back to top
-0.5 C
Tirana
E hënë, 15 Dhjetor, 2025

Nderim për Drita Ivanaj (1933-2025) Presidente e Fondacionit “Martin e Mirash Ivanaj Institut” – nga Pertefe Leka

Gazeta

Pertefe Leka, shtator 2018
Pertefe Leka, shtator 2018
Nderim për Drita Ivanaj (1933-2025)
Presidente e Fondacionit “Martin e Mirash Ivanaj Institut” – nga Pertefe Leka

Drita la ndriçimin për vazhdimësinë.
Në pasqyrën e fondacionit Drita rrethoj në kornizë këte shprehje: “…Unë kurrë nuk jam ndjerë pa Atdhe, sot ndihem që kam tre: Shqipëri, Itali dhe Sh.B.A-të.
Unë do të shtoj se Drita, kurrë s’është ndjerë pa familje. Ajo e ka plotësue veten sikur jetonte me prindët e saj në çdo kohë dhe në fund e mbylli jetën me dashurinë dhe respektin e familjes madhe të Fondacionit Ivanaj, duke lanë nën kujdes vazhdimësinë.
Në tre vendet ku jetoi Drita akumuloi më të mirën: filloi klasën e parë në Tiranë, liceun shkencor e mbaroi më 1951 në Itali, me rezultate të larta, gjë që i solli të drejtën e përfitimit të bursës, gjatë arsimimit në këte vend.
Në NY si studente në Hunter College realizoi diplomimin më 1960 në degën e ekonomikut në drejtim të biznesit dhe më 1969, arriti të ishte një zyrtare e lartë e administratës në Universitetit Columbia-s, ku punoi 22 vjet në pozicione të ndryshme menaxheriale.
Në Shqipëri u rikthye pas 54 vitesh pas një emigracioni të imponuar, për të vazhduar rrugën e të parëve të saj, të cilën e kurorëzoi me sukses me ngritjen e këtij institucioni, një ndriçues kulture, për rininë shqiptare. Në qendër të Fondacionit, ku jemi sot, ka ekspozuar degëzimet e Pemës fisnore me trashëgimtarët, që nga viti 1444. Një studim i Dr. Martinit. Reliket e ekspozuara në hyrje të sallës janë të dallueshme ku janë gërshetuar dy kultura, tradicionale dhe moderne. Etikën e kësaj përzgjedhje Drita e mësoi nga nëna, Profesoresha Pogliotti, e cila e dyzuar pas vdekjes së Martinit e dyfishoi fuqinë prindërore për t’i dhënë bijës edukatën familjare me kulturën bashkohore.
Pushtimi fashist më 1939 solli pasoja të rënda për familjen Ivanaj. Martin e Mirash, qëndruan në ballë të rezistencës antifashiste për mbrojtjen e Atdheut, por pamundësia e shtetit për të armatosur qytetarët, i detyroi ata të lënë vatanin.
Të mbetura vetëm në shtëpi Zonja Ivanaj dhe Drita 6 vjeçare, nën kërcënimin e pushtuesve, u detyruan të largohen në drejtim të Italisë, në Novara. Zonja Ivanaj në përgatitje të udhëtimit, mblodhi dokumentet kryesore të familjes sa mund të merrte, por nuk harroi të paloste flamurin shqiptar të familjes, që valvitej në ballkonin e shtëpisë. Kjo relike e vyer, i shoqëroi kur u larguan fillimisht në Itali dhe më vonë kur po udhëtonin mes dallgëve të oqeanit, drejt emigrimit në Amerikë.
Nëna italiane asnjëherë nuk u bë shkak që t’i humbiste së bijës identitetin, përkundrazi, ato, nënë e bijë, e mbajtën pasaportën shqiptare, me anën e së cilës mundën të emigrojnë në SHBA, nën përkrahjen e Kombeve të Bashkuara. Këtë udhëtim deri në Statujën e Lirisë Drita e përshkroi dhe e publikoi.
Mund ta gjeni tregimin në faqen e Fondacionit.
Emigracioni nuk qe i lehtë për Dritën.
Ashtu si edhe babai i saj dhe xhaxhai bënë punë të rënda për të përballue shpenzimet universitare në Itali. Drita e realizoi diplomimin në degën e ekonomikut, duke punuar njëkohësisht. Kështu u aftësua në drejtim të biznesit, duke iu përkushtua kompjuterit, nga ku arriti të mbajë pozicione të ndryshme menaxheriale në Universitetin Columbia, për më shumë se dy dekada.
Ky pozicion mes studentësh, pas largimit të nënës nga jeta, e plotësoi sadopak jetën shpirtërore, sociale dhe profesionale të saj . Vullneti i hekurt i saj në punë drejt progresit e bënë të vlerësuar dhe të nderuar në atë dikaster dhe në jetën shoqërore.
Unë e njoha Dritën, kur u largua fizikisht nga Universiteti Kolumbia, por vazhdonte të merrte vlerësime nga ai dikaster. Në shikimin e parë, Drita të dukej si e rrëmbyer mbas lëndës, por jo, Drita vepronte brenda trajtave të jetës së saj, sikur kishte jetuar mes shqiptarëve ndër vite. Duke vepruar brenda instinktit të vetëmbrojtjes e të mbijetesës, Drita ruajti identitetin e saj fizik e shpirtëror dhe emrin e bukur Drita, emër i vënë si duket me qëllim nga prindërit e saj që një ditë të shpërndante ndriçimin e akumuluar të familjes në dobi të atdheut dhe për t’u shërbyer gjeneratave të reja me shembullin pozitiv, me eksperiencën e pasur, për një shkollë të organizuar sipas niveleve botërore. Nga tre vendet, ku ajo jetoi trashëgoi më të mirën, Forcën e karakterit të origjinës malësore nga babai, shijen e hollë në organizime, etikën elegante nga nëna italiane dhe prakticitetin amerikan nga vendi ku mësoi dhe vuri në jetë dijet e saj.
Mbi të gjitha Drita dëshironte ta shpërndante kët eksperiencë. Në vitin 1985, udhëtoi ne Europë, rreth kufijëve veriorë të Shqipërisë për të gjetur rrënjët e saj, por në Shqipëri nuk mundi të hynte… Po ajo nuk u ndal… Në një intervistë dhënë Zërit të Amerikës, Drita u prononcue për të bërë lidhjet e Universitetit të Kolumbias me Universitetet shtetërore të Tiranës e Prishtinës. Rastësisht e ndoqa intervistën me tim atë, i cili sa dëgjoi mbiemrin Ivanaj u kujtua, dhe më tha: Asht mbesa e Zotni Mirashit.
E njihja zotni Mirashin nga fotografia e maturës parë të Gjimnazit të Shtetit Shkodër1922-28, që e mbante im atë si një relike të vyer. Në mes të 6 maturantëve të parë duket hijerëndë Drejtori Ivanaj.
Ajo që më lidhi me Dritën ishte një ftesë që mora nga Gjimnazi 28 Nëntori, Shkodër, Tetor 1992, për të marrë pjesë në një sesion shkencor organizuar me rastin e 70-Vjetorit të themelimit të Gjimnazit të Shtetit, ku do të dorëzoheshin dekoratat “Martir i Demokracisë” akorduar nga Presidenca. Aty kam provuar një emocion të veçantë kur u thirr emri i Drejtorit Ivanaj, themelues i Gjimnazit të shtetit, Shkodër që nuk pati një nga audienca të përgjigjej. Por u largova duke marrë një përgjegjësi për të sinjalizuar në vendin e duhur. Kjo dekoratë bëri ndërlidhjen time me Dritën.
Pak muaj pas kësaj ngjarje na u dha mundësia për të dalë si vizitorë jashtë Shqipërisë. Udhëtimi në Amerikë na bashkoi me familjen e kunatit Dr. Agim Leka, ku takoheshin vëllezërit pas 48 vitësh. Në këte afrim familjar, gjeta rastin t’i kërkoj Dr. Agimit, nëse e njihte Drita Ivanajn që ta kontaktoja. U desh vetëm një telefonatë dhe Drita si rrufe erdhi na takoi në shtëpinë e Dr. Lekës… Me kët ndërmjetësi hyra në lidhje me Dritën. I transmetova vlerësimin dhe dekoratën për Dr. Mirash Ivanaj nga Presidenti i Republikës, gjë që i takonte Dritës të vinte e ta merrte në Shqipëri. Ajo iu përgjegj ftesës sime dhe nuk kaluan shumë u gjendëm përballë me të në Rinas. Ngjarja më prekëse ishte pritja në aeroport. Kur po zbriste nga avioni, në shkallën e fundit trupi i saj i lartë u përkul deri në tokë, gjë që na frikësoj për ndonjë rrëzim. Por, Jo. Drita si puthi tokën e dëshiruar për 54 vjet, u ngrit shpejt me një shprehje gëzimi në fytyrë.  Me atë veprim Drita i tha të gjitha…
Drita qëndroi në familjen tonë, gjithmonë me shpresën se do ta merrte shtëpinë e saj të sekuestruar sa më shpejt. Im shoq, Luan Leka, nga njohjet që kishte në Tiranë ia programonte vizitat Dritës dhe e shoqëronte në çdo takim me zyrtarë të lartë, deri edhe në Presidencë, për të përgatitur dokumentacionin për kartën e identitetit dhe për të marrë pasurinë e trashëguar nga prindërit, e shtetëzuar dhe e nëpërkëmbur për 54 vjet, nga dy diktaturat kështu filloi një maratonë e gjatë takimesh për të realizuar kërkesat e saj. Takimet e para ishin te Arkivi i Shtetit dhe Biblioteka Kombëtare. Në vizitën e parë në arkivën e shtetit u ballafaquam me 93 dosje me dokumente dhe mijëra mikrofishe të dy personaliteteve Ivanaj. Dosja e veçantë me fotografitë e familjes, i ofruan Dritës një kohë të largët, e cila në një moment u trondit, por fatmirësisht u përmbajt, u zgjua si në ëndërr, që gjeti diçka me vlerë për të ndriçuar në vazhdimësi rrugën e nisur prej tyre… Ndërsa në takimin që bëmë me drejtoreshën e Bibliotekës Kombëtare, Znj. Nermin Basha, Drita i kërkoi të shihte të paktën 1 libër nga 16.000 librat e bibliotekës familjare, por fatkeqësisht nuk ndodhej asnjë, ishin shkatërruar e zhdukur nga zaptues të dy diktaturave.

