back to top
10.5 C
Tirana
E premte, 1 Nëntor, 2024

Dashuri… ndaj një gruaje kryeministri – rrëfim nga Jozef Radi

Gazeta

Grua Vetmitare
Grua Vetmitare
Përshëndetje Z. Radi,
Quhem Gjergji Dallamango. Arsyeja që ju shkruaj është t’ju falenderoj pa masë për rrëfimin
e mrekullueshëm në qendër të të cilit ishte halla ime e ndjerë Vasilika, ose “Teta Lika”.
Shkrimi më pëlqeu jo vetëm për vlerat artistike, por dhe për realizmin e tij.
Gjithçka e përshkruar rreth teta Likës ish realiste, siç Ajo ishte në të vërtetë.
Dhe mua më është ruajtur në kujtesë periudha në të cilën teta Lika ishte në internim
dhe kam ndenjur ditë në “banesën” e saj në Grabian ku ajo ndejti më gjatë.
Në Savër, ndejti më pak. E shikoj që ju nuk jetoni në Shqipëri,
por do kisha kënaqesi, të kishim mundësi të takoheshim në vajte-ardhjet tuaja këtu,
për të folur më gjatë e kujtuar teta Likën e dashur.
Po ju dërgoj një fotografi të hershme që i përgjigjet periudhës për të cilën ju shkruani 1968,
në të cilën është Teta Lika me mua dhe motrën time Diana.
Dhe një herë falemnderit për impresionin e veçante që na dhurove sot.
Me respekt, Gjergji Dallamango
.

