back to top
12.5 C
Tirana
E hënë, 29 Prill, 2024

Bibloteka e Vatrës u pastrue – tash mbetet vetëm me dëshmue se ku shkuen librat që flinin në dysheme…?! – Shkrime, shënime e opinione mbas fotove që botoi “Dielli” dhe Mirela Grishaj…

Gazeta

Biblioteka e Vatres - foto 7 shtator 2023
Biblioteka e Vatres – foto 7 shtator 2023

Në qershorin e sivjetëm, pata rast ta vizitoja bibliotekën e Vatrës, në kërkim të do materialeve që për mue ishin mjaft të nevojshme… Për keqardhjen jo vetëm timen, biblioteka e Vatrës ishte në gjendje te mjerueshme e katastrofike, e mbasi fola i shqetësuem me ata që ma dhanë çilsin e saj, u shpjegova se s’mund ta pranoja at gjendje, dhe se do të reagoja dashamirësisht… Shkrimin e bana po atë ditë, e për korrektesë profesionale ua nisa drejtuesve të Diellit, me shpresë përmirësimin e shpëtimin e saj… gja të cilën ata e shpërndanë me shpejtësi të rrufeshme, si t’ishte hjedhë ndonji bombë!
Mbas ma shumë se tre muajsh, pashë se sheshi i bibliotës së Vatrës ishte pastrue e la bukur, e kjo më gëzoj sinqerisht, pse jam autor librash e përkthimesh pafund, jam autor shkrimesh dhe drejtues i nji portali ndër ma cilësorët e ma të vizituemit, pse dashninë për libra e biblioteka e kam të thellë mbrenda vetes e të trashëgueme, e do t’isha i pandërgjegje mos me reague për çka më shqetësoi. U shkrova: nëse e paraqitnin të sistemimuem at bibliotekë, shkrimin s’e botoja… pse doja me kenë sërish vizitor dhe i abonuem i asaj biblioteke. Kur kjo nuk ndodhi e paraqita shkrimin në fjalë (mbas nji mueji)…
Sqaroj se, librat që i pata kërkue dikur te biblioteka e Vatrës, i gjeta ma mbas ndër miq bibliofilë, që ma dhuruan kët koleksion, e që po au paraqes atyne që s’dinë as se ka bjen me shpì kjo punë…
Prandaj i banë bashkë këto shkrime ku nji dozë fyemje dhe nji dozë respekti për kontributin tim, ndaj e quej të panevojshme me u marrë me do buratinë të superpërdorun, me do rrenacakë euforikë, të dalun pa leje prej Përrallës së Borëbardhës me shtatë sejmenët e saj hokatarë e të kandshëm, sepse në fund të fundit ma së paktu ajo çka un kisha dashtë, asht realizue, pra pastrimi dhe lamja e saj e dyshemes, tash mbetet me na kallzue se ku kanë shkue thasët dhe kutitë me libra dhe me na diftue edhe online katalogun e krejt librave që ka Biblioteka e Vatrës, pse dëshira ime me e shfrytëzue at Bibliotekë, mbasi asht pastrue ende s’ka fillue…
Shkrimet e paraqituna janë integrale, vetëm me korigjimin e tekstit për çka shkruesit besoj të jenë mirnjoftës. Falenderoj krejt ata dashamirë që e kanë vlerësue e kuptue si duhet shqetësimin tim…
jozef radi, 10 shtator 2023 

Shejzat e Koliqit - koleksion
Shejzat e Koliqit – koleksion
Mirënjohje për studiuesit, Ilir Cubin dhe ekipin e tij të përkushtuar
nga Alfons Grishaj