Befasuese ishte vizita në Shkodër
Një lajmërim bëmë në seksionin e arsimit, për të tërhequr dekoratën e Prof. Mirashit ‘‘Martir i Demokracisë”. U mirëpritëm si miq nga Drejtori i gjimnazit “28 Nëntori” z. Adnan Beli dhe Kryetari i Bashkisë, z. Filip Guraziu.
Ishte e habitshme se si u mblodhën njerëzit në Muzeun Historik, pa pasur ndonjë lajmërim publik. Ish-nxënës të gjimnazit, arsimtarë të vjetër në moshë, mësues e studentë të rinj, vrapuan të takonin mbesën e Prof. Mirashit. Ishin zëra mirënjohjeje për mësuesin ideal. U krijua një harmoni zërash sa ishte e vështirë të bëhej ndarja prej tyre. Drita u çudit kur fliste me ish-studentë 80 vjeçarë, me të cilët komunikoi direkt pa përkthyes, ata ishin të shkollës Ivanaj.
Ndaj Drita s’pati nevojë të prezantohej, biografinë e gjeti të shkruar në kujtimet e tyre.
Me 22 Shtator, 1993 organizuam në Tiranë Konferencën Përkujtimore me rastin e “40- Vjetorit të vdekjes se Prof. Mirash Ivanaj” Hera e parë që bëhej një organizim i tillë për një ministër i regjimit të kaluar.
Në podium ishin renditur Znj. Drita Ivanaj, Prof. Vili Minarolli, Minstri Xhezair Teliti, Kryetari i kuvendit Pjetër Arberori, Prof. Kolec Topalli, Dr. Osman Kazazi, Prof. Iljaz Gogaj dhe historiani Uran Butka. Shumica personalitete të persekutuar nga rregjimi komunist.
Mund të veçoj fjalën e studentit të Prof. Mirashit në vitet 1926-31, 83 vjeçari nga Fieri Dr. Jakov Milaj, që dominoi sallën me një fjalim me vlera njohëse për punën e drejtorit në atë Gjimnaz.
Kënaqësi të madhe mori Drita, kur takoi me Prof. Iljaz Gogaj, i cili si studiues kishte pasë fatin të gërmonte në arkivat e shtetit dhe mbi bazën e dokumenteve të gjetura kishte shkruar një libër të tërë: “Mirash Ivanaj personalitet i shquar i Universit Shqiptar”, Libri e pa dritën e botimit vetëm kur u themelue Fondacioni Ivanaj, një vepër dokumentare e bazuar në fakte reale të Familjes Ivanaj.

