back to top
22.5 C
Tirana
E enjte, 13 Qershor, 2024

Bedra Kaba: Rrëfej jetën time… dhe tuajën (pjesa e II)

Gazeta

Bedra Kaba
Bedra Kaba

Bedra Kaba:

Rrëfej jetën time… dhe tuajën (pjesa e II)

27 korrik 2013
Shtator 1977… jam në vitin e tretë të Gjimnazit… dhe do të nisemi nga Dibra për aksion njëmujor në Buqezë të Pogradecit. Rruga ishte e largët… dhe diku vonë në mbrëmje arrijmë në një fshat buzë liqenit, ku ngrihshin ca kapanone për aksionistët. Të nesërmen e arritjes, i shkruaj babait që jetonte në Savër, se jam në aksion në Pogradec… Nuk vonon shumë dhe më vjen letër prej tij… Bedra, nga fshati Memlisht i Pogradecit ka ndenjur tek në shtëpinë tonë në kohën e luftës nji M.C., nëse mundesh shko ta takosh!!Ditët i kaloja në aksion në atë hekurudhë ta famshme që kalonte nga Prrenjasi në Gur të Kuq… po në mendje më rrinte se si ta gjeja kët fshat dhe kët person që më shkruante babai. Ishte një e dielë dhe kishim pushim… I them shoqeve a shkojmë në Pogradec se ku mund të na bierë rasti të vijmë ndonjëherë. Dhe ashtu gjithë qejf nisemi në këmbë me mendje se Pogradeci ishte diku afër… Ecnim dhe pyesnim në të gjitha fshatrat që kalonim, për at emër që babai më shkruante se: “është në një fshat pa vajtur në Pogradec…!” Mbasi ecëm vërtet shumë, mbrrijmë te ky fshat dhe pyes te dyqani i fshatit për atë familje… më thonë që është ajo diku pak më lart të një kodër. I lë shoqet poshtë dhe vetë bashkë me njërën prej shoqeve nisem për të shtëpia… Kur mbrrij te dera takoj një plakë shumë të vjetër… I prezantohem duke i thënë se kush jam… Ndërkohë që ne flasim i vjen vëllaj i A.C. E takoj me përzëmërsi dhe i them jam vajza e bija e M.K. nga Dibra… në kohën e luftës vëllai juaj ka ndenjtur në familjen tonë, unë jam në aksion në Buqëz, dhe babai me ka porositur të vi t’ju kërkoja dhe t’ju sjell të falat e tij. Atij iu bë qejfi shumë dhe ngeli paksa i habitur, na ftoi brenda, por unë i thashë se jam edhe me disa shoqe që i kemi lënë poshtë. Vetëm desha t’ju shoh dhe të plotësoj porosinë e babit tim… I takova, u përshëndeta dhe ika. Pastaj me shoqet dolëm nëpër qytet dhe në mbrëmje mezi gjetëm një makinë që u kthyem, se në këmbë ishte një aventurë që s’mund të bëhej më… Një ditë duke punuar në trase, shoh se vjen ai burri A.C. që kisha takuar kur shkova në shtëpinë e tij. Ai kishte ecur më këmbë nëpër tërë trasenë duke kërkuar aksionistët e Gjimnazit të Dibres dhe vjen e na gjen. Takon prefesorin dhe i tregon për ngjarjen dhe i thotë kam ardhur ta marr një natë at vajzën që të takojë vëllanë tim sepse e ka adresuar i jati. Profesori habitet prej kësaj ngjarjeje dhe i thotë mirë, pastaj më thërret edhe mua ta takoj personin që kishte ardhur të me merrte. Profesori më thotë: “E njeh ti Bedra kët?” “Po – i them – e takova të dielën!” “Mirë – më thotë… – ky ka ardhur të të marrë sot, ti çdo të bësh?” “Po mirë – i them – po shkoj…!” Mbasi nisem me të, ai ndalet dhe më thotë a ke ndonjë shoqe të ngushtë këtu, o ndonjë të afërm…?” “Po. – i them – kam një kushërirë.” “Atëhere – më thotë ai – po e marrim edhe atë.” U kthyem prap… dhe ai flet me profesorin… “A mundesh të na e japësh edhe kushërirën e saj që të mos ndjehet vetëm, mbasi mendohet pak profesori, “Po… merre dhe atë…” U nisëm të tre drejt e të shtëpia e tij në Memlisht. Kur vajtëm atje më bëri përshtypje ngrohtësia dhe mikpritja e atyre njerëzve bujarë. Personi që më kishte shkruar babai s’i mbante lotët dhe përsëriste si ka mundësi të vijë e të më gjejë e mbesa e R. K.? Kaluam një darkte mrekullueshme në familjen e tyre. I shkrova babait dhe i tregova hollësisht për të gjitha këto… Kur kthehem në Dibër mbasi mbaruam aksionin i tregoj edhe xhaxhait historinë se si shkova dhe e gjeta familjen e M.C… që ata e kishin mbajtur për gati tre muaj në kohën e luftës me Serbinë. Xhaxhai s’mundi t’i mbante lotët… U ndje tepër i gëzuar dhe s’dinte si t’ma shprehte mirënjohjen… Edhe sot më kujtohet… Kush i vinte ato ditë në shtëpi, ai nuk rreshtte së treguari at histori miqsie me njeriun nga Pogradeci…

