back to top
16.5 C
Tirana
E martë, 8 Tetor, 2024

Bermude të Gjirokastrës: Musine, Ismail, Enver nga Shpend Sollaku – Noé

Gazeta

Qyteti i Gjirokastres
Qyteti i Gjirokastres 

Bermude të Gjirokastrës: Musine, Ismail, Enver

nga Shpend Sollaku – Noé

Vështirë të gjendet një qytet tjetër kaq i vogël sa Gjirokastra që të ketë ndikuar aq shumë në historinë apo kulturën e një vendi.
Dikush këtë e shpjegon me përpjekjet e qytetarëve të saj për të mbijetuar në një vend të tillë të izoluar, me pak banorë, më mundësira të kufizuara për zhvillim ekonomik, ku gjithçka ishte e kursyer përveç gurit, ku duhej kursyer parimisht dhe, veç të tjerave, larg prej qendrave të rëndësishme ku vendosej edhe fati i tyre. Dikush tjetër, sidomos të kaluarën e saj, e shpjegon si një ekzaltim të qëndresës ndaj të huajt të një fortese të fundit kufitare, politike apo kulturore. Ndonjë tjetër shkon edhe më tej, duke gjetur zgjidhjen e gjithçkaje gjirokastrite në ADN-në e banorëve të saj, me arsyetimin e thjeshtëzuar: lindin të tillë, për tʼju imponuar të tjerëve.
Pavarësisht nga reflektimet, faktet thonë që janë të shumta ngjarjet e ndodhura në Gjirokastër dhe personazhet e lindur në atë qytet që janë imponuar në rang kombëtar si në histori, ashtu edhe në kulturë apo shkenca.
Por unë këtu do të merrem vetëm me tre prej tyre, që të tre në vështrim të parë shumë larg njeri-tjetrit. Por që jetët dhe veprimtaritë e tyre i kanë patur të lidhura nëpërmjet shumë fillesh, diku të nëndheshme, diku tjetër mëse të dukshme: Enver Hoxha, Ismail Kadare dhe Musine Kokalari.

Musine Kokalari (1915-1983)
Musine Kokalari (1915-1983)

Për të parin është folur shumë, për tragjeditë e krijuara prej diktaturës së tij të përgjakshme, viteve të fundit edhe për veset e tij private. Personalisht më intereson pak nëse ai ishte apo jo i denjë për Gay Pride. Raste figurash historike që kanë qenë gay, të deklaruar ose jo, janë të shumtë. Është shkruar që edhe Michelangelo, Aleksandri i Madh apo edhe të tjerë të mëdhenj të kulturës apo të historisë deri në kohën e sotme kanë qenë homo apo biseksualë. Ky fakt, për studiuesit, është krejt i parëndësishëm për tʼi vlerësuar ata si të mbetur në histori apo kulturë e arte për veprën e tyre. Edhe Enveri ka për të mbetur përgjithmonë në historinë shqiptare. Nuk fshihen me një të rënë të lapsit “pesëdhjetë vjet nga jeta e një populli”. Sa më shpejt të shihet realisht dhe me gjak të ftohtë kjo figurë makbethiane, aq më shpejt shqiptarët do të kthehen në qytetarë normalë, që gjykojnë, por nuk shajnë e mallkojnë. Por kjo nuk do të thotë të tolerohen manifestime nostalgjikësh me portretet e tij.
Nëpërmjet shumë fijesh figura e diktatorit tonë është lidhur qoftë më atë të Kadaresë, qoftë me atë të Musine Kokalarit. Lidhjet ndërmjet kësaj tresheje kanë qenë dhe mbeten kaq të rrezikshme për ne që pëpiqemi tʼi interpretojmë, saqë ndodhemi shpesh në gjendjen e një piloti mu në mes të Trekëndëshit të Bermudeve, duke rrezikuar seriozosht rënien në pikiatë apo zhdukjen pa lënë gjurmë. Aq shumë intriga në mes këtyre të treve, aq urrejtje, aq hakmarrje, aq kryeneçësi për tʼi rezistuar tiranit, aq egërsi për të errësuar tjetrin deri në eliminim.
Midis dy të parëve, Hoxhës dhe Kadaresë, më shumë se një raport dashuri-urrejtje, ka qenë një mbështetje e njëri-tjetrit, siç duhet të bëjnë dy gjirokastritë model; herë për konveniencë prej të të dyve, herë për nënshtrim total të të dytit ndaj të parit, herë për imponim me anë të frikës të të parit me të dytin; një kombinim i përsosur i kulaçit me kërbaçin, ose: më shumë kulaç sesa kërbaç. Nga ky fakt Kadareja ka qenë gjithmonë i ndier herë si më i përkëdheluri i regjimit, herë më i kërcënuari… kur fama apo veprat e tij rrezikonin të tejkalonin ato të diktatorit. Sidoqoftë që të dy e shfrytëzonin njeri-tjetrin deri në palcë: Hoxha – Kadarenë për tʼu përjetësuar në letërsi, ndërsa shkrimtari për të patur liri veprimi në shkrimet e tij, liri deri në masën që nuk duhej të minonte autoritetin e diktatorit.