Drita Ivanaj - te varri i Vëllezërve Ivanaj
Drita Ivanaj – te varri i Vëllezërve Ivanaj

Me rëndësi ishte fjala e Dritës:
‘‘Kisha shpresuar të kthehesha në Shqipëri, dhe ja ku jam…
Ka kohë që tek unë janë kristalizue disa plane personale që shpresoj t’i realizoj së shpejti një prej të cilëve është që ta bëj shtëpinë Ivanaj një qendër edukative dhe kulturore në favor të rinisë shqiptare…
Dua të jap eksperiencën time të 40 viteve punë në fushën administrative, në specialitetin e informatikës e kompjuterve dhe të afroj ndihmën time me këshillime falas në këto fusha.
Me këtë shpresoj që do të mund të vazhdoj sadopak punën e nisur nga babai dhe xhaxhai im që të kontriboj në ndërtimin e një Shqipërie të lirë, të qëndrueshme dhe të pavarur”
Këte mendim e shprehu Drita edhe në konferencën në NYC 1994 “Diaspora djepi i kujtesës”
Drita mbajti temën, ‘‘My Father a True Patriot” Anglisht
Ndërsa Dr. Safete Juka lexoi referatin me një gegënishte letrare për veprimtarinë e të jatit, Musa Juka si humanitar dhe patriot, jo si na e kishin imponuar më parë ta besonim si njeri të urryer. Dy vëllezërit Ivanaj ishin me Jukën në shërbim të shtetit shqiptar. Vajzat e tyre Drita, Safete, Lume të brumosura me dashurinë për Atdheun kërkuan të preheshin në tokën e të parëve duke lënë kontributin për kulturën shqiptare: Safetja la për Biblotekën Kombëtare kursimet e saj modeste, Drita la një qendër dritëdhënëse “Fondacionin Ivanaj” të vazhdojë rrugëtimin. Nëse studentët duan të njohin ecurinë e dy zonjave, personalitete të diasporës shqiptare do të zbulojnë vlera edukuese për rininë studentore. Kët shembull e dha Drita në atë konferencë.
Në fjalën e saj ajo theksoi përpjekjen që po bënte për të tërhequr nga Universiteti i Romës, Tezen e mbrojtur nga i jati lidhur me studimin e Kanunit dhe e mbylli referatin me fjalët: “Më mungon baba, por prania jote shpirtërore është gjithmonë me mua dhe trashëgimia juaj jetësore mbetet përgjithmonë. “Help me Father”
Kët ndihmë që kërkonte nga babai e gjente zgjidhjen nga këshillat e nënës: “Mos harro se një çelës i vetem mund të hapi të gjitha dyert, të hapi çdo kthinë dhe të zhdukë si me magji çdo pengesë.
Ai çelës i artë quhet, Besim!”
Drita sa jetoi i tejkaloi këshillat e nënës, pas shumë sfidash realizoi themelimin e dy Fondacioneve, në Tiranë e NY.
Vëllezërit Ivanaj kishin hyrë në histori si reformatorë me eksperiencë nga shkolla europiane dhe njohja e veprës tyre ishte thelluar në breza. Prandaj Dritës nuk i mbetej gjë tjetër vetëm të vazhdonte dhe të ndriçonte rrugën e dijes së nisur prej tyre. Pas diplomimit, vëllezërit Ivanaj së bashku me kushëririn e tyre Nikollë Ivanaj, nxorën Gazetën “Republika” ku u konfirmua veprimtaria e tyre si Republikanë.
Ata së bashku evidentuan idetë përparimtare për emancipimin e shoqërisë shqiptare nëpërmjet arsimimit. Ata preferuan publicistikën për të shfaqur lirshëm dhe fuqishëm mendimet e tyre politike dhe shoqërore. Kët punë e nisën në kulmin e energjive intelektuale, me një formim të përgjithshëm e me besim në vetvete, për të dhënë kontributin e tyre në të mirë të zhvillimit, emancipimit dhe përparimit të bashkësisë shqiptare,
Kur ishin studentë në Romë, ata kishin rënë në kontakt me idetë republikane, kështu që ata u bënë partizanë të këtyre ideve dhe adhurues të republikanit të shquar dhe personalitetit e liderit italian, Giuseppe Mazzini.
Duke qenë përkrahës të ideologut Italian gjetën të përbashkëtën te udhërrëfyesi i tyre dhe e përqafuan shprehjen Profetike: “Patriotizmi si një detyrë, dhe dashuria për Atdhe, si një mision hyjnor!
Këto ide i kishte përvetësuar para tyre Rilindasi i shquar, veprimtari i lëvizjes kombëtare Pashko Vasa, i cili shkoi në Itali, ku ziente lufta për liri kundër pushtuesit austriak. U bashkue me forcat kryengritëse si oficer kalorsie në Bolonjë si revolucionar i Risorgimentos, ithtar i Mazzinit. E dëshironte atë lëvizje kryengritëse edhe për shqiptarët të shpëtonin nga zgjedha e huaj, kur shpërtheu me vargjet ‘‘O moj Shqypni’’ dhe triumfoi me postulatin
‘‘Feja e Shqyptarit asht Shqyptaria’’
Kjo frymë e re u përqafue nga të gjithë dhe asnjë përfaqësues nga tre religjionet në Shqipëri nuk i doli kundër.
Kët qëndrim mbajti Arbëreshi At De Martino i religjionit katolik. Ai ishte mazzinian. Poeti kombëtar Fishta, kur u kthye nga Konferenca e Paqës në Paris 1920 shkoi e takoi At Leonadon, në Kuvendin françeskan të Sarnos, në Itali, për t’i shprehur mirënjohje mësuesit tij 90 vjeçar për mësimet e vyera që ia lartësuan veprën e tij kombëtare.
Konsideratë dhe krenari shprehu Lideri amerikan, Willson për veprën e Giuzeppe Mazzinit si ideator i Bashkimit të Italisë dhe projektuesi i Europës së Bashkuar, ishte lideri i parë amerikan që vizitoi Evropën dhe ashtu si Fishta pas Konferencës Paqës, vizitoi në Gjenovë Monumentin e ideologut tij, Giuseppe Mazzini, ku shprehu ndjenjat e tij më të sinqerta
“I stand in the presence of this monument and bring my greetings and the greetings of America with our homage to great Mazzini.”
(Unë qëndroj në prani të këtij monumenti dhe i sjell përshëndetjet e mija dhe përshëndetjet e Amerikës me homazhin tonë ndaj Mazzinit të Madh)