Banjo e dikurshme...
Banjot e dikurshme…

26 korrik, 2013
Fillova të shkruaj pothuaj përditë këtu në fb… direkt pa shkruajtur më parë diku. Ashtu siç e kam jetuar dhe përjetuar atë të djeshme apo kët të sotme… pa ndonjë qëllim… thjesht ta shkruaj të vërtetën si e kam parë dhe si e kam ndjerë unë. E vërtetë është se bëra shumë miq të cilët filluan t’i pëlqenin ato shkrimet e mis modeste. Një ditë një mikë me shkruante “Vazhdo të shkruash… unë ndjehem shumë mirë kur të lexoj!” Ajo jetonte me familje në Zvicër, dhe herë mbas here më shkruante mesazhe dhe më jepte kurajo të shkruaja në faqen time… bile shpesh më bënte edhe komente interesante në ato që publikoja… “E lexova pa frymë shkrimin tënd Bedra, – thoshte ajo… pastaj vazhdonte – do të kisha qejf të gjeja një njeri e t’i redaktonte dhe t’i botonte, sepse vërtet ato shkrime vlejnë… pse tregojnë një jetë që vuajtëm në kurriz dhe nuk duhet të humbasë kjo e vërtetë…!” Pothuaj gati pesë vite që komunikoj me të dhe me një energji të paparë e ndjej që mundohet të më inkurajojë që unë të vazhdoj shkrimet e mia… Në përvjetorin e ditlindjes sime… dikush më shkruan nji mesazh dhe më uron… ishte vëllai i shoqës sime të fëminisë… jemi rritur bashkë në at Savrën tonë, tashmë të famshme… Ndër të tjera… mbas urimit ai më shkruante… “I lexoj shkrimet e tua… Kam kohë që u kërkoj edhe të tjerëve që të shkruajnë për atë kohë… ti po e bën me dëshirën tënde…” Për çudi pashë se të gjitha shënimet e mia ishin redaktuar prej tij. Për një çast habitem dhe mrekullohem nga ajo punë që kishte bërë Ai, për redaktimin e shkrimeve të mia. Të them të drejtën, kjo më nxiti të shkruaj gati për ditë… për një kohë që unë kurrsesi s’do të doja as të fshihet e as te mohohet. Kaluan ditë dhe unë vashdova të shkruaj, kur një ditë miku im, Jozefi më shkruan dhe më thotë: “Bedra, kam ndërmend që shkrimet e tua t’i fus te një hapsirë që e kam krijuar për këdo që mundet dhe dshiron të shkruaj sidomos për atë kohë që e jetuam ne!” Mbeta pak e befasuar… vërtet ai do t’i jepte një hapsirë të tillë shkrimeve të mia!? Ndoshta një ëndërr e fjetur po më realizohej dhe kush më mirë se ai njeri që e kishte jetuar at kohë më të keqe komunizmi mund ta bënte. Dhe vërtet ai arriti të realizojë at ëndrrën time… duke folur për mua, për familjen time, dhe i kishte mbledhur dhe redaktuar me kujdes gjithë shkrimet e mia në sitin e tij www.radiandradi.com. Falemnderit Jozef Radi, zoti të bekoftë ty dhe familjen tënde. Falemnderit edhe ti Valbona Çollaku, inkurajuesja e parë e shkrimeve të mia… Falemnderit edhe ju të gjithë miqtë e mi të fb që me komentet dhe me pëlqimet e tuaja më bëtë të ndjehem mirë dhe të vazhdoj të shkruaj pa shumë pretendime për vete dhe njëherësh për Ju. Le të mbetet së paku në “Rrëfimet e mia ajo kohë… jo fort e largët… dhe e pakthyeshme për askënd…

