12.5 C
Tirana
E premte, 1 Mars, 2024

Mbeshtet RadiandRadi

spot_img

Fritz Radovani: “Kur shkarravinat… i lexojmë si bukurshkrime…!”

on

|

views

and

comments

Fritz Radovani
Fritz Radovani

“Kur shkarravinat… i lexojmë si bukurshkrime…!”

Elvi Sidheri: Intervistë me Fritz Radovanin

Ideja për këtë intervistë, këtë rrahje idesh me zotin Fritz, pati lindur prej disa kohësh, por fillimi i këtij Viti të Ri 2015-ë, u shpërfaq si rastësia më fatlume, për ta sjellë atë në dritën e publikimit, si një dhuratë për të gjithë lexuesit.

Çfarë është komunizmi për ju? Komunizmi asht një shkarravinë që je i detyruem me e quejtë bukurshkrim!
Si e keni ndjerë ju personalisht, impaktin dhe pasojat e kësaj ideologjie dhe të zbatimit të saj në praktikë në Shqipëri? Ne ishim brezi që lindëm në “yllin e kuq” ose siç quhej në “yllin e keq” të vendosjes së robnisë komuniste në Shqipni, nga Jugosllavia titiste. Shqipnia asnjëherë nuk ka pasë një ideolog komunist në drejtimin e PKSh, tue fillue nga 8 nandori 1941. Ata u larguen nga Mugosha e Popoviq, tue fillue nga Zef Mala, Qemal Stafa, Zai Fundo, Vasil Shanto, etj., se nuk do të zbatonin kurrë në Shqipni atë që zbatoi E. Hoxha, për interesat e kolltukut të vet, dhe qejfin e tyne shkombtarizues shekullor.
Të gjithë ata që u përfshinë në “luftën e kllasave” ishin objekte persekucioni. Shkalla e këtij persekucioni ndryshonte, disa i kthente në skllavë, ndërsa, disa të tjerë i zhdukte fare.
Nga Fisi i Nanës sime Prennushi, komunistët zhdukën tre Klerikë, ku përfshihej edhe daja im Don Kolec Prennushi, ndërsa të tjerët vuejtën shumë vite burg, flas për vllaun Alfonsin, 14 vjet, si dhe dajat tjerë, të cilët i ndiqte Nana ime në kampet e shfarosjes.
Për 46 vjet, nga 1944-1990, përveç vitit 1962-65, kam pasë një t’afërm në burg.
Pasojat merren me mend në të gjitha drejtimet!