We have studied the life of Mazzini as much pride as we shared in the glory of history”
(Ne kemi studiuar jetën e Mazzinit me shumë krenari, ashtu siç e kemi mësuar në historinë e lavdishme)

Drita kurrë nuk shprehej si mazziniane por më ftonte të shetisnim në Central Park Manhattan ku vizitonim Bustin e Mazzinit dhe të Garibaldit në (ku rrezaton edhe sot me ide progresive me mbishkrimin: “Dio e Il Popolo” dhe “Pensiero e Azione” (Mendim e Veprim )
Kjo ideologji nuk mbeti e izoluar në disa individ, por u përthith nga shumë liderë të botës për të zgjidhur probleme kardinale. Për shqiptarët pati ndikim thelbësor sepse, principet bazë të kësaj filozofie ishin me organizue një shoqëri politike të re, të bashkuar, të lirë me të drejtat gjinore, indipendente, me sistem republikan.
Kjo ide i çoi përpara Ivanajt për ‘‘arsim të papolitizuar, ku bazën morale të një vendi e përbën fryma patriotike kombëtare me prioritet bashkimin nacional …”
Nga 11 pikat që shtruan Ivanajt në gazetën “Republika” po përmend vetëm një: “Që drejtësia dhe shkolla të organizohen mbi themele të reja që të jenë më i larti funksion i shtetit”
Sipas ideve të Mazzinit, pikëpamjet fetare janë të lidhura ngushtë në një besim të përbashkët.
Kështu veproi edhe Drita në Shqipëri, qëndroi larg politikës konfliktuale së ditës, por e vlerësoi shumë harmoninë fetare si shembull i lartë bashkimi ndonëse në shpirt ishte katolike si prindërit e saj. Ajo mbronte idetë republikane jo si parti, por si filozofi, besonte në një religjion, në shqiptari.
Programi i Mirash Ivanajt, shpallur te gazeta “Republika” 24 Tetor 1923, me 11 Pika ishte zbatim i teorisë revolucionare të Mazzinit në luftën politike që ndihmonte në përcaktimin e lëvizjes moderne europiane për demokraci popullore në një shtet republikan, me të drejtë duke ia përshtatur kushteve aktuale të vendit.
Ivanajt me idetë e tyre progresive, vazhdojnë të ndriçojnë edhe sot të ardhmen europiane të kombit shqiptar.
‘‘Në bashkim, në mision e në përparim, tri sende të lidhuna njena me tjetrën dhe të cilat politikisht shpjegojnë krijimin e të kenunit e njeriut, asht fuqia e nji populli, fuqia qi ai fiton e siguron çdo përmirësim…” M. Ivanaj Gazeta Republika, Shkodër, 21.3.1924. nr. 20