24 korrik, 2013
Nëna ime ishte nji grua e zakonshme po me vullnet të hekurt, nji grusht njeri po ta shihje e të flisje me të, po me nji shpirt të pastër e të dhimbshëm… qe e bente madhështore… të paktën para syve të mi… Ajo ishte fëmijë në kohën e Zogut, vajzë gjatë kohës së pushtimit, dy herë grua gjatë periudhës së komunizmit, dhe shumë herë gjyshe gjatë asaj periudhe të quajtur diktaturë dhe kësj të ashtuquajtur demokraci deri ditën që ndrroi jetë… Ajo grua shtatvogël, pati forcën e një burri, delikatesën e një nëne dhe shpirtin e një shenjtoreje, mbase dhe ajo ishte si gjithë nënat e kësaj bote., me nji ndryshim fare të vogël… ishte nëna ime… E lindur në një fshat jo shumë larg Peshkopisë, i rrethuar me kodrina të vogla dhe ajo luginë e butë ku aty afër kalonte qetsisht përroi i Gjelgjoshit dhe Drini madhështor… po që shpesh dimrit shfaqej i rrëmbyer dhe i frikshëm… Qysh në moshë tre vjeçare e fejojnë me një djalë nga nji familje e dëgjuar dhe me zë në rrethin e Dibrës. Duke u rritur mëson se ai djali që vinte nga shkolla dhe pushonte pak te shtëpia e saj duke lozur, do të ishte “burri i saj i ardhshëm!”. Në moshën 13 vjeçe, e martojnë me kët djalë, i cili mbasi mbaron shkollën e Kastriotit, nis karrierë dhe bëhet “dikushi” në Dibër. Nëna ime qe një shtëpiake, e pashkollë dhe ishte i shoqi ai që i mësoi asaj shkrim dhe këndim. Tashmë ajo jetonte në kullat e fshatit të burrit, që pothuaj i ndërtoi vetë, duke shkuar në Lumin Drin me kalë, e duke ngarkuar rërë dhe gurë për at shtëpi në qytetin e Peshkopisë, mbasi i shoqi ishte i organizuar në jetën partiake. Vitet kalojnë dhe ajo nuk e kuptonte pse nuk po lindte fëmijë… shkon disa herë në Tiranë për vizitë, dhe te fundmen herë një doktoreshë ruse mbasi e viziton i thotë… “Zonjë ju mund të bëni fëmijë… ndoshta është burri juaj që s’bën… ndaj ai duhet të kontrollohet!” Kur kthehet në shtëpi, i tregon burrit të saj ç’i kishte thënë doktori, por ai nuk pranoi të vizitohet, edhe pse jetonte prej gati 13 vitesh me të… Një ditë ai e çon te prindët e saj për të ndenjtur pak ditë… ditët kalojnë dhe ai s’duket gjekundi për ta marrë… Mbas dy javësh kujtohet dhe vjen të shtëpia e saj, por nëna ime nuk pranoi më të kthehej e të jetonte me të. Aty i thotë: “Përderisa s’mund të bësh fëmijë me mua, dhe s’pranon të vizitohesh, më mirë merr një grua tjetër… Pa kaluar shumë kohë, një ditë i vjen fletthirrja e gjyqit për ndarje, ku ishte caktuar edhe dita e gjyqit. Krejt e qetë për vendimin që kishte marrë, e thërrasin edhe në Komitet të Partisë, ku ajo njihte shumë prej tyre sepse ishin shokët e burrit të saj. Sekretari i Partisë e pyet se: “çfarë ankese kishte ajo për burrin?”, dhe ajo i thotë se “Po ndahemi për mungesë fëmijësh, dhe se s’ka pse të merret ndonjë masë ndaj tij për kët gjë…!” Në ditën e gjyqit ajo shkoi vetëm pa asnjë njeri, ndërsa i shoqi… me dhjetë dëshmitarë!!! Gjykatsja e pyet “Përse doni të ndaheni zonjë?” dhe nëna i thotë se: “Po ndahemi se mbas 13 viteve martesë nuk mund të bëjmë fëmijë kjo është arsyja…. dhe midis burrit dhe gruas s’ka nevojë për dëshmitarë… edhe unë mund të bija gjithë fshatin, por kjo nuk na e zgjidh problemin… Ajo e mbyll gjyqin për ndarje menjëherë. Një burrë që rastis në gjyqin e saj, shkon dhe i tregon babait tim, që kishte mbetur i ve nga vdekja e gruas, se një grua e vetme kishte bërë divorcin në gjykatë thjesht pse nuk kishte pasur fëmijë me burrin… “Ndoshta ajo që nuk lindka fëmijë… do t’i mbajë fëmijët e tu?!” Babai im ishte prej një fshati shumë afër Peshkopisë, edhe ai i vendosur mbi një kodrinë prej të cilit shihej pothuaj krejt rrethi i Dibrës. Atij s’kish shumë që i kish vdekur e shoqja dhe i kishte lënë, tre djem dhe nji vajzë të vogël afër dy vjeçe. Nji ditë ai vendos dhe shkon vetë te shtëpia e nënës dhe i kërkon dorën e saj. Në at kohë babai, i thotë gjyshit babait të nënës) se pa bisedu me vajzën unë nuk e martohem me të, dhe kështu u takua me nënën. I thotë: “Unë jam… M. K. nga filan fshat, kam mbetur i ve me katër fëmijë dhe me dy vëllezër të martuar që jetojmë bashkë… plus kësaj në shtëpinë tonë s’ka natë që mos t’na vijnë katër-pesë miq!! Ti i thotë ai “Je mësue veç me vjerrë dhe me burrë!!”. Atëhere nëna i kërkon kohë të mendohet që t’i kthejë përgjigje… Kaluan do ditë… dhe një ditë kur ajo po kthehej me gratë e fshatit nga llixhat ku kishte qënë… babai duke zbritur nga fshati i vet i thërret dhe e ndalon. “Hë – i thote – si e ke vendosë?” dhe ajo i përgjigjet: “Po, mund të vish kur të duash të ndash ditën…!” Kështu ajo martohet me babanë dhe jetuan në at shtëpinë dykatshe, me njerëz shumë e me mjaft pasuri ku ajo i shërben burrit dhe fëmijëve të tij, por gjithmonë me shpirt lutej të bënte një fëmijë vetëm ta shihte që vërtet ajo fjala e doktorit ishte e saktë. Pa kaluar shumë, gruaja mbetet vërtet shtatzanë dhe lind një vajzë shumë të bukur… por tepër të prapë… tregon nëna… Në atë kohë bie sëmundja e fruthit dhe vajza bëhet keq, në kët kohë sëmuret edhe vajza e burrit dhe ajo i bën shërbim edhe asaj më tepër se vajzës së vet. Kërkojnë një doktor, pasi vajza e vet vazhdoi të sëmurej, por sa ai futet në oborr vajza e saj vdes. Por nëna nuk u mërzit “Vetë ia kërkova Zotit, se isha më e lumtur të shihja se kishte shpëtuar vajza e burrit…! Kështu vazhdoi të jetojë në at familje të madhe, ku rrethohej me dashuri dhe respekt nga të gjithë… “Punët – thoshte nëna – i kishim të ndara… Ishim tre kunata dhe burrat punonin tokat e tyre, kurse unë u çoja bukën, ndërsa ata hanin unë merrja kazmën dhe punoja. Kjo gjë u pëlqeu burrave… dhe kur u shkonin dy gratë e tjera, burrat u thanë se duhej të punoni dhe ju si nëna ime… Atë ditë ato i thanë: “Po ç’na bëre, pse pak i kemi punet tona!” Jeta vazhdonte dhe nëna ngelet prap shtatzanë dhe lind jo nji po tre vajza të tjera… Vitet iknin dhe fëmijët e burit po rriteshin…. Derisa një ditë të bukur… nji prej djemeve të burrit të saj arratiset… dhe kështu ajo… kësaj rradhe ndrron shtëpinë e tretë… Duke provuar kalvarin e vuajtjeve në kampet e internimit… fillimisht në Thanë e më pas në Savër… ku jeta tregohet mjaft e ashpër dhe e pamëshirshme për të… Tani ajo jeton në një dhomë të vetme me një dritare pa derë dhe përmes ca shkallëve që kish bërë babai të gjithë hynim e dilnim nga dritarja. Mbas tre vajzave u lind një djalë që i vënë emrin Korab… të jetonte sa ai mali i vendlindjes së tyre. Gëzohen të gjithë që mbas tri vajzave u erdhi ai djalë, por gëzimi nuk zgjati shumë, sepse ndërkohë që babai ndodhej në Dibër, u vdes djali dy muajsh dhe varroset në Lushnje, pa praninë e tij… Komshitë e saj, të internuar si ajo e vënë arkivolin mbas në biçiklete dhe bashkë me të shkojnë dhe e varrosin… Jeta në Savër do të ishte tepër e vështirë për të… Fëmijët e burrit u martuan njëri pas tjetrit dhe jetonin me gratë e tyre. Babai me nënën dhe tre vajzat, edhe pse punonin mezi e përballonin jetën. Nëna mbetet përsëri shtatzanë dhe lind djalë aty te ajo dhomë e vogël dhe pa dritë. Mbas shumë vitesh na dhanë edhe një dhomë tjetër, ndërsa ne rriteshim aty mes barakave… me dashuri dhe me urrejtjen e shtetit dhe atyre që quheshin “të lirë!!” Viti 1991, e gjeti nënën time me tri vajza të martura me burrin e vdekur… duke jetuar si pensioniste me djalin e vetëm të saj në ato barakat e kampit që po braktiseshin bashkë me frymën e lirisë. Kohët po ndryshonin, njerzit po ndërtonin shtëpi, të tjerë merrnin shtepi nga shteti, por ajo s’u ankua… “Eh, moj bijë -më thoshte – isha në vila dhe s’i gëzova dot, kështu ka qenë shkrue jeta ime… Nuk pati kurrë xhelozi kur për askënd, i deshi dhe i bekoi fëmijët e burrit të saj sa qe gjallë… po edhe ata e deshën dhe e respektuan shumë. Vdiq ashtu grua e thjeshtë dhe e paepur prej vuajtjesh, me at buzqeshjen e mirsisë në buzë, dhe at fjalën e mirë… atje në ato barakat e tmerrit… U varros në Lushnje, e jo në Dibër si burri i saj, ndoshta donte të ishte pranë djalit të saj Korabit… që i kujtonte dhimbjen që mori dhe dashurinë e madhe… që i dha kësaj bote…

