back to top
22.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Bashkimi dhe Pajtimi Kombtar si ideollogji e së arthmes…

Gazeta

Lazër Radi, Qazim Kreka, Sheraf Gjebrea,  Agim Musta, Hazir Shala Mexhit Kokalari, Xun Çetta, …, Koço Nini, Bujar Llapi, Ahmet Pere
L. Radi, Q. Kreka, Sh. Gjebrea, A. Musta, H. Shala, M. Kokalari, X. Çetta, …, K. Nini, B. Llapi, A. Pere

Bashkimi dhe Pajtimi Kombtar si ideollogji e së arthmes…

Fjalim i mbajtur nga Dr. Lazër Radi

para mbledhjes së këshillit të zgjeruar organizues të kuvendit

Ky shkrim i përket qershorit të vitit 1992.
Ishte koha kur Shqipëria dilte prej nji izolimi të jashtzakonshëm, dhe prej nji shkatërrimi të paimagjinueshëm të krejt vlerave shpirtërore, intelektuale po edhe atyne kombëtare… Ideja e nji Kuvendi Kombëtar, që po kërkohej me kambëngulje nga forcat e majta në dy anët e kufinit, kishte si synim që gjithçka të manipulohej dhe të kthehej në nji spekullim demagogjik afatgjatë, me synimin e vetëm që t’u shpëtohej sa ma rehatshëm atyne ndryshimeve që po ndodhnin me nji shpejtësi marramendëse për ta… Ky shkrim i Dr. Lazër Radit ruan vlera të jashtzakonshme, për kurajon e atyne që vinin mbas nji gjysëm shekulli persekutim; për paraqitjen me realizëm të gjendjes, dhe për at koherencën të jashtzakonshme që e përshkohet ky diskutim nga fillimi në fund… E vërteta asht se ky diskutim edhe pse u mirprit prej mjaft të pranishmëve në at sallë, dha sinjalin se demagogjia kombtare po punonte intensivisht… dhe se synimet e saj ishin të qarta! Sigurisht mbas leximit të këtij diskutimi, secili prej nesh ka nevojë për pak refleksion, sepse asht prej atyne diskutimeve ku gjithkush do të ndjehej krenar po të kishte qenë autor i tij… jr.

Prof. Hazir Shala ne takimet e LDBSH
Prof. Hazir Shala ne takimet e LDBSH (Shala, Dishnica, Gjebrea, Radi, Vorfi)