Në emrin tim personal dhe të Federatës Vatra, dua t’i shpreh mirënjohjen anëtarit të kryesisë së Vatrës z. Ilir Cubit, djalit Noah dhe ekipit të tij të punës që përmbyllën me sukses rikonstruksionin e Bibliotekës së Vatrës. Një punë e mundimshme dhe delikate. Projekti i nisur që në muajin shkurt, për shkak të kompleksitetit të ndërhyrjes dhe avarive të njëpasnjëshme, projekti i ndarë në disa faza veprimi, në bashkëpunim me studiuesit Elez Osmani, Paulin Marku dhe Editorit të Diellit u arrit sistemimi përfundimtar i të gjithë librave, ndarja sipas kategorive, ruajtja e ekzemplarëve sipas rregullit të Bibliotekave dhe organizimi e paketimi i kopjeve të shumta në skedar më vete.
Vatra i është mirënjohës të gjithë kontributorëve të mësipërm që punuan me përkushtim të veçantë dhe neveritet prej atyre që shajnë Vatrën, Diellin, Bibliotekën, drejtuesit dhe patriotët që angazhohen e veprimtarët që sakrifikojnë.
Prej javësh një i pandërgjegjshëm hyri në Bibliotekë me gjasmë për të kërkuar Shejzat e Koliqit, një besëprerë me mision, shkrepi disa fotografi gjatë kohës që bëheshin punime, i shiti si zbulim Kolombistik dhe ushqeu klubin e “sharësve dhe përçarësve” me material të neveritshëm. Prej kohësh klubi i rrugës që veç shan e mallkon, pa integritet dhe moral, shpifjen, deformimin dhe mashtrimin e kanë kryefjalë. Koha do i gjykojë, Vatra do ecë vetëm përpara. Vatra është e shenjtë.

Kozeta Zylo
Të organizosh bibliotekën e Nolit e të Konicës që ka brenda saj gjithë Vatrën e shenjtë, nuk është një punë e lehtë sa hap e mbyll sytë, por është kolosale dhe do vullnetarizëm, durim dhe dashuri… Po, po, dashuri! se vetëm ajo është katalizatori që të çon përpara dhe plot kulturë. Urrejtja, mosmirënjohja dhe përdorimi i Vatrës si pronë personale dhe për përfitime nuk kanë vend në atë bibliotekë ku Burrat e Kombit kanë vënë vulën shqiptare.
Ju faleminderit z. Grishaj për informacionin dhe vërtetë m’u ngazëllye shpirti kur pashë në foto gati librat e shenjtë…
Ju faleminderit studjuesit Ilir Cubi, birit të një vatrani të devotshëm dhe atdhetar i flaktë Marjan Cubit, Elez Osmani, Paulin Marku dhe Editorit të Diellit Sokol Paja, për këtë dhuratë në fillim të vitit të ri shkollor, anë e mbanë botës shqiptare dhe amerikane. Dhuratë e çmuar, se librat e Nolit, Konicës dhe Vatranëve janë të florinjta për Kombin!
Faleminderit Dr. Berisha dhe ekipit tuaj të Kryesisë për mbështetjen dhe frymëzimin që i keni dhënë projektit për ta realizuar!!

Marre nga Muri i FB Mirela Grishaj & Dielli on Line, 9 shtator 2023

Biblioteka e Vatrës, 2 qershor 2023
Biblioteka e Vatrës, 2 qershor 2023
“Vatra dhe sfida e ruajtjes se trashëgimise kulturore”
Apel drejtuar Alfons Grishajt për gjendjen e Bibliotekës Vatrane

z.Alfons Grishaj,
E dini se çfare me kujton veprimi i djeshëm? Jua them unë… njësoj si Silloja kur i turrte qenërit për të nxjerrë derrat nga lluca!
Të nderuar vatranë,
dje u pa qartazi se në Vatër kanë ardhur ushtarët e Alfons Grishaj, që me një të rame të fyellit u turrën për të pastruar bibliotekën. Dakort, dhe një BRAVO!
Pyetja është, çfarë ndodhi me librat në tokë dhe ato në thasë? Si ka mundësi që librat në rafte janë po të njejtat, e nuk ka lëvizë asgjë. Fotot janë e vërteta. Pa ta pyesim vatranin “Kush do qoft ai” bravo për punën e mirë. Por përpara se ta dekorojmë, duhet ta pyesim se ku shkuan librat dhe dokumentat që ishin nëpër thasë?
Tani pyetja i drejtohet Alfons Grishajt, kur ishte hera e fundit që ti je futur në bibliotekën e Vatrës? Z. Grishaj, nëse ti apo shokët që të ndjekin do të kishit sadopak keqardhje dhe interes për biblotekën, ajo nuk do të ishte katandisur në atë gjendje të mjerueshme. Lavdërimet nuk bëhen me dekorata apo emërime sipas oreksit tënd. Ta them këtë sepse vetëm diktatorët dekoronin dhe emëronin njerëz, “si puppets”!
Po ta donit librin ju…! Libri kurrë nuk do të ishte hedhur si leckë përdhe apo në thasë plehrash…
Eshtë faji juaj dhe i askujt tjetër që kemi mbetur me një bibliotekë kaq të shkatërruar.
Trashëgimia kulturore është e çmuar dhe e pazëvendësueshme për vatranët. Biblioteka është një thesar që duhet ruajtur me kujdes dhe jo të lihet skutave.
Ju bëj thirrje të mos përpiqeni të manipuloni, sepse fotografia nuk manipulohet!
Eshtë koha për të qenë të sinqertë dhe të pranoni përgjegjësinë për situatën aktuale.
Vatra ka nevojë për udhëheqës të përkushtuar dhe të besueshëm që t’i japin rëndësi trashëgimisë sonë kulturore dhe vatranëve dhe jo bravave.
Ne besojmë tek vatranët të cilët janë të gatshëm të bashkëpunojnë për të rikthyer Vatrën në gjendjen e saj të mëparshme pa sigurimsa!
Faleminderit për kohën tuaj dhe përgjigjen tuaj të mirëpritur.
Me respekt, Kryetari i VMB  – Agustin Mirakaj