Shënim… Ju falenderoj që më lexuat sot… më duket sikur u bëra pak e besdisur me historitë dhe dhimbjet e mia… por prap thashë… sot do të shkruaj për jetën e nënës sime. Çdo njeri mund të ketë një histori, një dhimbje, një trishtim, një dashuri, një jetë që si ngjan asnjë tjetre. Ju përshëndes dhe ruaj respekt të veçantë për cilindo nga ju… megjithëse shumë prej jush s’ju kam parë kurrë… por ja na afroj me njëri tjetrin fb dhe ajo ndjesia e respektit që krijohet edhe kështu mes nesh…

Leku i periudhes 1964-1992
Leku i periudhes 1964-1992

24 korrik, 2013
Mbi supe jeta më rëndon… aq sa pesha e saj ma ngushton shpirtin. Eh… sa bëj të arrij diçka… më duket sikur dikush ma heq tullen e fundit dhe puna ime bie e gjitha me njiherë. Pyes veten: “Kur mund të ngrihet përsëri ky mur, jo për t’u ngjitur atje lart, po për të ndjerë pak më shumë ngrohtësi në shpirtin tim. Kushedi… E megjithatë… unë vazhdoj ta ngre at mur…

23 korrik, 2013
Ishte viti 1961… Im vëlla sa kishte mbaruar tetëvjeçaren, por në kooperativë nuk donte të punonte, mbasi paguhej shumë pak. Një ditë kur babai ishte në mbledhje me kryesinë e rrethit, mbasi babai ishte kryetar këshilli n’at kohë, ai futet në sallë dhe në mes të mbledhjes i kërkon kryetarit një fletë pune që të punonte në Fermë, mbasi atje paguhej diçka më mirë. Kryetari u revoltua shumë nga kjo sjellje, meqë ju ndërpre fjala… dhe i bërtet… duke i thënë: “Kush je ti që paske kaq guxim sa hyn brenda dhe më ndërpret fjalën…? ja ku po ta them se Fletëpune s’ke… dhe në kooperativë ke për të punuar gjithë jetën derisa të vdesësh atje…!!! Ai e pa me shpërfillje dhe përçmim bashkë dhe i thotë… “Do ta marrësh vesh ti , se ku do vdes unë…!” dhe iku veri. Mjaftoi kaq që ai të merrte vendimin për t’u arratisë nga Shqipëria… Po si mund të rrinte e të rropatej gjithë ditën me 30 lek për ditë pune, n’ato kooperativa që ishin krijur?! Ai djalë i ri, në kulmin e forcës dhe energjisë së vet?? Ashtu, me at inat brenda vetes, për at rregjim që s’e pëlqente, së bashku me dy djem të tjerë, që ishin mësues, nga nji fshat aty afër bëjnë nji plan të shpejtë dhe marrin arratinë për një jetë më të mirë…. por duke lënë pas shpirtin e tyre dhe duke marrë me vete vetëm nga një gur, në kujtim të vendit të tyre. Ate natë marrin malindhe arrijnë të kapërcejnë kufirin gjallë se mund t’i vrisnin si këndej edhe andej kufirit… “Sa shkelëm në tokë Jugosllave, në Dibër të Madhe, – tregon vëllai – na priti një torturë tjetër. Na futën në burg dhe gati përditë na vinin policët dhe na rrihnin duke na thënë… ‘Kush ju ka dërguar këndej? Ju jeni spiunë të Enver Hoxhës…’ dhe na rrihnin pa mëshirë… Një mëngjes tek pastroja dhomën ku rrinim, shoh një pasqyrë të vogël… e marr dhe shihem në të, isha enjtur dhe nxirë e rrahura… Atëhere vendosa me vete dhe thashë… ‘Po ndrroj mendje!!’… dhe kur vjen polici dhe fillon prap me të bërtitura e të rrahura… dhe të më thotë ‘Je spiun…’ i përgjigjem po spiun jam, por mos më rrih më. Ai më sheh me habi, atëhere unë i them po ne erdhëm të shpëtojmë nga ajo jetë, ju po na nxini më keq, këtë kërkon këtë po të them, se të pëlqen ty. Polici iku dhe nuk u duk më… Një ditë tjetër, ndërsa pastroja banjot me një kovë në dorë dal t’i hedh mbeturinat, më sheh drejtori i burgut dhe më thotë: “Nga je ti djalë i vogël…?” “Nga Dibra – i them!” “Po i kujt je ne Dibër…? i them “Jam djali i M.K.” Ai më sheh me habi dhe më thotë: “Po si ja paske humbë krejt luftën babait tënd. Të nesërmen më nxjerr nga burgu dhe jetova njëmbdhjet vjet aty në Dibër të Madhe. Vite ma vonë, prej aty shkova në Bruksel, ku u vendosa përfundimisht. Mbasi vëllai u arratis, ku nuk e kërkoi babai… në krejt farefisin tonë… por nuk e gjetëm. Në kulmin e këtij shqetësimi në familjë për humbjen e tij… mbas tre ditëve na vijnë policët e Degës së Brendshme dhe e marrin babanë me gjithë dy vëllezërit e mëdhenj. I hipin në një makinë dhe kështu familja ime bashkë me gratë e atyre mësuesve që ikën më vëllanë i përplasin në Thanë të Lushnjes… Njëri vëlla ishte në shkollë të lartë për Akademi rendi, e heqin nga shkolla dhe kështu krejt jeta jonë ndryshoi. U desh të përballemi me nji jetë tepër të vështirë në kampet e internimit të ngritura për gjithë ata që ajo kohë dhe ai regjim i quante “Armiqtë e Popullit”!

