back to top
14.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Çfarë e pengoi pendimin e persekutorëve të regjimit komunist? – nga Agim Baçi

Gazeta

Agim Baçi
Agim Baçi

Çfarë e pengoi pendimin e persekutorëve të regjimit komunist?

nga Agim Baçi

…23 Gushti është vetëm një ditë që na bashkon ndërkombëtarisht për të përkujtuar atë dramë çnjerëzore që kaluan një pjesë e botës nën diktaturat komuniste, e sidomos atë çmenduri që kaluan bashkëqytetarët tanë, gjyshërit dhe prindërit tanë.
Fatkeqësisht është një datë që duhet të ndjehemi të turpëruar për pafuqinë tonë për t’i thënë të vërtetat për të shkuarën.
Rezoluta nr. 11, e kaluar më 2 prill 2009, nga Parlamenti Europian kërkonte nga Kuvendi i Shqipërisë që miratonte një rezolutë ku të saktësohej se “Regjimi totalitar komunist i Enver Hoxhës dhe klikës së tij, që qeverisi Shqipërinë pas Luftës së Dytë Botërore, deri në vitin 1990, u karakterizua nga dhunimi masiv i të drejtave të njeriut, vrasjet dhe ekzekutimet individuale dhe kolektive, me dhe pa gjyq, vdekjet në kampet e përqendrimit, vdekjet nga uria, torturat, dëbimet, puna skllavëruese, terrori fizik dhe psikologjik, gjenocidi për shkak të origjinës politike apo trashëgimisë së pronës, si dhe dhunime të lirisë së ndërgjegjes, mendimit, shprehjes, lirisë së shtypit, lirisë së besimit fetar dhe lirisë së pluralizmit politik”.
Po pse rezultoi kaq e vështirë që shoqëria shqiptare nuk mundi t’ia përcaktonte qartësisht natyrën kriminale diktaturës dhe të mos kalojë as nga rruga e pendesës dhe as e faljes?
“Më e vështira për t’u mposhtuar është ndjenja e fajësisë”, shprehet nobelisti polak Çesllav Millosh në librin e tij “Mendja e robëruar”, ku ka përshkruar përfshirjen edhe të vetvetes dhe shumë të njohurve të tij në rrugëtimin e një diktature. Millosh, shpjegon në librin e tij se çështja e pranimit apo mospranimit të fajësisë është vendimtare në mënyrën se si shoqëria do ndërtojë marrëdhënie me të Vërtetën. Por, pse ngurruan në zbardhjen e së vërtetës ata që morën pjesë në krim apo që aprovuan krimet për bashkëqytetarët e tyre vetëm e vetëm se nuk mendonin si ata, apo se kishin fatin e keq që të ishin pjesë e makinerisë që duhet të prodhonte armikun? Nuk mundet të kemi një përgjigje të lehtë, pasi nëse do të numëronim pengesat, padyshim që një nga më të mëdhatë do të ishte mënyra se si ishin rritur ata që bënin krimet, ku edukimi ishte vetëm ai me një drejtim, atë të “njeriut të ri”, që ishte një njeri që nuk besonte në asgjë të shenjtë, nuk besonte në përcaktimin e së mirës dhe së keqes sipas së shenjtës. Për shumicën prej tyre, të vërtetat dhe gënjeshtrat, të mirën dhe të keqen, për gati 50 vite e kishte përcaktuar vetëm veç partia. Kjo ishte edhe pengesa reale që njerëzit të shkonin drejt pendesës, pasi një akt i tillë kërkonte nga persekutori që të kishe dijeni për Të Shenjtën, nga ku burojnë edhe pjesa më e madhe e kuptimeve dhe qëndrimeve morale. Duke mos patur një lidhje të tillë, aftësia për të shkuar drejt kërkimit të faljes ishte një ëndërr e kotë.
.
Krimet e komunizmit me pak shifra
Krimet e komunizmit me pak shifra
Vende të tjera që kishin përvojën e totalitarizmit dhe krimeve të ngjashme si në Shqipëri patën kurajën morale, por edhe pjekurinë politike, që të gjenin rrugët e publikimit të krimeve dhe ndalimit të glorifikimit të së shkuarës. Në Gjermani, në pjesën lindore, ku komunizmi ra në vitin 1989, ishin priftërinjtë që luajtën një rol kyç në pajtimin e shoqërisë. Edhe në Poloni, marrëdhënia me besimin, që ishte ende e fortë, ishte një nga shtysat e pajtimit, duke kaluar përmes pendesës dhe faljes. Papa Vojtila, një ish prift disident polak që në atë kohë ishte në krye të Vatikanit, kishte qenë një nga frymëzuesit e kësaj beteje, deri në rrëzimin e regjimeve totalitare jo vetëm në vendlindjen e tij por në mbarë Europën. Madje, edhe në Afrikën e Jugut, pas një Aperteidi të tmerrshëm, u ngrit Komisioni i Të Vërtetës dhe Faljes, që bëri të mundur mbledhjen e mijëra rrëfimeve nga fajtorët e vrasjeve, por edhe të kërkimit të faljes ndaj atyre që ishin ndëshkuar me të padrejtë.
Por në Shqipëri, rruga e pendimit dhe faljes nuk mundi dot ta gjente udhën. “Njeriu i Ri”, portreti më i madh i denatyrimit që la si trashëgimi ai sistem, që vinte nga një ateizëm i thellë, nuk arriti dot kurrë të shkonte drejt pendesës, sepse për shumicën e tyre, ishte më e fortë bindja se kishin vepruar në të mirë të vendit. Ndaj dhe në mënyrë perverse, shumica e tyre justifikohet me shprehjen “zbatuam ligjet e kohës, ashtu ishte koha”!
E Mira dhe e Keqja ishte për ta një gjë që diktohej nga sistemi i asaj kohe, e jo nga Krijuesi. Njerëzit që mundën të kërkonin ndjesë ishin me gishtat e dorës dhe nuk u bënë kurrë një shtysë që edhe të tjerë të ndërmerrnin një hap të tillë, duke lënë në fuqi kulturën e mosndëshkueshmërisë dhe pafuqisë për të kërkuar falje. “Inshallah e kuptoni një ditë se ç’keni bërë!”, iu drejtua Uran Kostreci një prej ish-hetuesve që justifikohej për atë kohë se ja kishte ditur vlerat. (Intervistë e dhënë në Opinion, 14 nëntor 2018). Por thirrjet e Kostrecit dhe shokëve të tij, që i mbijetuan dhunës çnjerëzore dhe fyerjes së përditshme, duket se shkuan në vesh të shurdhër. Dhe sot, për turpin tonë, ne jemi ndër vendet e vetme që nuk mundëm të kalonim dot në shtegun e së vërtetës.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.