back to top
4.5 C
Tirana
E mërkurë, 13 Nëntor, 2024

Atdhetarizmi dhe Iluminizmi – Tipare Qenësore të Jetës dhe Veprimtarisë së Atë Shtjefën Gjeçovit nga Isuf B. Bajrami

Gazeta

At Shtjefen Gjeçovi (1874-1929)
At Shtjefen Gjeçovi (1874-1929)

Atdhetarizmi dhe Iluminizmi – Tipare Qenësore të Jetës dhe Veprimtarisë

së Atë Shtjefën Gjeçovit

nga Isuf B. Bajrami

Këto punë po i shkruaj këtu, o vëlla shqiptar,
jo me ndonjë qëllim të keq, por pse po ma ka ënda
me e mbështetë në to vjetërsinë e kombit tonë.
Le ta marrë vesh bota se hyjnitë,
mënyrat dhe sjelljet e besimtarëve,
si grekët dhe latinët e vjetër
i patën prej etërve tanë, Pellazgëve”.
Shtjefën Gjeçovi

Isuf B. Bajrami
Isuf B. Bajrami

Sapo kujton emrin e tij, edhe më të fundmit të shqiptarëve që ka pasur rastin të bëjë qoftë edhe dy klasë shkollë, do t’i vejë menjëherë mendja te “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, mbledhur e kodifikuar nga Frati i Madh. Po, At Shtjefni ishte shumë më tepër se kaq. Një nga figurat më poliedrike që njeh historia e kulturës shqiptare, ai pati etjen e pashuar të gërmonte nga pak në gjitha fushat e diturisë. Mahniti me kulturën e tij Faik Konicën, i cili e përshkruan me nderim e simpati të thellë në parathënien e Kanunit; la pa mend shkrimtarin e ri modern të Shkollës letrare të Veriut, Dom Lazër Shantojën, edhe ky martir i krishterimit, i cili i kushtoi portretin më të bukur që është shkruar për të, duke e radhitur përkrah Fishtës e Harapit. Ai mbeti në kujtesën e të gjithëve si një nga historianët, etnografët dhe arkeologët e parë shqiptarë.
Ndër figurat më të rëndësishme dhe më të qëndrueshme të Rilindjes Kombëtare është edhe At Shtjefën Gjeçovi, apo siç e quanin në fëmijëri Hili (Mihilli) i Vogël.
Shtjefën Gjeçovi u lind më 12 Korrik 1874, në Janjevë të Dardanisë. Mësimet e para i mori në vendlindje, i vazhdoi në Kuvendin françeskan të Troshanit (Shqipëri), në Dërventë (afër Banja Llukës) dhe në Fojnicë e Kresheve të Bosnje-Hercegovinës. U shugurua prift në Zllakuqan (afër Klinës), më 25 Korrik 1896. Shërbeu në Zllakuqan, Pejë, Gllogjan të Pejës, në Gjakovë e Zym të Hasit të Thatë të Kosovës, si dhe në Theth, Gomsiqe, Rubik të Kurbinit, Vlorë, Prekal të Shalës e vende të tjera të Shqipërisë si edhe në Zarë të Dalmacisë e Livno të Hercegovinës.
U vra nga serbët në Zym të Hasit të Thatë më 14 Tetor 1929.

Shtjefen Gjeçovi, Loro Mitroviç, Gjergj Fishta
Shtjefen Gjeçovi, Loro Mitroviç, Gjergj Fishta