Të nderuem anëtarë të Këshillit Organizues, Zonja dhe Zotërinj,
Populli ynë asht nji popull i mrekullueshëm, bile mund të thuhet se asht model si i vetmi komb në botë, me tri fe të ndryshme dhe pa konflikte fetare, pa divergjenca të kësaj natyre – me nji harmoni e tolerancë të përsosun.
Jemi kah fundi i shekullit të njizet: dhe bota mrekullohet me zbulimet e përparimet e mëdha që ka ba njerzimi në gjithë fushat e jetës, e megjithatë në nji nga vendet ma demokratike të botës, në Irlandën e Veriut kryeqyteti quhet London-Derri: për protestantet filo-anglez quhet London, kurse për katolikët indipendentistë quhet Derri. E pra, në këtë trevë, ndërmjet dy komuniteteve të krishtena zhvillohet nji luftë e tillë e përgjakshme që po çudit globin!!
Po në Algjeri? Atje, partia myslimane fitoi shumicën në zgjedhje. Qeveria, po myslimane, i quejti “integralistë” dhe iu vuni pushkën: dhe gjaku i algjerianëve rrjedh rrëke.
Masakra ta tilla në Shqipninë tonë s’kanë ndodhë kurrë. Pra, siç e theksova ma nalt, jemi unikal në botë; shtet i tri feve të ndryshme – pa asnji konflikt fetar. Mjeshtrat tanë të Rilindjes ditën, me frymën e tyne të mirfilltë shqiptare, me eliminue çdo element të rrezikshëm dasije dhe përçarje. S’duhet të harrojmë se kjo nuk ka qenë një punë fort e lehtë: fqinjët tanë, armiqë të përjetshëm të kombit tonë, përhapën zlogane të rrezikshme “turk” e “kaurr” – që filluan ta luhasnin ndjenjën e përbashkët kombëtare të vendit tonë. Mirëpo, Shqipëria nuk ra pre e intrigantave përçarëse: nxori në arenën politike njerëz të shquar, njerëz që bëjnë historinë, personalitete intelektuale që dijtën ta shlyejnë këtë mendësi të rrezikshme dhe të krijojnë atmosferën e vellazërimit në emër të kombit. Ky ndikim i rilindasve nuk ishte diçka landore, por shpirtërore, diçka e pakapshme por qe depërtonte në ndjenjat, si muzika, si bukuria vet. Pra, këta rilindas, jo vetëm që ditën të shmangin nji element përçamës, por e kthyen në nji forcë lëvizëse pozitive, e banë besim, e banë moral: e banë etikë kombtare.
***
Shqiptari s’e ka pasë kurrë rrugën të shtrueme me lule, por veç me ferra e gjembaçë. Megjithatë Ai asht përpjekë jo vetëm të mbijetojë, por edhe t’i ruej të pastra virtytet e nalta të rracës së vet. Gjymtimin ma të randë si popull e si komb na e lanë pesë dekadat e sundimit komunist dhe humbja ma e madhe s’qe vorfnia që na la, sepse nesër dyqanet do të mbushen, e do të ketë bollëk gjanash, po shkatrrimi i shpirtit arbnor asht e vështirë me u riparue. A do t’mundet ky shpirt i shkatërruem ta fitojë nji ditë fizionominë e vet që ishte qëndresa dhe krenaria e këtij Kombi? Te ngritja morale e këtij njeriu shqiptar duhet të puntojnë të gjitha përpjekjet tona intelektuale, te ristabilizimi i virtyteve të humbuna duhet të drejtohen reflektorët e njerzve të ndritun të kësaj kohe. Kjo me siguri do të jetë nji luftë e madhe sepse duhet luftue urrejtja, zilia, kapadaillëku, tinzaria, lakmia për pozitë, intriga vulgare e sa e sa vese që po e shkatërrojnë njeriun tonë.
Tash le të shohim, në nji analizë të shkurtë, ngarkesën e dyfishtë të “Kuvendit për Pajtim dhe Bashkim Kombtar”.
Bashkimi Kombëtar – në kushtet e sotme historike – asht nji domosdoshmëri, asht nji shans i madh historiko-politik, asht ai “oiseau bleu”, zogu i kaltërt që i vjen njeriut njiherë vetëm në dorë dhe, po s’dijti me e mbajtë i hikën dhe s’i kthehet ma kurrë. Pra: Bashkimi Kombtar o sot o kurrë!! Duhet me përfitue prej shthurjes së Federatës pansllave. Me peticione, me protesta, duhet të ngrihemi në kambë e të kërkojmë bashkimin me vllaznit tonë që gjenden nën thundra pushtimesh. E, për me e ba këtë, duhet ma parë që ne vetë të jemi të bashkuem dhe të mendojmë se për bashkimin Kombëtar s’duhet të ket paragjykime: diaspora, ajo që u arratis mbas fitores komuniste në Shqipëri, duhet të ket të drejtë të kthehet në vendin e vet dhe të anulohen gjithë ligjet e padrejta që e ndalojnë kthimin e saj në Atdhe. Pa diasporë s’ka e s’mund të ket bashkim të vërtetë mbarëkombëtar.