Vasilika Kotte me dy nipat e saj ,1968
Vasilika Kotte me dy nipat e saj, 1968

Dashuri… ndaj një gruaje kryeministri

rrëfim nga Jozef Radi

Jetës i kam shkuar mbas me një kureshtje pafund edhe për gjëra që në dukje s’kishin ndonjë vlerë kushedi, po ama kur e hapja kutinë e saj, gjeja gjithnjë diçka të pabesueshme!
Qysh në fëmini të hershme, në një vetmi prej murgu dhe një hutim prej huti, kërkoja të futesha ndër ca botë që s’ishte fort e lehtë të hyje, pse të nevojiteshin ca sy të tjerë që ta shihje atë që s’dukej! Megjithatë me kureshtjen time jam futur shpesh pa u ndjerë në ato botë të vështira dhe sa herë hasja pengesa, thërrisja fantazinë… Ja kështu bota ime plotësohej ditë pas dite si nje puzzlle, dhe e quaj veten me fat pse ajo kurrë e plotë s’u bë…!
Aty nga fundi i viteve ’60, kur unë s’isha më shumë se 10-12 vjeç, aty në Savër, prej kohësh qe shkarkuar një grua, (në Savër gjithnji shkarkonin njerëz…) që më së shumti ishte zonjë si ato të filmave francezë, që jo vetëm binte në sy menjëherë, po shpesh edhe t’i merrte sytë! Kjo zonjë grua, që kurrë s’munda të përcaktoj moshën e saj, pse më së shumti më dukej e pamoshë, shfaqej gjithnjë e veshur me të zeza, po jo ajo e zezë plakash si kallogre, siç qe shumica e nënave aty në Savër, po një e zezë ndryshe, e hijshme, elegante e qepur aq bukur e me aq shije! Ishte një e zezë që ia përndriste trupin asaj gruaje, aq sa e zeza në trup të saj dukej sikur i kish gjithë ngjyrat e botës brenda dhe këndonte.
Gruaja Vetmitare, shfaqej rrallë në rrugë, aq rallë sa dukej sikur s’ishte asfare pjesë e asaj bote të ngritur (apo të hedhur) aty midis balte, por fantazmë e pashoqe bukurie, si për të thënë që jam edhe unë, e për të dëshmuar se atje ku sundon trishtimi më i thellë dhe balta më përbaltëse, shfaqen befas edhe ca bukuri rastësore që bëhen bosht i jetës dhe vendosin ca ekuilibre të çuditëshme midis së mirës dhe së keqes, midis së bukurës dhe së shëmtuarës, e që syri im prej fëmije u shkonte mbas, bile guxonte edhe t’i quante shpëtimtare!
Por, gruaja vetmitare jo vetëm të zezën e veshjes e kish të hijshme, po të bardhën e fytyrës e kish aq të lëmuar, aq të qelibartë sa edhe vetë Fidia, do ta kishte menduar të mermertë, e me dhimbje do ta kish pranuar si humbje, që koka e asaj gruaje s’qe punë e duarve të tij! Po edhe flokët e saj, midis së verdhës dhe së gështenjës, mbledhur ashtu fort topuz nga mbas koke e kapur me një kapse vezulluese, e plotësonin harmonishëm dhe e spikasnin aq fisshëm mermerin shkëlqimtar të fytyrës së saj… dhe vëmendja ime kundruese lëshohej përtej së mundshmes dhe bëhej nji sodìtje e përhumbur fëmije, që s’donte tjetër të ishte… veç aq!
.
Koka e Athinasë - Fidia
Koka e Athinasë – Fidia
Veç tjerash, Gruaja Vetmitare ishte e gjatë dhe e kolme, e kolme me aq shije, sa hijeshia e saj i hidhte n’erë shtatin e atyre çupulinave në shpërthim të moshës, që jeta e mundimshme e kampit i mbante ashtu të fiskajshme të rraskapitura!
Banesa e Gruas Vetmitare ishte në rreshtin e parë të barakave, aty te qoshja midis së dytës dhe së tretës barakë, përballë shtëpive të gurit, bri një rruge, e cila kishte pak kohë që për të shmangë llucën e dimrit qe mbathur me ca gurë të mëdhenj qiklopikë, çka e bënte tejet të vështirë ecjen e barakasve të zakonshëm, lere më atë të një zonje të hijshme e të fisme, katikulet e së cilës dukeshin paksa jashtë kohe, për mjaft nga banorët e kampit, që prej vitesh i qenë përveshë mbijetesës e me shpirt nëpër dhëmbë ia delnin në krye!
Asokohe kampi i Savrës, nuk kishte ujë të pijshëm, mbasi pesë puset e famshme të kampit: Pusi i Policisë, Pusi i Lëmit, Pusi i xha Jotit, Pusi i Rrokut dhe Pusi i Isuf Kanadezit kishin jo vetëm ujë të ëmbël, po shpesh zinin edhe ca larva nga mushkonjat e kënetës, kështu që furnizimi me ujë na bëhej me autobot. E sillte nga qyteti dhe fërshëllima e Ursusit të Hydait ishte oguri i ardhjes së ujit të pijshëm dhe vërshimi i gjymave, shtamave, kazaneve, kusijave, kovave, bidonave, teneqeve… krijonte një lloj hareje të beftë dhe i bënte rrugët të shëndrroheshin në një spektakël, që niste me klithmën pothuaj brohorimë: “Erdhi ujiiiii”, e cila vetëtimthi futej ndër shpirtra më shumë se ndër veshë: e që në t’vërtetë kishte kuptimin: erdh shpëtimi, erdh jeta! Kjo klithmë dhe kjo shfaqje e përditshme merrte përmasat e saj të vërteta në ditët e thekshme të verës, kur ardhja e autobotit të ujit ishte përtej çdo klithme në Saharë!

Ky detaj paksa i kotë, s’do të kishte asnjë kuptim, sikur një ditë ndërsa kthehesha me gjymat e mbushur të ujit në duar, të mos ndeshja babanë që kish dalë përpara të më ndihmonte me enët e ujit dhe Gruaja Vetmitare që ecte e përndritur krah tij, me dy enë të vogla, ca gjyma në miniaturë, krejt të veckël e të lehtë, dhe ajo ashtu e panxituar, solemne, e ngadaltë… e fshikte atë rrugë që vlonte nga energjia dhe çmendia aq paqshëm e shpërfillshëm! Kur u shkova pranë, ndalova, ula gjymat përtokë dhe me mjaft respekt e përshëndeta Gruan Vetmitare, e cila në çast u shëndrrua në Zonjën Vasilikë, prej shpjegimit të tim eti. Ajo me rrethoi me një buzëqeshje të mëndafshtë dhe me një mirësi të mjaltme fjalësh, të pandeshur kurrë më parë! Babai mbasi m’i mori gjymat me marifet më tha nëse mund t’ia merrja edhe gjymat e zonjës Vasilikë e t’ia mbushja te autoboti, çka unë pa hezitimin më të vogël, zgjata duart edhe pse ajo ma kundërshtoi ashtu ëmbël e me mirësjellje mundimin tim!