Klasa me Mesues Ali Xheken
Klasa me Mësues Ali Xhekën

22 korrik 2013
Ne ishim tre shoqe të ngushta… nga klasa e parë deri në të tetën. Na bashkonte jo vetëm të qenit e nji mosh dhe të nji klasë por edhe ajo jetesë në barakat e famshme të internimit. Kishim të njejtën vuajtje, të njejtat halle, të njejtën përbuzje shoqërore, po njikohësisht ishim edhe të respektuara sepse ne ishim tepër të sjellshme dhe të edukuara dhe mjaft mirë me mësime… Klasa e tetë dhe provimet e lirimit na bashkoi edhe më tepër të triave, mbasi unë fillova të shkoj gjithnji e më shpesh në familjet e të dy shoqeve e në veçanti të njërës, e cila ishte edhe vajza e Lazër Radit… Aty filluam të studjojmë bashkë me Adrianën, në mënyrë që të dilnim sa më mirë në provimet e atij vite përfundimtar, dhe të tria ëndërronim të bënim shkollën e mesme… Duke shkuar shpesh në atë familje, unë ndjeva ngrohtësinë, dashurinë dhe respektin e atyre njerezve. Ishin vërtet një familje për t’u marrë shembull. Kur hyja në shtëpinë e shoqes sime shifja një rregull dhe një pastërti absolute… në tërë Savrën thuhej se nuk mund t’i lani e t’i hekurosni rrobat si Vitka… ishte fjala për mamanë e shoqes time. Shpesh kur mbaronim vonë së studiuari ishte xha Lazri që më përcillte deri te shtëpia e vëllait dhe priste derisa futesha brenda. Kurrë s’mund ta harroj atë njeri tepër fisnik që me një çiltërsi dhe me një edukatë të paparë na mësojnte se si të përballeshim me kurajo me jetën jetën. Ai dinte shumë dhe falte shumë… duke lënë mbresa të veçanta tek të gjithë ne…

korrik, 2013
Ndoshta bezdiseni që më lexoni…
Po ju lexoni diçka të vërtetë të një kohe që mjaft prej nesh e kanë jetuar dhe mjaft të tjerë jo. Ndoshta bëheni kuriozë për të ditur diçka më shumë, pasi rrallë mund të thuhen gjërat ashtu siç kanë qenë në të vërtetë dhe ashtu si janë jetuar n’atë kohë, që na e kanë quajtur Komunizëm, Pushtet Popullor, Diktaturë e Proletariatit, ku me Idealet e Larta të Partisë, dhe mësimet “Dritdhënëse të Diktatorit” apo me shprehjen në “Emër të Popullit…” bëheshin krime, burgime, internime dhe shfarosje masive njerzish të pafajshëm…
Nuk ma merr mendja se njeriu mund të bezdiset kur lexon diçka të vërtetë…

22 korrik, 2013
Para ca vjetësh mbeta e shokuar, kur motra ime nga babai D.P, po më tregonte arsyen e vërtetë të vdekjes së nënës së saj…
“Nuk isha më shumë se dy vjeçe, kur nëna ime, – më tregonte ajo, – po shkonte bashkë me mua te prindët e saj… S’kishte shumë kohë që Partia i kishte pushkatuar te atin dhe s’dihej as se ku e kishin zhdukë kufomën e tij!
At natë që shkuam te shtëpia e prindërve të saj, vonë natën, erdhi dikush dhe na tregoi për vendin e saktë ku gjendej kufoma e babait të saj! Atëhere, pa humbë kohë, po at natë nëna ime, bashkë me disa familjarë të saj me një fener në dorë, mes asaj natë të errët nisen për te vendi ku i kishin udhëzuar.
Ashtu nëpër terr ata ecën përgjat një përroi dhe diku nga mesnata mbrrijnë te vendi ku u kishte thënë ai dikushi. Me mundim, ata gërmojnë dheun, heqin gurët dhe zallishtën dhe ja… papritmas i shfaqet para syve fytyra e babait të saj të vrarë. Ajo pa një tmerr të vërtetë at natë… edhe pse krejt e shokuar nga kufoma, ajo bashkë me njerzit e saj, me kurajo malsoreje e mori në duar kufomën e të jatit dhe u zhduken nëpër errësirë e asaj nate të parrëfyeshme, për ta groposur fshehtas diku tjetër kufomën e njeriut më të shtrenjtë…
Të nesërmen, nëna ime me mua dy vjeçe ndër duar, hipur në kalin e një të afërmi të saj, që i kish marrë përsipër t’i shoqëronte, po kthehej te shtëpia e burrit të saj… Në gjysëm të rrugës, ajo ndjen nji therje zemre dhe pëson nji infrakt të zemrës, duke vdekur me mua ndër duar… Atëherë, njeriu i saj që e shoqëronte e ktheu te shtëpia e prindve të saj (ku nëna me burrë vrarë, me vajzë të vdekur dhe me të katërtin fëmijë ndër duar, nis vajin)… Atë natë i çojnë fjalë babës se: “Gruaja juaj ka vdekë papritmas… A ta biem ta varrosni atje…?” Baba ju thotë: “Jo! Le të varroset atje ku shpirti i saj pushoi…!”
Dhe motra ime, me tre vëllezërit e saj mbetën jetimë… Mbas do kohe, nëna ime, u bë njerka e saj dhe e tre djemve, po dhe nëna e katër fëmijve të saj.
Unë shumë vonë e kam marrë vesh kët të vërtetë tragjike… të babait tim…
Nëna ime, që u bë edhe gruaja e dytë e tij, ishte një njeri thjeshtë, po shumë e dashur. Ajo u fali shumë dashuri fëmijëve të burrit të saj, po edhe asaj motre, që mbeti jetime majë kalit në duart e nënës së saj… Për të… ne ishim një…!