Dom Kolec Prennushi
Dom Kolec Prennushi

A jeni i mendimit që metoda shqiptare e praktikimit të ideologjisë komuniste, dallonte dukshëm nga vendet e tjera që e jetuan këtë sistem (Në Europë, Azi, Afrikë e Amerikën Latine)? Komunizmi në Spanjë dhe Meksikë, ishte në ma pak vite. Shumë vrastar! Rusia nga 1917 e deri në 1953, u ba “laboratori i masakrave terroriste komuniste”. Luftat e mëdha Botnore ia mbuluen terrorin Leninit dhe Stalinit. Jalta e 1945 i privilegjoi! “Demokracitë” e Europës Lindore, mbas vdekjes së Stalinit, filluen njëfarë zgjimi, mbasi guxuen me ngritë kokën kundër skllavnisë së Bashkimit Sovjetik. Lëvizjet në Gjermani Lindore, Poloni, Hungari e Çekosllovaki… ishin një heroizëm i panjohun nga historia Botnore! Të kundërshtosh komunizmin me armë, sot prap për né, asht e pabesueshme!
Thundra komuniste në Shqipni ishte e ngjeshun ma thellë, mbasi komshijtë tanë e donin prej sa shekujsh shkombtarizimin tonë, po, edhe zhdukjen fizike të Atyne Maleve që e ruejtën, siç thotë Fan Noli: “për dymijë vjetë, mbetën katolikë me armë në dorë”.
Pra, ishte klika drejtuese e PKSh, me E. Hoxhën në krye, ajo që i ishte besue misjoni i zhdukjes Formulës “Atdhé e Fé”, Formulë e cila, Ringjallej atëherë, kur ishim ma keq se kurrë. Gjaku i Atyne Martirëve Atdhetarë, edhe sot vazhdon me vlue ndër Bjeshkë!
“Revolucioni Kultural i 1967”, në Shqipni bani groposjen e Saj… Për Kinën dijmë pak!
Kur kam lexue citatet e Mao Ce Dunit, kam gjetë aty edhe portretin e Ramiz Alisë.
Si mund ta definojmë periudhën 45 vjeçare komuniste në Shqipëri? …Në çfarë mënyre do të zerë vend në historinë e popullit shqiptar, ky gjysëmshekulli i errët? Periudha 47 vjeçare në Shqipni ishte: “Kunorzimi homoseksual i mbeturinave otomane të pabesa vrastare, me hajdutët e stepave të Kaukazit, lé e rritë nën kujdesin atnor të boshnjakëve turko-sllavë.” Historia e tyne nuk i përket Popullit Shqiptar!
Ata pohojnë botnisht: “Né jemi vëllezër gjaku me turq!”. Historia e tyne do të shkruhet vetëm ndër ranishtat e brigjeve të Azisë së Vogël dhe shkretinat e Arabisë…
Çfarë e dallonte sistemin monist shqiptar nga pjesa tjetër e Bllokut Lindor dhe përse efektet e këtij sistemi në Shqipëri rezultuan të ishin aq shkatërrimtare për vendin tonë? Ishte urrejtja dhe interresat sllave që nuk e linin Europën me Rilindë Shtetin e Gjergj Kastriotit, “Mbrojtësit të qytetnimit të vet Europës!” Kur Dedë Gjo’ Luli ngriti në Deqiç Flamurin e Kastriotit, në vitin 1911, Europa bani sikur nuk “dëgjoi as, nuk pau”…
Në vitin 1912, Shqipnia ka lé me operacion! Për me ua lehtësue daljen në dritë të vetë Shqiptarëve “Shqipës i cunguen kokën, krahët e deri tek bishti, pjesët ma të mira!”
Në 1945, Aleatët ishin marrakotë, aqsa nuk u kujtohej Emni “Shqipni” fare në Jalta. Sllavët që në 1941, kishin gjetë tiranin Enver Hoxha, që plotsonte nevojat e dëshirat e tyne, po që për hirin e kolltukut të vet, ishte gati me zbatue edhe porositë e sulltan Mehmetit të II: “Mos të mbesë gjallë asnjë shkodranë!”. Ky zbatoi në Shqipninë e cungueme “rrenimin fshataresk” të Leninit, dhe barbarinë antikombtare, kundër të gjithë intelektualëve e deri tek shfarosjet masive ndër kolkozet sovjetike të Stalinit. Prandej, nga gjithë Europa Lindore, Stalini e “dashuroi” Enverin, dhe e merrte edhe ndër parada.

Fritz Radovani i ri 1957
Fritz Radovani i ri 1957

Cila fazë e 45 vjeçarit monist, miqësia me jugosllavët, sovjetikët, kinezët apo ajo “me forcat tona” e viteve 80-ë, ishte në këndvështrimin tuaj, më e vështira për Shqipërinë komuniste? Shqipnia e 1945 me “firmat” e Jaltës, kje “Shteti i vetëm i dënuem me vdekje në Europë!” Drejtuesi formal i shtetit E. Hoxha, ishte “Hero i Popujve të Jugosllavisë”. Ma vonë mik i Stalinit, Mao Ce Dunit, dhe per 41 vjetë tiran i Popullit Shqiptar. Ai krijoi kampet e shfarosjes në gjithë Shqipninë. Kishte mbas vitëve 1950 ma shumë skllavë se çdo udhëheqës tjeter në krahasim me popullsinë e tyne. Mbi 500.000 Shqiptarë, kanë kontribue ndër kampët e punës dhe të shfarosjes deri në vitin 1974… per me pasunue E. Hoxhën, emni i të cilit në vitin 1989, ishte ndër miljarderët ma të mëdhej të bankave të Europës. Kjo vjedhje e pasunisë kombtare mbas vitit 1975 solli varfni të pashembullt.
Përveç, terroristëve që mbanin nën shtypje Popullin, të gjithë mendonin: “Çka kemi me ngranë në drekë?” Fëmijët i gëzoheshin një gotës qumësht me ujë! Koha ma e vështirë për Shqiptarët, kjé kur humbëm shpresat për liri, mbas vrasjes së Xhon Kennedit 1963.
A mendoni se shqiptarët janë të prirur për të qenë më tepër të majtë? Jo, asnjëherë! Shqiptarët janë i vetmi Popull që ka mbijetue! Kam njohë Shqiptarë nga të gjitha krahinat e Shqipnisë, dhe të gjitha besimet! Shqiptarët nuk janë kenë dhe as nuk janë Vllavrasës apo tradhëtarë kurrë, kur të konsiderojnë Vlla, Mik, Bashkatdhetarë e Bashkvuejtës. Kam njoh Gjinokastritë e Përmetarë, Beratas e Fierakë, Vlonjat e Krutanë, po asnjë prej Tyne tue fillue nga Fadil Kaja, Hodo Kopliku, Pavli Gushi apo Bedri Seferi, Sami Hoxha e Zeqir Dani në Pazarin e Shkodrës, nuk me ka tradhëtue as provokue asnjëherë, tue dijtë mirë mendimin tim të pandryshueshëm!
Shqiptari kur të don me zemer, jep edhe jetën për ty, e nuk të prêt në besë! Ndërsa, “të majtët” apo “Interncionalistët” në shërbim të krimit, nuk kanë as bésë, as Atdhé…