Drita i jepte shumë rëndësi kontributit në momentin e duhur sidomos për çështje kombëtare:
Kur Kosova po luftonte për t’u mbrojtur nga tirani i Ballkanit, Drita publikoi dhe e shpërndau librin “An Albanian Revival” – Ringjallja Shqiptare – Ishte Fjalimi i Nikollë Ivanajt mbajtur në Romë në Shoqatën e Shtypit Italian, 26 Janar 1911, në prag të revolucionit shqiptar 1911-12, libri i plotësuar në tri gjuhë (Shqip, Italisht, Anglisht), e shpejtoi përhapjen si afishe sepse përkonte me ngjarjet në Kosovë1999. Kriza në Kosovë kishte marrë përmasa në arenën ndërkombëtare dhe po fitonte njohje rreth e qark globit. Kopjen e këtij dokumenti Drita e gjeti në “Museo del Risorgimento” në Milano, Itali, ndërkohë një kopje tjetër ndodhej në “Museun Historik” të Shkodrës, përkthyer në shqip nga Dr. Anton Fistani) me parathënie të Prof. Teresio Trinchieri, editor i Komitetit Italian “Pro Albania”, 13 Maj 1912, i cili shkruante:
“Nikollë Ivanaj ia përkushtoi të gjithë qenien e vet idealit të lirisë, që ndizte flakë zemrën e shpirtin e tij rinor. Është e vërtetë së gjithë jeta e Nikollë Ivanajt ishte shtegtim. Ai ishte një udhëtar që vraponte nëpër Shqipëri Veri e Jug. Ishte një Maratonomak që nuk ndalesh, nëpër Ballkan e në Europë deri në Amerikë, ku shkonte në konferenca a metingje, tregonte vuajtjet e popullit të vet ndër shekuj. Me flakadanin në dorë lajmëronte së po afrohet Liria e një populli luftarak në vendin e vet mijëra vjeçar e për këtë duhesh zgjuar opinioni ndërkombëtar.”
Kështu u përpoq të implementojë në Shqipëri idetë revolucionare të Giuzzeppe Mazzinit e Garibaldit. Ai bënte pjesë që në vitin 1905 në lëvizjen klandestine “Risorgimento”
Me këto ide u bë një publicist i lëvizjes sonë revolucionare, duke u bashkuar edhe me intelektualët e shquar të kësaj lëvizje, në organizimin e kryengritjes së Malësisë së Madhe” me Risto Siliqin, Hilë Mosin, Luigj Gurakuqin… Ata u njësuan me kryengritësit dhe strategët e kësaj lëvizje si. Ded Gjo Luli dhe burrat e malësisë, të cilët ngritën flamurin në Deçiq, 6 Prill 1911. Kurrë nuk pushoi së kërkuari dhe luftuari për etninë. Si pjesëmarrës në Konferencën e Paqës i drejtohet me letër Pres. Wilson pas Konferencës 2 Prill 1920, ku i shkruante: Unë apeloj në Presidentin e Sh.B.A-ve në të mirë të popullit shqiptar, përfaqësues i të cilit jam, në të drejtat e mija të njeriut bazuar në principe që përfshihen në 14 pika, shqiptarët nuk mund t’ia lëshojnë shtetin e vet kërkesave të Italisë, Serbisë e Greqisë dhe as nuk mund të pranojmë që në Ballkan të instalohet një fuqi e huaj. (Nikollë Ivanaj )
Drita e entuziazmuar për kët botim në kohën e duhur shruante: “Këtë botim ia kushtoi kujtimit të Nikollë Ivanajt, gjithashtu babait dhe xhaxhait tim, në emër të të cilëve krijova qysh më 1995: “Fondacionin Martin e Mirash Ivanaj” në N.Y. dhe Tiranë.
Ndër projektet e planifikuara nga Fondacioni Ivanaj parashikohej edhe publikimi i shumë dokumenteve të tjera historike të familjes sime. Ata janë pjesë e historisë së atdheut nga vij edhe unë, 7 Prill 1999”
Monumento a Giuseppe Mazzini accanto a Palazzo Doria-Spinola, sede della Prefettura, in piazza Corvetto, a Genova
Një vlerësim tjetër për Nikollë Ivanajn Drita mori nga Paolo Muner.
Në vitin 2002, kemi qenë të ftuara me Dritën në një takim organizuarr nga Paolo Muner ku na dhuroi librin “Histori Shkodrane” “Flamujt e anijeve tregtare shqiptare të periudhës 1913-14” Më vonë nga “Botimet Jozef” morëm librin “Shqiptarët e Triestes” publikuar më 2014, ku është dhënë në detaje figura e Nikollë Ivanajt, me Titull “Shpnesa e Shcypeniis – simbol i shqiptarizmës” në dy gjuhë; shqip-italisht. Dhuratë nga shkrimtari Jozef Radi
(P. Muner Gazetar, publicist, studiues , Oficer i Forcave Detare Italiane, Shef i Forcave Detare pranë Delegacionit të Eksperteve Italianë në Shqipëri 2001-2003 )
Me e rëndësishmja për Dritën ishte botimi i tezës së Dr. Martinit
Drita me një vullnet të fortë qëndroi në pritje për 20 vjet me radhë për të realizuar kërkesën drejtuar në arkivat e universitetit “La Sapienza” për të tërhequr Tezën e Diplomës “Kanuni i Lekë Dukagjinit” të Dr. Martinit më 1921. Teza e Laurës së Dr. Martinit ishte zgjedhur nga Kanuni i Maleve. Kjo tezë me vlera të mirëfillta shkencore, historike, në të cilën autori korrigjon pasaktësi të vërejtura e të shkruara nga Shtjefën Gjeçovi në revistën “Hylli i Dritës” për Kanunin e Lekë Dukagjinit.
