshehurazi nëpër kampburgjet e sistemit komunist. Sa herë që përkujtohet dita kur u ekzekutua, emri i tij përmendet shpeshherë jo për të nderuar atë, por për të kritikuar dhe sulmuar emra kryesisht politikë. Kjo situatë aspak e denjë ndodhë, sepse nderimi, përkujtimi, vlerësimi i figurës së tij merr dimension tjetër vetëm nëse ka mbështetje nga propaganda politike.
Persekutimi i tij politik zë fill, kur ai kundërshtoi të deleguarit partiakë, ku evidentuan apo shtruan tri aksione politike si:
1.Hyrja në kooperativën bujqësore;
2.Prishja e objekteve të kultit;
3.Ndërrimi i veshjes nga veshja tradicionale në atë bashkëkohore.
Për sa i përket këtyre reformave në Shishtavec të Kukësit, më 20 prill 1967, u zhvillua një mbledhje me iniciativë të përfaqësuesve të PPSH-së në Kukës, si kryetari i Komitetit Ekzekutiv, Mëhill Doçi etj., ku merrnin pjesë kuadro të zonës, mësues të lokalitetit si dhe banorët e fshatrave të Shishtavecit, Novosejt, Shtrezes, Kollovozit etj.
Më 24 prill 1967, në orën 13.30 në shkollë u zhvillua mbledhja e këshillit pedagogjik në Topojan ku punonte edhe vetë Havzi Nela. Kjo njihet ndryshe si “Mbledhja e Topojanit”. Mësuesi Nela refuzoi të bënte autokritikë dhe të kërkonte falje gjoja se kishte folur keq në mbledhjen e Shishtavecit në dëm të Partisë e pushtetit popullor. Nën trysninë në rritje të ushtruar ndaj tij, ai u detyrua të arratiset. Dhe arsyeja e vërtetë e largimit të tij nga atdheu së bashku me bashkëshorten e tij për në Kosovë (Jugosllavi) është kërcënimet me burgim dhe dërgimi në kampin e Bulqizës, që u bë në këtë mbledhje nga të deleguarit partiak, si drejtori i shkollës etj. Arratisja e tij qe afatshkurtër. Me 6 maj 1967, pala jugosllave i dorëzon tek autoritetet shqiptare, në postën kufitare, në Morinë.
Menjëherë pas gjyqit të 22 majit 1967, ku u dënua me 15 vjet heqje lirie dhe konfiskim të pasurisë, Havzi Nelën e dërguan në burgun e Tiranës. Nga burgu i Tiranës, e çuan në kampin e Elbasanit. Dënimin prej 11 muajsh, Havziu e vuajti në kampin e Elbasanit. Dhe nga Elbasani më vonë e kanë transferuar në kampin e Vlorës, ku ka qëndruar deri më 26 shtator të vitit 1970. Nga viti 1970 e transferuan në Spaç, ku punoi në nëntokë (në galeri) deri në fundin e vitit 1974.
.
Dorëshkrim nga fletoret e Havzi Nelës
Dorëshkrim nga fletoret e Havzi Nelës