Rini Monjaka (1950-1997)
Rini Monjaka (1950-1997)

A mendoni se ka pasur efektivisht një “dekomunistizim” të mirëfilltë të shoqërisë shqiptare? Ka pasë vetëm përpjekje dhe dëshirë por, arritje për dekomunistizim jo!
Mbas Rumanisë, ishte Shkodra në Janarin e 1990, që kërkoi heqjen e bustit Stalinit, po e mbylli ditën e 14 Janarit 1990 me 300 të arrestuem e të torturuem, madje dhe vajza, ku i shkatrruen jetën një Martiri fatkeq të Rinisë Shkodrane, Heroit Rin Monajka.
Ishte funerali i djalit të vramë në piramidat e kufinit Pllumb Pllumbaj, ku mbas funeralit u arrestuen dhjetra vetë që thirrën gjatë bulevardit Shkodres: “Poshtë Nexhmije kurva!”
Ishte në Tiranë hapja e ambasadave, që u pasue me vrasje tek Mali me Gropa…
Ishte Mesha e Parë mbas vitit 1967, në Rrëmaji të Shkodrës, me 4 dhe 11 Nandor 1990 ku, Don Simon Jubani shpalli Lirinë e Fesë… dhe, bani thirrje për Pluralizëm Demokratik!
Ishte shpallja e Partisë Bashkimeve Fetare, që u formue nga Nush Radovani e Ruzhdi Çoba, në 13 nandor 1990, që detyroi Ramiz Alinë me lejue formalisht “pluralizmin”, tue mos aprovue me ligj asnjë Parti tjeter përveç atyne, që “polli” PPSh e Sigurimi i Shtetit.
Ishte rrëzimi i bustit E. Hoxhës në Shkoder, me 13 Dhjetor 1990, që mbylli ditën me disa arrestime të rijësh, të cilët u torturuen dhe disa edhe u tredhën nga hetuesit kriminel.
Në Tiranë plasi edhe greva e studentëve… U hoq emni i E. Hoxhës, nga Universiteti i Tiranës, po mbas pak ditësh greva u shfrytzue per qellime politike nga PD.
Ishin grevat e organizueme të BSPSH në Shkoder, Kavajë dhe që, u kunorzuen me rrëzumjen e monumentit E. Hoxhës, me 20 shkurt 1991, nga minatorët e Valiasit…

