back to top
15.5 C
Tirana
E hënë, 4 Nëntor, 2024

“Diktaturë ma e rrezikshme, asht ajo që serviret nën maskën e demokracisë…” Padër Meshkalla

Gazeta

Padër Pjetër Mëshkalla (1901-1988)
Padër Pjetër Mëshkalla (1901-1988)

Në gjurma të nji vepre të humbur të At Meshkallës

nga Jozef Radi

Para disa ditësh te muri i mikut tim Luan Merdani, po lexoja nji status që më mrekulloi… Edhe pse shkrimi i referohej me saktësi një kleriku shumë të njohur në burgjeve të komunizmit, nuk kishte emër… I shkrova pa vonesë Luanit, ku krahas falenderimit e pyeta për emrin e autorit, duke i vënë edhe nji emër të cilin unë besoja se i kujt mund të ishte! “Po, – ishte përgjigja e tij – i atij është, i At Pjetër Meshkallës”. E falenderova Luanin dhe i thashë se së shpejti do ta paraqes kët shkrim në sit…
Nji ditë më vonë, ndërsa kisha paraqitur nji shkrim të Dom Lazër Shantojës, po ndiqja nji diskutim jashtzakonisht interesant të Marcel Hilës me Bep Çobën, i cili ndërsa fliste për shumë figura madhështore të klerit katolik te mbetura jashtë shenjtërimit, ndër të tjera përmendi edhe figurën e Padër Pjetër Meshkallës… U ndala dhe po e lexoja me kujdes dhe për çfarë shkruante: Bëhej fjalë për nji traktat që Padër Pjetër Meshkalla e kishte shkruar në burg dhe e kishte lënë atje, si të ishte fjala për nji Bibël…
Ja se çka la të shkruar Marcel Hila:
“Më ka thanë At Pjetër Meshkalla në shtëpinë teme, se ai kishte shkru nji traktat filozofik-teologjik, kryesisht me bazë skolastike, sipas skemës së Shën Tomaso d’Aquinos dhe ai traktat studiohej në burg. Edhe Spartak Ngjela e përmend në shkrimet e veta diskutimet që baheshin në burg për ekzistencën e Zotit dhe detyra i ra At Meshkallës për me shkrue materialin. Na ka thanë At Meshkalla se kam ndejtë shumë gjatë derisa e kam shkru. Libri lexohej dhe kopjohej.
Kur ka dalë prej burgut, në nëntor të vitit 1982, e ka lanë librin në burg, me premtimin se do t’ia kthenin nji ditë. Por ai vdiq, me datën 28 korrik 1988, dhe libri kishte mbetë në Burrel. E ankonte mjaft Padër Meshkalla për atë libër, pse ishte i vetmi i jetës së tij, i shkruem në burg…”
Ndoshta e gjitha kjo është nji rastësi, por unë e konsideroj me vlera këto dy dëshmi bashkë, dhe nëse është fjala se mund të jemi në gjurmë të kësaj vepre të mbetur në burg të Padër Meshkallës, do të qe nji shpalosjeje madhështore, e rrallë, e pakrahasueshme, e nji vepre që vetëm nji figurë si ajo e Padër Meshkallës mund ta bënte…
Le ta lexojmë sekush sipas mënyrës së vet kët dëshmi të jashtzakonshme të sjellë nga Luan Merdani, në Murin e tij të fb dhe më pas të gjykojmë se sa vizionar e madhështor ka qenë Padër Pjetër Meshkalla… dhe të vazhdojmë më tej nëse është fjala për dorshkrimin e tij… 18 shtator 2014

Biblioteka Françeskane
Biblioteka Françeskane – ma e pasura ne Shqiperi

“Diktaturë ma e rrezikshme,

asht ajo që serviret nën maskën e demokracisë…”

Padër Pjetër Meshkalla

Luan Merdani shkruan:
Ja se si shprehej një nga klerikët më të shquar të një qyteti verior,  shumë vite më përpara, një i burgosur politik i regjimit kriminal të Enver Hoxhës, për të cilin të burgosurit politikë thoshin: “Një krijesë e jashtëzakonshme, e vendosur midis Zotit dhe njerëzve, i aftë për të na e lehtësuar së tepërmi përballimin e vuajtjeve dhe për të na mësuar edhe si të vdesim krenarë e duke i mëshiruar persekutorët tanë, të degraduar mendërisht!”

Kleri Katolik Shqiptar
asht kleri ma heroik
që ka me cilësue historia
në rrugën dymijëvjeçare të Krishtit,
sepse, mbas pesëqind vjet robnije nën Turqi,
po të merret historikisht prej vitit 1912,
kur Shqipnia u formue si shtet e deri me 1944,
që këtu erdhën në fuqi komunistët,
tue lanë në nji anë okupacionin fashist italian
(me të cilin nuk jam pajtue kurrsesi),
janë vetëm 30 vjet mundësi
për me formue një Kler Shqiptar,
e për 30 vjet me nxjerrë aq Heroj sa kemi nxjerrë na,
nuk ka asnjë kler në Botë.”
At P. Meshkalla S.J.