LDBSH ne takim me klerin katolik
LDBSH ne takim me klerin katolik

***
Tash vijmë te Pajtimi Kombëtar. Këtu mendoj se ata që e kanë marrë këtë barrë të randë me e çue deri në fund duhet të jenë shumë të kujdeshëm. Cili do të jet kuptimi i mirëfilltë i këtij pajtimi? Kush dhe me kë? Pajtimi kombtar asht nji operacion delikat të cilit duhet me i parapri drejtësia, ligji dhe ndershmënia vërtetë atdhetare e atyne njerzve që do ta udhëheqin kët akt fisnik.
Nëse Bashkimin Kombtar e quajmë diçka të shejtë, pajtimi kombëtar asht diçka e domosdoshme, si uji, si ajri. Por, pajtimi kombtar duhet të jet nji operacion gradual, pse rrezikon që nga pajtim kombtar të kthehet në mashtrim kombëtar, në kurriz të atyne mbi të cilët u hodh vallja e gjatë makabre e komunizmit. Kemi dy skaje të nji litari: persekutorët dhe të përsekutuemit. Këta të fundit formojnë nji armatë të madhe njerzish të pastrehë, të zhveshun e të uritun. Këta njerëz, ndonse akoma i kanë në trupin e tyne gjurmat e torturave ma çnjerëzore, prap se prap fisnikja, shpirtmadhësia dhe toleranca e tune manifestohet në çdo kërkesë që ata kanë. Në nji vjet të jetës demokratike, ndonse ende flejnë nën ura, nëpër bunkerë e nëpër banesa të pashëndetshme, s’kanë krye asnji akt dhune… dhe kjo tregon se ata janë kundra hakmarrjes, pse s’duan që askush të kalojë nëpër at kalvar nëpër të cilin kaluan ata!! Bataljonat e hakmarrjes, as dje, as sot e as kurr s’kanë për me dalë prej rradhve të tyne. Prej tyre do të dalin vetëm armatat e flijimit në emën të lirisë e të Atdheut!
Në këtë rast, ashtu si natyrshëm, vjen pyetja: po persekutorët, në këtë rast, a nuk ndjejnë ndonji bremje ndërgjegjeje? Të paktën nji sadisfaksion moral a s’mund t’ua japin këtyne njerzve të vuajtjes krenare? Dijetarët e Sionit shqiptar a do ta kenë të qetë ndërgjegjen e tyne duke parë për hava vetëm dorën e shtrime të të persekutuemve dhe asnji dorë tjetër që turret me e kapë atë? Edhe në librat e shejtë thyhet se Zoti fal mëkatet, por ama duhet të bahët “Puna e Pendimit”.

Lazër Radi, Leka Zogu i I dhe Hazir Shala
Lazër Radi, Leka Zogu i I dhe Hazir Shala

***
Grumbullimi i fatkeqësive të vogla përbën sot fatkeqësinë e madhe kombtare.
E nëse ne lejojmë që kto fatkeqësi të rriten përdit e ma tepër, atëherë ne do të dalim para botës si një komb fatkeq, i çveshun dhe i pambrojtun. S’duhet të harrojmë për asnji çast se ligshtimi i ynë, dëshpërimi i ynë, do të jetë arma ma e fuqishme që do t’u japim fqinjve tanë. Mbetet në nderin e historisë së Kombit Shqiptar të vihet dorë për shërimin e plagve shpirtnore që po trazojnë kët vend. Është në nderin e çdo qytetari që e ndjen veten shqiptar me dhanë gjithë kontributin e mundshëm për zgjidhjen e alternativave të rrezikshme: të jemi të bindun se nji rrezik i madh po na kanoset, rrezik i cili aq sa na vjen prej të tjerëve, po aq ndoshta edhe ma tepër na vjen nga vetja e jonë.
***
Mendoj se mallkimi i historisë ka me ra mbi ne po qe se do të mbetemi kështu të çarë e të shpërndarë. Bashkimin shpirtnor të mbarë popullit e kërkon momenti i rrezikshëm që po jetojmë. Kjo mund të arrihet vetëm nëse njerzit tanë mendojnë siç shkruente sociologu Army: “Nëse ka njeri që mund të thotë: Të humbasë Atdheu, por të shpëtojë partia. Unë do të bërtas: Të humbasin të gjitha partitë (edhe ajo e imja) por të jetojë Atdheu”. S’duhet të harrojmë për asnji çast se vetëm trimnia, besa e bashkimi mund t’i japim këtij vendi at vitalitet kombëtar që do ta bëjë të ngjallet rishtas dhe të ndjehet “zonjë” në etninë e vet krenare. Së bashku me Luigj Gurakuqin po e përfundoj: “Lypset që zemrat e të gjithë shqiptarëve të lidhen, të bashkohen e të bahen nji”.
Tiranë, qershor 1992 (fotoja u mor nga infoçetta.com)

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.