back to top
9.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Daniel Gjeçaj: Disa kujtime për at Anton Harapin

Gazeta

Anton Harapi pikture nga Pjerin Sheldija
Anton Harapi pikture nga Pjerin Sheldija

Daniel Gjeçaj

Disa kujtime për at Anton Harapin1

At Anton Harapi meshtar i ri

Kthejshim në Shqipni plot entuziazëm. Ndryshimi ndërmjet botës që kishim lanë në Tirol e jetës që kishim lanë në Atdhé e që gati të njajtën e gjejshim mbas katër vjetëve, nuk na demoralizoi. U ndezëm edhe mâ fort në dishir, me punue për me i dhanë popullit tonë ata çka kishim pá se bota e kishte e né na mungonte: kulturë, dije përparim, vullndet pune, nisiativë private.
S’ishte vetëm Turkia që na mbante rob e që na krijonte tana të zezat: ishim edhe na të që të atrofizuem, rrijshim me duer në ijë tue pritë se çka po binte Stambolla apo Vjena… çka po na binte nana vidë…
Njëmend në ringjallje kombëtare ishim pak, por s’ishim të vetmit. Në tjetrën anë as na, të paktët, që ishim, s’kishim mjete as ndihmë prej kurrkuj.
Lypej me bâ llogarí me fuqí tona të kufizueme. Një gja por s’na mungonte. Kishim në zemra shkëndija zjarmi e mendojshim: një shkëndí e vogël kallë një zjarm të madh.
Dy qëllime i kishim vu vedit: me punue për popull, me mëkambë Provinçën Françeskane shqiptare. As i pari as i dyti qellim s’ishte i kollajtë as s’mvarej krejtësisht prej nesh, por, po, secili ndër né do të vendonte gurin e vet në ndërtimin e Shqipnisë, në formimin e Provinçës me bijtë Shqipnisë e për bijtë Shqipnisë.
Kur Harapi na kallxonte për riní të vet, Shqipnia bânte hapat e parë për të marrë kambë dhe për të hecë posi shtet modern. Më këta hapa Françeskanët kishin dhanë e epshin kontributin e vet të çmueshëm. Më ketë program derdheshin energjitë e para të tij e të shokëve të tij. S’ishte punë për një njerí as për një ditë: lypej kohë, durim, flije: lypeshin mjete që ata s’i kishin. Gjithnjë vullëndesa e fortë e entuziazmi i rinisë dhe mbi çdo gjâ bashkimi i të gjithë elementave të rí që shkojshin tue shtue radhët e fretënve shqiptarë, plotsojshin çka na mungonte. Po thom bashkim, mbasi edhe ky paraqitëte vështirësitë e veta.
Fretënt e parë, kolegë apo bashkëkohorë të Harapit, përbâjshin katër rrymë të ndryshme simbas vendit e shpirtit në të cilin ishin edukue.
 