Shkodër… 2 prill 1991
Shkodër… 2 prill 1991

Data 2 Prill 1991, në Shkodër, hoq maskën e terroristëve dhe kriminelëve pasues të tiranëve Enver Hoxha dhe Ramiz Alia, që deklaroi: “Edhe gjak do bëjmë, dhe pushteti do mbetet përgjithënjë yni…” Presidentët dhe kryeministrat pasues i qëndruen besnikë.
Kudo u manipuluen zgjedhjet për me vazhdue mbajtjen e pushtetit “socialist”, që në Shkoder BSPSH, ua sabotoi… Në shtator 1991, në Shkodër u formue edhe “Shoqata e të Persekutuemve Politikë”… Kjo u arrijt se Shkodra, ishte me të vërtetë antikomuniste!
Çfarë do të thotë në realitet “dekomunistizim” sipas jush dhe a do të kishte mundur të ndodhte (në çfarë rrethanash specifike nëse “Po”) me të vërtetë një proçes i tillë në Shqipëri pas vitit 1990? Në datën 3 Maji 1991, kam deklarue në BSPSh e Shkodrës, për radio “Zëri i Amerikës”, se “Shqiptarët, duhet të mendojnë dhe punojnë për me formue Qeveri në Shqipni, pa asnjë komunist. Një prej tyne shkatrron demokracinë! Ndërsa President që shpeton Shqipninë duhet të zgjidhet Prof. Arshi Pipa ose Sami Rrepishti, nga ShBA ”. Mbrenda tri ditësh doli ligji “Presidenti duhet të ketë jetuar 20 vitët e fundit në Shqipëri”.
Diasporat nga frika e “hapjes së dosjeve” të veta, luejtën lojën e mbas viteve 1944… si atëherë, kur Stalini “thonte”: “Sa të jetë Rusvelti e Amerika, komunistët nuk dorzohen!”
Zhdukja masive e inteligjencës Shqiptare, solli pushtetarë të  shkolluem “bastardhë”!
A jemi ne shqiptarët, një popull me kujtesë të shkurtër dhe a ndikon ky tipar, në “harrimin” apo “relativizimin” e vuajtjeve dhe privimeve të përjetuara gjatë sistemit diktatorial? Na akuzojnë si popull me “kujtesë të shkurtë”! Jo, kjo nuk qëndron kurrë!
Né nuk kemi pasë asnjë shtet mik nga komshijtë, dhe as nuk kemi tentue me vra një nga qeveritarët apo shtetasit e tyne. Madje, kjo ka ba që shumë nga ata shtete kanë nxjerrë dijetarë dhe shkencëtarë, që kanë lanë gjurmë të pashlyeshme në historinë tonë kombtare si: Mis Durham, At Z. Valentini, Prof. Shufflay, Prof. Dr. Jokli, M. Lambertz, etj Ndërsa, shteti i vetëm që na ka vlersue e ndihmue në Europë, ishte Austro-Hungaria. Atdhetarizmi i Shqiptarit ndër shekuj perjetsohet me Monumentin e Gjergj Kastriotit, në aq shumë vende të Botës sa asnjë tjetër, ndërsa, koha moderne ka simbol të Virtytit, të bamirsisë dhe dashunisë Njerzore, praninë e Shqiptares Madhe Nanë Tereza tek ata.

Figura e Gjergj Kastriotit - Skenderbeut
Figura e Gjergj Kastriotit – Skenderbeut