***
At Shtjefën Gjeçovi u lind dhe u rrit në shtratin e Rilindjes Kombëtare. Ishte personalitet i rrallë i fesë dhe i kombit. I nderuar nga mbarë kombi shqiptar. Ishte pishtar i devotshëm i shqiptarizmës, atdhedashurisë dhe i arsimit e kulturës shqiptare. At Shtjefën Gjeçovi bëri gjurmë të pashlyeshme në fushën e teologjisë së krishtere (Katolike), në fushën e arsimit, të arkeologjisë, historisë, etnografisë, mbledhjes, sistemimit e kodifikimit të të drejtës zakonore shqiptare, mbledhjes së folklorit, në fushën e krijimtarisë së prozës e poezisë, si edhe të përkthimeve. Gjeçovi ishte një figurë e gjithanshme që do të thotë se vepra dhe kontributi i tij përbëjnë tiparet dalluese të atdhetarizmit e iluminizmit shqiptar. Ai hapi 11 shkolla shqipe dhe punoi në detyrën e mësuesit të shqipes në më shumë se 20 shkolla të tjera. Themeloi koleksionin e parë arkeologjik në trojet shqiptare. Për kontributin dhënë afirmimit të vlerave kombëtare fitoi admirim në nivelin kombëtar dhe nga qarqet shkencore evropiane, për ç’ka edhe u titulla Doktor Nderi në Universitetin e Lajpcigut të Gjermanisë.
Ndër veprat më të rëndësishme të At Shtjefën Gjeçovit, që kanë lënë gjurmë në letërsinë shqipe dhe përgjithësisht në kulturën tonë janë: “Dashnia e atdheut” (1901), “Jeta e Shën Luçisë” (1904), “Agimi i Gjydetnisë” (1910), “Nji argtim arkeologjik” (1902), “Sebaste s’Armeni apo në Arbëri” (1921), “Trashëgime thrake-iliriane” (1924), “Trashëgime pellazge në traditën shqiptare” (1914), si dhe veprat që u botuan më vonë si “Kanuni i Lekë Dukagjinit” (1933), “Shërbyesi i botës ose Jeta e Jezu Krishtit” (1997), apo veprat që ndodhen në dorëshkrim, si “Trashëgime ilire në traditën shqiptare”, “Përrallat popullore” (1903), “Doke e zakone vdekjeje” (1907), “Mënyra e jetës në Malci” (1908), “Doke e zakone dasmash” (1910?1911) si dhe përkthimet e botuara “Atil Reguli” (1912), “Vajza e Orleansit” (1916), “Mark Kuli Kryeqitas” e shumë e shumë të tjera.
At Shtjefën Gjeçovi krijoi mbi 10 mijë faqe materiale e krijime të tjera të fushave të ndryshme. Në shenjë të përkujtimit të At Shtjefën Gjeçovit, tash e 29 vjet me radhë në Zym të Hasit të Thatë mbahet një përkujtimore tradicionale kulturo-letrare-shkencore e titulluar “Takimet e Gjeçovit”. Emrin e tij e mbajnë shumë shkolla fillore e të mesme, si dhe klubi letrar në Zym e shumë grupe letrare nëpër shkolla fillore e të mesme, si arkeologët e grupit të Historisë në Universitetin e Prishtinës. Duhet përmendur se redaksia e botimeve të “Rilindjes” në vitin 1987, e ka botuar serinë e veprave të tij (ato vepra që lejonte koha); gjithashtu, janë botuar vepra të tjera të ndryshme që i kushtohen Shtjefën Gjeçovit.
Jeta e Shtjefën Gjeçovit ishte e gjitha një përpjekje. Mes maleve ku predikonte si françeskan, kërkoi visaret, organizoi lëvizje kombëtare dhe hartoi “Kanunin e Lekë Dukagjinit”. Ditët e tij ishin të mbushura me shqetësime, çështje që kërkonin zgjidhje e të tjera që duheshin njoftuar. Shtjefën Gjeçovi nuk ishte veç aq sa njihet nga fjalët e të tjerëve dhe veprat që ka lënë. Letra të tëra, të shkruara me dorën e tij, na zbulojnë një tjetër At. Ato u drejtohen emrave të njohur të politikës dhe kulturës shqiptare, konsullatave, françeskanëve të tjerë, por edhe familjes. Gjeçovi në “betejë” me kohën. Me fjalë të përzemërta apo të shqetësuara, diku edhe i frikësuar… ai i shkruan At Gjergj Fishtës, Fan Nolit, Mit’hat Frashërit, Aleksandër Xhuvanit, Lef Nosit, Simon Shuteriqit, personaliteteve klerikale të ortodoksisë shqiptare dhe të kishës unite. Janë më shumë se 100 letra, të mbushura me kërkesa, njoftime për çështje madhore apo dhe vetëm shpjeguese, rreshta ku tregon gjendjen e tij shpirtërore apo edhe gëzimin për një çështje të arritur. Ruhen në arkiva. Një pjesë e konsiderueshme në Arkivin Qendror Shtetëror të Shqipërisë. Në dosjen e tij, apo personaliteteve të tjerë me të cilët ka patur korrespondenca. Nga trashëgimia e mbetur në dorëshkrim për Shtjefën Gjeçovin. “Shtyllat e Kombit” (publicistikë), “Mnera e Prezës” (novelë), “Tomorr e Pashtrik Përpiquni” (vëllim poetik), “Shqyptari Ngadhnjyes” (dramë), janë disa nga botimet e realizuara më parë.