Revolta e të revoltuarëve

Urrejtja e akumuluar në kampin e shfarosjes së Spaçit shpërtheu si “vullkan” më 21 maj 1973, pas refuzimit të ushqimit dhe derdhja e kazaneve me gjellë nga ana e të burgosurve politikë. E quajnë kamp i shfarosjes, pasi Spaçi ndodhet në fundin e një grope dhe ku lart shihet vetëm qielli dhe asgjë tjetër. Në këtë gropë jetonin qindra të burgosur politikë me vite të tëra. Të burgosurit, ishin thjesht dhe vetëm skllevër të galerive dhe vegla që merrnin frymë. Kjo revoltë në fillim nisi si një protestë nga të burgosurit kundër keqtrajtimit të shokut të tyre, Pal Gjergj Zefi në regjim biruce, e vazhdoi në një protestë që tronditi regjimin komunist. Pas gjendjes alarmante të raportuar brenda kampit, në mëngjesin e datës 22 maj, në kamp mbrriti zv/Ministri i Brendshëm Feçorr Shehu. Pasi zbardhi dita, bëhet e ditur se rojet kishin vënë re, se në katin e tretë të burgosurit kishin ngritur një flamur të kuq, me shqiponjën në mes dhe pa yllin e kuq komunist. Sipas të dhënave që u mblodhën më pas, bëhet e ditur se shqiponjën mbi flamur e kishte përgatitur i burgosuri Mersin Vlashi. Po me 22 maj, rreth orës 12.00 në mensën e burgut sipas dokumentave ishte mbajtur një mbledhje, e cila quhej “Mbledhja e Këshillave Krahinorë”.
Në këtë mbledhje u caktuan nga një individ për çdo krahinë. Për rrethin e Kukësit, u caktua mësuesi Havzi Nela si një drejtues vizionar, i cili qëndronte më lart nga individët e tjerë nga kjo krahinë. Ai ishte shumë i vendosur, dhe me karakter të fortë në qëndrimet dhe idealet e tij. Gjendja psikologjike dhe fizike nuk qe aspak në favorin e tij në këtë kohë. Por sidoqoftë me gjithë vështirësitë e xhelozitë për caktimin e tij në mbledhjen krahinore ai mori pjesë. Një aktivist si gjithë të burgosurit e tjerë politik. Duhet theksuar se Havzi Nela, pak kohë më parë i shpëtoi një atentati të bërë ndaj tij në Spaç, ku një i burgosur tentoi ta qëllonte me thikë atë. Në këtë mbledhje morën pjesë të dënuar nga gjithë krahinat që vinin të burgosurit, ku u diskutua për moblizimin dhe vazhdimin e revoltës. Më këtë mbledhje ata vendosën:
1.Të këshillohen personat që nuk marrin pjesë në mbledhje që të qëndrojnë të vendosur në revoltën që filluan;
2.Të thuhet që revolta lindi e rastit, shkaktarë ishte operativi me nënoficerët që lidhën Palin;
3.Të mos pranonte asnjë i dënuar të futej në galeri etj.
Havzi Nela i mëshoi pikës së tretë ku kërkoi jo vetëm lirimin e të burgosurve, por që të mos punonin më në galeri.
Situata doli jashtë kontrollit, mori një dimension tjetër. Kështu që pushtetin në dorë e morën të revoltuarit e diktaturës komuniste. Kampi menjëherë ishte rrethuar nga katër anët me ushtarë të cilët ishin urdhëruar edhe të qëllonin kundrejt të burgosurve. Në këto rrethana shpërtheu kjo revoltë, që në histori njihet me emrin “Revolta e Spaçit” ose “Revolta e të burgosurve politikë në Spaç”.
Parullat që u hodhën në këtë revoltë qenë të shumta si: “Poshtë diktatura”, “Poshtë komunizmi dhe Enver Hoxha”. “Ja vdekje ja liri”, “Ne nuk punojmë as sot as mot”, “Rroftë Shqipëria e Lirë”, “Ju jeni katila dhe keni lyer duart me gjakun tonë”, “Do t’ju djegim si Stalini”, “Mos u gënjeni se kurrë në botë nuk do të fitojë komunizmi”, “Poshtë komunistët”, “Poshtë komunizmi”, “Ushtarë hidhni armët”, “Populli është me ne”, “Kooperativa u pret”, “Bashkohuni kundër qeverisë”, “Po, jam armik dhe kështu do vdes”, “Flamuri pa yll”, “Poshtë Enver Hoxha”, “Poshtë partia”, “Këtë që po bëni ju nuk e ka bërë as nazizmi”, etj.
Në arkivin e Autoritetit mbi Infofmimin mbi Dokumenta e Ish-Sigurimit të shtetit evidentohet një ekstrakt i përzgjedhur nga agjentura brenda kampit që drejtohej nga punëtori operativ Fejzi Liço. Në rrjetin sekret bënin pjesë këto bashkëpunëtorë: “Zjarri”, “Shpata”, “Planeti”, “Kaike e bukur”, “Shigjeta e kaltër”, “Bakri”, “Zjarri”(2), “Pushka”, “Libri”, “Stilografi”, “Pisha”, “Vigjilenti”, “Qarri”, “Semani”, “Besa”, “Vullnetari”. Më poshtë një ekstrakt i përzgjedhur dhe sistemuar nga raportimet e bashkëpunëtorëve. P.sh: “Planeti” raportonte: “…Dervish Bejko tha se e kanë bërë sakat e nuk do më jetën[…] Latif Haxhiu i tha zëvendësministrit (Feçor Shehu): “Po na mbani nga 25 vjet në burg more të poshtër”. I dënuari Havzi Nela ka bërë agjitacion e propaganda […] ka kërkuar lirimin dhe të mos punonin më në minierë.
Pas shtypjes së revoltës, mësuesi Nela u denoncua nga të burgosurit e tjerë që ndodheshin në Spaç. Pikërisht këto denoncime u shfrytëzuan nga regjimi i kohës për ta dënuar atë edhe me 8 vjet të tjera (vendvuajtja e dënimit do ishte Rrësheni). I burgosuri Naim Uka dhe Zenel Balliu raportuan sidomos mbi ngjarjen e ndodhur në revoltë. Më konkretisht ata shprehen:
Naim Muhamet Uka, para hetuesit tregonte se: “…Havziu më tha se këto (Komunistët – shënimi im) u trembën nga ato 600 burra që bënë revoltën këtu në Spaç që ishin edhe pa armë dhe mblodhën ushtrinë për të shuar atë, e jo më të mos kenë frikë nga të huajt, se këto e kanë keq edhe nga konferenca e Sigurimit Europina (KSBE sot OSBE – shënim) dhe kur të marrë fund ajo, edhe këto do të marrin fund së qeni etj. që tani nuk i mbaj mend. Unë Havziun e kam parë edhe në revoltë duke bërë thirrje për kundër pushtetit e partisë, por ky nuk u dënua me këtë rast”.
Zenel Haqif Balliu, pohonte: “…Kam për të thënë se kur ndodhi revolta e Spaçit, unë jam ndodhur këtu brenda dhe e kam parë Havziun se ky ishte nga më aktivistët aty duke hedhur parulla kundër pushtetit e partisë, ka marrë pjesë në mbledhjen krahinore të dënuarve nga Rrethi Kukës që u bë gjatë revoltës”.
.
Burgu i Spaçit - Foto me pranga
Burgu i Spaçit – Foto me pranga