Asnji Figurë tjetër në Botë, nuk njihet ndër aq shumë shtete sa këta Dy Shqiptarë!
A vlen ndopak në rastin tonë shprehja italiane: “Si stava meglio quando si stava peggio”… (Ishim më mirë kur ishim keq), që përtej Adriatikut përdoret për të kujtuar me njëfarë nostalgjie kohën e Mussolinit, ndërsa që tek ne do të kishte të bënte me “enverizmin” në përgjithësi? Ma shumë asht rastësi, që diktaturat fashiste dhe naziste sollën “bashkimin e Trojeve Shqiptare”, rast i vetëm në historine e Shqipnisë! Ndonse, Gjermania ka ruejtë një ndjenjë të mbrendshme për Shqiptarët, gja që e manifestoi fare vonë Shtrausi.
Kohës së shkueme as të largët, as të afërt, nuk kanë se cka me i lakmue Shqiptarët!
Koha e diktaturës, mbas vitëve 1970 solli në “gjiun tonë” edhe shumë prej atyne, që kur i shërbenin E. Hoxhës, nuk dinin me e kuptue fjalën “persekucion”… E provuen edhe ata!
Do të më pëlqente një “rikthim” në vitin 1991, pa vrasjet e 2 Prillit dhe “plumbat qorr”!
Si mund të bëjë vërtetë përpara Shqipëria, kur akoma nuk është bërë një pastrim i ndërgjegjes, lidhur me të kaluarën dhe vetë barrën e rëndë të trashëgimisë komuniste në shoqërinë tonë? Pastrimi i ndergjegjës asht i lidhun me “pendimin” e fajtorëve të krimeve.
Kjo u duhej imponue me hapjen e dosjeve të tyne, atëherë, kur terroristët Shyqyri Qoku me shokë hoqën etiketat e emnave të tyne nga dyertë e apartamenteve në Shkodër. Kriminelët e papenduem, përsërisin prap të kaluemen e idhtë. Unë nuk mund t’i besoj “përgjumjes së tyne”, kështu, vjen edhe “mosbesimi” që ka pasojë logjike “mospajtimin kombtar”, e për rrjedhim përçamjen, pabesinë, dhe mbyllet me tradhëtinë e tyne, tue sjellë ripërsëritjen e periudhës shkatrrimtare komuniste, porsa atyne t’i paraqitet rasa.
Qetsia e tyne asht korrupsioni, ndërsa zgjimi i tyne; asht vllavrasja për rikthim mbrapa.
Mosdënimi i tiranëve “heronj”, bredhja e lirë nëpër Botë e terroristëve trashigimtarë, të veshun me poste qeveritare dhe diploma korrupsioni e karta prrallore bankare, janë një parathanje vdekjepruese e demokracisë dhe e prospektivës së Shtetit Shqiptar.
A janë shqiptarët më të prirur për të duruar jetën nën sisteme diktatoriale ose zgjedha të ndryshme, sesa për të krijuar një demokraci të vërtetë funksionale? Nuk mund ta pranoj një mendim të kundërt me historinë e Popullit tonë. Kur gjithë Bota ishte në Luftën e Dytë Botnore, dhe në mësheftësi Enver Hoxha shpalli në vitin 1945, zgjedhjet e Para për Kuvendin Popullor me 2 Dhjetor, i porositun nga “druzhe” Tito, Demokrati i Madh Mark Çuni, fare i rij 24 vjeçar, nuk u pajtue me sistemin diktatorial të fqinjëve jugosllav, që kërkonin me vendosë në Tiranë qeverinë kukull të Enver Hoxhës. Ai kerkoi Pluralizem dhe një Demokraci të vërtetë ku të respektohen Liritë dhe të Drejtat e Njeriut për Vetvendosje në Shqipni. Pra, zgjedhje të Lira. Marku, formoi Organizatën Antikomuniste “Bashkimi Shqiptar” me pjesmarrje të Rinisë së dy besimeve në Shkodër, katolikë dhe muslimanë. Pranoi Burrnisht formimin e saj, dhe u pushkatue me 4 Mars 1946, atëherë kur në Europë, as nuk bahej fjalë për Demokraci.
Ky Shqiptar, që u vra për Liri të Drejtave të Njeriut në Shkoder, a ka Monument sot?
-Jo, se “demokracia” në Shqipni, nuk i përket Demokratëve të Vërtetë!
Në Shqipni vazhdon parimi “tradicional”: “Vrasësit… pushtetarë, hajdutët vrap në thesar!”

