back to top
25.5 C
Tirana
E diel, 19 Maj, 2024

Aromë Shkodre në kujtimet e Dr. Jakov Milajt – nga Pertefe Leka

Gazeta

Pertefe Leka, shtator 2018
Pertefe Leka, shtator 2018
Aromë Shkodre në kujtimet e Dr. Jakov Milajt
nga Pertefe Leka

“U larguash nga Shkodra,
pasi bëra fotografinë e fundit të Kel Marubi…
dhe dëgjova si sa herë të tjera,
atë Faleminerës-ën e tij të ëmbël, kur shkrepi aparatin.” J. Milaj

Kjo embëlsi njerëzore, me të cilën e mbyll  tregimin Milaj e përshkon gjithë fillin e kujtimeve të tij. Libri i Dr. Milajt “Kujtime për Shkodrën e viteve 1926-1931’’ është botuar në Shkodër, 2023. 
Autori i veprës shkencore “Raca Shqiptare” vjen me një tjetër vepër të antropologjisë kulturore, historike, etnografike, arsimore, gjuhësore…  
Dr. Milaj në hyrje shkruan: “Janë kujtimet e një djaloshi 15-20 vjeçar, ruajtur e përpunuar nga truri i një plaku që i ka kaluar të shtatëdhetat…”  
Si lexuese e librit duke ndjekur rrëfimin e një të riu fierak, pothuajse një shekull më parë kur ishte student me qëndrim 5-vjeçar në Shkodër, më tërhoqi dëshira e tij për të paraqitur vlerat e qytetit historik mijëravjeçarë, me qytetarë miqësorë e të respektuar.
I sinqertë mbi atë që shkruan, por edhe i vetëdijshëm se mund të ketë ndonjë interpretim, pasaktësi apo ndonjë të metë të shkaktuar nga harresa, kërkon nga lexuesi që ta shohi me syrin kritik, jo për t’u shfajësuar, por për ta plotësuar atë që do t’i transmetohet  brezave me njohuri të sakta, për atë qytet, ku shpreh konsideratat më të larta  shumëdimensionale, si sociolg, etnograf, historian dhe si patriot e protestues ndaj padrejtësive… 
Dr. Milaj në studimin shkencor “Raca Shqiptare”, vepra parë e Antropologjisë shqiptare, në veprën “Kujtime për Shkodrën…” për qytetin mbresëlënës ka  shtuar një relike në etnologjinë kulturore shqiptare. Çdo gjë që pa dhe e përjetoi e kopsiti në kujtesë dhe e shkroi mbi të shtatëdhjetat, në një kohë kur politika e mbrapshtë e një ideologjie të gabuar, ishte në plan të parë dhe çdo publikim duhet të kalonte në filtrin e urrejtjes klasore. 
Mendoj se Dr. Milaj që kishte provuar  persekutimet nga diktatura, kishte dëshirë të madhe për ta bërë të kalueshme veprën e shkruar. Nuk donte ta humbiste, nga nostalgjia për Gjimnazin, për shokët, për mësuesit, për drejtorin Ivanaj dhe miqtë në qytetin, ku shtresoi bazën e edukimit shkollor. Për këtë  ka qenë i rezervuar të trajtonte ngjarje dhe personazhe që ishin të dënuara nga regjimi i kohës.
Libri “Kujtime për Shkodrën” ruan freskinë e kohës të viteve ’20-’30-të, dhe lexohet këndshëm jo vetëm për shkodranët, por më shumë për nostalgjikët që janë shkolluar, kanë punuar e jetuar, atje të cilët kanë gëzuar status të veçantë si “jabanxhinj” në kuptimin më miqësor të kësaj fjale… 
Unë e kam njohur Dr. Milajn në shtator të vitit 1993, kur ishte i ftuar në Konferencën Përkujtimore kushtuar Prof. Dr. Mirash Ivanaj,(1891-1953) me rastin e 40 vjetorit   të  vdekjes.
Dr. Milaj në atë kohë ishte 83 vjeçar. Ai kishte ardhë i përgatitur me kumtesën e tij të gjatë me anë të së cilës iu drejtua Znj. Drita Ivanaj. me disa kujtime nga jeta studentore në Gjimnazin e Shtetit Shkodër dhe për  drejtorin Prof. Mirash Ivanaj të cilin e admironte si pedagog erudit, me zotësi të rralla organizative, si reformator i arsimit dhe si  Jurist… E përshkroi figurën e mësuesit tij në të gjitha etapat e jetës tij, deri kur hakmarrja e diktatorit e mbylli në burgun e vdekjes.  
