back to top
16.5 C
Tirana
E martë, 8 Tetor, 2024

Gëzim Hajdari: Kritika italiane mbi “Poema e mërgimit”

Gazeta

Gëzim Hajdari Portonovo 2007
Gëzim Hajdari Portonovo 2007

Gëzim Hajdari: Kritika italiane mbi “Poema e mërgimit”,

botimi i parë, Fara Editore 2005

Pjesë nga disa prej artikujve të shkruar në shtypin italian mbi botimin e parë të poemës…

***
“Besoj se forca e këtyre vargjeve, që hera herë përcillet me një gjuhë të ashpër dhe të drejtpërdrejtë, bazohet tek dashuria e thellë që autorit ka për vendin e tij, Shqipërine. (…)Ndoshta vështrimi “ezilant” i Hajdarit sheh me një mprehtësi kirurgjike veset e shoqërisë shqiptare, dhe pikëpamja e tij është ajo e një intelektuali jotipik (sigurisht jo homologues), i një poeti që s’ka frikë të dalë hapur, të shfaqet ballas si person, duke na dhënë emra e mbiemra, rrethana e fakte për çka ndodh… por pikëpamja e tij, e përsërisim, dhe për kët’ jemi mëse të bindur, është vështrim i një poeti, i cili duhet konsideruar përtej gërmave, përtej kordinatave (sado të pamohueshme) të kuadrit historik: është pikërisht kjo forca e poezisë, zbulimi i së vërtetës, i vlerave dhe ndjenjave që shqyejnë vellon e realitetit, dhe me guximin metaforik na lejon ta perceptojmë sensin më të thellë të gjërave.
Ështe një rrëfim thuajse agostinian “Poema e ezilit”, e cila mbart stilema edhe prozaike dhe nuk është aq e lehtë ta katalogosh në një gjini poetike konkrete: pamflet, elegji, lirikë denoncimi…? Autori pohon se “Poetëve u është rritur gusha dhe po bëhen/ njerëzit më të rrezikshëm për të ardhmen e vendit”(…) Është pikërisht ky funksioni i poezisë: guxim në hetimin dhe leximin e realitetit, por edhe të provokosh perkorse për shpirtin dhe për hapat tona njerëzore. Një poet që s’sheh vetëm kërthizën e tij di të hedhë përtej murit zemrën e tij, di t’u shërbejë atyre që duan ta dëgjojnë dhe ta mirëpresin me fjalë prej zjarri, duke rrezikuar shpesh edhe moskuptim nga bashkëkohësit, duke u konsideruar një profet fatkeq, një i çmendur që ka humbur arsyen…”
Alessandro Ramberti (nga parathënia e librit “Poema e mërgimit”. Fara Editore 2005)

***
“(…)Një poemë e pazakontë…
Përçmim dhe dashuri; përçmim për klasën politike dhe intelektuale shqiptare dhe dashuri për popullin shqiptar të mohuar e të poshtëruar nga drejtuesit e korruptuar. Një aktakuzë e vërtetë kundër pushtetit harbut që ka uzurpuar pallatet e Tiranës; një pamflet i ushqyer me pathos dhe pasion politik që ne në Itali nuk kujtohemi ta kemi patur qysh nga kohët e Italisë së komunave. Hajdari s’ka frikë të përmendë emrat e të korruptuarve, autori ve në dukje përgjegjesitë e atyre që kanë përfituar në bashkëpunim me mafien, ve në shtyllën e turpit tarafet e pseudointelektualëve të regjimit duke u kualifikuar poet në ezil, dhe si i tillë, ndjehet një zë i lirë…
(…)Do të guxoja t’i kërkoja Hajdarit nëse beson me të vërtetë që në Itali, ku kemi patur nderin ta mirëpresim midis nesh prej disa vitesh, problemi i poetëve të oborrit e të tellallëve mund të jetë ndryshe nga ai i Tiranës. Poetët e oborrit janë një llum i kudondodhur që s’njeh kufi.(…) Ndoshta ajo që mungon sot në Itali është, një poet i sinqeritetit të çiltër, si Gëzim Hajdarit, por sigurisht nuk ekzistojnë këtu tek ne kushte të tilla që mund të pjellin një zë të ngjashëm heretik.(…) Me një gjuhë të gjallë, të ashpër dhe të pamëshirshme, thuajse pa hijeshi, përzier me sulme dhe sarkazëm, Hajdari pronuncon aktin më të dhunshëm dhe më të fuqishëm kundër përgjegjësve të çnderimit në mase të popullit shqiptar, dhe unë shtangem gjithë adhurim për mënyrën e tij të prerë, për forcën, ashpërsinë, kurajon që tregon poeti shqiptar, i cili shkruan ashtu siç di të shkruajë vetëm një poet i vërtetë, kur e sheh se s’ka kohë dhe arsye për të lëvruar poezi lirike(…) Dhe nuk mund ta fsheh vlerësimin tim të lartë për një lirikë të reduktuar deri në kockë të paradës lëshuar kundër murit të Pushtetit uzurpuar nga nomenklatura e djeshme dhe e sotme shqiptare.”
G. Linguglossa (Poiesis, Nr. 34-35, Romë 2005-2006)

