back to top
14.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

“Françesk Radi e kreu revolucionin e tij” – nga Shpend Sollaku – Noé

Gazeta

Françesk Radi (1950-2017)
Françesk Radi (1950-2017)
Datën 3 prill ma kujtonin të tjerët, si ditë të lindjes time. Këtë datë,
për fat të keq,do ta kujtoj tash e mbrapa edhe si ditën
kur u nda nga jeta edhe njëri nga zërat më të veçantë
që ka patur e do të ketë muzika shqiptare, ai i Françesk Radit.
Rreth këtij artisti dhe njeriu të madh, siç më njofton
shoqja e tij e jetës, zonja e nderuar, gazetarja Tefta Radi,
së shpejti do të botohet një monografi.
Në të do të jete edhe një ese e shkurtë e imja për Frankon,
botuar tek gazeta “Dita”. Po jua paraqes më poshtë.
Shpend Sollaku – Noé
.
Shpend Sollaku - Noè
Shpend Sollaku – Noè

“Françesk Radi e kreu revolucionin e tij”

nga Shpend Sollaku – Noé

Më ra rasti, dikur, andej nga fundi i viteve ’90, t’i jepja të dëgjonte Adrianos një cover tjetër të këngës “Susanna”, të interpretuar më parë në italisht po prej Çelentano-s. Ai, sipas mënyrës së vet, komentoi:
“Po ky jam unë, dmth, duhet të jem unë, dmth, nuk jam unë, por një që më duket më mirë se sa të isha unë!”
I tregova se këngëtari që po dëgjonte ishte shqiptar, që quhej Françesk Radi – një kantautor i shquar që edhe e kish pësuar prej muzikës së tij në kohën e diktaturës. I premtova që t’i dërgoja një CD të plotë të Françeskut tonë, porsa të më binte në dorë.
Këto m’u kujtuan, tek dëgjoja që kitara e tij kishte heshtur. Për momentin… Pas ca kohësh do të rishihemi me të, në ndonjë cep të qiellit, ulur mbi ndonjë stol të drunjtë, me kitarë akustike në dorë. Kam për ta kërkuar unë, pasi ia kam borxh mirënjohjen për emocionet e krijuara prej muzikës së tij në rininë tonë të ndrydhur, të muzikës së dëgjuar fshehurazi tek “Hit Parade”, të pantallonave të shqyera me dhunë, të flokëve të qethura deri tek “kocka e partisë”.
Kompozimet e tij qenë më modernet e asaj periudhe -një mënyrë krejt e re e thurjes së pentagramit dhe e interpretimit, një revolucion i vërtetë kulturor. Ato na bënë të kuptojmë që edhe shqipja kishte mundësi të padiskutueshme që të shprehej me muzikë të stilit perëndimor.
.
Françesk Radi (1950-2017)
Françesk Radi (1950-2017)
“Adresa” dhe “Biçikleta” qenë kulme që na çuan në ekstazë. Ato u bënë kolonë sonore e entuziazmit tonë të padjallëzuar, të shpresës së vrarë akoma larvë, se edhe për ne me sa dukej do të kishte ndonjë ditë të lumtur. Sa herë i kemi kënduar, edhe kur autorin e detyruan të shkruante këngë për sharraxhinjtë.
Françesk Radi ishte nga ata personazhe që kanë ardhur në këtë botë për të qenë ndryshe nga të tjerët, si grisës të natyrshëm të monotonisë në të cilën jeta e përplas njeriun e vdekshëm. Në ekstravagancën e tij humane ai ishte i gjithi origjinal. Ai kishte portret të veçantë, zë të veçantë, karakter artistik të veçantë.
Ai ishte nga ata lloj njerëzish që vijnë mbi këtë tokë si dhurata të paçmuara të qiellit.
Rrallë më ka ndodhur të trishtohem kaq shumë nga largimi prej kësaj jete i një artisti.
Jam ndierë kështu keq me ikjen e Battisti-t, të Pavarotti-t, të Dalla-s. Si ata, edhe Franko ishte një nga dobësitë e mia më të mëdha. Po të kisha mundur të merrja pjesë në funeralin e tij, do të kisha kënduar “Adresa”-n, versione gospel. Me siguri pas zërit tim do të rimerrnin fluturimin mijëra fluturza akordesh të kitarës së tij.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.