Oratori 83-vjeçar, me leximin pleqërishte të referatit me shkrim dore, tërhoqi vëmendjen  dhe mori vlerësimin e auditorit për kujtesën brilante dhe artikulimin perfekt të shqipes. Ishte një mrekulli. Ishte një lexim pa çensurë, pas  theqafjes së komunizmit. 
Në këte takim Dr. Milaj u përshëndet me  shokët e miqtë  moshatarë të tij, të ardhur nga Shkodra. Për fat të mirë mes tyre ishte edhe shoku i ngushtë i Dr. Milajt në Gjimnazin e Shkodrës, zoti Sadik Miloti, me të cilin ndanë biseda të përzemërta dhe unë fitova një foto  me ketë grup fisnikësh që nuk dinin të ndaheshin me njeri-tjetrin. 
Pas konferencës, i ftuar në shtëpinë tonë, pata një bashkëbisedim të ngrohtë me Dr. Milajn, prej të cilit mësova rreth shoqërisë tij me Migjenin. Nuk vonoj shumë, veç disa ditë, dhe mora me fax të dhëna biografike për Branko Merxhanin, me të cilin kishte bashkëpunuar te revista kulturore “Përpjekja Shqiptare”. Deri atëhere  biografia e BM ishte e panjohur,  kudo shkruhej për Merxhanin, autor pa biografi. Kjo më vuri në lëvizje për të shkruar jetëshkrimin  e B. M. që e zgjerova me të dhëna tjera, kur rashë në kontakt me vajzën e tij, Afrodita Merxhani Kici) 
Librin e Milajt e kam lexuar me vëmendjen e mësueses, për të nxjerrë në pah vlerat, që kanë edhe për sot, kujtimet e një dijetari të mbledhura 100 vjet më parë.
Më tërhoqi vëmendjen shqetësimi i Milajt për  problemet social-ekonomike në Shkodër, duke e vështruar situatën pas ngjarjeve të 1913, kur vendimet e Londrës ia prenë gjymtyrët qytetit të lashtë, duke i rrëmbyer pjesët më të begata Shqipërisë, e këto u ndien më tepër në Shkodër kur ajo ishte në lulëzimin e saj. 
Ndaj ai shkruan: “…Kosova e pasur, pjesën më të madhe të tregtisë e bënte me këtë qytet dhe prej këndej lidhej me Evropën e perëndimin dhe vetë Shkodra me anën e Kosovës lidhej me Rumelinë, me Ballkanin verior dhe me skelën e madhe të Selanikut.  Kalimi përtej kufirit të Hotit, Grudës, Plavës e Gucisë nga njera anë dhe i Anamalit e i shumë katundeve të Ulqinit nga ana tjetër, shkëputën prej saj krahinat më të afërta që kishin si treg natyror Shkodrën…
Por me gjithë rënien e madhe, mendoj se Shkodra  ishte qytet i gjallë i Shqipërisë,
shkodranët ishin shumë të gjallë, ishin shumë të shkathët, të mendshëm e të aftë për t’iu  përshtatur gjendjes së re…” J. Milaj
E parë në këtë vështrim edhe pas goditjeve të Luftës Parë Botërore Milaj e veçon Shkodrën  nga gjithë qytetet tjera që rimëkëmbej dhe dallohej për industrinë e vogël që u ngrit shpejt, duke e quajtur qytet  të zhvilluar për kohën. Dr. Milaj përmend një numër të konsiderueshëm fabrikash e punishtesh, ku  kishin të punësuar nga 20 – deri në 50 punëtorë: si ajo e Pogut, Taraboshi i Faslli Ademit, Katër shtypshkronja të Dom Ndoc Nikaj… fabrika e Çimentos në Tarabosh, një listë e gjatë… fq. 123-124. “Nga ku prodhimet e industrisë shkodrane, u përhapën jo vetëm në gjithë Shqipërinë, por konkuronin deri në Trieste e gjetkë me miellin, makaronat, biskotat, sapunin, çimenton…”

