back to top
23.5 C
Tirana
E shtunë, 5 Tetor, 2024

Dita e 100 viteve t’Hirushes – pothuej prrallë – nga Ilir Seci

Gazeta

Hirushja
Hirushja

Dita e 100 viteve t’Hirushes

pothuej prrallë

nga Ilir Seci

Nji ditë Maji, Hirushja mbushi 100 vjeç…
E kishte datëlindjen dikund aty kah mesi i muejit Maj, (data e saktë s’dihet, se ajo njerka shpirtkazmë ja kish shkye çertifikatën e lindjes, bile dikush thotë se kishte pague dikend në gjendje civile me e shlye nga regjistri…) E pa çertifikatë lindjeje Hirushja e kish vendosë me e festue ditëlindjen gjithëhere në mes të Majit…
Datëlindjen po e festonte vetëm me maçokun e saj Tomin, mbasi s’kishte kërrkend tjetër në botë veç tij…
Princi i Hirshëm kaherë kish vdekë… dhe jeta Hirushës siç e dini shumë prej jush, s’i kishte shkue fort mirë…
Nëpër prralla gjithëherë thuhet se: “mbasandej ata jetuen përgjithmone të lumtun” por prrallat si prrallat… punë prrallash dhe njeriu aty ndalet! Po e vërteta ish ndryshe…
Princi, (që Hirushes i dukej i Hirshëm në fillim) do vjet má vonë u përzi në nji revolucion, ku gjindja e rrëzuen Mbretninë me dhunë e vendosën nji Republike në vënd të saj… Pasunia e familjes mbretnore u konfiskue prej revolucionarve e tjerve ma s’fundi u lanë vetëm pak prona… sa me ardhë rrotull… Princi i mësuem vetëm me pekule e hupi krejt fillin n’at fillim; mandej ato pak pare që kishte i futi diku ndër firma Piramidale, (dikush thotë te Gjallica e Xhaferri!!!), po kur ato ranë mbeti ai e të tijtë krejt trokë! Do miq e dashamira ua dhanë dorën duke u falë do pare… po edhe ato shkuen hupë n’fushatë t’nji referendumi për formën e qeverisjes – Mbretni a Republikë – por edhe aty s’duel gja, se Princi vërtet e fitoi referendumin, po ia vodhën votat e ia ndryshuen rezultatin…
I pezmatuem Princi i Hirshëm u mërzit e vdiq… dhe Hirushja e bukur mbet e vejë… Kuke vetëm n’nji kështjellë që ishte tuj ra mbrendë… Falë Zotit, kish mësue me la e pastrue shpinë, kur e keqtrajtonte Njerka, se kishte përfundue edhe má keq! E si e papritueshme që ishte, punoi fort me jetue dhe e harroi krejt se kush kishte qenë… dhe njerëzit s’po e njifshin má… kadalë-kadalë u harrue, aq sa nji ditë s’i binte má kërkujt ndërmend për të…

Hirushja
Hirushja

Njashtu n’at gjendje, mendoi ta festonte datëlindjen e njiqindtë, tashma e harrueme prej njerëzve e prej vetë fatit…
Si kish mujtë e kish ba vetë nji tortë dhe e kish nda me maçorrin Tom…
Mbasi hangri pak u ul n’nji karrike dhe i solli ndërmend krejt ato kohna të bukura të vajznisë… kur e pat hupë njat kpucën e famshme, që mbasandej ia lidhi të dyja kambtë…
Duke mendue njashtu e marrakotun… kur fap u hap qiella dhe u shfaq Zana e njoftun e asaj kohe… Hirushja e shkretë fërkoi ma së pari sytë mbasi nuk u besonte fort atyne… do vjet i kishte mbas shpine e sytë kishin nisë me e rrejtë gjithnji e ma shpesh… Por jo, ishte ajo vetë: Zana, njashtu e shndritshme si dikur! -Përshëndetje Hirushe! Po si je moj vajzë e bekueme?! Si t’ka shkue jeta!?” – e dveti Zana…
Nji nga nji, ja kallzoi Hirushja tana gjanat e jetës së saj, e si e ngeshme i diftoi gjanë e gjatë, si e kish humbë Mbretninë, si kishte mbetë pa Princ e pa pare, e si e kishte shtye deri at çast kuk-qyqe vetëm…
Zana e ndigjoi me durim, e qau me Hirushen kah i diftonte për jetën dhe në fund i tha: -M’ke përlotë edhe mue!… prandej në kët datëlindje të njiqindtë due me t’ba nji dhuratë speciale! Ti më thuej tri dëshira: e unë kam me t’i plotësue të tria!
Hirushen gati e la zemra prej shendit… Mandej nisi me mendue se cilat mund të ishin kërkesat ma të mira për të…
“Po, due me m’ba të pasun edhe njihere se jam tuj hjekë keq! – ju lut ajo  Zanës…
…dhe Zana tundi skeptrin magjik, si ajo asht e zoja me transformue gjithshka dhe fap… Kështjella u ba e re, krejt gurët e degët e kalbuna, tana rraqet e vjetra u kthyen në flori të pastër…
-Ke edhe dy kërkesa tjera!” – i tha Zana… -M’ban edhe njiherë të re, të bukur e të hirshme si kam qenë njat natën e ballos, kur më pat humbë edhe kpuca?!” – shprehu dëshirën e dytë Hirushja…
…dhe Zana tundi skeptrin magjik për të dytën herë dhe… dhe fap e bani plakën njiqind vjeçe nji vajzë të hirshme e plot bukuri rrezatuese! Dhe ajo me vrap shkoi të pasqyra… dhe mbeti aty duke admirue veten…
-Ke edhe nji kërkesë të fundit! – e kujtoi Zana, – ngutu pak se s’kam kohë me pritë!
-Ah po, – nxitoi Hirushja e transformueme në vajzë të re, -A e sheh Tomin, maçokun tem plak qe e due aq fort? Tomin due me má shndërrue në nji djalosh të ri, má të hijshmin, e ma të bukurin që ka ecë ndonjiherë mbi dhe!?
Dhe Zana drejtoi skeptrin magjik kah Tomi, e tundi fort dhe menjihere Maçorri plak u ba nji sokol djali që s’e kish ba Nana ndonjiherë… -Tash unë po shkoj…! – u tha Zana, – Ju kalofshi e mbretnofshi bashkë sa má mirë. Puna jeme për ju u krye!

Hirushja dhe Princi i Kaltert
Hirushja dhe Princi i Kaltert

Dhe sa hap e mbyll sytë u zhduk fill… njashtu magjishëm si kish ardhë…
Sa shkoj Zana, Hirushja duke vlue prej padurimi iu hodh në krahët e Tomit, maçokut plak i kthyem në djaloshin sharmant… dhe u shtërnguen fort e fort në nji përqafim të pasosun, e shkëmbyen puthje të gjata plot pasion, e fjalë të ambla që kurrë dy të dashtun si kanë dhurue njeni tjetrit..
E kur u mbështetën njashtu tuj u përqafë e tuj u puthë, Tomi me at zanin ëngjëllor e pveti: -A thue ka me t’ardhë keq sonte, pse dikur m’pate tredhë, moj e ambla Hirushe?!?

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.