Seminaristi Mark Çuni
Seminaristi Mark Çuni

Përqasja e komunizmit shqiptar ndaj fesë në përshtypjen tuaj? Kupola e naltë e PPSh ishte sektare, fanatike dhe përçararëse, me pikpamje te theksueme terroriste: Vret e zhdukë në Shkodër 64 Klerikë Katolikë, dhe asnjë hoxhë apo Pop Ortodoks. Mbas vitit 1967, arreston, pushkaton e mbytë 13  Klerikë Katolik, 1 Pop dhe asnjë Hoxhë Musliman! Ateistët vrasin kë u vjen përdore, ata nuk dallojnë fe!
Lejohet mjedis Tiranës xhamia turke e Et’hem Beut, ndeërtue në vitin 1831, gati 500 vjetë mbas Kishës së Vaut të Dejës, që e hjellë në erë Fadil Ymeri me porosi të Ramiz Alisë, edhe pse ajo Kishë ishte e Shek. XIII, e vitit 1361, vetëm se aty, ishte kunorzue Gjergj Kastrioti! Ndërsa, sot, po rindertohen xhamija në Shqipni, me emna sulltanësh.
Deri këtu asht politika ynë që i sherben anmiqëve të Atdheut dhe të Popullit Shqiptar.
Edukata që mora nga daja im Don Koleci deri në vitin 1950, kur Ai vdiq, me formoi me ndjenjen e dashunisë vllaznore dhe antifanatike për të gjithë vllaznit Shqiptarë. Jeta ime ishte provë e sigurisë se në Shqipni, Miku i vërtetë duhet dashtë me zemër si vllau!
Kur mora maturën për mësues, më shpëtoi nga arrestimi elbasanasi Prof. Gani Daiu, nga shpifjet e shkodranit agjent sigurimi Bep Jubani, se: “Fritzi ka hjellë trakte…”.
Kur në 1967 mu shpif agjenti i sigurimit Shkodrës Angjelin Kumrija, se: “Fritzi, asht i lidhun me agjenturat e Klerit Katolik dhe pikrisht, me Don Mark Hasin dhe At Pjetër Meshkallën, më shpëtoi nga arrestimi i sigurt Himarjoti Mantho Bala.
Kur u kërkue pushimi im nga arsimi prej Xhemal Dinit, në vitin 1968, se: “Fritzi asht i deklasuar dhe me pikpamje revizioniste, siç e vërteton edhe piktori Franc Ashiku, që grafikat e Fritzit kanë pikpamje të artit revizionist polak….” Ishte Bilal Parruca, që më çoi piktor tekstili, në fabrikën e Pëlhurave, dhe më bani njoftimin pikrisht ndër sytë e shpifsit Franc Ashiku, në vendin e të cilit, Bilali po më çonte mue…
Kur më pushoi nga puna drejtoresha e Fabrikës shkodranja Liri Ymeri, “si i deklasuar”, me riemnoi mbrenda ditët sekretari i parë i PPSh së Shkodrës, kolonjari Petro Dode…
E si mundem unë, me shikue njerzit me synin e fanatikut, kur shpifsit e mij ishin të gjithë katolikë, ndërsa shpëtimtarët e jetës sime, të gjithë ishin nga besime dhe qytete tjera?
I jam mirnjohës përjetë atyne Burrave, që jo vetëm më shpëtuen jetën, po asnjëni, nuk kërkoi nga unë, me i shërbye organeve të Sigurimit të Shtetit. Këte e vërteton Dosja ime.

Fritz Radovani - Nji Rrefe mbi Shqipni
Fritz Radovani – Nji Rrefe mbi Shqipni

Sa vlera arriti sistemi totalitar që t’ia fshijë, përçudnojë apo rrënojë njëherë e përgjithmonë shoqërisë shqiptare? Sistemi totalitar kriminal i Enver Hoxhës, asht pasqyra ma e sakta e teorisë komuniste që verteton se “shtetet komuniste në zbatim”, janë e kunderta e Parimeve të programeve dhe manifesteve të publikueme si teori marksiste-leniniste, që filtrojnë në shtete terroriste dhe antinjerzore. Deri këtu, ky mendim duhet të na japin një mësim.
Vlerat ma të mëdha që ka shkatrrue janë dy: E para, tek Rinia Shqiptare ka shue një dëshirë të madhe që mbasi shkollohet jashtë, nuk i bije ma në mend per Shqipni.
E dyta, asht ringjallja e vllavrasjes ndër male, dhe mungesa e kulturës Atdhetare ndër shkollat e sotme, tue perfshi edhe ato fetare, ku janë përjashtue Shkrimtarët ma të Mëdhej të Shqipnisë, me “urdhnin” e Enver Hoxhës, në 1972, në “kongresin e porosive marksiste të Stalinit, për çeshtjet e gjuhësisë” …Gegnishtja u pagëzue “Gjuha e Krishtit”.
Né do t’ikim, Rinia asht gjithshkafja se Ajo, asht e ardhmja e Atdheut! Vetëm një Rini e formueme dhe e kulturueme risjellë Vlerat Atdhetare ndër Shqiptarë!
A jemi ende në kohë si popull, për të bërë realisht përpara, me një të kaluar 450 vjeçare osmane dhe 50 vjeçare moniste prapa krahëve? Kohën e bajnë popujt e shteteve të ndryshme, pavarsisht, nga shpejtësia ose ngadalësia e veprimit. Gjergj Kastrioti ka drejtue trimnisht per 25 vjetë vetëm lufta, kundër përbindshit botnor turk. Mbrenda nji kohe rekord me mjete minimale lufte, përveç, vendosmënisë me ruejtë Lirinë e Atdheut dhe Paprekshmeninë e Fesë së Krishtenë, me një grup Atdhetarësh të betuem e besnikë, ka arrijtë me kenë një Figurë Botnore e mbrojtjes së qytetnimit Europjan. Figurë e nderueme Botnore tue luftue, por edhe e papërsëritshme asnjiherë në histori. Dimensionet e Figurave të Kastriotit dhe Nanë Terezës, janë vlera unike të Popullit Shqiptar. Trimnia e Kastriotit dhe Bamirsia e Nanë Terezës,  janë Virtyte frymzuese dhe shtytëse për të gjithë né Shqiptarët!
A jemi ne një popull që mëson nga e kaluara e tij? Në vitin 1992, Ramiz Alia dhe Sali Berisha, për me sabotue vizitën e Papës Gjon Pali II në Shqipni, me 2 Dhjetor “nënshkruen’ hymjen në ‘Konferencë Islamike”…
Me 25 Prill 1993, u realizue vizita e Papes Gjon Pali II, në Shqipni. Ballë për ballë atë natë Papa me Gjergj Kastriotin, ka thanë: “Drama e Juej, Shqiptarë të dashtun, zgjon interesimin e gjithë Kontinentit Europian dhe asht  e domosdoshme që Europa mos t’ju harrojë…” Dhe në fakt ky duhët të jetë pikësynimi sot, me këthye shpejt fletën tue mos harrue atë që ka ekzistue, për me shikue përpara. Pikëpamje kjo, që në një prizem vështrimi asht e drejtë e madje, e domosdoshme, por me një kusht që me mbetë gjithmonë në kujtesën tonë ajo që ngjau në të kaluemen.
Në të vërtetë ky asht kusht i domosdoshëm për mos me u rikthye tek të njajtat gabime të përlotuna dhe asht shtegu ma i mirë për një proces pajtimi të vërtetë…