Ismail Kadare në shtëpinë e Enver Hoxhës (1971)
Ismail Kadare në shtëpinë e Enver Hoxhës (1971)

Tjetër gjë ka qenë raporti i Enverit me Musinenë. Njiheshin që në rini. Në një nga botimet e fundit për Musinenë, lihet të kuptohet që Hoxhët kishin kërkuar që të fejonin Musinenë me Enverin, gjë që paskërka qenë kundërshtuar nga Kokalarët. Kjo i paskërka dhënë shkas edhe ndjenjës së vazhdueshme hakmarrëse të Hoxhës në periudhën e mëpastajme. Ky detaj mund të ishte një gjetje e mirë për një telenovelë, por kundërshtohet me vendosmëri nga pasardhësit e vajzës Kokalari. Nuk mund të jetë e vërtetë, pasi Musineja ishte mjaft e vogël kur Enveri kish kohën e fejesës.
Xhelozia e diktatorit ndaj saj duhet parë së pari në prizmin politik.
Hoxhët dhe Kokalarët ishin farefis, dhe kjo nuk ka qenë ndonjëherë një sekret. Hoxha pra i ka pasë njohur mirë ata, por jo vetëm prej lidhjes fisnore. Gjirokastra ishte shumë e vogël. Intelektualët e saj numëroheshin me gishta. Ata banonin në një lagje. Ishin nga familjet më të vjetra të qytetit. Me vëllain e Musinesë, Hamitin, Enveri kish bërë shkollën që nga klasa e parë e deri në mbarimin e shkollës së mesme. Madje që të dyve u doli njëkohësisht bursa dhe njëkohësisht u nisën të studiojnë jashtë. Dy vëllezër të Musinësë kanë qenë profesorë të Enverit në liceun francez të Gjirokastrës. Enveri, për mënyrën e të sjellurit dhe për lidhjen e mëvonshme me komunistët, është parë, jo vetëm nga Kokalarët, por edhe vetë nga familja e tij, si një renegat dhe si i padenjë. Jo rastësisht diktatori ose e përmend pak, ose e injoron fare të atin në kujtimet e tij, duke marrë si përfaqësues të denjë të familjes xhaxhain, Hysenin. Inatet ndaj familjes së tij, por sidomos ndaj Kokalarëve, do të trasformoheshin shpejt në hakmarrje, veçanërisht ndaj Kokalarëve, që u kushtoi këtyre të fundit disa dënime me vdekje e mjaft vite internimi. Pa dyshim krijesa më e dhimbshme në kuadrin e kësaj hakmarrjeje të përbindshme ishte Musineja. Së pari, sepse ishte një intelektuale e fortë dhe e përgatitur; së dyti, dhe sidomos, si kundërtshtare politike. E reja Kokalari kish guxuar të themelonte një parti politike, atë Socialdemokrate, taman në kohën kur pluralizmi politik ishte sanksionuar si një herezi. Goditja u fundit e hakmarrjes së diktatorit ndaj saj mori shkas sidomos nga qëndrimi në gjyq i Musinesë. Kur të tjerë ishin dridhur në seancat penale të diktaturës, kishin kërkuar mëshirë, kishin qarë dhe ishin deklaruar të penduar, duke pranuar edhe dënimin me vdekje ndërsa thonin «Rroftë Partia», ajo kish qëndruar e pathyer, kish vazhduar tʼi sfidonte edhe para trupit gjykues, pa u lëkundur as edhe një grimë nga idealet e lirisë që mbronte prej kohësh. Këtë gjë Hoxha nuk kish për tʼia falur kurrë sa qe gjallë.