Një grup ishte rritë apo kishte krye këndimet në Italí dhe binte me vedi mentalitetin e misionarëve që në shumicë atëherë, kishin në dorë shartet e Provinçës në formim. Tjerë ishin edukue në Bosnje dhe kishin marrë karakteristikën e “ujakëve” të Kaçiqit e të Martiqit; prap të fundit, ndër të cilët Harapi, Sirdani, Gjoka, në Austrí me disiplinën gjermane. Këtyne grupeve u shtohej mandej edhe një numër i mirë Kosovarësh me prirje të anësojshin mâ tepër për Kosovë se sa për Shqipninë nanë. Nuk ishim në luftë me njani tjetrin, por synimet ishin të ndryshme dhe metodat jo gjithherë të njajta. Koordinimi i këtyne elementeve, harmonia ndërmjet zâjeve me tonalitet të posaçëm, kanalizimi i rrymëve në një shtrat të vetëm, energjí gati të kundërta, që tue përcjellë në tela të veçuem, do të përpiqeshin më një pikë të vetme, jo për të djegë por për të dhanë dritë, lypte mende, urtí, qindresë, sabër.
Fishta, Bardhi, Dodaj, Prennushi, Harapi, Sirdani, Rrota, Prendushi më njanën anë, Mitroviqi, Gjeçovi, Paliqt, Koda, Gjeçaj, Filiq në tjetrën, rreth të cilëve mandej tuboheshin të tjerë të njanës a të tjetrës palë, do të formojshin atë Provinçë, e cila do të merrte shtat e fizionomí shqiptare pa bjerrë kurrgja nga françeskanizmi.
Amalgamimi paqësor i këtyne personave ishte një mision.
Në ketë mision shkrini energjitë e para Harapi posa kthei në atdhé.
Ende krejt i ri, por po, i pjekun me mësime e me urtí, muer në dorë studentat e mbrendshëm të kolegjës prej të cilëve mvarej e ardhmja.
Me ketë barrë të ré e për atë kohë të vështirë, Harapi u përpoq të formojë rininë e ardhshme monolitike pa dallim, pa rrymë, pa anësime krahinash, edukimi, shkollash, edhe pse këto prirje çfaqeshin gjithnjë në Urdhnin françeskan ku mâ pak ku mâ shumë, sá me formue reformë e kundrareformë me emertime të ndryshme. Përnjëmend u do dijtë fretënve edukatorë, në kje se klasët e reja të rrituna në duer të tyne, nuk iu kujtuen rrymëve që mâ udobisht dajnë se sá bashkojnë. Na mësuen të peshojshim me atë terezí, në çiní të së cilës randon vetëm virtyti, mirësia, zotësia, feja e atdheu e jo prejardhja apo dera e fisi. Një Patër Gjergj për né kje Fishtë e jo zadrimuer; një Patër Pal kje Dodaj e jo kosovár; nji Patër Shtjefën kje Gjeçov e jo janjevas; një Patër Anton kje Harap e jo shirokas. Po kështu na mësuen t’i çmojshim famullitarët ndër malësí e fshate jo si fretën të dorës së dytë, por si mâ të vlershëmt ndër fretën, si ata që konkretisht flijoheshin për të çue dritë ku drita e fesë e e kulturës mungonte. Më kujtohet ende sot se me sá delikatesë e nderim, me sá çmim e gjallní na i paraqitëte famullitarët, sá herë këta prej maleve uleshin në qytet e vijshin me u tokue me tê e me u pá me né që dikur do t’i xevendësojshim. E na, para këtyne fëtyrave hjeratike, të lodhuna prej mundit e prej vrashtësisë të jetësës, por të kthiellta e të gëzueshme, entuziazmoheshin si fëmijët e mesjetës para kallximeve të Kryqtarëve që ktheheshin nga Toka Shênjte.
Anekdotat e misionarëve, shumë prej të cilve ishin kolegë apo moshatarë të Harapit, kallximet e drejtorit tonë, të jetueme në vjetët e para të veprimtarisë në Shkodër, na ushqejshin me dishire të mëdhá e të larta. Kënaqeshim tue i ndigjue peripecitë e provëve të para të Harapit, kur ai derë në derë trokllonte ndër pasanikë të Shkodrës, tue lypë ndihmë për të vorfën, për të burgosun, për të sëmuet, për të lanun mbas doret. Mâ vonë kuptuem se shumë prej këtyne ngjarjeve i ngjajshin anekdotave të “Fioretti”-it të paraqituna me ngjyrat shqiptare.
Mandej rrethimi i Shkodrës! Sá ndodhjet, sá mjerimet, sá gëzimet e shpirtit për kê në zemër të trishtueme çonte paqë, ngushëllim, forcë: çonte kashatën e gojës e pushimin e shpirtit.
Ndoshta përvojët e këtyne vjetëve thadruen në Harapin fletët mâ të bukurat e asajë psikologjie, që në tê do të pajtonte parimet njerëzore me parimet e fesë dhe me karakteristikat e shqiptarit, psikologjí të cilën penda e mësueme e Harapit do ta përshkruente me art në veprën “Valë mbi valë”.
Ku jé mandej, ngjarjet e kolerës (1916), atëherë kur Atë Antoni kaloi javë e javë në Dukagjin në shërbim të koleruemve. Para rasave, në të cilat vetëm feja mund të apë dritë, para heroizmit të mshehtë ku vetëm Zoti e dashtënia e krishtenë mund të apë guxim e forcë, na jitshim me gojë hapët dhe në zemër na u ngjallte dishiri me u bâ një ditë si edukatori, si Samaritani i Ungjillit. Kurr në jetën teme – pohonte Harapi – s’kam ndie mâ gëzim, kurr s’jam kenë mâ kondend se kur në mbramje vonë, herë-herë në mjesnatë e mbas mjesnate, mbasi kishem kalue orë e orë prej nji fshati në tjetrin, tue lá shpirtënisht fizikishttë sëmundët, pá hangër pá pí për njëzet e katër orë, ktheheshem në shtratin tem e me mend e ndërgjegje numrojshem zemra të pajtueme, dekë të qeta, varrë të sherueme, mjerime të lehtësueme e lotë të terun.
Kurr – shtonte – s’kam prekë mâ gjallë me dorë teme se sá e madhe e e fuqishme âsht feja në zemra të thjeshta, kur këto lëshohen në duer të Zotit dhe presin me afsh me u bashkue me Tê në lumní të amshueme.
.
At Anton Harapi (1888-1946) Para gjyqit komunist
At Anton Harapi (1888-1946) Para gjyqit komunist