Jakov Milaj "Race Shqiptare" 1944
Jakov Milaj “Race Shqiptare” 1944

Ura lidhëse që shërbente për tregëtinë e jashtme sipas autorit ishte Buna, një kanal i lundrueshëm, që ndihmonte në transportin e mallrave, jashtë vendit.   
“…flota tregtare prej motobarkash deri 400 kuintalë, të drejtuar nga marinarë ulqinakë, që kalonin nga skela, ku zinte fill Buna, kalonin në shumë porte të mesdheut…” (fq. 131) Afër  Bunës ishte “Pazari i vjetër” zemra ekonomike e qytetit, e shkëputun nga qendra.
Rrethimit i Shkodrës nga malazezët dhe  goditjet e qytetit gjatë Luftës Parë Botërore e dëmtuan edhe “Pazarin e Vjetër” por mbeti  përsëri qendra më e madhe tregtare e Ballkanit, ku tregëtohej nëpërmjet Bunës
(Pazari i Vjetër ishte qendra më e madhe  ekonomike, e pajisur edhe me pazar anijesh afër Bunës. Aty kishte qindra dyqane, me doganën, ku zhdoganoheshin mallrat që vinin nga Trieste dhe nga të tjera vende të Mesdheut me mjete lundrimi. Pjesa më e bukur, brenda Pazarit, Bezisteni qarkonte me një numër dyqanesh që mbanin stoli të arta, armë e veshje të qëndisura me ar e argjend. Të gjitha  bashkë krijonin një mozaik, një qendër tregtare e kulturore, me punime artizanale, me shkolla, qendra kulti, bibloteka… ndër më të mëdhatë e  Ballkanit që nga mesjeta, duke i shtuar kësaj panorame edhe Xhaminë Monumentale të Plumbit, ndërtuar 1773-’74,  buzë Drinit dhe Kalasë.) P. Leka         
Kjo nyje lidhëse sot e mbyllur, ka mbetur ëndërr për Shkodranët. Aq më tepër kur  autori e çmonte edhe peshkatarinë në atë qendër, “që ishte ma e mira se në Durrës dhe fshatrat e Himarës…”
Autori edhe në tymnajën e fanatizmit në qytet  zbulon të bukurën, veçon kontributin e grave  edhe pse të mbyllura, kishin gjetur rrugë zgjidhje për të ndihmuar ekonominë e familjes me punime dore, pëlhurë në tezgjah, qëndisje me ar e serm për kostumet popullore, punimet me mëndafsh, nga rritja e krimbit të mëndafshit, kopshtaria…  
Pa e ditur, i riu Milaj, se pas disa vitesh do të studionte për veterinari, përshkruan një rast, në familjen ku banonte si qeraxhi, se si e zgjidhi problemin ekonomik e zonja e shtëpisë: Pas vdekjes së  muzikantit Frano Ndoja, zonja e tij dhe e bija nuk trashëgonin pasuri. Ata gëzonin vetëm shtëpinë që jua la i ndjeri, ndaj  Çilja e shoqja për të mbijetuar edhe pse banonte në mes të qytetit, si edhe shumë  të tjera, kishte ble 4 lopë dhe kishte marrë edhe të motrën beqare nga fshati të kujdeseshin për bagëtinë dhe të tregtonin qumësht… Në vështrimin e Milajt: “Në çdo  familje, pranë banesës kishte jerevi, hangar për sanën, dhe stallë për lopën… Shumë amvisa, si në Tepe e Kiras merreshin me mbjellje të bimëve për gatime dhe mbanin ndonjë bagëti në pronat familjare. Përveç punës në ekonominë ndihmëse, ishin mikpritëse e të palodhura…  
Kjo ekonomi ndihmëse në të cilën dukej edhe kontributi i shtëpiakëve dhe në përgjithësi 
kujdesi i madh që tregonin shkodranët për lopët, për të ruajtur racën më të mirë të tyre, – thekson Milaj, – se kjo përvojë kishte tërhequr vëmendjen  e studiuesve… Në vitet, pas krijimit të shërbimit veterinar 1928, i ndjeri Dr. Bilal Golemi pat organizuar në këte qytet  konkurse vjetore për lopët më të bukura e me prodhimtari më të lartë…” 
Por syrit vëzhgues të Milajt nuk i ka kaluar  edhe  një eksperiencë nga bujqësia: “…kam parë për herë të parë se si bëhej kullimi i arave  të grurit dhe kur ua tregoja bujqëve të Myzeqesë këtë përvojë, ata hapnin gojën…” J. Milaj
(Vetëm diktatura komuniste si asnjë anmik tjetër diti ta shkatërrojë me themel këtë ekonomi ndihmëse, e kam mbërritë edhe unë   këte eksperiencë, me punue me prindërit, me mbjellë në kopësht, me nxjerrë ujë nga pusi, me mbajtë bagëti të imta… ishte një vatër edukimi familjar nëpërmjet punës së përbashkët. Kjo i ndodhi jo vetëm qytetit por  më e rënda ishte edhe për fshatin që e shkretoi ekonomikisht… P. Leka
Dr. Milaj si etnograf, kishte vënë re se si qyteti më i zhvilluar se të tjerët ecte në gjurmët  e traditës: 