***
“(…) Njeriu i letrave s’ka frikë ta theksojë përmes fjalëve të tij, që shërbejnë për të dëshmuar një akt të drejtë e të fuqishëm, kur thotë “zhvishem nga manteli im i poetit, për të veshur atë të një qytetari të thjeshtë, të një ish eksponenti politik, të një kritiku dhe gazetari të dikurshëm”.(…) Fillimi i veprës të kujton thuajse një evokim të faqeve të Gattopardit, ndërsa rrjedhja e tekstit është menduar ende më e qartë si një “Dëshmi”, si opinion i shprehur me gjithë peshën e trupit.(…) Të lexosh këto faqe është fondamentale.”
Nunzio Festa (www. Fara Editore: l’universo che sta sotto le parole)

***
“Një libër i shkruar në shqip dhe italisht nga poeti Gëzim Hajdari, i cili jeton në ezil në vendin tonë prej vitit 1992.
(…)Një pamflet që zbulon kalbëzimin e klasës politike shqiptare, një gjuhë që s’ka frikë të sulmojë hapur, një manifest kundër poetëve të oborrit dhe kundër atyre që kanë uzurpuar të drejtat e qytetarëve, një qortim për të gjithë ata që shfrytëzojnë jetën njerëzore për të mbushur xhepat vetjake, një libër që lexohet me një frymë, në çdo faqe shfletuar rastësisht do të gjeshë vargje sinjifikate plot emocione.
Autori nuk e denigron vendin e tij të origjinës, përkundrazi nëpërmjet poemës shfaqet një dashuri e thellë për Shqipërinë edhe kur zbulohen anët më të këqia në faqet e saj, reagime dhe efekti që shkakton tek lexuesi është tejet i ndjeshëm.(…)
Një poemë që nëse do të qe botuar në Francën e shtatëqindës do të qe renditur pa dyshim në listën e librave të ndaluar si një shkrim i rrezikshëm, sepse do të kish zbuluar para syve të popullit tarafet e oborrit, dhe autorin do ta kishin përndjekur e dëbuar… siç duket një gjë e tillë përkon me atë që ka ndodhur në të vërtetë me jetën e Gëzim Hajdarit.
Luca Lanzoni (http:/www.impattosonoro.it/letteratura.php)

***
“(…)Përplot me prozë poetike, me gjithë shfryrje të herpashershme inati, një uri e thellë për drejtësi, kundrejt pabesive të njerëzve… Një libër që lexohet me një frymë kjo “poemë e ezilit”. Vendi i shqiponjave mund të jetë gjithçka, por jo Atdheu i Demokracise (duke konsideruar këtë ide si simbol të lirisë së Popullit në truallin e tij). Poeti shkruan në gjuhën mëmë për të mos harruar rrënjët e origjinës, forcë krijuese që sfilit dhe anullon jetën e tij. Një poezi e gjallë, tragjike, konstruktive por e varfër, e varfër ekonomikisht pse nuk ia del ta mposhtë korrupsionin e njerëzve, të politikanëve, të çakejve e harbutëve. S’ka më shqiponja, por çakej në dheun e njerëzve të rinj.(…) Kërkimi poetik vazhdon dhe ekzalton vargun e lirë, politik, patriotik. Nga kënga e tij lind një konstatim i hidhur:
“Poetët e Hoxhës janë bërë politikanë të sotëm,
politikanët e djeshëm janë bërë poetë të sotëm”.
I njëjti konstatim vihet re në çdo vend/komb të botës. Këto vargje na sjellin ndërmend vargjet e Nerudës kushtuar eziltit të tij.(…)
Drama e kthimit, udhëtimi dhe rrëfimi për të mos lënë që zbrazëtira e gënjeshtrës të mbulojë kujtesën e kohës…
(…)Vargjet e tij dygjuhëshe i rrëfejnë lexuesit dramën që e konsumon dhe, në të njejtën kohë, e bën të jetojë…”
Vincenzo D’Alessio (www. Fara Editore – l’univesro che sta sotto le parole)

***
“(…)Sa udhë demokratike duhet kryer ende nga Shqipëria e sotme? Është kjo pyetja që shtron në kët’ poemë poeti ezilant, i cili vetëquhet poeti me i trishtë i Ballkanit e që dashuron gjer në çmenduri vendin e tij.(…) Zëri i tij është i ngjirur, s’rend pas estetizmave, por në të njëjtën kohë dhe i ashpër, si një roman i Zolasë derdhet në ferrin vetjak e në ferrin e atyre që kanë vuajtur e vazhdojnë të vuajnë…
Alessandro Ramberti (Parathënie, Poema e mërgimit, Fara Editore 2007)

 

 

Related Images:

More articles

2 KOMENTET

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.