Biblioteka e Vatres - foto 7 shtator 2023
Biblioteka e Vatres – foto 7 shtator 2023

Valentin Lumaj
Jam kurioz të shoh një foto nga banjoja, sepse dëgjova se është mbushur banjoja me librat që ishin përtokë. Nuk ka mundësi që t’i kene hedhur në garbage. Uroj të mos jetë e vërtetë!
Mbaj mend vidhnin lopë të mëdhaja nga ferma dhe i ndërronin në viça të ligësht për të plotësuar numrin.
Uroj që kjo të mos ndodhë me librat e poetëve dhe shkrimtarëve të mëdhenj shqiptarë.
E them këtë pasi studiuesi Radi tha që Shejzat e Koliqit dhe Koha jonë e Lec Shllakut nuk i gjeti në Bibliotekë.
Përveç Ilirit që e përgëzoj që ka kryer punën e Ilmi Berishës, përse persona të tjerë gjoja studiues, që “ju ka rënë rruga vonë kah “Vatra” të kenë akses të plotë dhe pa kontroll, dhe të merren në riorganizimin e Bibliotekës kur Vatra ka intelektuale dhe shkrimtarë që kanë kontribuar në Vater në dekada.
Dukshem kryesia e Vatrës është tkurrur dhe braktisur nga intelektualët, dhe gjendja e Bibliotekës e dëshmon këtë më së miri.

Marjana Zeneli Bulku
Reflektimi për librin na bën më njerëzor, më të ndjeshëm. Librat nëpër thasë më trishtojnë shumë, shumë. Dikur në bibliotekën e Peshkopisë iu drejtova thasëve me libra edhe pse kolegët më thonin janë për karton. Aty gjeta libra të fëmijërisë, të Naum Priftit, i merrja dhe i sistemoja duke ia rikthyer fondit të librave për fëmijë; ndërtuam pavionin e antikuareve, sigurisht duke i kërkuar ndihmë dashamirësve që ia njihnin çdo cep bibliotekës. Biblioteka është fondi që i përbashkon njerëzit, kur aty prekin vullnete dashamirëse që Vatrës nuk i kanë munguar. Edhe në këtë rast fotografuesi ka pasur mision gjallërimin e bibliotekës.
E falenderoj edhe një herë Jozef Radin që na i drejtoi sytë tek e shkuara jonë mbi libra.

Merita McCormack
Nëse kjo që ke shkruar Agustin e ka një bazë, e nëse librat janë në banjë siç thotë Valentini, kjo do na trishtonte pa masë e pa kufi. Le të shpresojmë se nuk është e vërtetë! Ne të gjithë e duam e duhet ta duam librin e të mirëkujdesemi për të.

Klarenc Novaku
Bravo që e paskan rregulluar, një gjë është e sigurt, ato libra nuk vidhen, pasi “ata që lexojnë nuk vjedhin dhe ata që vjedhin nuk lexojnë!”

Pandeli Bezhani
Si ka mundësi të silleni kështu me librat e bibliotekës Vatra?
Është e papranueshme që biblioteka të ketë këtë pamje dhe është krim të “pastroni” në këtë mënyrë vlerat…
Turp për ju që drejtoni!
Që nga Shqipëria ju shikonim me admirim, por këto që po shikojmë, vetëm Sigurimi i Shtetit e bëri tek ne…

Tomorr Gjuta
Komunistat, i vjedhin librat për t’i djegur!