Është me rëndësi që studiuesit duhet t’i kushtojnë vëmendje këtij kodi që ka sunduar në malet tona dhe që vazhdojnë t’i referohen edhe sot qoftë në anën negative apo pozitive të interpretimit, sepse është kjo kushtetutë nder më të vjetrat që drejton edhe sot jetën në malësitë tona. Studiuesit e së drejtës krahasuese arritën në përfundimin se Kanuni është më i vjetër se ligjet e 12 tabelave romake. Disa doke kanë prejardhjen nga besimet pagane – ilire që janë shumë kohë para Lekë Dukagjinit. Kjo është arsyeja që Drita me kujdesin e saj e përktheu Tezën e tërhequr nga Universiteti i Romës që u shkruajt në tri gjuhë (shqip, italisht, anglisht) Libri u publikua me rastin e 100 vjetorit të mbrojtjes së Tezës 1921-2021. Kjo vepër me vlera shkencore, historike-juridike do t’i vlejë në çdo kohë studiuesve të antropologjisë kulturore.
Në komentin e bërë prej meje e kam ballafaquar studimin e Dr. Martinit si njohës i ligjeve të pashkruara vëzhguar prej tij në Hot, Grudë e Triesh me veprën dokumentare “Andrra e Pretashit” te bashkëmoshatarit tij Patër Anton Harapit, i cili jetoi dhe u ul këmbëkryq me malësorët e këtyre zonave ku bënte predikimet duke i paraqitur realisht si zbatoheshin doket e zakonet sipas ligjeve të malësisë në atë vepër dokumentare. Për krenarinë tonë edhe shkrimtarja amerikane Rose Wilder Line në të njëjtën kohë ishte në Shqipëri dhe vepronte në Malësinë e Veriut në emër të Kryqit Kuq Amerikan për të ndihmuar shqiptarët e zbuar nga Kosova dhe nga Mali i Zi, të cilët ndihmoheshin nga Komiteti i Mbrojtjes të dëbuarve. Ajo kontaktet me banorë të fiseve malësore i paraqiti në veprën e saj “Majat e Shalës” që konstatimet e saj përputhen me tezën Dr. Martinit.
Të njëjtën përpjekje bëri Drita edhe për Tezen e Prof. Mirashit “Kodi i Stefan Dushanit shek 14” e përkthyer nga sllavishtja e vjetër, e sjellur në vështrim me ligjet e kohës. Kjo tezë u vlerësua jo vetëm nga rektorati i Universitetit si studim origjinal, por edhe nga gazeta e përditshme e Romës “Il Nuovo Paese” ku shkruhej: “Për herë të parë një studim analitik në historinë e drejtësisë, nga studenti shqiptar Mirash Ivanaj”
Kjo tezë e kërkuar prej Dritës ndër dekada mbeti në kërkim, por nuk e humbi shpresën se një ditë do të gjendet…
Mbetet detyrë e vazhduesve të misionit të Dritës.
Dritës i mbeti peng edhe një studim i xhaxhait për Pellazgët, që Dr. Mirashi vazhdonte ta kërkonte edhe kur ishte në izolim. E kishte shprehur me dhembje humbjen e atij studimi në kohën kur shtëpia u bastis nga fashistët. Për këtë shkruante edhe bashkëvuajtësi dhe nxënësi, miku i tij Dr. Lazër Radi në veprën e tij “Ministri i Hekurt” dhe të tjera botime për shkrimet e Ivanajve: Martin, Gjyzepina, Mirash e Nikollë Ivanaj.
Dalngadalë po krijohej një hapësirë më e madhe për njohjen e veprimtarisë së vëllezërve Ivanaj, nëpërmjet internetit, medias, shtypit. U botua vepra e Dr. Lazër Radit “Epopeja e Njeriut” (shkruar nga vëllezërit Ivanaj më 1910) e përkthyer nga serbishtja prej Dr. Radit.
Vizita që bëmë me Dritën në familjen Radi, të sapokthyer nga internimi, ishte mbresëlënëse. Takimi pati një moment prekës, kur zotni Lazri i dorëzoi Dritës një torbë të bardhë, ku mbante brenda një thesar shpirtëror të xhaxhat: “Amantin s’e tretë dheu” ishte gërsheti i t’fejuarës së Mirashit, e cila vdiq e re pa kurorëzue martesën. Kujtim që Mirashi e mbante të lidhur në brez, derisa mbylli sytë dhe Drita sapo e mori e ruajti në një kuti dhe e vendosi në ekspozitën e Fondacionit.
Kujtimet e ditëve të fundit me Mirashin, i shkroi më vonë në veprën “Misteret e një ministri” dhe “Vitet e fundit të Mirash Ivanajt” nga miku i tij Dr. Lazër Radi, bashkëvuajtës me Mirashin.
Në këtë vazhdimësi u botua “Kronikë Rapsodike”, nga Dedë Shyti ku vargje të tëra japin figurën madhore të vëllezërve Ivanaj, të cilët me dituritë dhe kontributin e tyre kanë shkëlqyer deri në maja.
Kam shkëputur një fragment kushtuar Dritës nga “Kronikë Rapsodike” të Dedë Shytit kushtuar vëllezërve Ivanaj, të cilët me dituritë dhe kontributin e tyre kanë shkëlqyer deri në maja.
Disa vargje që i kushtohen Dritës…
…………..
T’këndojë për ty Rapsodija, Dritë
A thue prindët e tu e patën dijtë
Se mbi ta ka me lshue dritë
Kur të pagzuen me emën, Dritë
Po ta tham vashë me zemër,
E gzosh kreshnike at emën
Më je duk burrë jo femën
Merita t’mëdha n’fis ke,
Eshtnat e babës solle n’atdhe
E babë e axhë, për ty gazmor
I bashkove të dy në një vorr
Për Atdhe të dy theror
Me pllakën e vorrit zbukurue
Germa t’arta ua ke shkrue
“Për Atdhe bashkë në jetë e në vdekje”
Vetëm me të Dritës tyne, përpjekje
Flet Drita me duf, flakë e zjarr,
M’u shkrinë për ideal kombëtar
Të dy i due, në Tiranë, n’Lapidar,
T’ua njohi Shqipnija krenarinë
Fondacion ua ktheve shtëpinë
Ndër shekuj me knaqë rininë;
T’i lexojë kalimtari emnat vigaj;
“Fondacioni, Martin e Mirash Ivanaj”
Deri sa të jetë bota, gjithësija
Ivanajve u përket pavdekësija,
S’do t’i harrojë Shkodra as Shqipnija!
Mbresëlënëse me Dritën ishte Konferenca në Tuz 2004, ku morën pjesë shumë nga të afërmit e fisit Ivanaj.