Fritz Radovani
Fritz Radovani

Ajo që ka ngja në Shqipni, të dashtun Vëllazën dhe Motra, nuk asht pa kurrë në historinë e njerëzimit…
Në emnin tand Popull Shqiptar, po i drejtohem këtu Komuniteteve Ndërkombëtare që ta kthejnë vëmendjen e tyne vepruese ndaj kërkesave të zhvillimit tand të përgjithshëm. Vetëm kështu, mund të mëkambët Paqa në kët zonë të Ballkanit, të përgjakun nga konfliktet vëllavrasëse të ulta e të pakuptim…
Vizita e dytë e bame nga Papa Françesku me 21 Shtator 2014, ma përforcon Besimin tek e ardhmja e Atdheut tim të vuejtun dhe të dashtun, se “nuk asht e largët valvitja e Flamurit Gjergj Kastriotit perpara Selisë Madhshtore të Bashkimit Europjan!”
Vrojtoni me kujdes Brukselin…!
Unë e kam pa me sy aty… Dhe, jam ndi krenar…
Gjergj Kastrioti vrapon mbi “kalin e vet” drejtë vendit bosh… në Europën e Bashkueme!
Ju falemnderës Mik i shtrejtë Elvi!
Melbourne, 2015

“Zemrat Shqiptare” E Shtunë, 03.01.2015

Related Images:

Jozef Radi
Jozef Radihttps://www.radiandradi.com
Biografi Jozef Radi 16 janar 1957, lind rastësisht në qytetin e Elbasanit, mbasi të dy prindët e posadalë nga burgu ishin interrnuar në kampin e Kuçit të Kurveleshit... Ishte i vetmi fëmijë i të ashtuquajturit “Kampi i 100 Intelektualëve”... 1957, Pagëzohet me emrin Antonin, por xhaxhai i tij me të njejtin emër, e regjistron si Jozef... 1957-1961, ndjek fatin e prindërve në odisenë e kampeve: Radostinë, Gradishtë, Çermë dhe më së fundi n’atë të Savrës... 1963-1971, kryen shkollën fillore dhe tetëvjeçare në Karbunarë dhe Savër me rezultate shumë të mira... 1971-1975, ndjek gjimnazin “20 Tetori” në qytetin e Lushnjes, ku përjashtohet dy herë nga shkolla, thjesht si... i biri i Lazër Radit! 1975, frekuenton të njëjtën klasë me Gëzim Hajdarin dhe Shpend Sollakun: Tre të apasionuar të letërsisë; më vonë edhe autorë mjaft të njohur librash... 1975, fillon si puntor në fermën e Savrës 1977-1979, kryen shërbimin ushtarak në repartet e xhenjos, fortifikim në Dropull të Gjirokastrës... 1981, mbaron shkollën e mesme me rezultate të shkëlqyera dhe as bëhet fjalë për vazhdimin e ndonji shkolle të lartë... 1984, bën gjithë përpjekjet për botimin e librit të parë poetik “Trokitje”, por problemet e biografike... e pengojnë botimin edhe pse Shtëpia Botuese e kishte vlerësuar si... “të botueshëm...” 1984-1990, krahas punës së rëndë në bujqësi, studion intensivisht gjuhët e huaja; merret me përkthime, shkruan dhe redakton veprën e të atit... 1989, së bashku me të atin përkthejnë veprën “Stalini, Moxarti dhe Maria Judina” e poetit Bërkoviqit, e cila kalon dorë me dorë si vepër antidiktaturë... 1990, së bashku me të Atin, vendosen në Tiranë, prej ku nis nji fazë e re shprese dhe entusiazmi, se demokracia mund t’i riparojë pasojat e diktaturës... dhjetor 1990-31 mars 1991, ndjek nga afër lëvizjen dhe ndryshimet demokratike... mars 1991, boton për herë të parë, ciklin me 6 poezi në revistën arbëreshe “Katundi Ynë” në Kozenca. maj 1991, regjistrohet në fakultetin e Gjuhë- Letërsisë dhe më pas kalon në atë Juridik. 1993, botojnë së bashku me të atin librin e parë “Muret e Muzgut” si dhe poemën “Stalini, Mozarti dhe Maria Judina” 1993, nis botimin e revistës tremujore “Arbëria”, e cila del në tre numra... 1993-maj 1997, punon në detyra të ndryshme në Presidencën e Republikës. qershor 1994, mbaron Fakultetin Juridik qershor 1997, ngjarjet e atij viti ishin dëshmi e vrasjes së demokracisë... detyrohet të emigrojë në Itali. shtator 1998, humb të Atin, Lazër Radin, njeriun me të cilin kishte ndarë ditët më të vështira të jetës. 2000, boton librin e dytë poetik: “Kujtesa e Mjegullës” 2004-2005, mbulon për gati dy vjet rubrikën “Qiell i Përtejmë” në revistën “ars” 2007, boton me bashkaautorë albumin fotografik “Ancona nascosta” 2000-2010, bashkpunon me shokun e tij Gëzim Hajdari, në redaktim e veprës së tij të botuar në Itali 2011, boton librin e tretë poetik “Fletorja e Vjeshtës” 2000-2013, bashkëpunon vazhdimisht me shtypin shqiptar 2000-2013, përkthyen mjaft nga veprat e poetëve si: Ungaretti, Montale, Raboni, Senesi, Fatuiva, Pessoa, De Moraes, Hikmet etje, si dhe ka në duar veprën e Bodlerit “Lulet e së keqes” 2016, po përgatit për botim veprën e plotë të Lazër Radit në 14 vëllime... Jeton prej 16 vitesh në qytetin e Anconës...
Share this
Tags

I ke lexuar?

Kontesha Bengazina – nga Lazër Radi – Pjesë nga Libri “Vorbulla t’Jetës Universitare” (Roma)

 Nji prej historive ma të bukura studentore, të rrëfyeme mjeshtrisht prej Lazër Radit në librin autobiografik: “Vorbulla t'jetës Universitare”, ku ai me at sinqeritetin e tij...

Katalogimi i Veprës së Plotë të LAZËR RADIT

  Katalogimi i veprës së plotë të LAZËR RADI  Materiali që paraqesim asht nji bibliografi e thuejse krejt Veprës së Plotë të Dr. Lazër Radit, botue dhe...

Kujtimet e mia me At Zef Valentinin – nga librat e Lazër Radit

Kujtimet e mia me At Zef Valentinin nga librat e Lazër Radit Kanuni dhe teza e doktoraturës Mbasi mbylla llogarinë me Procedurën Civile, në mënyrën ma të...

Te rejat

More like this

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.