Jakov Milaj - Kujtime për Shkodrën 1926-1931
Jakov Milaj – Kujtime për Shkodrën 1926-1931

“Në Shkodër sundonte kultura e vërtetë tradicionale që shkodranin e bënte, pavarësisht nga feja apo ndikesa të ndryshme, të njerëzishëm, mikëpritës, trima, besnikë, e të përzemërt. Kjo fisniki nuk vihej re vetëm në banorët e qytetit por edhe te malësorët që jetonin në bjeshkët e ashpra ose fshatarët që jetonin në fushë e dinin pse jetonin, pse vdisnin e pse duhej të krenoheshin…” J. Milaj
Kjo kulturë e traditës, në sjelljet dhe në mendimet e njerëzve pasqyrohej edhe në veshjet. Kostumet e bukura që mbanin shkodranët ishin shenjë e kulturës tradicionale dhe autori bënte krahasimin me qytetet e tjera të cilët kostumet kombëtare më shumë i përdornin për festa, i mbanin në syndyqe a sepete, ndërsa shkodranët u kishin mbetur besnikë veshjeve popullore.
“Babai i shokut tim të ngushtë, Pjetër Kiri, shkonte në dyqan çdo ditë, ku punonte si këpucar, me kostum kombëtar, bardh si bora”.  J. Milaj
(Kjo veshje ka tërhequr edhe të huajt, të kujtojmë së fundmi Robert Elsie, albanologun e përkushtuar për kulturën shqiptare, shkrimtarin e shquar dhe përkthyesin e Lahutës së Malcisë, i cili në fund të jetës kërkoi të prehej në banesen e përjetësisë në Alpet shqiptare, i veshur me kostumin kombëtar të Shkodrës. P. Leka
Dr. Milaj s’e ka lënë pa trajtuar në veprën shkencore “Raca Shqiptare” Xhubletën   shekullore, qëndisur mbi te, kryqi me grepça. Sipas antropologëve kryqi me grepça ishte  simbol i adhurimit të diellit, që i përket  periudhës pagane dhe që provon vjetërsinë mijëra vjeçare të këtij petku mahnitës dhe të vetë shqiptarëve. Edhe sot malësorët  vazhdojnë të betohen “për at Diell”, “për Qiell e për Dhé…!” dhe mbajnë të qëndisur në  veshjet tradicionale këte simbol të universit.
(Studentëve të gjimnazit në atë kohë u kishte rënë në sy motra e drejtorit M. Ivanaj e cila kur zbriste nga malësia në qytet vinte e veshur me xhubletë – këtë ma tregonte im atë, J. Domnori  bashkëstudent i Milajt në Gjimnazin e Shkodrës, – motra e Zotni Mirashit kur vinte  për të takuar vëllanë, vinte e veshur me xhubletë dhe së bashku shetisnin në pjacë, uleshin te Kafja Madhe me të tjerët… kur në qytet shumica e grave dilnin të mbulueme. Gratë malësore ishin më të emancipuara. Kjo veshje ka vazhduar të vishet e pandryshuar e do t’u rezistojë edhe shekujve të ardhshëm. P. Leka)  
Milaj ishte në moshë të re, kur e shetiti më këmbë qytetin dhe regjistroi çdo gjë nga afër.
Një kujtesë e mirë për të bërë krahasimet me sot është, kur përshkruan Urbanistikën e qytetit. Autori  paraqet me detaje si në ‘hartë’, arteret kryesore që përshkojnë qytetin, me  arkitekturën e vjetër dhe nyjet kryesore, ku shpërndahen rrugët që njihen edhe sot me ato emra si dikur pa ndonjë ndryshim.  