Në përmbajtjen e këtyre letrave zbulohen të dhëna interesante për Gjeçovin, por edhe veprimtarinë e zgjeruar të tij. Nga materialet e shumta që ruhen në dorëshkrim dhe shumë rrallë të botuara, janë korrespodenca e Gjeçovit që ka pasur me personalitete të kulturës shqiptare, albanologë të huaj, me klerikë për probleme të administratës kishtare, me organizata dhe shoqëri patriotike-atdhetare të kohës në të cilën ka jetuar dhe ka shtrirë veprimtarinë e tij Shtjefën Kostandin Gjeçovi. Ato tregojnë anën e panjohur të tij, probleme konkrete që kanë ekzistuar dhe janë debatuar, kërkesa të ndryshme që i dërgonin njëri-tjetrit njerëzit në kohëra dhe periudha të ndryshme. Te letrat e Gjeçovit shpalosen edhe disa veprimtari që nuk na dalin në dokumentacione të tjera. Një prej tyre është bashkëveprimi me kolegët për themelimin dhe konsolidimin e kishës igumenike shqiptare e cila po të hapim dokumentacionin, ose nuk shpaloset fare, ose gjendet ndonjë detaj shumë i vogël i saj.
Duke përfshirë telegramet e kartolinat, numri i tyre shkon në 118. Ende nuk janë përgatitur edhe 6 letra të tjera që gjenden në Arkivin e Shtetit, dy shqip dhe katër italisht. Kjo punë nuk është shteruar. Arkivat private mund të sjellin të papritura, siç ka qenë një letër me shumë vlera e gjetur në familjen e Ibrahim Shytit në Vlorë. Por shumë letra të tjera mund të jenë zhdukur. Sipas kujtimeve të të ndjerit At Zef Pllumi në vitin 1945-’46, në Kuvendin e Françeskanëve është pastruar arkivi i Shtjefën Gjeçovit. Ka mundësi që të jenë hequr letrat e Gjeçovit drejtuar Lef Nosit, Mit’hat Frashërit, Ahmet Zogut dhe arkeologut italian Ugolini. Të gjithë këta ishin shpallur armiq, por dihet që ka pasur korrespodencë me ta, pasi janë gjetur letra në fondin e tyre.
Shjefën Gjeçovi la një trashëgimi të papërsëritshme për kulturën shqiptare. Veprat që vijnë deri në ditët e sotme, përfshirë këtu edhe përgatitja e “Kanunit të Lek Dukagjinit” kanë vlera të padiskutueshme. Në letrat që janë nxjerrë nga arkivi nuk mungojnë edhe shqetësime të tilla. Për materiale që mblidheshin, për pjesë që duheshin botuar, e të tjera që i rrezikonin. Aty dalin edhe përpjekjet që ai dhe kolegët bënin në mënyrë të organizuar për veprimtarinë atdhetare, kulturore, të alfabetit dhe botimeve që kishin në planin e përhershëm përkundër veprimtarisë ideologjike dhe kulturore të armiqve të Shqipërisë. Në letrat që i dërgon At Gjergj Fishtës ai i kërkon materiale, apo i tregon se ka lexuar një kanunin në frëngjisht. Përmes datimit të tyre, arrihet të kuptohet se në cilën kohë ai punonte për përgatitjen e Kanunit. Përveç qarqeve të ndryshme që ishin të interesuara të pengonin personalitete të tjera dhe Gjeçovin për zhvillimin kulturor, politik dhe shkencor, ai vet herë herë detyrohej të bënte një vetcensurë për veprat që shkruante. Mes rreshtave të shkruara prej tij gjejmë edhe shqetësime familjare, probleme të tij me shëndetin, apo edhe kërkesa për vonesa e shlyerje borxhesh. Aty është Shtjefën Gjeçovi që merret me probleme madhore dhe ai që “mundet” nga imtësira të jetës së përditshme.