Kështu me gjymkat e zonjës Vasilikë, vrapova mes rrugicës me pluhun, me ato enë të vockla që më shumë se për ujë m’u dukën si lodra. Ndërsa ata vazhduan të qetë rrugën e kthimit, duke e vazhduar bisedën mes tyre në qetësi e seriozitet, çka më bëri të ndjehem mjaft mirë që ata njiheshin mes tyre!
Gjymkat e Zonjës Vasilikë i mbusha dhe ja çova sa hap e mbyll sytë. E vetmja vështërsi qenë ato pak metra të asaj rruge me gurë të mëdhenj e të parrafshuar thepash, deri te dera e shtëpisë së saj! Zonja Vasilikë, më priste aty, me buzqeshje ledhatare, me një karamele të fshehur nën dorë, dhe një falenderim të ngrohtë, aq të ngrohtë sa unë ia ktheva po aq ngrohtësisht, duke i thënë se mund t’ia mbushja përditë ata dy gjymkat e vegjël, se nuk më rëndonin fare!
Me buzëqeshje e falenderime, u ndamë si dy miq që e marrin e japin ngrohtësisht që në të parën herë të afërsisë mes tyre!
.
Vajza me dorashka - Tamara de Lempicka
Vajza me dorashka – Tamara de Lempicka
Ajo çka më rrëfeu babai atë mbrëmje, kapërceu çdo fantazi të mundshme dhe më shpalosi trishtueshëm fatin e asaj gruaje të bukur!
Zonja Vasilikë, kishte qenë gruaja e dytë e Koço Kottës, një personalitet i madh: dy herë kryeministër shqiptar, kryetar parlamenti dhe disa herë deputet e ministër, një autoritet ndër më të njohurit e shtetit shqiptar prej shpalljes së Pavarsisë. Mbas pushtimit italian, ai qe Kryeministri i fundit, dhe kishte organizuar rezistencën e ushtrisë në disa porte, e më pas s’e kishte ndjekur suitën mbretërore, po ishte ndalur dhe vendosur në Selanik. Mbas Lufte, shërbimi sekret shqiptar së bashku me tjera shërbime sekrete, kishte shkuar në Greqi dhe me mjeshtrinë e mashtrimit dhe pengut e kishin sjellë në Shqipëri! Koço Kotta u akuzua në Gjyqin Special, kështu që babai jo vetëm e njihte po në vitet e vuajtjeve kishte ruajtur konsideratën më të lartë ndaj tij… pastaj për të gjithë kishte nisur jeta e burgjeve. Torturat ndaj atij njeriu fisnik, në Burgun e Burrelit, kishin qenë nga më të tmerrshmet, derisa e kishin lënë të shuhej nga etja dhe uria…. e më pas e kishin zhdukur, pa i lënë as varr e as gjurmë. Kur babai e këputi fillin e rrëfimit, unë kisha mbetur pa fjalë, si të më qe treguar një përrallë e frikshme dhe e pabesueshme. Po Vasilika pse hiqte aty në kamp?!?
Zonja Vasilikë, Gruaja Vetmitare, hiqte si grua e një Kryeministri pa varr!!
Edhe pse ai qe zhdukur prej gati njëzet vitesh, ajo ishte aty në Kampin e Savrës, duke vuajtur internimin për fajin e vetëm: Gruaja e një njeriu ndër më të rëndësishmit e shtetit shqiptar!!! Babai ma theksoi njohjen me burrin e asaj zonje të nderuar dhe më porositi që nëse mund ta ndihmoja, të mos kursehesha… dhe unë ia premtova me shumë dëshirë!
 
