back to top
12.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Buzqeshja parrënueme e Laura Keçit… – Lamtumira të miqve dhe dashamirve të saj

Gazeta

Laura Keqi  (1957-2020)
Laura Keqi (1957-2020)

Buzqeshja parrënueme e Laura Keçit…

Lamtumira të miqve dhe dashamirve të saj

.
Kur sëmundja vjen fundi e don t’ju marrë!
Çfarë mendoni për të.
Cila asht pjesa më e dhimbshme?
Fjalët e fundit publike të Laura Keçit, 25 prill 2020
***
Laura Keçi në Shkodër, Artur Kice në Lushnje,
Gjergj Hani në Durrës dhe qindra adoleshentë në gjithë Shqipërinë
u përballën si burra me makinën e diktaturës,
me hetuesite me gjyqet dhe burgjet dhe qëndruan si heronj!
Lavdia qoftë me ta dhe pse dhunuesit e tyre, sot janë në Parlament!
Kjo është dëshmia më e lartë e demokracisë shqiptare... jozef radi
.
Laura Keçi - nuk ia vrane dot buzqeshjen
Laura Keçi – nuk ia vrane dot buzqeshjen
Leandër Prifti
Sot në qiell engjëve ju bashkua një ëngjëll i bukur, një malsore e vërtet, një antikomuniste e lindur që burgu i Hoxhës ja lartësoi vlerat.
E dashur Laura,
ti e ndave lajmin e sëmundjes tënde me shumë pak njerëz dhe unë isha nga ata fatkeqë që jetova me ankthin e sëmundjes tënde për më shumë se një vit dhe kurajoja jote e një shkodraneje të papmoshtur më mbushte edhe mua me optimizëm. Ti Lali u rrite nga dy prindër të mrekullueshëm dhe trima teze Valentina dhe xhaxhi Gjeto e bashkë me ty edhe dy engjëjt e tjere vllaznit e tu Leoni dhe Leksi. Nuk besoj se ka sot në Shkodër apo në Shqipëri një familje më të vuajtur dhe më të persekutuar se familja e Gjeto Keçit luftëtarit të lavdishëm të luftës së Spanjës dhe malsorit anti-komunist që ja plasi Enver Hoxhës gjithçka në sy!
Por ti Lali nise rrugëtimin tënd në anën tjetër e sigurt se do mbahesh mënd gjatë në memorien e shkodranëve dhe gjithë shqiptarëve. Shkodranët do të kujtojnë gjithmonë si “Viola e bokor e Shkodrs?” Historia si gjimnazisten trime që mbajti fjalimin kundra Enver Hoxhës para shkollës dhe me urrejtje theu para të gjithëve portretin e tij, unë si teze Lalin që e doja dhe më donte shumë
.
Gjet Vocaj
Laurën e pata nxanëse, por më shumë e njoha si bashkëvuajtëse. Pa dyshim vdekja e sajë e parakohëshme ka shkaktuar dhimbje jo vetëm për mua, po edhe për të gjithë ata që e kanë njohur nga afër.
Ajo nuk iku pa lënë gjurmë, siç ndodh rëndomtë. Laura do mbetet si një ikonë e mirësisë, krenarisë edhe e kurajos qytetare. Ajo, ndryshe nga shumica e viktimave të diktaturës, kishte deklaruar haptas në gjyq dhe në hetuesi se ishte kundër diktaturës komuniste. Vepra e sajë që në rini, për të shpërndarë trakte kundër PPSH, nuk duhet harruar kurrë. Laura Keçi ishte një Zhandarkë e qytetit të Shkodrës, me pak ndryshim me atë të Parisit.
Lamtumirë Laura, e paç të lehtë dheun dhe dritë t’u bëftë shpirti përjetësisht!
.
Pjerin Ndreka
Lamtumirë e mira, e bukura, e dashtuna, trimnesha Laura Keçi.
Ti për mue je kenë shembulli i vajzës shqiptare! At’herë kur shumë “trima” s’guxuen me iu kundërvu dhunës shtetnore, ti pate guximin me e pshty në surrat.
U bane burim frymzimi edhe për ne, që të ndigjoshim në birucat e Degës në Shkodër. Shumë prej nesh u dashunuen jo vetëm me bukurinë tande të rrallë, me rininë tande të pastër, po edhe me guximin e vendosmëninë tande. Ty s’të mposhti diktatura, por smundja e tmerrshme të mori atë që ti e deshte aq shumë, jetën. Kjosh mirë e paç dritë në Parriz shoqe e ambël.
 