Harapi shkrimtar e konferencier

Se Harapi ishte ndër shkrimtarët mâ të mirët e shtypit françeskan e dijshem qysh i vogël. Njëmend atëherë lavdoheshem unë e shokët e mij për edukatorin, pa dijtë mâ tepër se ndiejshim prej tjerëve apor sá na kallzojshin ata që me Atë Antonin bashkëpunojshin ngusht në mirërritjen tonë e në frymën françeskano-shqiptare. E këtu s’mundem me lanë pa përmendë bashkëpunëtorin e parë të Harapit: Atë Marin Sirdanin. Kje ky një ndër figurat mâ të shkëlqyeshmet e Provinçës françeskane në Shqipní: i dalluem për thjeshtësí e përvujtní, për mirësí e butësí, për pregatitje historike e për zell në punë, në gjasim të bletës që mbledhë kudo ndër lule të malit nektarin e mjaltës. Mjaft me mendue studimet me randësí historike në Hyllin e Dritës si: Në shka fajiset Skandërbegu; Shqyptarët e hartet; Shqypnia e shqyptarët e Skandërbegu mbas gojëdhanash, për të pasë një idé të kjartë mbi ketë hulumtues të vlerët. Në kje se Atë Antoni për né të vogjëlt aso kohe paraqitëte e xevendësonte babën, Atë Sirdani xevendësonte në kuptimin e plotë nanë. Përkojshin këta të dy si dy zâmare të akordueme prej Orfeut mitologjik. Me gjith këta një farë ndryshimi në metodë edukimi m’u gjá se hetova ndër ta, kur unë mâ vonë u bâna i zoti me përtypë me gojë teme çka të mëdhajt na kishin kue në vogjlí. Harapi ishte shumë i ndalun të na habitëte me çka në moshën tonë na largonte prej shkollës, prej atmosferës së paqës shpirtnore e mendore; Sirdani, tue na vu në dijení të shumë ngjarjeve të jashtëme e sidomos të veprimit të fretënve e të Provinçës, për të cilën rriteshim, synonte me ngjallë në né dishir e entuziazëm me u gjá të mëdhajve dhe me vazhdue mâ
vonë rrugën e tyne. E dijshim se drejtori ynë shkruente vazhdimisht në Hyllin e Dritës dhe se merrte pjesë në redaksinë e tij edhe atëherë kur ai s’ishte përgjegjës i parë, e se artikujt e tij ishin të randësishëm, të fortë, të lidhun dhe të perpimë prej lexuesave. Ishin të shumtën kryeartikujt e së përkohëshmes mâ në zâ në Shqipní. Kaq dijshim prej Atë Marinit, por na vetë shifshim me sytë tonë se në drejtorinë e kolegjës, atëbotë endè në oborr të Shtypshkrojës françeskane, vlojshin bashkëpunëtorë fretën e të huej të Hyllit.
Mâ vonë, mbasi u rritëm dhe në shkollën e mjesme e në filozofí, ku unë Harapin e paçë profesor, patëm në dorë muej për muej Hyllin e Dritës, mujtëm të konstatojmë se fjalët e Sirdanit ishin mâ se të vërteta.
Pamë atëherë e pohojmë sot mbas sá vjetësh, se stili i tij ishte i peshuem e i matun, i fortë, i lidhun, mâ fort filozofik se sa i ambël e përkdhelës për vesh, por gjithmonë i rrjedhshëm. Me arsye Dom Kolec Prennushi mujti me shkrue në HD 1936 fq. 583 për Harapin: “mende dialektike që shkruen kryeartikujt (e HD) ndër të cilët disa janë kryevepra. Dieja e théll, arsyetimi i lidhun, analizimi i hóll, stili i peshuem dallojnë gjith shkrimet e tija. Mund të jetë i thát, i ftoftë, por ai âsht i drejtë e i pafaishem.”
Përsá i përket leksikut, ai shkroi pastër, me pasuní fjalori e frazeologjie, me pershtatshmení shprehjesh popullore e me elegancë të së folmes së Shkodrës së shortueme me pastërtinë e maleve të Veriut. Në polemikë kje i fortë e i lidhun; në gojtarí la në përshëndetjen e eshtënve të Çerçiz Topullit e Mustafa Qullit: “Dy lot e një betim”, shembullin mâ klasik të oratorisë shqipe.