Marre nga Muri i FB Vatra Manhattan Branch, 9 shtator 2023

Biblioteka e Vatrës, 2 qershor 2023
Biblioteka e Vatrës, 2 qershor 2023
Z. Grishaj falenderon ekipin që pastroj dyshemenë e bibliotekës në Vatër
nga Lek Mirakaj

Z .Grishaj falenderon ekipin që pastroj dyshemenë e bibliotekës në Vatër. Edhe ne falenderojmë djalin e Marjan Cubit, për gadishmërinë për t’i dhanë një ndihmë atyre që e lanë bibliotekën e Vatrës në gjendjen e mjerueshme që e dokumentoi me keqardhje studjuesi z. Jozef Radi dhe vatrani i nderuem z. Idriz Lamaj. Ajo që nuk është e pranueshme dhe tepër e ulët është përpjekja që nëpërmjet fyerjeve, që duhet të jenë të papranueshme në fjalorin e Vatrës, të fyej dhe të etikoj me epitete rrugësh njerëz që duhen falenderuar, se pa ndërhyrjen e tyre dashamirëse akoma sot do i kishim librat e bibliotekës në dysheme dhe në nevojtoren e Vatrës.
Biblioteka e Vatrës është pasuri kombëtare dhe është plotësisht i kuptueshëm shqetësimi i z. Radi si shkrimtar dhe studiues e veçanërisht i z. Lamaj që ka një meritë të jashtëzakonëshme në pasurimin e bibliotekës me librat e tij studimorë dhe historikë.
Z. Grishaj me qëne se ka një periudhë të tejzgjatur që nuk e ka parë selinë e Vatrës dhe nuk e ka vizitue bibliotekën, as para shkrimit të z. Radi as tashti mbas punës që meriton falenderim të z. Cubi, do ishte e ndershme t’i kërkonte të falur zotërinjve që ngritën shqetësimin për gjendjen e mjerueshme ku ishte katandisë biblioteka dhe t’i kërkoj të falur të gjithë vatranëve për disinformim dhe gjuhën e përdorur.

Valentin Lumaj
Reagim i saktë! I nderuar Lekë, Biblioteka e Vatres kërkon vemendje dhe drejtim pra nje drejtor e ka merak dhe që të kujdeset për të. Z. Idriz Lamaj, mendoj se do të ishte shumë i dobishëm dhe i merituar të emerohej drejtor i Bibliotekës. Sigurisht ky propozim duhet të bëhet në mënyrë zyrtare.
Z. Grishaj shkruan se Ilir Cubi është anëtar i Kryesisë. Kjo është hera e parë që e dëgjoj, po ashtu besoj edhe ju. Vlen për t’u përgëzuar Iliri nëse rregullimin e Bibliotekës e ka bërë për bamirësi, por nëse motivacioni ka qenë anëtarësia në kryesi, atëhere kjo është diçka tjetër.
Po ashtu Iliri mund të na thotë më shumë info se çfarë është bërë me librat që ishin në thasë dhe përtoke, si është bërë sistemimi etj.
E falenderoj Ilirin për mirëkuptimin dhe sqarimet e mundëshme!

Marre nga Muri i FB Lek Mirakaj9 shtator 2023

Biblioteka e Vatres - foto 2 qershor 2023
Biblioteka e Vatres – foto 2 qershor 2023
Dy gozhdë drejtuesve të Vatrës për fotot e Nolit dhe Ismail Qemalit
Reflektim mbi Bibliotekën e Vatrës nga Valentin Lumaj

Mbas postimit të të fotove të gjendjes së mjerueshme të Bibliotekës së Vatrës nga studiuesi Jozef Radi dhe ripostimi i tyre nga dega e Vatrës Manhatann, dëgjova që një aksion 3 orësh “me goditje të përqëndruar” kishte ndodhur pardje, dhe rezultati ishte shkrimi dhe disa foto në gazetën Dielli nga nënkryetari i të Vatrës, Grishaj (shih linkun me poshtë). Me këtë rast, vlen të përgëzohet z. Ilir Cubi që pastroi bibliotekën, që në fakt bëri atë që kryetari i Vatrës duhej të bënte me kohë.

Por unë dua të ndalem tek disa momente që më tërhoqën vemendjen nga shkrimi i z. Grishaj në gazetën Dielli.

