back to top
15.5 C
Tirana
E diel, 14 Prill, 2024

Babë e Bir – Varrezat misterioze në Vuksanlekaj – Hot

Gazeta

Varrezë në Vuksanlekaj (M.Madhe)
Varrezë në Vuksanlekaj

Babë e Bir – Varrezat misterioze në Vuksanlekaj

Hot (Malësi e Madhe) (fb)

Ajo që ndoshta vlen të ceket janë varrezat e fshatit, që i kanë mahnitur të gjithë ata që i kanë parë. Ato janë të periudhës para se Vuksan Leka të rikthehej në pronat e veta dhe vlerësimi i lashtësisë së tyre vërtitet nga 200-800 vjet, por disa i cilësojnë shumë më të lashta.
Janë diku rreth 30 varre të gdhendur në gurë, të larta prej 1 m deri 1,50 m, të kthyera me kokë nga perëndimi. Gdhendja është bërë në pjesën e përparme dhe të pasme, si edhe në vetë pllakën mbuluese.
Në to gjen të gdhendura simbole nga më të ndryshmet, si të femrave të stolisura, me parzmore, kryqa që janë të lidhur me simbole të tjera, kryqi i trefishtë, hëna e plotë, gjysëmhëna, dielli, ylli gjashtëcepësh, rrathë ciklikë, trekëndëshi, katrorët, shkop barinjsh, gjarpërinj, elemente nga bota shtazore dhe bimore, fëmijë pa kokë, nëna me foshnje, burra të moshuar, një gdhendje që i përngjan shqiponjës dykrenare me krahë të ngritur, shpata, gjarpëri i lakuar që mbi kokë ka gjysëmhënën dhe diellin apo një rreth që në brendësi ka një lule me gjashtë petale – apo diku edhe tetë, kryqi kelt i formës së iksit, brirët e dhisë mbi kryqin që ka formë të rregullt në gjerësi dhe gjatësi… Dua të ceki këtu se pothuaj të gjithë kryqat që paraqiten në varrezë janë të gjatësisë dhe gjerësisë së njëjtë, shkopi i ndonjë prijësi dhe shumë gdhendje në gurët e tjerë, që kërkojnë kohë dhe ekspertizë që të identifikohen dhe të studiohen e më në fund edhe t’i interperetojmë, që edhe të kuptojmë se çfarë kanë dashur të thonë ata që i punuan, pra çfarë mesazhesh përçojnë deri në ditët tona…

Varreza e Rrallë në Vuksanlekaj
Varreza e Rrallë në Vuksanlekaj

Do të ishte mirë që këto gjëra, të cilat u përmendën këtu, të studiohen gjithnjë e më shumë dhe njerëzit kompetentë të merren shumë më seriozisht me to, sepse vetë banorët e Vuksanlekajve e kanë bërë shërbimin e tyre më të mirë, duke i ruajtur ato dhe duke u kujdesur, të paktën për 200 vitet e fundit, kohë kur janë zhdukur shumë elemente të trashëgimisë sonë kulturore dhe historike.
Ka ardhur koha që me to të merren organet e specializuara, dashamirëse dhe të zhveshura nga “izmat” jashtëshkencore!!! (fb)

Shpirti i lashtësive tona…

shënim nga Jozef Radi

Në nji rastësi krejt të pazakontë, në botën e fb ndesha para do kohe nji foto të shoqnueme me kët shënim… Të cilin e lexova nji frymesh… Si fotoja, ashtu edhe shënimi më lanë nji përshtypje të veçantë… dhe ndërsa foton e ruejta dhe shënimin e shkëputun e rilexoja, mbeta disi i mahnitun prej asaj së vërtete, që malsorët e nji zone mjaft të thellë të Hotit, në Vuksanlekaj, (Mal i Zi) kishin tregue ndaj kulturës dhe historisë së tyne nji respekt të thellë, duke ruejtë me fanatizëm varrezat e fshatit të tyne dhe mjaft prej atyne varreve me nji vlerë të jashtzakonshme… Kur mbarova së lexuemi, deshta të kthehem aty ku e kisha gjetë materialin, për me e vazhdue kërkimin, po s’gjeta as ma të voglën gjurmë të asaj çka kisha lexue… si të ishte fjala për nji andërr… Në mendje më kish mbetë leximi “…aty gjen të gdhendura simbole nga më të ndryshmet, si të femrave të stolisura, me parzmore, kryqa që janë të lidhur me simbole të tjera, kryqi i trefishtë, hëna e plotë, gjysëmhëna, dielli, ylli gjashtëcepësh, rrathë ciklikë, trekëndëshi, katrorët, shkop barinjsh, gjarpërinj, elemente nga bota shtazore dhe bimore, fëmijë pa kokë, nëna me foshnje, burra të moshuar…”
U lodha të gjej ndonji gjurmë të asaj që kisha lexue, por asgja… Atherë iu ktheva kujtesës dhe sajova do lidhje paksa haluçinante, kohash të kahershme…

Varr Monumental - Vuksanlekaj
Varr Monumental – Vuksanlekaj

Në Savër, ku kam jetue ma shumë se gjysmën e jetës, ishte nji malsor i hijshëm, i gjatë, i hollë, mjaft i mençun, me ca mustaqe spic dhe me nji lloj solemniteti të epërm e paksa të tepërt, si në ecje, si në qëndrim edhe në sjellje. Quhej Lek Vuksani, ose siç e thërrshin ndryshe: Lek Vojvoda. Ishte malsor i shkolluem në akademinë ushtarake të Modenas, qe edhe aty në interrnim, ndjehesh krenar si të ishte nji ministër… I biri i tij quhej Vuksan Leka… ma vonë ndigjova se edhe nipi i tij, quhej Lek Vuksani…
Siç ndodhte zakonshem në familjet tradicionale të Malsisë, ky riciklim i vazhdueshëm emnash dhe mbiemnash deri në pavdeksinë e atyne që iknin përmes ringjalljes prej nji brezi në tjetrit, më ka bà mjaft të reflektoj, në shpjegimin e ndjenjës së përjetsisë së shpirtit shqiptar ndër malsorët dhe bajraktarët në krejt Veriun… Mbasi e rilexova shkrimin e masipërm, ku ruejtja e varreve monumentalë e me domethanie (ende teë padeshifrueme!!) dhe krejt ajo botë shenjash e simbolesh disi të çuditshme të përdoruna në at varrezë, atje midis maleve (jashtë kufinit) më mahniti mjaft… e gjeta të arsyeshme me e pasqyrue kët fakt dhe me i bashkue edhe kët shënim timin pa fort pretendime… Sido që t’jetë, mendova, dikush tjetër, njashtu si unë, mundet me e shijue si duhet krejt këto vlera që edhe pse fle n’heshtje n’thellsitë e maleve të Veriut, aty ku rri n’fashë dhe i ruejtun si askund tjetër… shpirti i lashtësive tona…
2 qershor 2013

Varrezë Shqiptare në Vuksanlekaj
Varrezë Shqiptare në Vuksanlekaj

 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.