Faik Konica me perkushtim Vasil Panit
Faik Konica me perkushtim Vasil Panit

Faik Konica mbi At Gjeçovin

Ca Kujtime mbi At Gjeçovin sicilidò prej nesh, miq dhe admironjës të tij, do të kishim nevojë që në gjallësí për nga një lotore ku të mbledhim lotët t’ona për At Gjeçovin.
At Gjeçovin e pata njohur me anë letrash disa vjet përpara Luftës Ballkanike. Më 1913, shkova në Shkodrë dhe atjè, në Kuvënt të Franciskânëve, nji ditë u njohmë me sy e me fjalë të gjalla. Mendimet nderimi që kisha patur për At Gjeçovin për së largu, m’u shtuan ca mê tepër që kur u poqmë. I mesmë nga gjatësia e trupit, pakë si i thatë, me një palë sy të zeza ku çkëlqente mendia po dhe zëmërmirsia, At Gjeçovi fitonte menjëherë besimin dhe dashurinë. Fjalët i kish të pakta po kurdoherë në vënt. Vetëm kur në të kuvënduar e sipër takohej nonjë pikë mi të cilën kish dituri të veçantë – si për shembëll Kanuni i Lek Dukagjinit ose vjetëritë greko-romane – At Gjeçovi çelej ca mê gjatë, dhe ahere ish gëzim t’a dëgjonte njeriu. Asì kohe At Gjeçovi ish “famullitar”, domethënë prift i ngarkuar me shërbimin e një fshati ose rrethi, dhe rronte në Gomsiqe, i pari katûnt i Mirditës mb’udhë nga Shkodra n’Orosh.
A i vemi musafirë At Gjeçovit nonjë ditë të kësáj jave? Më pyeti një herë At Fishta, me të cilin píqesha çdo ditë në Shkodrë. Mendimi i një vizite At Gjeçovit më pëlqeu pa masë. Ashtû, pa humbur kohë, u nismë. Një gjë për të vënë ré, dhe që më mbushi me habí dhe trishtìm, është se nga Shkodra gjer në Gomsiqe, një udhëtìm shtat’ a tet’ orësh me kalë, nukë gjetmë as katûnt as shtëpí; veç një hani të varfër, ku qëndruam për të pirë kafé, s’pamë gjëkundi nonjë shënjë gjallësie: një vënt i zbrazur e i shkretë, si i harruar nga Perëndia dhe nga njérëzit. Po mërzia e udhëtimit na u çpërblye përtèj shpresës posa arrijtëm në Gomsiqe, ose, që të flasim me dréjt, në famullí të Gomsiqes, – se katundi vetë i shpërndarë tutje-tëhû, një shtëpí këtû, një shtëpí nj’ a dy mile më tej, as që dukej.
Famullia – një biná prej guri, e ndritur dhe e pastër, gjysm’ e zbrazur nga plaçka po e mbushur dhe e zbukuruar nga zëmëra e madhe dhe nga buzëqeshja e të zotit shtëpisë – qëndronte, mirëpritëse dhe e qetë anës një lumi. Këtû ronte At Gjeçovi. Këtû e shkonte jetën, në mes të lutjes e mësimeve, një nga njérëzit më të lartë që ka patur Shqipëria: një lartësí e përulur, në munt t’afròj e të lith dy fjalë aqë të perkûndërta; një lartësí shpirti dhe mendjeje e panjohur nga njeriu vetë, i cili, bir i vërtetë i të Várfërit t’Assisit, në pastërí e në vobësí të zëmrës tij e dinte veten të vogël. Famullia, shkollë dhe vënt këshillash të mira, u jipte fëmijëve themelet e stërvitjes, u përndante fjalët e urta dhe ngushëllimet njérësve në nevojë. Kohën që i tepronte, At Gjeçovi j’ a kushtonte studimit.
Merrej ahere me institutat e vjétëra të Shqipërisë, nga të cilat një që arriu gjer në ditët t’ona është Kanuni i Lekë Dukagjinit. Askùsh nukë munt t’i afrohej At Gjeçovit në diturín’ e këtíj Kanuni. Na tregój një dorëshkrìm nj’a dy-mij faqesh, sudím i palodhur e i hollë ku kish mbledhur, radhitur e ndritur të gjitha sa kanë mbetur nga mendimet juridike të Shqipërisë në Kohën e Mesme, mendime të cilat ngjan t’i kenë rrënjët shumë përtèj Kohës së Mesme.
Në kat të sipërm të famullisë, permi një tryezë të madhe, ishin shtruar një tok vjetërsirash greko-romane, të zbulúara e të mblédhura një nga një, me një fatbardhësí të rrallë dhe me një shie të mbaruar, nga dora vetë e At Gjeçovit. Mbaj mënt, veçàn, një enë të vogël të qojtur “lacrumatorium” lotore, asìsh që të vjétërit, në besim se të vdékurit qajnë të shkúarit e jetës tyre, i mbulojin në varr bashkë me të vdékurin që ky të kish se kû t’i mblithte lottë. Nuk më shkonte ahere kurrë nër mënt se pas ca vjet sicilidò prej nesh, miq dhe admironjës të tij, do të kishim nevojë qi në gjallësí për nga një lotore ku të mbledhim lottë t’ona për At Gjeçovin.
Bir i përulët i Shën Franciskut, e ditur me një diturí pa tingëllìm, po dhe Shqipëtár i kthiellt, At Gjeçovit, që përkiste çdo mirësí, nuk i mungój asnjë hidhërim, asnjë çpifje, më e çudítshmia e të cilave ndoshta është të mohúarit se ay ish Shqipëtár. Sepsè ish lindur në një kufí gjúhërash, në një kufí ku sot mbaròn shqípia dhe nis një tjatër, ca mëndje të klasës katërt, të pazonjat të kuptojnë se fólësit e shqipes në vijën me të përparuara janë stërnípërit e atýreve që me qëndrimin e tyre në Kohën e Mesme dhe pastaj ndaluan të mbrápsurit e vijës më tehû, ca mëndje të klasës katërt e përmbysin të vërtetën dhe e kthejnë në të sharë atë që është një lavdí.
Po At Gjeçovi është përmi çdo sharje. Emëri i këtíj njeriu të rrallë do të vejë duke u ritur – dhe një ditë famullia e Gomsiqes do të jetë një nga gurët e shëntëruar të Shqipëtarësisë.
(Marrë nga “Dielli” 18 Mars 1930, nr. 5 156, fq. 2.)