1.Nënkryetari e fillon me, “Në emrin tim personal dhe në emër të Vatrës”, pra ai flet me gjuhën e kryetarit të Vatrës, dhe pa asnjë dyshim ai është kryetari de-facto i Vatrës. Prandaj, unë mendoj se si arritjet, dhe sidomos dështimet duhet që t’i atribuohen atij.

2.Në shkrim autori shkruan se “…në bashkëpunim me studiuesin Elez Osmani, Paulin Marku dhe editorit të Diellit, u arrit sistemimi përfundimtar i të gjithë librave, ndarja sipas kategorive…”
Nga kuriozi për të eksploruar rregullimin e librave sipas kategorive, i bëra një zmadhim të shpejtë fotove që autori paraqiti me shkrimin. Ajo çfarë duket, është krejt e ndryshme me çfarë reklamohet në shkrim. Siç e shihni vetë në foton më poshtë, librat e rreshtuar pranë njëri-tjetrit i përkasin kategorive krejt pa lidhje me njëra tjetrën:
a.Histori, [Edit Durham, High Albania]
b.Terapia Natyrale, [The natural Physicians healing Therapy]
c.Erotizmi, [In The Ring],
d.Biznesi, [What they don’t teach you at Harward Bussiness School]
e.Filozofia, [Young Neitzsche] etj.
Fotot flasin vetë, ato nuk gënjejnë, atëherë kush gënjen?!
Pra lajmi bombastik për një punë voluminoze disa mujore, që në shkurt, sikurse shkruhet, është një “flluskë sapuni”. Gjendja në rafte duket e njëjtë, vetëm se librat dhe thasët e zinj me libra thjesht janë hequr nga dyshemeja. Përderisa nuk ka pasur sistemim sipas kategorive dhe gjendja në rafte duket e pandryshueshme, vatranët pyesin se ku kanë përfunduar librat? Dëgjojmë gjithfarë hamendjesh, se librat janë hedhur në kazanin e plehrave, se është mbushur një banjo me librat e autorëve shqiptarë etj. Unë uroj dhe shpresoj që të mos jetë kështu. Përgjigjen le ta japin drejtuesit e Vatrës.

3.Në fotot shoqëruese të Grishajt, duken dy fotografi të mbështetura në dysheme përtokë, njëra e themeluesit të Vatrës, Theofan Noli dhe tjetra e themeluesit të Pavarësisë, Ismail Qemali.
Të dashur drejtues të Vatrës, është dhimbje e madhe për këdo, mungesë vlerësimi, respekti dhe patriotizmi ndaj të mëdhenjve e kombit, kur shikon portretet e tyre në dyshemetë e mykta të bodrumeve. Unë e kuptoj gjendjen e vështirë financiare të Vatrës, dhe ju mirëkuptoj, prandaj në shenjë simbolike, po ju dërgoj me postë dy gozhdë, dhe mundësisht dhe sa më parë t’i përdorni për të vendosur në mur dhe sa më lart, korifejtë e Vatrës dhe të Pavarësisë. Shoh fotot më poshtë.

4.Kryetari de-facto i Vatrës, flet me një gjuhë urrejtëse dhe përçarëse ndaj vatranëve që kërkojnë ruajtjen pasurisë së Bibliotekës dhe atyre ja thonë të vërtetat në sy.
Ky fjalor anatemues që nuk i shërben askujt, është i dënueshëm edhe nga Kanunorja që vetë gjoja ata e aprovuan, e cila e ndalon botimin në Gazetën Dielli, të shkrimeve që nuk kanë etikë dhe shkaktojnë përçarje në mes vatranëve. Kjo gjuhë duhet të dënohet nga të gjithë.
Veçoj paragrafin e fundit nga shkrimi i nënkryetarit të Vatrës, Grishaj: “Prej javësh një i pa ndërgjegjshëm, hyri në Bibliotekë me gjasme për të kërkuar Shejzat e Koliqit, një besëprerë me mision, shkrepi disa fotografi gjatë kohës që bëheshin punime, i shiti si zbulim Kolombistik dhe ushqeu klubin e “sharësve dhe përçarësve” me material të neveritshëm. Prej kohësh klubi i rrugës që vec shan e mallkon, pa integritet dhe moral, shpifjen, deformimin dhe mashtrimin e kanë kryefjalë”.
Autori vjell vrer ndaj “besëprerit me mision” studiuesit dhe gazetarit të nderuar Jozef Radi. Një njeri normal dhe me mendje të shëndoshë dhe të hapur duhet të jetë falenderues ndaj kritikës së Jozefit, degës Manhatann dhe të gjithë të tjerëve që folën për gjendjen e Bibliotekës. E kush nuk u pezmatua nga ajo gjendje e mjerueshme që ishte dhe është Biblioteka. Por sikurse e thoshte z. Radi, “gjendja mjerueshme e Bibliotekës është fytyra e Vatrës, poshtë rrëmujë, lart, grindje, sharje e thika mbas shpine”.
Nuk është e para herë që shohim shkrime të tilla “hajvaneske” sikurse i quante gazetari Krasta, por mua më shqetëson një problem tjetër:
Anëtarë të publikut, por edhe disa vatranë, falenderuan me komente z. Cubi për bamirësinë e tij, të tjerë të gëzuar nga gjendja e re e Bibliotekës në foto, e pëlqyen duke vënë një Like në fund të shkrimit. Dëgjova se nënkryetari ishte egzaltuar nga pëlqimet që kishte marrë shkrimi, duke e përkthyer si mbështetje ndaj tij për vrerin që ai volli ndaj vatranëvë të tjerë duke i quajtur “klubi i rrugës… pa moral dhe pa integritet”.