Familja e Mysli Kabes
Familja e Mysli Kabes

21 korrik, 2013
“Nuk kam ndjerë dhimbje dhe poshtërim më të madh, – më tregonte im vëlla, para ca ditësh, – se kur bashkë me babanë na thirrën në Komitet të Partisë… dhe aty në sy tim, filluan t’i bërtasin e t’i ulërasin: Ti xhaxha, ti ke folë keq për Partinë, për Enverin, për Pushtetin Popullor… Na trego: Përse…?” Dhe babai i habitur dhe tronditur njëherësh u tha: “Po, jo mor zotnij unë nuk flas me kënd! Po ku paskam folë, dhe me kë paskam folë… Pse merreni me fjalë njerzish…!” “Jo xhaxha, jo… Na lexoji këto letra që na kanë ardhë prej filanit dhe filanit… A i njeh ti këta, apo jo??”. “Po i njoh, – ia ktheu babai me at urtësinë e tij karakteristike, – po kurrë me ta s’kam folë nji fjalë!” Ata vazhduan më trësëllimë, duke i rënë tavolinës, duke bërtitë e duke e sharë babanë… çfarë s’i thanë… dhe unë i dëgjoja dhe s’kisha as forcë dhe as guxim ta mbroja babanë… sepse ata më bënë shenjë që: Ti, Mbylle!!!! Dhe vazhduan: “Dëgjo xhaxha, ky është paralajmërimi i fundit që të bëjmë, edhe pse e dimë që ke qenë partizan… edhe pse familja jote është e nderuar në Savër…” – e zbutën paksa tonin, kur e panë se s’po nxirrnin gjë prej tij… “Ne, – vazhduan ata, – po të paralajmërojmë këtu në sytë e tët biri, po ti meriton të diskreditohesh në publik, atje ku banon, sepse ke sharë dhe ofenduar Partinë, Pushtetin, Udhëheqsin tonë të dashur…!”
Dalim jashtë të tronditur… Babai mezi mbahesh në këmbë, edhe nga mosha edhe prej asaj sjelljeje brutale të instruktorit të Partisë… I them: “Baba, mos ke fol me kënd?”. “Po, jo mor bir, po ku flas unë, me kë flas unë. Ti më sheh që un s’ndrroj as nji mirmëngjes me kënd…!”
E lashë babanë te shkallët e Komitetit dhe u futa edhe njiherë brenda dhe u thashë: “Dëgjo shoku… Babai m’u betua që s’ka folë me asnji njeri… Nuk është e drejtë kjo që bëni, ndaj nji të moshuari… Nuk mbrohet Partia me thashetheme rruge dhe njerzish!”… dhe dola i mërzitur, po babai jashtë ndjehej akoma më keq.
Prej asaj dite, pak nga pak ai nisi të ndjejë dhimbje zemre… Ishte 76 vjeç dhe nji diskreditim para popullit të Savrës, ishte i bindur se s’mund ta përballonte… E pra, ai burrë pesë vjet kishte luftuar maleve për at pushtet të popullit… deri në Maqedoni kish shkuar me brigadën e Haxhi Lleshin… dhe tani arratisja e njerit djalë e kishte përplasë të provonte padrejtësisht kampet e internimin të asaj kohe… Po ai, gjithnji shpresonte se një ditë gjërat do të ndryshonin, dhe se ajo padrejtësi e madhe do të merrte fundin që meritonte…
Një muaj para se të vdiste, duke ardhë nga Lushnja me nji mbesën e tij, mbas nji vizite te doktori i zemrës… i kish thënë asaj… “Eh moj bijë, ti do ta shohësh mixh Ademin, (djali i tij i arratisur) kurse unë jo, kurrë, pse do vdes shpejt!” Doktori zemrës mbas asaj vizite i kish thënë: “Xhaxha pse s’ke ardhë më parë të vizitohesh?”, sepse si duket ai kish vërejtur avancimin e sëmundjes… “Eh, – i kish thënë baba, – po Ju nuk ia mbajtët jetën Enverit, po ma mbani mua!!” (Ishte viti 1986) dhe bëhej një vit që kish vdekë “I pavdekshmi i gjith kohrave…!”
S’kaloi një muaj dhe babai ynë vdiq… S’mundi ta mbante në shpirt gjithë at poshtërim dhe ato vite pafund izolimi e interrnimi… Si duket i rëndoi në shpirt ideja e një diskreditimi mes të popullit, që u bë modë n’ato vite ndaj shumë njerzve të nderuar në Savër…
Qenë kohë tepër të ashpra dhe të egra… Sedra prej njeriu të ndershëm dhe me dinjitet s’mundi ta pranonte atë lojë të qelbur komunistësh barbarë, që pas emrin të Partisë dhe pushtetit popullor po shkatërronin pa dhimbje dinjitetin e njerëzor…

