back to top
18.5 C
Tirana
E hënë, 13 Maj, 2024

Dikush ishte komunist – 1995/1996 nga Giorgio Gaber

Gazeta

Giorgio Gaber (1939-2013)
Giorgio Gaber (1939-2013)

Dikush ishte komunist – 1995/1996

nga Giorgio Gaber

Dikush ishte komunist, pse lindi në Emilia.
Dikush ishte komunist, pse gjyshi i tij, xhaxhai, babai. Nëna jo.
Dikush ishte komunist, sepse e pa Rusinë si premtim, Kinën si poezi dhe komunizmin si parajsë tokësore.
Dikush ishte komunist, sepse ndihej i vetëm.
Dikush ishte komunist, sepse kishte një edukim tejet katolik. Pu pu pu…!
Dikush ishte komunist, sepse kinemaja e tepronte, teatri e tepronte, piktura e tepronte, letërsia gjithashtu, të gjithë e tepronin.
Dikush ishte komunist, sepse i kishin thënë.
Dikush ishte komunist, sepse s’i kishin thënë gjithçka.
Dikush ishte komunist, sepse më parë, në fillim të fillimit, kishte qenë fashist.
Dikush ishte komunist, sepse e kish kuptuar se Rusia ecte e ngadaltë por shkonte larg.
Dikush ishte komunist, sepse Berlinguer ishte njeri i mirë.
Dikush ishte komunist, sepse Andreotti s’ishte njeri i mirë.
Dikush ishte komunist sepse ishte i pasur, por i donte njerëzit.
Dikush ishte komunist, sepse pinte verë dhe mallëngjehej në festat popullore.
Dikush ishte komunist, sepse ishte aq ateist sa i nevojitej një Zot tjetër.
Dikush ishte komunist, sepse ishte aq i magjepsur nga punëtorët sa donte të ishte njëri prej tyre.
Dikush ishte komunist, sepse s’mund ta bënte më punëtorin.
Dikush ishte komunist, sepse donte ta ndihmonte pak rrogën.
Dikush ishte komunist, sepse revolucioni sot ndoshta jo, nesër mbase, por në të arthmen me siguri.
Dikush ishte komunist, sepse borgjezia, proletariati, lufta e klasave… Eh ç’beteja.
Dikush ishte komunist, për ta zemëruar babanë.
Dikush ishte komunist, sepse shihte vetëm Rai 3.
.
Giorgio Gaber dhe gruaja e tij Ombretta Colli
Giorgio Gaber dhe gruaja e tij Ombretta Colli
Dikush ishte komunist, si modë, dikush si parim e dikush si zhgënjim.
Dikush ishte komunist, sepse donte të nacionalizohej gjithçka. N’hale vaftë!
Dikush ishte komunist, sepse s’i njihte shërbimet civile, privilegjet e plot të tjera.
Dikush ishte komunist, sepse kishte ngatërruar materializëm dialektik me Ungjillin sipas Leninit.
Dikush ishte komunist, sepse ishte i bindur se kishte klasën punëtore mbas vetes! Oj tëmën!
Dikush ishte komunist, sepse ndjehej më komunist se tjerët.
Dikush ishte komunist, sepse ishte në partinë e madhe komuniste.
Dikush ishte komunist, edhe pse partia komuniste ishte më e madhja.
Dikush ishte komunist, sepse s’kishte asgjë më të mirë rrotull.
Dikush ishte komunist, sepse kishim partinë më të keqe socialiste në Evropë.
Dikush ishte komunist, sepse shtet më i keq se Italia, ishte vetëm Uganda.
Dikush ishte komunist, sepse s’mund t’i duronte për më shumë se dyzet vjet qeveritë e paafta e mafioze të demokristianëve.
Dikush ishte komunist, për ngjarjet e Piazza Fontanas, Brescias, stacionit të Bolonjës, Italicus, Ustikës etj, e kështu me radhë
Dikush ishte komunist, sepse kundërshtari i tij ishte komunist.
Dikush ishte komunist, sepse s’mund ta duronte at gjë të ndyrë që ne insistojmë ta quajmë demokraci.
Dikush besonte se ishte komunist, e ndoshta ishte diçka tjetër.
Dikush ishte komunist, sepse ëndërronte një liri ndryshe prej asaj Amerikane.
Dikush ishte komunist, sepse besonte se mund të ishte aktiv dhe i lumtur, vetëm pse edhe të tjerë do të ishin gjithashtu.
Dikush ishte komunist, sepse i duhej një shtysë drejt diçkaje të re. Sepse e ndjente nevojën për një moral tjetër. Sepse ishte thjesht një forcë, një fluturim, një ëndërr, veç një hov o dëshirë për të ndryshuar gjërat, për të ndryshuar jetën.
E vërtetë, dikush ishte komunist, sepse n’atë hov të gjithë ishin më shumë se ai vetë. Ishte si dy njerëz në një të vetëm. Nga njëra anë beteja personale e përditshme e nga ana tjetër, ndjenja e përkatësisë së një race e cila kërkonte të merrte fluturim, për ta ndryshuar vërtet jetën.
Jo, asnjë keqardhje. Ndoshta qysh atëherë shumë prej tyre kishin hapur flatrat pa mundur të fluturonin, si t’ishin pulëbardha hipotetike.
Po tani? Eh tani, ndjehen sërish si t’ishin dy. Në një anë, njeriu i futur në rresht që në mënyrë të pashmangshme përpëlitet me mbijetesën e tij të përditshme, dhe n’anën tjetër, pulbardha pa asnjë qëllim fluturimit, sepse tashmë ëndrra ka shterrur.
Dhe mbetën dy mjerime në një trup të vetëm.
.
Përktheu nga italishtja Jozef Radi

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.