Leonardo Voci
Një zonjë e nderuar, dhe shumë e bukur, një krijesë fjalambël, e dashur dhe e buzëqeshur. Më ka arrdhë disa herë në ekspozitat e mia dhe më dhuronte shumë mirësi e kënaqsi prania e saj. Vuajtjet e saj nuk i tregonte kurrë as fytyra e as shpirti saj. Pushoftë në paqe.
.
Klaudia Gargjola Shllaku
Ishim gjimnaziste bashkë me Laurën… E kam ndjekë edhe mbas daljes nga burgu! Nji vajzë e bukur dhe me shum botë për atë
kohë, që e dallonte nga moshataret e saja… Kafshatë e madhe për hienat komuniste që si bisha të tërbume ia vranë rininë e brishtë…
Pushojsh në paqe mike e mirë!
.
Laura Keçi në rininë e hershme
Laura Keçi në rininë e hershme
Jozef Radi
Oh sa më trishtoi, e sa dhimbje me dha lajmi ikjes tande Laura… Historinë e tande e njoh qysh n’ato kohna kur guximi yt kapercente qiejt, e vinte deri në bangat e shkollës… Vitet e fundit kë qenë ndër miket e mia virtuale ma të dashtuna. S’kishte ditë mos të shkëmbenim, përshëndetje kangë, urime, po edhe atë vuejtje tande që e përtype njashtu në heshtje…
Nuk do ta harroj kurrë mbramjen e 9 prillit “Më mërzitën lajmërimet depresse. Pse më duhet t’i kaloj… tana? Ah kjo kohë e trishtë Zhoze! Mbas Sandrinës time, që na la në ma të mirën moshë. Po edhe unë mbas tyne…!”
Me përshëndete për të fundmen herë me 25 prill… si lamtumirë dhe shkove Laurë!
Zoti të pastë n’parajsë, mbasi për ferrin ta dha pa kursim kjo jetë…
.
Shkëlqim Abazi
I kam njohur Gjeton, Leonin dhe Laurën, për të cilët ruaj kujtimet më të mira prej njerëzish fisnikë, por nuk dua ta besoj se kjo që po lexoj është e vërtetë!
Laura e bukur dhe hyjnore nuk mund të vdesë, ajo mund të iki dhe të na presë në parajsë, me atë buzagazin e saj të pandashëm. Lamtumirë Laura!
.
Emma Maka
Pastë dritë! Nuk mundem me e harru ditën e gjyqit të saj. Nji 16 vjeçe e lidhun ndër pranga, ishte mosha e jonë, e shkreta Laura, të paktën ta gezonte edhe pak jetën.
Pushofsh në paqe!
 
Marie Ndoja Marjana
Po m’vjen taman keq. Me Lauren kena kenë në njejtin vit po në klasa paralele, në Jordan Misja. E kujtoj si sot tanë ngjarjen e saj. Nji mbramje rinije në 1973, prej katit të dytë u hodh nji bangë. Të nesërmen sigurimi i shtetit mori në pyetje nxanset që ishin pro regjimit, ato që ishin me “pozitë” rinijet. Ma vonë e morëm vesh prej gjyqit që na at mramje Laura kishte hedhe trakte kundër regjimit. Ishte e bukur në pamje dhe e shpirt.
Pushosh në paqe Laura!
 
Gjyljana Agostini
Sa keq po m’vjen për Laurën, sa e pa drejtë ka kenë jeta me të e krejt familjen e saj! Ja kanë nxi jetën, qysh fëmijë, me atë inteligjencë, kulturë e bukuri t’rrallë!
Zoti ja dhashtë dritën e Parrizit!
 
Ferdinand Vushaj
Sot u nda nga jeta mikja ime e mirë e cila në moshën 16 vjeçe tronditi sistemin komunist! Kur e kanë nxjerrë në gjyq ishte ba Shkodra shtet-rrethim!
Do më mungosh shumë mike!
.
Laura Keçi
Laura Keçi
Betty Plepci
Ndoshta ishte hera e parë në jetë tande që nuk e mbajte premtimin Laura e dashur… Një premtim që më dhe në këte moment që bamë këte foto te thjeshte, por që mbart mjaft kujtime te bukura… Do vazhdonim bisedën aty ku e lamë sepse koha tuj ndejtë me ty iku menjeherë.
Ti ishe një simbol e femnës shkodrane që sfidove ujërit e kuq me forcë dhe pa ty trembë syni… Ai shpirti yt i bukur nuk i thye asnjiherë edhe pse kaloj shumë pabesi, i përballoj zhgënjimin në një moshë fare të re… Ishte ai shpirt i bukur dhe i lirë që të dha forcë…!!
Kishe shumë gjëra të bukura akoma për të shijue… o mbase trupi yt i lodhur donte të pushonte në paqe…në mëshirën e zotit që ti s’e tradhëtove asnjëherë…
Me krenarin time personale që të kisha mike shumë të mirë… Pushofsh në paqe simbol i gruas shkodrane…
 
Zyhra Tukiçi Kraja
Ajo ishte gruaja dhe vajza e hekurt e Shkodrës. E kam dëgju me veshët e mi, në Gjykatën e Shkodrës kur u dënue i jati sajë, për agjitacion e propogandë, ky Laura ju tha prokurërave: Ju jeni këlysha të Enverit! pa iu dridhë qerpiku.
Paste dritë e diell shpirti sajë!
 
Nexhi Hasani
Këto ngjarje të lemeritshme, vetëm njerëz që janë lindur nga djalli, mund t’i bëjnë. Kafshë. M’u duk sikur, vrasja e Jezu Krishtit. O Perëndi! Ngushëllime për zonjën Laura, që ngeli deri në fund të kësaj jete, ajo vajza 16 vjeçare, me mendje të hapur dhe shumë e informuar.
.
Zef Nacaj
Vdekja e saj u shpejtue si pasojë e ndalimit të shërbimeve tjera qysh se doli coronavirusi.
Kohet e fundit nuk na ka shkru dhe ajo paska pasë ditet e fundit të jetës së sajë.
Shpirti i saje pushofte ne paqe.
 
Lekë Pepaj
Nuk mund të gjenden fjalë me ju thanë ç’ka meriton ai regjim gjakatar dhe hienat që i shërbyen me e mbajtë në kambë për 50 vjet!
Luanesha Laura Keçi ishe aq e re dhe me shumë andrra në horizont kur bishat e egra të sigurimit kriminal të morën nga bankat e “Gjimnazit” Jordan Misja (ky Jordani nji ish terrorist komunist) dhe të plasën në qelitë e burgjeve enveriste ku e priste nji ferr i vertetë!
Shpirti i pushoftë në paqe mes ëngjejsh!
 
Tasim Mlloja
Laura Keçi, gjimnazistja që tronditi Shkodrën nga salla e gjyqit, do mbetet në kujtesën tonë për trimninë dhe guximin kundra diktaturës komuniste…
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.