Kostaret
Kostaret

19 korrik, 2013
Kthimi nga shkolla, tashmë pa asnjë të ardhme përsëri aty te barakat e internimit qe vërtet një shokim për mua…
Katër vitet e shkollës së mesme në Dibër më dhanë mundësi të krijoj shoqëri, miqësi dhe një respekt të veçantë te të gjithë që më njoftën. Mësova të fal shumë dashuri dhe u rrethova me njerëz që vërtet më deshën dhe më respektuan shumë…
Jetoja në një shtëpi dykatshe tonën në një fshat afër Peshkopisë, po me një pamje përrallore. Dhe ai rikthim qe vërtetë i vështirë… Përsëri më duhej të përballesha me një realitet të hidhur të jetës sime, me at izolim ndoshta të përjetshëm aty në internim. Megjithatë lexoja shumë libra, sepse vetëm punën e shtetit bëja dhe asgjë tjetër, se i bënte nëna të gjitha… aq sa shpesh thoshte: Jepni nji libër edhe kafe, s’ka mendje për të tjera punë!!!”
Në shtëpi na vinin shumë njerëz nga Dibra, por unë sa i takoja, se shpesh vija vonë nga puna. Kohët e fundit po vinte shpesh një djalë byrazeli, dhe thoshte se ishte i fejuar në një fshat të Lushnjes. Ai vinte vonë dhe ikte të nesërmen në mëngjes pa zbardhë drita… Po seç mbante gjithmonë një dosje me vete. Babai filloi të shqetësohej nga këto ecejake të shpeshta të tij… Duroi, duroi dhe një ditë më thotë… “Nuk e di moj bijë, po s’më pëlqen kjo ardhja e këtij njeriu… Ti si thua?! Po, – i them – çfarë nuk pret sot o babë, po ti ki kujdes kur flet se e ha një burg edhe tani në pleqëri.
Ishim vërtet shumë në akth gjithë shtëpia, se duhej ta prisje e të përcillje… at njeri, megjithëse e dinim që për mirë këta njerëz nuk viijnë… Një ditë kur dal nga puna në orën shtatë… më thotë dikush se të kërkon në xhade një djalë? Eh, thashë me vete, kush do të jetë ky? Kur i afrohem dhe e shoh, ishte ai djali që vinte në shtëpinë tonë… Po, thashë, ky ishte në shtepi pse m’duhet ta takoj në xhade… e megjithatë iu afrova. E takoj dhe më thotë: Bedr, dua të bisedoj me ty një problem dhe thashë më mirë të takoj këtu! Po mirë, i them, fol… Kam menduar një djalë për ty, që jeton në Tiranë… është përkthyes, por më parë dua të shkojmë në seksion të arsimit të interesohemi për nji punë për ty. Mbeta pak si e habitur… pastaj i thashë… po ti e di problemin tim… Mos ki merak, të gjitha do t’i zgjidh unë! Epo mirë thashë…
Mbas ca muajsh ai vjen përsëri dhe unë bashkë me të shkojmë në Seksion të Arsimit në Lushnje. S’kisha qenë kurrë aty. Hymë brenda dhe tek ecnim korridoreve për të shkuar te drejtori, shoh se të gjithë që kalonin para nesh përkuleshin me respekt para tij… Eh, thashë me vete… po kjo ç’të jetë vallë. Teatër!! Pata një frikë dhe një ankth të paparë, por gjithsesi i jepja kurajo vetes dhe shpresoja: “S’i dihet, ndoshta më plotësohej ëndrra të isha mësuese. Takojmë drejtorin, ai i jep diplomën time dhe drejtori na siguroi se do të na ndihmonte.
Kthehem në shtëpi i tregoj babës fill e për pe çfarë kisha parë dhe çfarë kisha ndjerë duke i treguar edhe ankthin, se ai njeri m’u duk si të ishte i shtëpisë atje në Seksion të Arsimit!!!
Kaluan disa muaj, dhe unë vazhdoja punën akoma te lopët… Tashti ai vinte më rrallë po edhe me gruan, sepse ndërkohë qe martuar.
Një natë erdhi përsëri… Unë vija vonë nga puna, e takoja, dhe shkoja te vëllai aty ngjit e shihja në televizor. Të nesërmen, kur dal nga puna, në orën shtatë të mëngjezit dikush më thotë përsëri: Të kërkon një djalë te xhadja. Ma mori mendja se vetëm ai mund të ishte. Iu afrova e qetë dhe e takoj… “Po pres makinë të shkoj në Fier, por kisha një bisedë me ty.” “Ashtu, i them, po mirë ma thuaj!” Dhe ai zgjati drejt meje një Fletë-pune, ku unë isha caktuar mësuese diku… E pashë mirë… dhe s’po ju besoja syve… çfarë nuk mendova ato sekonda… Dhe ai vazhdoi: “Mbasi të bësh ca muaj pune si mësuese, atëhere do të prezantoj me atë djalin… Mirë, i them e lumtur, faleminderit për gjithçka ke bërë për mua…
Pastaj ai heshti pak… Unë mbaja në dorë emrimin tim si mësuese, mbaja ëndrrën time, dhe at çast ndjehesha krejt e shokuar…
Pastaj ai vazhdoi: Po Bedra, ti ke në dorë fatin tënd, po për këtë dua vetëm një kusht prej teje. Hapa sytë dhe ashtu e shtangur prita… Që t’i keshë të gjitha këto: Punën, Tiranën, burrin dua që ti të jeshë e dashura ime…
Nuk di si e mbajta veten, por në at moment letrën që kisha në dore, e që ishte ëndrra ime, e bëra copë copë dhe ia kisha ngulur sytë atij njeriu me nji krenari dhe urrejtje njiherësh… Ishte kompromisi më i ulët që kisha dëgjuar ndonjëherë në jetën time. I thashë: Nuk dua asgjë nga këto që më thua… as ti ka kërkuar kush, dhe as ka nevojë njeri për to… Mos guxo të hysh më në familjen time, sepse gjithçka ndodhi, unë do ta them në shtëpi. Dhe nisa të largohem… Ai m’u kthye më vështroj ndërsa largohesha dhe më tha: “Sa mbrapa bote qënke… unë të dija vajzë të zgjuar… Pse si kujton ti, se ato femrat që bëhen ministre, i kanë ngjitur shkallët me zotësinë e tyre?… Do vdesësh me çizme të veshura në këmbë tërë jetën… Do rropatesh në këto kampe të interrnimit sa të jesh gjallë… Thirri mendjes! Edhe ti thirri mendjes… Nëqoftë se do t’i ngjis ndonjëherë ato shkallë të siguroj se jo me kët rruge… Mu hiq qafe të them, dhe mos guxo të shkelësh më në shtëpinë time.
Ashtu tejet e acaruar siç isha kthehem në shtëpi dhe tregoj gjithçka më ndodhi at mëngjes… Oh, sa u mërzit im atë… I ra hija e vdekjes… S’u tregova as vëllezërve, se kjo ishte një histori e hidhur, shumë e hidhur që më tronditi atherë, po më trondit edhe tani që po e rrëfej për herë të parë…
Ai njeri s’shkeli më kur në shtëpinë tonë.
Unë vazhdova të punoj prap te stallat me lopët e mia, me çizmet që ai më kish thënë se s’do t’i hiqja nga këmbët dhe të banoja aty te baraka ime mes atyre njerëzve të mrekullushëm, që përballonin urrejtjen e krejt një shteti, po që edhe mua më kishin falur dashuri dhe dinjitet…

