back to top
31.5 C
Tirana
E shtunë, 20 Korrik, 2024

Din Mehmeti (1929-2010) – Si shpëtoi poeti i madh nga ekzekutimi në vitin 1999? nga Vlash Prendi

Gazeta

Din Mehmeti (1929-2010)
Din Mehmeti (1929-2010)

Din Mehmeti (1929-2010)

Si shpëtoi poeti i madh nga ekzekutimi në vitin 1999?

nga Vlash Prendi

Dhimbje dhe lotë pati në sytë e intelektualëve
dhe patriotëve shqiptarë në pranverën e vitit 1999,
sepse u përhap lajmi në media se tetë intelektualë kosovarë
u vranë barbarisht nga Policia serbe.
Mes tyre, sipas njoftimit,
paskësh qënë edhe poeti i mirënjohur, Din Mehmeti.
Po atë kohë televizioni Italian RAI
do të transmetonte një emision
kushtuar jetës dhe veprës së tij, i menduar i vdekur.
Për këto vrasje akuzohej hapur regjimi i Sllobodan Millosheviçit…

Din Mehmeti gjate nji konference
Din Mehmeti gjate nji konference

Poeti ndodhej në shtëpinë e tij në Gjakovë, duke ndjekur kronikat në televizion kur u dha ky lajm. U çudit mjaft. Në atë moment e bindi të shoqen të iknin nga shtëpia, të largoheshin nga Gjakova, sepse mendoi se ndoshta të tjerët i kishin vrarë dhe se tani do të vinte radha e tij. Niset për në një lagje tjetër të qytetit. Ndenjën vetëm tri ditë atje. Kur e panë bashkëkombësit e tij, i thanë se kishin dëgjuar të befasuar të njëjtën gjë.
Mehmeti u kthye prapë në shtëpi, pas disa ditësh. Ai donte me çdo kusht të shkonte në Shqipëri, por përpjekjet dështuan. E kapën në stacion dhe e arrestuan. E dërguan në një postë milicie ku u ngujua me pjesën tjetër të qytetarëve të Gjakovës, derisa Policia serbe i la të lirë të ktheheshin në shtëpitë e tyre nën survejim të rreptë.
Katër milicë serbë ia behën pak më vonë tek shtëpia e tij. Menduan ta ekzekutonin poetin e njohur në oborrin e shtëpisë. E kontrolluan një herë për armë. Nuk kishte. Hynë të kontrollonin në shtëpi. I kërkuan përsëri të tregonte ku i fshihte armët që ua jepte ushtarëve të UÇK-së. Poeti i madh i drejtoi për tek biblioteka. Të katër milicët u hodhën sytë librave pa fund të sistemuara bukur nëpër rafte. Mbi tryezën e punës, panë dy prej tyre. Ishin dy libra me vjersha të Din Mehmetit të botuara në Beograd, në gjuhën serbe, madje dhe disa përkthime veprash në gjuhët frëngjisht dhe gjermanisht. I panë veprat me vëmendje, i shfletuan me kujdes. Këqyrën foton e autorit.
Ishte po ai, poeti i urtë që kishin përballë. Për një minutë milicët patën parë njëri-tjetrin, pa folur. Vendosën me vështrime se çdo të bënin. Njëri prej tyre i pati thënë: “Po të falim”! “Faleminderit!”, ishte përgjigja e poetit. Dolën nga shtëpia njëri pas tjetrit kokulur. Njëri prej tyre pati ndalur tek shkallët dhe i pati thënë: “Mbaje mend çka po të them. Ne kemi ardhë për të të vrarë, por nuk po të vrasim se qenke shkrimtar, qenke poet. Po ne jemi prej Vojvodine. Po sikur të kishin qenë këta serbët prej Kosove, ose prej Serbie, do të të kishin vrarë!”.
Kështu pati ndodhur një ditë pranvere, të vitit 1999, kur poeti i madh pati parë vdekjen me sy. Din Mehmeti vazhdoi të jetonte në shtëpinë e tij në qytetin e Gjakovës. Gjithë natën rrinin roje. Herë ai, e here e shoqja. Rrotull, nëpër lagjet, sheshet dhe në çarshinë e Gjakovës bombardohej. Jeta nuk ishte aspak e sigurt dhe nuk mund të largoheshin. Ishin të vonuar. Dikur e shoqja nuk kishte dashur ta linte shtëpinë, por kur filloi të bëhej jeta e padurueshme, dëshironte të largoheshin, por tashmë rrugët ishin mbyllur nga paramilitarët serbë.

Poeti Din Mehmeti (1929-2010)
Poeti Din Mehmeti (1929-2010)

Të gjitha këto ngjarje rrëqethëse i tha me gojën e tij, poeti Din Mehmeti, shëndosh e mirë, kur ishte për vizitë në Tiranë, në nëntor të vitit 2004.
Din Mehmeti është një nga krijuesit më në zë në trevat mbarëshqiptare. Ai pati lindur në fshati Gjocaj të Junikut, më 7 maj 1929.
Mësimet e para i mbaroi në vendlindje, kurse shkollën e mesme e mbaroi në qytetin e Gjakovës. Më pas kreu studimet në Universitetin e Beogradit e më vonë u specializua në Fakultetin Filozofik të Prishtinës, në degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe. Për një kohë të gjatë pati punuar si profesor në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Gjakovës.
Tema qendrore e poezisë së Din Mehmetit është jeta e njeriut të sotëm të Kosovës që lufton për të drejtat e tij, për lirinë e tij të nëpërkëmbur ndër shekuj. Ajo i ngjan një bote të shqetësuar si dallgët e lumit në furtunë. E kjo lëndë derdhet në vargje përmes mendimit të spikatur poetik të Din Mehmetit.
Ai vdiq më 12 nëntor 2010, në Gjakovë: i ri në zemër, i freskët në mendime, por i lodhur nga ndrydhja nga robëria. E ndjeu furtunën serbe, vdekja i erdhi aq pranë, pavdekësia po ashtu.
http://telegrafi.com/din-mehmeti-1929-2010

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.