 

Gjergj Fishta, Karl Prennushi, Justin Rrota, Shtjefen Gjeçovi
Gjergj Fishta, Karl Prennushi, Justin Rrota, Shtjefen Gjeçovi

Korrespondenca në dorëshkrim

Gomsiqe 21. XI. 1910
Fort i dashtun P. Gjergj!
Dy fjalë. Po t’i mbylli ktu do letra, porse me ket shteg m’i kthe teknej per rrogtarin. – Posë P. Ambrozit, pos mue e ty mos i kallxo kuejt! Se rreziku na rrin mi krye! N’muejsh se si, shkruej edhe P. Lorensit n’Bajzë e ai P. Sebastjanit, e mos t’pergjigjni Palluçit(!), por t’lypin m’u mbledhë n’Shkoder e athera t’bajmë do kuvende t’nevojshme për Provinçë. M’nep nji t’pergjigjun si t’vin letra eme? Gadi harrova. Shkruej edhe P. Palit t’bajn kshtu d.m.th. per me ardhë n’Shkoder. Masi asht tuj dasht me hjekë qafet administratorin e provinçjes duhet me i thanë, qi t’bajnë istifakname edhe A’Provinçjalit, se ne s’na çartet gja. Aman gajret pash Shna Nduen e Pash Shqypninë. T’marr ngrykë i Yti ASK Gjeçov.
F. 58. D. 96 fl 6 – 7.
Zarë, 31 dhjetor 1905.