Mbi stilin e gjuhën e Harapit flet libri që ké në dorë, flet “Andrra e Prêtashit”. “Vlerë Shpirtnore”, artikujt e shumtë në Hyll të Dritës, prandaj po ua la këtyne të më xevendësojnë.
Për vjet e vjet që ndei në kolegjë si drejtor, na mbajti vazhdimisht s’pakut nji herë në javë konferencat edukative né që rriteshim për fretën. Na flitëte për jetën shpirtënore e për edukatën civile, për njohuninë e fesë e për vlerat njerëzore; mundohej të na rritëte njerëz e të na formonte françeskanë; synonte të na bante të krishtenë të vetëdijtun e shqiptarë të kulluet; të na pasunonte me dije e të na pajiste me fisnikí; të na ushqente menden dhe të na zbutëte zemrën. Vlerat njerëzore Harapi i shikoi përherë si bazë, mbi të cilën do të ngrehej ndërtesa e fesë e furra e dashtënisë. Fjala e tij kje gjithmonë e kjartë, arsyetimi i lidhun, forma e kuptueshme dhe e pershtatshme për moshë e pregatitje të vështruesave. Nuk më kujtohet të ketë përdorë ndonjëherë ndeshkime fizike ndaj fajtorëve thyesa të dishiplinës që në çdo kolegjë përban thalbin e jetës së përbashkët. Ai dinte me e xevendësue frigën e ndeshkimit me pendimin për gabimin. Secili prej nesh, edhe pse në moshë krejt të ré, e mbante dhe e çmonte posi njeri të vogël, por të aftë me bâ me tê e në tê një personalitet, një njeri të madh. Edukata për tê s’kje kurr formë e preme (kallep) prej së cilës do të delshin një serí njerëz, fretën shqiptarë të stereotipuem. Çdo njeri paraqet një botë të ré për t’u zbulue dhe një mbretní për ta mëkambë e për ta organizue, pa bjerrë lirinë as karakteristikat e veta veçuese.
Tue lânë mbanesh çka në jetën e Atë Antonit paraqet veprimtarinë e tij si pedagog në rrethin e ngushtë të Kolegjës françeskane apo edhe atë të drejtorit efektiv të gimnazit “Illyricum”, në të cilin drejtuer nderi kje përherë Fishta, zotsia e tij si konferencier u diftue atëherë kur në kishën e Gjuhadolit, në orë të mbrames, nisi një serí konferencash për publik të nivelit të naltë kulturuer. Po thom kështu jo pse Harapi iu drejtue ndonjë herë vetëm “élite-s”, tue lanë mbas doret masat e popullit – në fakt françeskanizmi shikon popullin në përgjithsí e jo klasët e nalta – por pse për të hî në atmosferën, e mâ mirë me thanë, në botën e arsyetimeve të tija, duhej një farë pregatitje kulturore e filozofike. Vetë terminologjia shkencore e lypte këtë gjâ. Ndoshta këto konferenca mbi argumentet mâ të koklavitunat dhe mâ aktualet e asajë kohe, (flas për vjetët 1933-34-35, kur kazani i Shqipnisë së mbyllun me kapak mbretnie po ziente me valë të mshehta mbi prushin e ndezun që vinte prej Moskës staliniane) kjenë për Harapin katedër mësimi në vend të shkollave konfesionale të mbylluna, dhe njëherit provë e kjartë e atyne konferencave që në “Vlerë Shpirtërore” të 1936 përbâjnë kryeveprën e Harapit më ketë degë. Do të duhej me u thanë shumë mbi këto konferenca, por mbi to ka shkrue me dashtëní, admirim e kompetencë që ia nderon pendën, shkrimtari i vlerët e studiuesi i prehtë Aurel Plasari në parathanje të librit në fjalë, të botuem tash vonë nga Hylli i Dritës, Tiranë, 1994.
.
At Anton Harapi (1888-1946)
At Anton Harapi (1888-1946)