Muzeu Kadare (në ndërtim)
Muzeu Kadare (në ndërtim)

Musineja, nga ana e saj, e ka injoruar diktatorin, pothuaj në të gjitha kujtimet e lëna me shkrim, përveç ndonje ironie të hollë, të cilës i nënkptohej qartë adresa.
Po Kadareja në çʼraport ka qenë me Musinenë? Në të gjitha veprat e tij me temë Gjirokastrën, ai është përpjekur vazhdimisht të errësojë apo të denigrojë gjithçka që ka të bëjë me Kokalarët apo kushërinjtë e miqtë e tyre. Tek “Kronikë në Gur”, për shembull, dihet sesi e përshkruan Aqif Kashahun, nip i Kokalarëve. Po ashtu, sipas Kokalarëve, mendohet të jetë Musineja modeli i personazhes së vajzës së shkolluar që sʼbënte gjë tjetër veç dilte nëpër dritare.
Jashtë kontekstit të këtij romani, Enveri kish njohur Myfitin, vëllain e Aqif Kashahut, me të cilin kish qenë bashkëstudent. Enveri i ka pasë shprehur dëshirën Myfitit që ta martonte me njërën nga motrat e tij, por vëllai i Aqifit nuk kish pranuar. Shumë në Gjirokastër e komentojnë një përshkrim të tillë të Kashahut nga Kadareja, si një haraç të paguar diktatorit, ndaj atij mbiemri që dikur atë e kish “përçmuar”. Kusuri është vetëm heshtje. Asnjë koment i Kadaresë, as edhe prej dy rreshtash, për librat e botuar nga Musineja, as edhe për faktin sesi ajo ka qenë si një zë i veçantë në enciklpedinë francese Larousse, në vitet 1945-1950.

Sokaku i të Marrëve Gjirokastër)
Sokaku i të Marrëve (Gjirokastër)

I tillë ka qenë edhe qëndrimi i Musine Kokalarit ndaj Ismail Kadaresë, të paktën me shkrim, të paktën për aq sa kam mundur të lexoj prej kësaj autoreje: heshtje e plotë.
Deri tani kemi folur për mite: Miti i diktatorit që ende duhet zbërthyer siç duhet; miti i Kadaresë në të cilin ka meritë ai vetë por edhe diktatori që e lançoi: miti i Musinesë ku, në mënyrë paradoksale, edhe diktatori ka luajtur një rol të dorës së parë për ta bërë të pavdekshme, pikërisht duke e persekutuar.
Si paraqitet sot raporti në mes të këtyre tre miteve të Gjirokastrës?
Ai i diktatorit vazhdon të jetojë tek nostalgjikët. Dje ishte kryesori. Pas tij vinte sigurisht Kadareja. Musineja ishte fare e panjohur për turmat kombëtare.
Në një kohë të dytë (vitet ʼ90) ndodhi parakalimi i Ismailit në dëm të Enverit. Ai ka patur edhe propozime që nuk i ka pranuar, për tʼu bërë President i Shqipërisë. Musineja, ndërkaq, sapo kish nisur të nxirrte kokën, si një manushaqe e brishtë, poshtë një shkëmbi, pas një dimri të zgjatur e të akullt.
Mitet vlejnë për turmat. Atyre nuk u intereson as të njohin në thellësi veprën dhe moralin e Enverit. As të lexojnë librat e Ismailit. As të thellohen e të njohin më tepër një vullkan të nënujshëm si Musineja. Turmat dijnë të bëjnë vetëm dy gjëra: ose të adhurojnë, ose të urrejnë. Është detyrë e studiuesve të vërtetë dhe, sidomos e shtetit, ta ndajë mitin e tyre nga realieti.
Çʼqëndrim ka mbajtur shteti shqiptar ndaj këtyre tre miteve, të këqinj, të dyshimtë apo të kristaltë qofshin?

Kulla e Kokalareve (para djegies)
Kulla e Kokalareve (para djegies)