Mbasi vazhdimisht ia shërbeja ato dy gjymkat e saj, zonja Vasilikë një të shtunë mbasdite më ftoi në shtëpinë e saj.
Prindët e mi, më përgatitën më së miri, e mbi të gjitha më porositën t’i dëshmoja edhe unë sjellje prej djali të edukuar dhe të respektuar, çka unë e ndjeja vetë, dhe ishte e panevojshme ajo këshillë!
Sa u futa në dhomën e qoshes, në barakën e dytë, prej kohësh banesë e sajë, mbeta i mahnitur si në përrallat e njëmijë e një netëve. S’e kisha besuar kurrë që një barakë pupuliti dhe kartonsere, të kishte një hijeshi të tillë. Gjithçka aty ndriste me shkëlqimin e një salloni mondan. Dy sexhade të bukura: njera që mbulonte ditaren nga rruga dhe tjetra faqen përballë, i jepnin shtëpisë atmosferë përralle. Sa hyje, përballë qe një dollap i madh arre dhe një pasqyrë e gjerë mbi komò! Zonja Vasilikë, ndryshe nga gjithë shfaqjet e saj, atë mbasdite kish lëshuar flokët e gjatë që ngjanin si të derdhur në ar, kurse veshja edhe pse e dominuar nga e zeza, kishte mjaft ngrohtësi ngjyrash. Pastaj sjellja e saj, fjala e saj, kujdesi i saj, buzqeshja e saj, ngrohtësia e saj, butësia e saj, ai dialekt pe Korçe me atë frymën ledhatare të bisedës më bënë të ndjehesha si një princ i vogël, aty mes baltës së madhe!
Fillimisht me ofroi një gotë me lëng kumbulle, më pas ca kulaçka të vogla, e mbas ca kohë bisede… një pjatancë me liko shija e së cilës s’më shqitej prej buzëve, ndërsa më pyeste dhe unë me drojë i përgjigjesha ashtu krejt shkurt. Hutimi im duhet të ketë qenë tejet i madh sa të mos e mblidhja veten e t‘i shpjegohesha si duhet në shoqëri të asaj gruaje të rrallë e të papërsëritshme!
Nuk e di ç’përgjigje mund të kem dhënë, pse ndjehesha si i ftuar në një tempull! S’dija ku t’i ndaloja sytë e as ta kuptoja atë grua të bukur e të hijshme që më përkujdesej gjatë gjithë kohës si një flutur e më bënte të ndjehesha njeriu më i rëndësishëm i botës!
 
A mund të dashurohet një fëmijë, me një person të rritur… Unë do të thoja edhe mundet! Sepse atë grua aq të bukur, aq fisnike, aq të sjellshme, aq vetmitare, aq të mençur… (pse tavolina e saj kishte mjaft libra) e shtrënguar të vuante në at kamp internimi, unë e adhuroja, sepse në një ditë të hershme, në një ditë të vetme të jetës sime më bëri të ndjehem i rëndësishëm!
Ajo grua e hijshme e një kryeministri të vdekur e pa varr, më kishte ftuar në tempullin e saj, në atë qoshe barake, të shihja një grimcë mondane të një bote që po jepte shpirt, e që unë as kisha arritur ta mendoja. Ajo grua me magjepsi me shpirtin e shërbimit të saj që në sytë e mi u shpalos si dashuri e paskaj! Ajo më kish bërë të ndjehesha nji princ i vogël. Asnji grua e kësaj bote s’do të mundet të më bëjë të ndjej atë që ma dhuroi ajo Grua Vetmitare, aty në tempullin e rrënimit dhe mjerimit, në sallonin mondan të një barake internimi, ndërsa më ofronte tasin e mrekullueshëm të çajit, dhe ëmbëlsirën emrin e së cilës s’e mësova kurrë, vetëm nëse ndonjë ditë do ta mbrrij atë zonjë në të përtejmen!
 