Fjala nga Pertefe Leka – Konferencë në Tuz – 14 Nëntor 2004
Me 14 Nëntor të vitit 2004, Fondacionet Ivanaj i New York-ut dhe Tiranës në bashkëpunim me Shoqatën Humanitare “Nikollë Ivanaj” në Tuz, Mali Zi, organizuan një Konferencë të përbashkët në hollin e Gjimnazit të Tuzit. Me lejen e Dritës lexova testamentin e Mirashit lënë Dritës

Testamenti i em
Në rasë se në kohen e vdekjes s’eme ose edhe mbas kësaj, pasunija që kam në Shqipni, e luejtshme dhe e paluejtshme gjindet e lirueme, ose lirohet prej konfiskimit dhe sekuestrimit të bamun në kohen e pushtimit Italian të Shqipnisë në vjetin 1939, emnoj trashigimtare të përgjithshme t’eme nipe, Dritën Ivanaj, të bijen e vetme të vëllait tem të dashtun, Martinit, të vdekun në Stamboll me 28 Maj 1940…
Aty ekspozuam edhe dokumentet nga arkivi i shtetit të zgjedhura dhe të vendosura në tabelat përkatëse nga e mirënjohura Dr. Nevila Nika që keni mundësi t’i shihni në sallën tjetër.
Pritja e përzemërt që na bënë miqtë dhe mikpritësit e fisit të Dritës ishte mbresëlënëse. Ata na shoqëruan deri në lartësitë e Trieshit, në Bekaj, në Kullën e të parëve të tyre, ku ishin në këmbë muret dhe porta e hyrjes me gurë në formë harku,në të cilët ishin gdhendur simbolet në gurë:  V, Kryq, Gjarpën, Drapën.
Në foto Drita tek porta e kullës, ku dallohen simbolet të gdhendura në gurët e hyrjes. Një material i gatshëm për të studiuar të rinjtë historinë e atyre shenjave ilire -shqiptare dhe të krahasojnë Kullën e traditës me ndërtesën moderne të fondacionit për vlerat që mbartin sot por kurrë krahasimi me “kullat” e korrupsionit, janë të dukshme në foto.Foto me Dritën dhe të afërm të fisit Ivanaj që na shoqëruan në Triesh, Malësi e Madhe.
Për herë të parë Drita mori disa të dhëna për axhën Jozef dhe zonjën e tij Rozë në Tuz dhe kontriboj për zhvendosjen e tyre nga Tuzi në Bëkaj nga ku u gjetën disa relike.
Pas pak vitesh, pasurohet kjo njohje. Albanologu i njohur kanadez, Robert Elsie kishte përkthyer nga Frëngjishtja në anglisht një artikull të shkrimtarit rus, Alexandre Baschmakoff, (1858-1943) i cili jetonte në Francë.
Në këte dokumentar udhëtimi “Në Montenegro dhe në tokën e Gegëve” autori përshkruan shoqëruesin përkthyes Jozef Dod Ivanaj si trim e besnik me të cilin kaluan shtigje të rrezikshme deri në Pejë pa u dëmtuar. Autori e shoqëroi tregimin me foton e çiftit Zef e Rozë Ivanaj më1908, një foto e rrallë e bukurisë njerëzore sjellë nga Bashmakof. Përkthimin në anglisht të tregimit nga Albanologu Robert Elsie Drita e quajti “incredible experience”. Për dijeni:
Albanologu Robert Elsie, prehet në Theth i veshur me kostumin kombëtar të malësisë, jo larg nga Bëkaj, Trieshi, ku prehet Jozefi, i cili i bashkuar me kryengritësit humbi jetën në luftën e Deçiqit, me 12 shtator 1911. (lindur 21 nëntor 1874) Drita e ruajti kujtimin e çiftit Rozë-Jozef edhe me disa relike që u gjetën gjatë zhvendosjes, të cilat mund t’i shihni në ekspozitën e Fondacionit.
Një moment tronditës i Dritës ishte rivarrosja e babait Martin vdekur në Turqi
Drita edhe pse ishte e vogël kur u nda nga babai, ajo jetoi me kujtimin e tij nga nëna e cila ia mbajti të gjallë figurën e të jatit. Drita gjithmonë kishte ëndërruar ta sillte të jatin, të prehej në dheun e vet dhe t’i bashkonte të dy vëllezërit në një tribunë nderi të përjetshme gjë që e realizoi duke gdhendur në gur epitafin ‘‘Për atdheun së bashku në jetë dhe në vdekje!”
Interesante është se Drita erdhi në Tiranë me delegacionin që shoqëronte arkmortin e Faik Konicës të prehej në Atdhe dhe në të njëjtën kohë bëri të njejtat veprime për të jatin ku e shoqëruan Lazër Radi dhe Luan Leka. Shih në foto

Lazёr Radi, Drita Ivanaj e L. Leka te varri i Mirash Ivanajt - Tiranё, shtator 1992
Lazёr Radi, Drita Ivanaj e L. Leka te varri i Mirash Ivanajt
– Tiranё, shtator 1992