Ministrisë së Lartë Imperiale-Mbretërore.
Veç i është e njohur Ministrisë së Lartë Imperiale-Mbretërore, që unë, sipas urdhërit të fort të ndershmit At Ministër Gjeneralit të Rregullit tonë1, kam ardhur në Zarë për të zëvendësuar fort të ndershmin At Pashk Bardhin për mësimdhënjie në gjuhën shqipe në Borgo Erizzo. Për këtë i falenderohem kësaj Ministrie të Lartë Imperiale Mbretërore, që më ka nderuar kaq dhe që ka gjetur personalitetin tim jo të denjë që ta angazhojë për këtë nevojë. Por, duke parë se At Bardhi ka qenë i perjashtuar prej kësaj detyre për shkak të fjalëve të rrejshme dhe shpifjeve, duke e ndërprerë me një mënyrë jo njerzore vitin shkollor, as unë s’e ndjej veten që të rrij në këtë Kuvend, ku etërit françeskan shqiptarë s’e ndjejnë veten ndër vëllezërit tanë. Që të mos më ndodhë edhe mua e njëjta gja, unë dëshiroj t’ju them me këtë shkresë të pranishme dhe të jap dorëheqje formale, e cila, duke pasur parasysh arsyen e lartpërmendur, do të pranohet nga Ministria e Lartë Imperiale-Mbretërore. Këto ditë do t’i shkruaj fort të ndershmit At Minister Gjeneralit dhe do t’i lutem të më japë leje, që të kthehem në Atdhe. Në rast se fort i ndershmi At Gjenerali më lidh me virtytin e Dëgjesës së Shenjtë për të pranuar detyrën e mësimdhënësit të gjuhës shqipe në Borgo Erizzo, atbote unë do të jem i detyruar të pranoj. Por le ta dijë Ministria e Lartë Imperiale-Mbretërore, se në këtë rasë do të konsideroj banimin tim në këtë Kuvend, si banim të detyrueshëm dhe do të jap mësim pa dëshirë, në mënyrë mekanike dhe vetëm proforma, dhe s’mendoj të marrë kurrfarë obligimi për perparimin e nxanësve. Kam shpresë të fortë, se Ministria e Lartë Imperiale- Mbretërore do të ma pranojë me zemër këtë dorëheqje, dhe se do të insistoj ke Ministri Gjeneral, që të më japë leje të kthehem në Atdhe. Duke u deklaruar gjithmonë besnik dhe shërbëtor i gatshëm ndaj Ministrisë së Lartë Imperiale-Mbretërore dhe me konsideratë të veçantë mirnjohje Fort i përshpirtshmi dhe i falenderueshmi At Shtjefën Konstandin Gjeçovi, O.F.M. 1). Ministrit të Urdhërit Françeskan.

Fort i dashuri P. Gjergj (Fishta)
A të bjen nder mend kur ishim në Bosnje, si shtypej nder të kremte (kremtime) kombëtare shtypi me bojna t’Flamurit t’kombit të tyne? A nuk kishte me kenë punë e mirë qi t’fillojmë edhe na me e shpallun kah nji herë, si e naltpermenda? Edhe kishim me pasë shkak per t’ardhun t’Mbretit t’onë1, e të përkohshëmen2 e frorit me e stolisun me bojna t’Flamurit tonë për nder të Mbretit ma parë, e e dyta t’ketë fillesë prej françeskanve t’Shqypnisë, kjo stolisje, si veshje kombtare e së përkohshmes sonë. Kët nder e pret prej tejet hem Shqypnija, hem i yti me zemër At Gjeçovi
At Gjeçovi
Gomsiqe, 9 – I – 914.
AQSH, Fondi 58, Dosja 96, fleta 13.
1)Ardhja e Princ Vidit në Shqipëri.
2)Revistë e perkohshme, periodike.
Këtu është fjala për revistën Hylli i Dritës.