18 korrik, 2013
Gjithmonë një ftohtësi më priste…
Ngrohtësia ishte një prilegj në shpirt kur e ndjeja të më afrohej. Dhe unë u mësova të bashkëjetoj me këte ftohtësi, për t’u rezistuar viteve në vazhdimsi… vazhdon të më tregojë një shoqja ime. Tani ai vjen rrallë… por edhe kur vjen shtrihet dhe bën sikur fle; ose del dhe vjen vonë… shumë vonë… si atëhere…

Bedra Kaba & A. Kokali
Bedra Kaba & Adriana Kokali

18 korrik, 2013
Tani sa erdha prej një takimi me një shoqen time të ngushtë të fëminisë….
Eh sa vjet kishim pa e parë.. thuajse 30 vjet. E ndërsa shkoja ta takoja m’u kujtua se si njëherë vetëm disa minuta ishim parë në tren, aty rreth vitit 1984, ndërsa shkonim në Kishë të Laçit me disa gra nga Savra…
Treni ishte plot me njerëz dhe ajo duke na kërkuar thërret me zë të lartë… aq sa dhe sot sikur me ushton në veshë zëri i saj.
Ndërsa nxitoja për te vendi ku mbas kaq vitesh do pinim një kafe bashkë, s’e di pse m’u kujtua një ditë vere, tek punonim në parcelat afër Klubit të Shoferit… Ishte tepër vapë dhe at ditë nuk na prunë ujë të pijshëm. Ishim lodhë aq shumë sa s’na mbanin as këmbët. Atëher ajo më thotë: “A shkojmë mos ka ujë te Klubi… po edhe po s’pati ujë… blejmë një birrë se edhe ajo ta shuan etjen Bedra… Po mirë, i thashë, unë s’e kam provu birrën… dhe kur e provova me thënë drejtën nuk munda ta pi. I them: Pije ti, se unë nuk mundem dhe s’di se si mund te rezistoj pa ujë… Eh, kujtime të largëta…
Sot kur shkova dhe u takuam pas kaq shumë vitesh… U habita… S’kishte ndryshu fare… tepër simpatike si atëhere… U futëm në nji lokal dhe më thotë: Çfarë do të marrim! I thashë:  Ç’të duash ti… dhe ajo më thotë “A s’po marrim nga një birrë…? Oh, sa kam qeshë… me lot… sepse edhe ajo më kujtoi po atë që kisha menduar unë rrugës… Thashë se e ke harru! Atherë s’munda ta pi birrën, por sot do ta pimë… Folëm gjatë dhe orët ikën pa u kuptuar fare… Për kë s’pyetëm…
Ne ishim tre shoqe të ngushta klase: dy Adrianat dhe unë. Mall e nostalgji për atë kohë që vërtet ka pasur shumë vuajtje dhe poshtërim brenda, po edhe shumë miqësi e dashuri. Ky takim më çoi përsëri atje te kujtimet e largëta të fëminisë së dikurshme… mungonte vetëm ajo shoqja tjetër, të cilën kam pothuaj 39 vjet pa e parë…

Related Images:

More articles

7 KOMENTET

  1. Unë nuk e shkroj aq mire Shqipen, por e kuptoj. Këto fjalët më dërguan në një botë që nuk besojsha se jetohet. Quhem Donika, nona e ka patur emrin Lule. Unë kam fshirë vetëm lotët e nonës dhe Baci Pal dhe Gjushin.
    Nuk po shkroj ma gjatë, se nuk kam të drejtën. Por ama jam tu lexuar këta fjalët si një romancë, se ka një përfundim me lotët. Diçka po ju tham, se lotët e një burri janë të rëndë!! E me ju këthua kokën emrin e gabuar ishte zakonshëm. Pse në at çast kujtosha se i gëzova. Donika (mbesa e Kolë B.Mirakaj)

  2. Më kënaqe Bedra… Të lutem vazhdo… mos e ndërpre shkrimin për asgjë dhe për askënd… Guximi jot më bën të ndjehem krenare për ty… Dhe gjithmonë ke ngelë ajo Bedra që njof unë: e çiltër dh e dlirë në shpirt…

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.