Kur dola jashtë kish nisur të fashitej muzgu.
U ndamë duke u përqafuar fort, fort… Në shtrëngimin e saj u ndjeva si një zog që s’i dëshiron flatrat, e nën ata flokë të verdhë të derdhur që ma mbuluan fytyrën u përndrita i tëri në mirësi të saj.
E ato buzë të bukura të ndritura së kuqi më puthën në faqe! Kur dola në rrugë u ndjeva krijesa më e lumtur e botës! Në shtëpi, nëna mbi të gjitha iu gëzua të kuqit të buzëve të saj mbetur në faqen time, por më shumë emocioneve të mija që shpesh fjalët s’më ndihmonin ta rrëfeja aq bukur të vërtetën!
Babà, më tha se duhej të kuptoja se takimi me ca njerëz, i vlen gjithë jetës! Unë mendoja se sa e bukur do të ishte hera tjetër, në shtëpinë e asaj zonje kryeministrore!
Por herë tjetër s’pati më!
Pak kohë më mbas, u hap fjala se Zonja Vetmitare, gruaja e bukur e kryeministrit të masakruar, Zonja Vasilika Kotte, qe liruar dhe qe larguar nga kampi i Savrës! Unë shkova me vrap te ajo dhoma e saj dhe pashë nga xhami! Ishte bosh bosh fare. E ngjesha fytyren dhe duart rreth syve të shihja më thellë, se mos kish mbetur së paku hija e saj, për lamtumirën e fundit… Por asgjë…! Dhe në dhimbjen time, kuptova se nuk ishte bosh ajo dhomë, bosh qe shpirti im mbas asaj ikje… Ashtu siç ma kish mbushur plot shpirtin një mbasdite, befas ma kish lënë krejt të zbrazët me ikjen e saj të beftë
Më dhembi shumë…
Të nesërmen dhoma e saj e braktisur u mbush me viktima të freskëta internimesh dhe ndëshkimesh, kurse brenda atyre mureve prej pupuliti, ndoshta vërtitej hija e asaj gruaje aq të hijshme dhe dashuria e përjetshme e një fëmije për të bukurën dhe fisnikët…
 
Nga libri “Savra – monamour”

 

Related Images:

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër

More articles

1 Koment

  1. Shire Caka Kasapi
    E ke përshkruar me aq sinqeritet dhe dashuri, sa më le pa fjalë Nin! Të përgëzoj për këtë shkrim dhe dashuri të veçantë.!

    Vergjil Xhafa
    “Baba më tha, se takimi me disa njerëz i vlen gjithë jetës…!” Shkrim shumë i bukur, përcjellë me shumë nivel të lartë artistike.. Complimenti, Jozef.

    Ridi Laçej
    Shkrim shumë i bukur! Ka shumë dashuri, respekt, adhurim e fisnikëri ne këtë shkrim.
    Përgëzime!

    Shqipe Saraçi
    Sa i bukur ky rrëfim… i veçantë dhe shumë i ndjerë!❤️

    Nefi Kurti
    Rrëfim tejet i veçantë Jozef.
    Me ndjeshmërinë e një fëmijë dhe mençurinë e një të rrituri! Më le pa fryme edhe pse e kam lexuar më herët.

    Hektor Leka
    Histori për t’u bërë film!

    Luljeta Koka
    Shkrimi juaj po aq i bukur sa vizita e juaj ne baraken e zonjës së kryeministrit!

    Denata Ndreca
    Jozef Radi❤️

    Keti Dibra
    Bukur, Zef!

    Lumi Spahija
    Shkrim i sinqertë që të bën ta adhurosh menjëherë atë zonjë të bukur, elegante, fisnike por edhe atë fëmijë të veçantë e të pafajshëm!?

    Niko Todhri
    Na e përcolle kaq bukur Jozef sa “u dashuruam” dhe ne. Është magjia që rrezatojnë gratë aristokrate e ku gjithçka rreth tyre merr shkëlqim të veçantë!

    Nini Mano
    Në jetë personazhe të tillë të veçantë, godasin kujtesën fort… e ke përcjellë aq bukur çdo detaj!

    Elona Riska
    E mrekullueshme Nini! Shpresoj ta lexoj një ditë gjithë librin!

    Gentiana Kone
    Një përjetim i adhurueshëm ashtu si hija e asaj zonje fisnike!