Drita nga kontaktet në konferenca, nga mesazhet elektronike mësonte vazhdimisht të reja për rrethin e saj familjar dhe miqtë e tyre, që në konferencën e parë më 1993 mësuam të reja që pasuronin arkivin e fondacionit. Një studim që kisha nisur vite më parë për publicistin e shquar Branko Merxhani, për të cilin shkruhej autor pa biografi. Në Konferencën e parë mësuam nga Dr. Jakov Milaj nga Fieri disa të dhëna të panjohura më parë për Branko Merxhanin, i cili sipas kërkesës sime na solli me fax disa shënime biografike që nuk diheshin më parë për origjinën e Merxhanit dhe lidhjen e tij në mërgim me Mirash Ivanajn në vitet 1939 dhe më pas. Marrja e të dhënave për kollosin e publicistikës shqiptare Merxhani më nxiti për ta plotësuar biografinë e tij hap pas hapi. Artikulli që shkrova te gazeta Illyria NY, më lidhi me Afroditën prej së cilës mora përgëzime: “Jam vajza e Branko Merxhanit!” – më tha. Prej saj mora të dhëna të panjohura më parë për familjen Merxhani në Sopik të Pogonit. Artikulli në fjalë tërhoqi studentë universitarë të letërsisë e të gazetarisë të interesuar për biografinë e Merxhanit, të cilët iu drejtuan Fondacionit Ivanaj deri edhe nga Universiteti i Stambollit nga një studente kosovare në degën, sociologji. Drita i adresonte tek unë për të marrë të dhëna dhe për të plotësuar tezat e tyre universitare… Kështu Drita nëpërmjet zërit të fondacionit zgjeroi kontaktet me personalitete të kulturës shqiptare, të cilët kanë promovuar veprat e tyre që evidentonin trashëgiminë kulturore të popullit shqiptar. Lidhjet me studiues dhe ambasador të kulturës shqiptare siç ishin Zonja Nevila Nika, shkrimtarja Meri Lalaj me librin kushtuar Prof M. Ivanajt për reformën arsimore që kishte në plan të parë emancipimin e vajzave shqiptare, që të arsimohen për mësuesi e të tjera duke i dhanë prioritet dhe lartësuar Institutin Femnor “Nana Mbretneshë”.
Një kontribues i rregullt dhe përkrahës i Fondacionit ishte dhe është ish-Ambasadori Ryerson, i cili në ditën, kur Drita mori në dorëzim shtëpinë iu bashkua gëzimit të saj. Në ceremoninë e rastit priti të ftuarit te porta, sikur të ishte një pjesëtar i familjes Ivanaj. U çuditën të gjithë me zemërgjerësinë e Ambasadorit që bëri zakonin shqiptar të mikpritjes për bashkëqytetaren e tij amerikane.
Një vit para se të kalonte në amshim, në Maj 2024, Drita organizoi me stafin e fondacionit promovimin e librave 1-2-3 “Refleksione të një harrese të imponuar” publicistikë e përmbledhur ndër vite prej meje (P. Leka). Drita 91 vjeçare në këte promovim bëri moderatoren duke e bërë vetë prezantimin e librave dhe duke i tërhequr vetë të ftuarit të jepnin mendime. Ky ishte takimi im i Fundit me Dritën, me 23 Maj 2024 dhe email i fundit, kur i bëra urimin e ditëlindjes së 92-të, 15 qershor 2025. Nga Drita mora këtë përgjigje, e cila shkruante me mendje të kthjelltë dhe me shumë dashamirësi. Duke lënë modestinë do ta lexoj shqip:
Dear Pertefe and Luan,
Your lovely and s
weet greetings woke me up this morning and I feel blessed to have friends like you. Many many thanks for your friendship and dedication that has been an integral part of 1/3 of my life and strengthening my Albanian side after my Mom, Dad and immortal uncle Mirash followed me from ‘above’.
May you have a healthy and serene rest of your life!
Miss you. Loving hugs hoping to see you soon.

Drita
Unë erdha, por Dritën nuk e gjeta. Ajo na vëzhgon nga lart
(Të dashur Pertefe dhe Luan,
përshëndetjet tuaja të bukura dhe të ëmbla më zgjuan këtë mëngjes dhe ndihem e bekuar që kam miq si ju. Shumë, shumë faleminderit për miqësinë dhe përkushtimin tuaj që keni qenë pjesë integrale e 1/3 së jetës sime dhe keni forcuar anën time shqiptare pas nënës, babait dhe xhaxhait tim të pavdekshëm, Mirash që më ndoqën nga ‘lart’.
Ju uroj një jetë të shëndetshme dhe të qetë! Më mungoni shumë. Përqafime të përzemërta, shpresoj t’ju shoh së shpejti. Drita
Foto me Dritën e cila nuk pranoi të vaksinohej gjatë kovitit dhe qëndroj e mbrojtur me maskë deri sa mbylli sytë.
Ditën e fundit që frymonte i kërkova vajzave pranë saj… ta shikoja para lamtumirës. Ishte e çuditshme, Drita ishte e ulur në karrike kishte orë të tëra që qëndronte në atë pozicion me duart mbi tavolinë, pozicion që mbante në dekadat e fundit me kompjuterin përpara. Drita po rezistonte, nuk e përfilli krevatin edhe kur iu pakësue frymëmarrja bëri lëvizjen e dorës si shenjë lamtumire dhe ashtu e ulur në karrike si zonjë, fluturoi…
Drita ishte e fundit në pemën e fisit Ivanaj. Mbjellja e Ullirit prej saj në zemër të fondacionit, pikërisht aty ku ishte oborri me lule i shtëpisë saj, ku ajo lodronte, do të mbetet simbol i vazhdimësisë.
Në vitet e fundit bashkëpunoi shumë me Drejtorin ekzekutiv, juristin Rezart Spahia që përkoinçidencë emrat e tyre convergojnë për vazhdimësinë. Ata përputhën në trashëgiminë familjare. Rezarti si bir i dy mësuesve, personalitete të nderuar dhe i edukuar fillimisht në klasat e artit për violinë, fakultetin për histori, vazhdimësinë Jurisprudencë dhe menaxhim biznesi në SHBA me një ecuri të suksesshme prej ku u kthye në Shqipëri, për t’i shërbyer lidhjes së brezave në shërbim të etnisë shqiptare siç e thotë me krenari që ‘‘fëmijtë e mij të njohin gjyshërit e tyre “Sivija më e mirë e drejtorit do të jetë suksesi i fondaciont, që Drita të vazhdojë ndriçimin!”
Kjo kërkon vëmendjen e të gjithëve për ta mbajtur të gjallë këte vatër kulture siç premtoi Ambasadori i parë i SHBA në Shqipëri, Ryerson
Unë e mbështes dhe e mbështes punën e këtyre Fondacioneve sepse kam parë punën e shkëlqyer që kanë bërë deri më tani dhe potencialin e tyre për të vazhduar ta bëjnë këtë në Tiranë. Ju inkurajoj secilin prej jush të bashkohet me mua në çfarëdo mënyre që mundeni, qoftë përmes mbështetjes së drejtpërdrejtë financiare, ose kontributeve në natyrë ose pro bono për të çuar përpara arsimin për të gjithë këta qytetarë të aleatit tonë në NATO. Këto Fondacione i trajtojnë në mënyrë të barabartë të gjithë të ftuarit pavarësisht nga etnia, gjinia ose përkatësia e tyre politike ose fetare.
Shtator 2013, Përgjigjja ime është: Bashkohemi, faleminderit!

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.