Rreth Enver Hoxhës janë bërë shumë botime, përgjithësisht denigruese, përgjithësisht nga privatët. Shteti shqiptar nuk e ka cilësuar kurrë ligjërisht apo formalisht atë si një diktator. Në Shqipëri janë lejuar manifestime të nostalgjikëve, gjë që nuk ndodh në Itali apo në Gjermani, ku janë ndaluar me ligj grumbullime që himnizojnë Musolinin apo Hitlerin. Kushtetuta shqiptare nuk shprehet qartë për këtë problem. Sikur të mos mjaftonin këto, ditët e fundit janë dekoruar edhe eksponentë të ish-diktaturës, diçka e palejueshme kjo për një qeveri që pretendon të jetë europeiste. Është rindërtuar prej kohësh shtëpia e djegur e Enverit, në lagjen Palorto, në trajtën e Muzeut Etnografik. Atje gjenden edhe pak objekte të familjes Hoxha, pa dicitura, si dhe një bust i anesë, nënës së Enverit, i mbuluar nga pluhuri, i fshehur në një kthinë, pas një dere të vjetër, me kurriz të kthyer hyrjes, që unë e hapa rastësisht, për të parë se ku të shpinte. Gjatë vizitës tonë të fundit në atë muze, kushërinjtë e Hoxhës që banojnë aty pranë na thanë, edhe pa i pyetur: Enverin këtu e kanë akoma frikë, dhe prej nesh trëmben!
Edhe shtëpisë së Kadaresë, në skaj të Sokakut të të Marrëve, i ka pasë rënë zjarri. Por me të shteti është duke u marrë seriozisht. Edhe pse në mënyrë të ngadalshme, nuk kanë munguar fondet dhe atje punohet për të ndërtuar një fortesë që do të jetë Muzeu Kadare. Brenda saj pashë një skuadër muratorësh, por edhe modifikime që prishnin traditën gjirokastrite. Nga këto lloj modifikimesh jashtë tradite të ndërtesave dhe rrugicave vuante në përgjithësi e gjithë zona historike e Gjirokastrës, për të mos përmendur ato të braktisurat në degradim.
Shtëpia ku lindi Musine Kokalari, ndërkaq, nuk ka parë as edhe një qindarkë ndihme nga shteti apo nga fondacionet e kamufluara “joshtetërore”. Rekuperimi i saj ka qenë vetëm vepër e përkushtimit të mbesës së Musinesë, Arjeta, dhe të të shoqit Yzeir Ceka. Ata, me sforcimin e tyre, arritën sa ta sjellin atë Muze deri në fazën e fundit, atë të mbushjes me materialet e duhura, të kataloguara me kujdes që më parë. Por, mesa duket, zjarri në Gjrokastër do të vazhdojë të jetë protagonist.

Kulla e Kokalarëve në flakë (21 Nentor 2014)
Kulla e Kokalarëve në flakë (21 Nentor 2014)

Një ditë të premte, më 21 nëntor 2014, rreth orës njëzetë të mbrëmjes, ai do të bënte shkrumb, në pak minuta, gjithçka që qe ndërtuar e rekuperuar në Muzeun Kokalari. Prej tij tani kanë mbetur vetëm ngrehinat e mureve. Një humbje e madhe kjo jo vetëm për Kokalarët, por edhe për të gjithë të interesuarit e tjerë. Ngushëllimi i vetëm është që janë shpëtuar të gjitha materialet arkivore. Vetëm me forcat e Arjetës dhe Yzeirit, ai Muze nuk mund të rindërtohet. Bashkia e Gjirokastrës vazhdon të jetë indiferente, Tirana gjithashtu. Për një vlerë të tillë kombëtare, të gjithë ne dashamirësit do të japim ndihmesën tonë. Por, sado që të bëjnë privatët, roli i shtetit shqiptar këtu është i pazëvendësueshëm. Në kthimin të prekshëm për të gjithë, të mitit të kristaltë, që shkon drejt superimit të Kadaresë e Hoxhës; Musine Kokalarit…
22 dhjetor 2014

Related Images:

More articles

3 KOMENTET

  1. Meqë shkrimi kishte si koncept “Trekëndëshin e Bermudeve” ku kanë ndodhur shumë tragjedi të mjeteve lundruese, fakt është se Musineja ende mbetet nji anije që nuk ka dalë në dritë me përmasat e saj që ka dhe që meriton. Pra në nji kuptim pak alegorik, Ajo është ende nji anije e mbuluar nga ujrat… Pastrimi i shpirtërave, simbas meje, do të ndodhë kur Kulla e Musinesë të meritojë shkëlqimin e së parës Grua Shkrimtare shqiptare, e së Parës Grua që desh ta vinte politikën në shërbim të njerëzve, dhe së parës intelektuale që përballe gjyqit të bishave qëndroi shumë më lart se shumë prej burrave të këtij vendi…
    Kaq është vetëm pak për Musinenë…!

  2. Arjeta Kokalari Unë nuk mendoj se anija e Musinesë është mbytur. Përkundrazi mendoj se është në pozicion të sigurt, por të lartë, të paarritshëm nga bashkëkohësit e saj. Ndoshta s’jemi ende gati për ta pranuar. Më parë duhet të pastrojmë shpirtrat tanë.

  3. Para më shumë se nji viti, miku im i vjetër Shpend Sollaku – Noe, kishte paraqitur këtë shkrim… Ajo çka atëhere më trishtonte më fort ishte ideja e Trekëndeshit të Bermudës…
    Në reflektime të herëpashershme përpiqem t’i jap të drejtë Shpendit… Problemi është pse Anija e Musinesë gjithnji mbytet!?!?

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.