Burgu i diktaturës...
Burgu i diktaturës…

“Vëllezër Shqiptarë,
Diktaturat janë pasoja sëmundjesh psikike të njerëzve gjysmakë mendërisht, moralisht dhe shpirtërisht.
Nëpërmjet terrorit, kjo kategori individësh agresivë shfren mllefin ndaj shoqërisë së pafajshme për difektet e tyre. Hakmarrja e verbër e fajtorit ndaj të pafajshmit krijon një vazhdimësi krimesh mizore, për të justifikuar krimet e mëparshme. Kjo shpjegon dhe faktin pse diktatorët e rinj nuk nxjerrin mësimin e duhur, prej fundit të trishtuar të paraardhësve të tyre.
Mirëpo si çdo epidemi njerëzore edhe diktatura ka fundin e saj të pashmangshëm. Pra, duhet treguar shumë vëmendje ndaj asaj që do ta pasojë diktaturën një ditë, mbasi një popull pa tradita lirie e demokracie, i sapodalë nga një shtypje e rrepte, ka prirjen të kënaqet me pak. Kur popullit i bëhet zakon të duartrokasë diktaturën e shpallur me ligj, ai e ka akoma më të lehtë të duartrokasë një diktaturë të kamufluar. Por nuk ka diktaturë më të rrezikeshme, se ajo që i serviret popullit me maskën e demokracisë.
Autokracia me makiazh demokratik lëshon rrënje me të shëndosha, sesa vetë diktatura e shpallur, tek një popull i lodhur e i demoralizuar, i cili bie në prehërin e saj symbyllas. Si rrjedhim pasojat e saj janë më afatgjata se ato të një diktaturë të ligjëruar, mbasi populli shpresëhumbur gjunjëzohet prej dëshpërimit, duke u bërë një prè e lehtë për despotët e rinj me grim demokratik.
Ndokush mund të pyesë me të drejtë: si mund ta dallojë një popull apolitik demokracinë e vërtetë nga pseudemokracia, që mund të pasojë diktaturën? Përgjigja është e thjeshtë dhe e qartë edhe për një njeri të pashkollë. Nuk mund të jetë kurrë demokraci një sistem politik, i cili pason një diktaturë, dhe nuk mund t’i mjekojë urgjentisht plagët e shkaktuara prej saj. Duke i lënë kastile të hapura dhe të pa mjekuara plagët e diktaturës, ato do të infektohen dhe shoqëria shqiptare do të gangrenizohet, duke u dobësuar dhe çorientuar progresivisht, deri sa të katandiset në një turmë të hallakatur lypsarësh të nënshtruar. Pseudodemokracia është një anarshi e organizuar, me qëllim që pushtetarët despotë dhe bashkëpunëtorët e tyre mëkatarë të përfitojnë në mënyrë të paligjshme atë që ua ndalon ligji i tyre fasadë mashtrimi!

Të dashur bashkatdhetarë!
O ju që do të mbeteni pas nesh!
Mos gaboni të mendoni se mund të jetoni ndonjëherë të lumtur mbi këtë tokë, që po mbillet me eshtra atdhetarësh të zhdukur pabesisht, pa e çliruar atë më parë prej tyre dhe pa i ndëshkuar me ligj shkaktarët e kësaj vëllavrasjeje pa fund, nuk mund të ngrihen kurrë themelet e një demokracie të vërtetë dhe të një shteti juridik, të domosdoshëm për të ardhmen tuaj, mbi një tokë që rënkon prej shpirtrave të bijve të saj më të mirë, të cilët falën gjakun për të. Po gabuat në këtë pikë vendimtare, vetë ky truall me emrin atdhe do t’ju a bëjë të pamundur paqen sociale dhe begatinë mbi të. Atëhere ju do të endeni të zhgënjyer mbi tokën mëmë dhe do të shikoheni sy ndër sy të hutuar, pa e shpjeguar dot kaosin që do të përjetoni e pa qenë në gjendje ta ndryshoni mjerimin kolektiv.
Jeta do t’ju duket një lodër bajate në duart e atyre që i ndihmuat vetë t’ju nanurinin me një parodi demokratike, e cila do t’ju kushtoje më shtrenjtë nga diktatura e sotme, po ratë në kurthin e saj. Dhe bota do t’ju qeshë dhe nuk do t’ju a qajë hallin, mbasi ajo do të jetë demokracia që ju do ta keni zgjedhur vetë dhe do ta keni brohoritur, pa e menduar gjatë.
Ju ndihmoftë Zoti, që të paktën atëhere, të kujtoheni se mëkati juaj, që do t’ju pengojë ta gëzoni jetën si popujt e tjerë, është se po shkelni pa teklif mbi eshtrat e mohuara të martirëve që luftuan për begatinë e truallit atdhe, rënkimet e të cilit i dëgjon ai vetë dhe po nuk deshët t’i dëgjoni ju. Dhe rruga e shpëtimit është vetëm një “Pendohuni me ndërgjegje për atë që keni bërë symbylltas, për hir të interesave të çastit.
Pastrojeni vendlindjen prej eshtrave të martirëve të shpallur tradhëtarë dhe të tradhëtarëve të shpallur martirë. I jepni vendin që i takon çdo shqiptari në historinë e hidhur të popullit të tij dhe trualli atdhe do t’ju fuqizojë si Toka Anteun, për të ndërtuar të ardhmen tuaj të lumtur e të merituar, si gjithë popujt e tjerë!”
Marrë nga Muri i Fb Luan Merdani

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.