    Etleva Numani
    Cdo fjalë e thënë bukur, me emocion, më përlotë.
    Të falenderoj Jozef!

    Ermira Lefort
    “Adhurimi” shpesh herë të bën të humbasësh dhe fjalët, por ti e ke bërë si një “filigram të artë” përshkrimin dhe perceptimet në këtë shkrim për këtë zonjë, Jozef Radi!

    Engjëllushe Sanxhaku Varfi
    …se kryeministri dhe gruaja e tij vinin prej “kohërash të mohuara” kur e bukura kish vlerën e së bukurës.
    Trajtuar këndshëm, fisshëm, ndjesia juaj në artin e fjalës.

    Adriana Simoni Neti
    Urime dhe pse e kam lexuar dhe herë tjetër, është një mrekulli ky shkrim Jozef.
    Shumë origjinal.

    Alma N. Lico
    Kisha kohë pa lexuar një tregim/ përjetim të shkruar aq bukur, me aq vërtetësi, sinqeritet dhe me aq emocione. Pa kuptuar u riktheva dhe unë në disa përjetime të ngjashme të atyre viteve, ku ndoshta një fuqi hyjnore ofronte momente te magjishme, kaq të domosdoshme për të krijuar ekuilibre mbijetëse, për të sfiduar shëmtinë dhe mundimet, pjesë e asaj jetë të marrë peng.
    Faleminderit Jozef.

    Luan Hamiti
    Bukur Zef…!

    Fatmira Allmuca
    …më shume se bukur… U përthitha dhe u …përlota!?

    Gjergji Kosta
    Ç’a është jeta në vetvete? Në mos qenka dashuri?

    Greta Bardeli Gjoni
    Për një çast m’u duk sikur po lexoja një tregim të Alberto Moravias. Impresionuse kjo ngjarje edhe pse fatkeqsisht e vërtetë, ti e solle me plot drita, elegancë dhe rrezatim figurën zonjës!
    Të përgëzoj jozef .

    Rita Ndoci
    Oh sa bukur.
    E lexova e përlotur këtë përjetim tëndin të përshkruar aq mjeshtërisht.

    Sabri Xhebexhiu
    Ndjeva një energji të përkundur shpirtërisht bukur, buruar po kaq shpirtërisht ndjeshëm… aty ku bashkohej dhimbja, e bukura dhe njerëzorja: Savra!
    Urime i nderur!

    Vjollca Grazhdani
    Eshtë kënaqesi të futesh në tempullin e këtyre perlave tënde! Flm .

    Marko Shipcka
    Një shkrim i mrekullueshëm. Nuk mund të shkruaj asgjë nga emocioni. Vetëm dua pak të shtoj. Babai tim ka qenë shofer i z. Koço Kote. Dhe kjo biografi e zezë më ka ndjekur tërë jetën, më hoqën të drejtën e studimit, lufta e klasave, po nuk diskutohet. Dhe përshkrimin e atij burri të nderuar e kam në kujtesë që i vogël. Të faleminderit për çfarë shkruan!

    Marjana Huso
    Shumë e dhimshme, respekt!
    Ndjenjën e ndihmës e ke pasur gjithmonë Zef, po zemra e mirë s’ndryshon dot pavarësisht dhimjes!

    Silva Qesteri
    E lexova me një frymë dhe u befasova nga bukuria e përshkrimit më shumë ndjenjë dhe fjalët e përdorura mbështësin njëra-tjetrën kaq bukur, sa nuk mendon më për atë që kërkon të thuash, por sa bukur e ke shprehur! Ajo zonjë, po ta kishte lexuar këtë dedikim, do ndjehej më e previlegjuara ndër të gjitha femrat e rruzullit!
    Shume bukur, u kënaqa duke e lexuar!

    Leonora Tushe
    Sa bukur, e ke përshkruar gjithçka. Një rrëfim i bukur, romantik, mbresëlenës.
    Urime,Jozef.

    Sofi Zhilla
    Takime që të mbesin në kujtesë për gjithë jetën. Këta janë njerezit e ndritshëm. Të kam zili që e ke takuar një njeri te tillë. Po pyeja veten a kam takuar ndonjëherë të tille lartësi.