Harapi regjent

Nuk âsht njeti em të gjykoj këtu “gabimin e madh” simbas anmiqve, as “heroizmin e pashoq” simbas simpatizuesëve, që e shtynë Harapin të merrte mbi vedi pa mendue gjatë një barrë kaq të randë më një kohë kaq të turbullt dhe të pasigurtë jo veç për të ardhmen e kombit, por edhe për sigurinë e kresë. Koha që do të vijë dhe historia e paanëshme, atëherë kur simpatia e antipatia, mënia e fanatizmi kanë për t’u zhdukë, ka për ta thanë fjalën e vet. Më tjetrën anë i shquemi studiues i naltpërmendun Aurel Plasari e ka vu në dukje ketë çashtje në parathanjen e veprës së Harapit posa të citueme. Kush ka parasyshë arsyet për të cilat vetë Harapi thotë se e pranoi Regjencën, mund të apë një gjykim objektiv mbi sá jemi tue çekë këtu. E di vetëm se në shpirtin e Harapit, edhe në kje se një farë ambicjoni i natyrshëm i troklloi në derë si çdo njeriu të gjallë, nuk kje ambicion ky që e shtyni të bânte një hap të të tillë. Na të rijtë, që pedagogun e vjetër e dojshim dhe e çmojshim edhe në këto rrethana, dishrojshim ta shifshim mâ të madh si frat se sa si regjent. Atë Antoni na thonte: me i hikë përgjegjësisë për me pështue jetën s’âsht nderë as e trimní. Aq mâ pak âsht nderë për një françeskan shqiptár i cilli gjithmonë jetoi për popull dhe për popull derdhi gjakun.
Duhet të bie në ketë rasë dy takime, mâ fort private se sa publike, me regjentin kambëzdathë, takime të cillat, mbas mendimit tem, karakterizojnë gjendjen shpirtnore të tij, atëherë kur bota e shihte të madh.
Unë isha në atë kohë, nëndrejtuer i kolegjës të kandidatëve për françeskanë. Banojshim në rrugë të Karl Topisë, aty ku tesh për tesh âsht Dega e Punëve të Brendëshme. Dikur në këtë ndërtesë, pasuní e argjipeshkvisë së Shkodrës, pat kenë spitali i qytetit, shi ai spital ku në vjetin 1926 kje i shtruem Atë Antoni, aso kohe i burgosun prej Zogut.
Ketë shtëpí bashkë me kopësht e me oborre që e rrethojshin, Harapi e pat blé në vjetën 1928 prej Imzot Lazër Mjedës e pat shndërrue në një lokal ideal për né të rijtë. E prejsé ndërtesa vetë e kolegja françeskane Atë Antonin e kishte pothuej themelues të dytë, merret vesht se emnimi i tij në mâ të naltat shkallë të Shtetit ishte nderë e lumní edhe për né.
Dáme, prandej, na, mâ të parët në Shkodër, me ia shprehë gëzimin tonë me një festë familjare. E kishim detyrë dhe Harapi pranoi me ande. Më kujtohet se në atë rasë i pregatita një fjalim të shkurtë për t’u vu në gojë të njanit prej nxanësave të vogjël tonë. Natyrisht çka mund t’i thojshin kolegjarët fratit, tashmâ të madh, ishte gëzimi që kanë fëmija kur baba i tyne bâhet i përmendun. Njëherit ishte premtimi se