Epilogu

Përleshja trup më trup zgjati tri ditë dhe tri netë. Luftonin herojtë e lirisë për një Shqipëri të lirë e demokratike, pa bukë dhe pa ujë, me forcat speciale të regjimit. Nga kjo revoltë, prej organeve të Sigurimit u regjistruan 93 pjesëmarrës aktivë, mes tyre edhe Havzi Nela. U zhvilluan 5 procese politike, u dhanë shumë vite burg dhe u pushkatuan katër persona. Revolta u shtyp në trysninë e armëve, por ajo hyri si një thikë në zemrën e dikturës komuniste. Jehona e revoltës kaloi kufijtë e Shqipërisë politike të rrethuar me tela e gjëmba.
.
Havzi Nela reciton...
Havzi Nela reciton…

Referenca:

Agim Musta, Kujtime rrënqethëse nga burgu i Spaçit: si u organizua dhe u shtyp revolta historike, Gazeta Republika, 21 maj 1998.
AIDSSH, F. 140 ,V.1962, D. 5925-A.
AIDSSH, F.1, V.1967, D. 9912/2-A.
AIDSSH, F.1, V. 1975, D. 9912/3-A.
Bedri Myftari, Revolta e Spaçit, gazeta Kosova, 1 shtator 1991.
Florin Zyberaj, Havzi Nela martir i fjalës së lirë/ studim (Tiranë: M & B, 2019).
Kastriot Dervishi, 1973/ Revolta e Spaçit, 93 persona me të dhëna agjenturiale-operative, 4 të pushkatuar, Gazeta “55”, 20 maj 2019.
Kastriot Dervishi, Revolta e Spaçit e spiunuar nga brenda, Gazeta “55”, 17 maj 2019.
Marenglen Kasmi, 45 vjet nga Revolta e Spaçit, Gazeta Dita, 20 maj 2018.
.
 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.