    Bedra Kaba
    Edhe une kam shkruar per komshijen time Vasilika. Vërtet isha shumë e vogël por në kujtesën time ruhet e freskët bukurija, hijeshija, dashurija shpirtmirësija e saj gati hyjnore! Kujtim prej saj babai ruante syzet dhe tespijat që i porositi dhe ja dha peshqesh babait. Tespijet jane dhe sot ngjyrë fosfori qelibar. Dhe babi e kujtonte me dashuri dhe respekt atë grua të mrekullushme që ai regjim antinjerzor e kishte dënuar për fajin në thonjëza të burrit të saj. O zot e ç’faj pati ajo dhe qindra gra të tjera që u internuan dhe vuajtën vitet më të tmerrshme në baraka mes punës së rëndë dhe gjithë vështërsive të asaj kohe. Qofte e xhenetit Vasilika dhe gjithë ato gra të mrekullushme që sot s’jetojnë, por mbetën të pavdekshme tek njerzit e dashur të tyre dhe të gjithëve ne qe i njohëm.

    Franc Nogaj
    Një shkrim rrezatues nga një shpirt i ndjeshëm e fisnik, ndaj finesës e elegancës së kësaj zonje.

    Lame Fandi
    Jozef, me ke dhënë një kënaqësi të jashtëzakonshme. Nuk është hera e parë, po kësaj here pa arritur deri te fundi, që e ndjeja se do të ishte edhe më bindës, i kam thënë vetes: “A duhet tjetër gjë për ta renditur këtë shkrim midis më të mirëve që kam lexuar?…” Pa u lëkundur aspak, thashë: “Jo!” Dhe jam i qetë e pastërtisht larg nga çdo hamendësim që dikujt mund t’i dukej si bërje qejfi!

    Jozef Radi – Lame Fandi
    të falënderoj profesor. Jam përpjekur ti qëndroj besnik asaj vetje dhe asaj pafajsie që ka jetuar brenda meje gjatë derisa u ula dhe e shkrova… Kam disa personazhe të kësaj natyre njeri me madhështor se tjetri në atë të veçantën e tyre… Sërish të falënderoj profesor Lamja nga zemra dhe me nderon e me përlot ky shënimi Juaj…

    Merita Schmitt
    Shpirti i bukur, i ndjeshëm dhe i etur për të marrë në një mjedis të pashpirt dhe injorant atë çka i nevojitet atij, mrekullohet dhe lumturohet nga ndeshje të tilla, rreze drite ndriçuese dhe ngrohëse në mes të një murlani mizor e të çmendur.
    Ju përgëzoj për mjeshtërinë e shkrimit…??

    Edmond Shallvari
    Rrëfim i mrekullueshëm.

    Bujar Llapaj
    Një tregim i mrekullueshëm që pasqyron një realitet dramatik që akoma sot vazhdon të mbetet plagë e hapur. Këto tregim-histori duhet të ishin të detyrueshëm në programin e shkollave të të gjithë cikleve që nga viti 1992.
    Urime Jozef dhe faleminderit?
    Historitë e Savrës janë të denja për një skenar filmi.
    Respekte i nderuar??

    Kylheku L’Aura
    E rilexova me shumë dëshirë!

    Gjet Vocaj
    Një rrëfim i rrallë përshkruar me shumë mjeshtri dhe sentiment. Në aq pak rrjeshta, vetëm një pendë e rrallë si ajo e Jozef Radit mund të na japë aq të gjallë figurën e plotë të një zonje të madhe, aq të fisme, bashkëshortë e një personaliteti te njohur nga historija të cilën diktatura synonte t’ia thyente krenarinë. Me nji penelatë të hollë na jep aq bukur ndjeshmërinë sentimentale, përzier me adhurim të një djaloshi 11 vjeçar për atë grua të hijshme, të virtytshme dhe të katandisur në atë ambjent skëterre. Shkrime të tilla ndeshen rrallë. Për Jozef Radin asht shumë kuptim plotë shprehja: Duhet të falenderojmë zotin që ekziston!

    Sazan Kaleci
    Bravo Nin, bukur!

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.