në rrethana të vështira të kohës, të cillat s’i hikshin as të vogjëlve, e në frigë të turbullimeve që i kërcënoheshin vendit e popullit, xhakojtë e kolegjës do të formojshin rreth trupit të Harapit, rojen personale të veshun me divizën e dashtnisë dhe të shterngueme me armët e lutjeve. S’mujshim me i dhanë tjetër ndihmë atij që për shumë vjet ishte kenë “Pater” i kolegjës e që tash ishte “Pater” i Atdheut. Regjentit frat i pelqyen jashtëzakonisht këto fjalë dhe në përgjegje pohoi – me një parandjenjë të zymtë trishtimi – se vetëm dora e Zotit mund të na pështonte prej një katastrofe, që i kërcënohej kristianizmit e kombit, Kishës e françeskanizmit në Shqipní. Ishim në grykën e humnerës prej kah pritej të dalë kulshedra e kuqe e cilla kërkonte gjak e mish njerëzish pa kursye as klyshët e vet. – Lutnju, – përfundonte frati – që Zoti të na ndihmojë tue na prî me shtyllën e rêsë së përflakun për të kalue Detin e Kuq para ushtrive të faraonit me hyll pesë cepash në ballë e helm të zi në zemër.
Mbajshim predkun e Zojës së Shkodrës në katedrale të qytetit.
Ishin të pranishëm, posë argjipeshkvit metropolit, Imzot Thaçit, ndër të tjerë edhe regjenti i rí Harapi, famullitari i atëhershëm, e kardinali i soçëm Koliqi. Dom Ndré Zadêja dhe të tjerë e të tjerë prej autoriteteve civile e fetare. Kje kremtimi i fundit në lirí të plotë të fesë e të fjalës.
Më kujtohet se paraqita Zojën porsi Mbrojsen e qytetit dhe iu luta asaj të na mësonte si Nanë e Këshillit të Mirë dhe të na ndihmonte të ndiqshim porosinë e sajë në të parën mrekullí të Birit të vet Hyjnuer në Kanë të Galilesë: “Bâni çka t’ju thotë ky”. E ky, – shtojshem, – na thotë të ndalojmë vëllavrasën, të paqtojmë zemrat, të koordinojmë fuqitë, të shuejmë mënitë hakmarrjet, të punojmë për një ideal që na bashkon e nuk na dánë, që na vëllaznon e nuk na anmiqëson. Me kalue prej gjendjes anomale e cila randon frymën e lirisë më një gjendje anarkie apo, çka âsht mâ zí, në diktaturë që ta merr frymën, nuk âsht përmirësim as pështim.
Sigurisht gjendja shpirtënore e né të gjithve në ato rrethana pasigurije e frige, mâ fort se fjalët e mija, bânë që analiza e çekun prej mejet të pranohej e të pëlqehej prej shumicës së ndigjuesave. E dij se Harapi më thirri anesh e jo veç se u përgëzue, por edhe më zemroi të vazhdojshëm në ketë drejtim, për të dhanë kontributin tim për atë qëllim për të cilin ai si regjent po vênte jetën në rrezik. Ky isht këshilli i fundit, të cilin unë e merrshem prej edukatorit të rinisë.
1 Ky tekst që po botojmë asht pjesë nga parathanja e “Valë mbi Valë”, Romë 1995.
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.