Biblioteka e Vatres - foto 7 shtator 2023
Biblioteka e Vatres – foto 7 shtator 2023

Ky shkrim imi është edhe si reagim ndaj këtij fjalori poshtërues të nënkryetarit, pasi “në klubin e rrugës”, ku bëj pjesë edhe unë, janë vatranët më të vjetër, kontribuesit më të mëdhenj, njerëzit më me moral dhe integritet që ka Vatra, nga familjet më të mira shqiptare, nacionalistë, të mbijetuar dhe të arratisur nga komunizmi, ish të persekutuar dhe të lindur në kampet e internimit, të cilët e duan Vatrën por nuk duan e as durojnë shkelësit dhe manipuluesit në Vatër.
Prandaj të nderuar vatranë dhe anëtarë të publikut, edhe nëse mendoni ndryshe nga ne, apo ne mendojmë ndryshe nga ju, kjo është njerëzore dhe ka një bukuri më vehte. Njerëzore duhet që të jetë edhe kjo, që ju të mendoni dy herë përpara se të bëheni mëkëmbës të së keqes, përçmimit, urrejtjes dhe ofensave të kushdoqoftë kundër kujdoqoftë. Edhe një Like e vogël e juaja po shërben si “eshkë” për të ndezur zjarrin në mes vatranëve dhe dasht-pa-dasht, ju po ushqeni egon e një personi me veti narcisiste, që në shpirt ka urrejtje për ata që mendojnë ndryshe nga ai.
Ju bëj thirrje që t’i injoroni dhe t’i braktisni shkrime të tilla që cënojnë nderin dhe karakterin e të tjerëve. Nuk jemi në Vatër për t’u ofenduar e as për t’u linçuar, jemi vulnetarë dhe vullnetmirë për një qëllim të mirë.
Duhet që ta kuptoni se kryesia aktuale drejtuese e Vatrës, në vazhdim të paligjshmërisë dhe drejtimit nëpërmjet votave të manipuluara, në kushtet kur gati dy vjet mbas Kuvendit nuk ka kushtetutë apo Kanunore e as procesverbval përfundimtar të publikuar, kur Vatrës i mungon totalisht demokracia e brendshme dhe liria e shprehjes në struktura, kur në shtëpinë e Vatrës ka disa vjet që nuk bëhen mbledhje të anëtarsisë së Vatrës, kjo kryesi pa mandat, ka marrë një rrugë pa kthim, siç thotë z. Grishaj në shkrim e tij me shprehjen e huazuar nga Edi Rama “Vetëm Përpara”. Aktet e përjashtimit dhe gjuha e urrejtjes që po përdorin këta zyrtarë, kam frikë se po e çojnë Vatrën jo drejt bashkimit, por drejt një përplasje dhe ndarje funduese në mes vatranëve.
Titanic ishte një anije e madhe, më e madhja ndër të gjitha, por kapiteni nuk diti që ta ruajë, anija u përplas keq, u nda dysh dhe u fundos.
Vatranë, media dhe publik shqiptar, Mbroni Vatrën!

Marre nga Muri i FB Valentin Lumaj, 8 shtator 2023

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.