Dorshkrimi i Kanunit - At Shtjefen Gjeçovi
Dorshkrimi i Kanunit – At Shtjefen Gjeçovi

Gomsiqe, 8. I. 914
I ndriçmi Zotni Bajram Beg Curri!
Mjaft keq po m’vjen, qi sun po ja ndreqi dishirin Zotnisë s’Ate për punë t’armve. Unë mas emnit t’Preng Pashës, qi kam pasë prej Ishmit, i kam da armët e kurrnji s’kam ktu. Pra Z. Jote ka me m’falë, se kjo punë nuk asht ma n’dorë t’eme, porse n’dorë t’Preng Pashës Ju falem Shqyptarçe e jam i Z. s’ate ASK Gjeçov.
F. Bajram Curri (Nr. 818),
d. 19. fl.11.

Vlonë 21. IV. 920
Fort i nderti e i dashtuni Provincjal.
Kët letër jam t’uj ta shkrue turravrapthi, sa me të ba me dije, se mrrina shndosh e mirë ktu. Pa u mbushë mirë me frymë, populli italjan i kësaj famullie porsa muer vesh, se jam shqyptar, janë vu menjiherë me ba prattiche, si më tha kapelani i ushtrisë, qi ka ba shërbim ksaj famullie deri tash, e i cilli ka shumë qef me ndej vetë ktu, e me ato prattiche janë tuj ba ricorsi presso le tutorita di qui, për me hjekë mue e për me pru nji meshtar italjan. Unë jam gjetë ktu si gogla mbi ujë, e bafti i em asht, qi kam gjetë D. Mark Vasën ktu, i cilli deri më tash më ka mbajtë me darkë e me mjezditë në shpi të vetë, se sa për kapelanin e ktuhes kisha metë në rrugë të madhe. Në vijoftë puna kshtu, ndimo zot. Komanda më ka pritë si a ma mirë, porse janë gergasat, bash ky administratori-kapelani, i cilli u ba me pi mirë, kur më pa ktu. Puno si të dish e tjetër arsye së kan me pasë ankimet, perveçse jam shqyptar. Në folësh me nonji asi komandarësh, mos ban tepër dava në kapelanin, se dreqi e din mos na ngatrroi punën edhe ma zi. Mirë kishte me kenë, qi ta bajsh, qi ti nepet urdhni e të më dali prej hospicit, e të shkojë ku të donë. Këtu s’kam deftere. Në qoftë se i jet famullia Urdhnit mir ban me mi çue. Tash tuj të marrë doren po jes i Yti.
ASK Gjeçovi.
P.S. Shumë shendet prej zemret prej D. Mark Vasës.

38 (Letra i niset Lef Nosit)
Elbasan 21. VIII. 924.
Dashamir!
Të falem per librin.
Qëllimi i kësaj asht të pves a përnjimend e keni nji dorshkresë të njifarë Theodhorit (Elbasanit) qi asht Mesha e përkëthyeme shqyp?
Në kjoft e vërtet, a mundet t’a shof.
Tuj pritë edhe emnat……
I yti Dashamir
Sh. K. Gjeçovi.

F. 58. Dosja 96, fleta 40
I nderti At,
Lajmin e rilindjes së “Hyllit” e mora dhe u gëzuash. Sa për me Ju dërgue (ndoj) shkrim për Kanu më duhet me ju përgjegj se me ket gjendje të kombit nuk mund të mblidhet, as mund të shkruhet gja prej gojet të popullit. Unë pernjimend se kam do dorshkrime mbi Kanu, porse nuk mund t’i ve për fije pa pasë njerëz të vaditun, s’jam ken i zoti dikur me i thirrë e me i pvetë. Besoni se qysh prej vjetit 1915, Kanunin s’e kam prek me dorë. Sa mos të mundem me thirrë kand e si mos të kem mjete me pritë e me përcjellë, as Kanuni e as nji fjalë s’cirret prej gojet të popullit. Jeta kuvendare për kët punë s’asht, porse ju lutem mos ta merrni për të fymë ket fjalë se unë e kam vu me ta, a në Kuvend a në famulli, për mue janë nji doret, se jam mërzitë ma tuj më thanë Fretnit “Dy bukë si hangra kund!” Tuj ju marrë dorën, e tuj jy lyp bekimin po nënshkruhem.
ASK Gjeçovi.
P. sh. Mos më harroni për nji zhgun të ri.
F. 133, d. 834, fl. 2.

Marre nga http://www.gazetakritika.net/Forumi/index.php?itemid=1232  14.10. 2008

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.