Jakov Milaj mes miqsh e kolegësh të vjetër
Jakov Milaj mes miqsh e kolegësh të vjetër

Fragment nga libri: “Shkodra si qyteti më i madh ishte shumë i përhapur me disa lagje dhe pazarin e vjetër të shkëputur nga qendra. Rruga e Madhe që vinte nga Pazari i Vjetër  përshkonte Parrucën, te Dugajt e Reja deri te Zalli i Kirit formonte Boshtin kryesor të qytetit dhe rruga më e bukur në Shqipëri:   rruga tjetër e gjatë me emrin Skanderbeg, që fillonte nga Fabrika e Miellit e vllazënve Ulqinaku kalonte pranë Fabrikës  së makaronave Dragusha, para Kishës Madhe  dhe përfundonte në Fushë të Ermajit në breg të Kirit. (interesant, Dr. Milaj i referohet emrit të moçëm për Fushën e Rrmajit duke e shkruar Ermaj që tingëllon shumë bukur nga shqipja e vjetër ndërsa Prof. Çabej e ka përafrue me fjalën shqipe ‘rrëmoj’ sepse ishte afër lumit Kiri, ku uji i furishëm i tij rrëmonte tokën. P. Leka) – Duke përshkruar kështu edhe arkitekturën e ndërtimeve; oborret e gjera, rrethuar me mure të larta  që dukeshin si murnaja kështjellash, fshihnin aty këtu midis pemësh, shtëpi të mëdha dykatëshe karakteristike me vlerë etnografike…” fq. 114
Dr. Milaj nuk le pa përmendë Shtëpinë e Familjes Vjerdha, ku ishin strehuar (1915) Çerçiz Topulli dhe Muço Qulli (të vrarë nga aleanca serbo-greke të cilët Shkodra, pas zhvarrosjes 1936, i përcolli me nderime të mëdha) Milaj ka shënuar edhe vargjet e popullit të Gjirokastrës: “Të vranë o Çeço, të vranë// Serbi me gjithë Karadaknë// dhe me atë palo Junanë//“ shënim J. Milaj
Xhaminë në Fushë-Çelë, në qendër të qytetit, e përmend për fushën e madhe para saj që mbante emrin e komandantit të ushtrisë Osmane, Hasan Riza (1871-1913) i nderuar  në Shkodër, mik i të Madhit Fishta) që sipas Milajt u vra nga Esad Toptani, pse nuk pranonte mendimet “pro-shqiptare” të pashait turk.
Përshtypje jo të mirë i kishin bërë Milajt  emrat e huaj të rrugëve dhe hoteleve: Grand Hotel, Hotel de la Ville, Hotel Kontinental, Dependance du Grand Hotel, Caffe Thomson, apo rrugët me emra ushtarakësh që komanduan gjatë periudhës së Internacionalit 1913-14, Fourtou, Philips… po pak ishin emrat me miqtë e Shqiptarëve si Edith Durham, Justin Godart….
“Për sa qëndrova – shkruan Milaj – askush nuk mori mundimin të pagëzojë rrugët e sheshet me emra patriotësh dhe ngjarjesh historike me rëndësi” 
Konstatimi mbart  vlera historike, është një kontribut patriotik i të riut Milaj janë fakte si kanë vepruar pushtonjësit, sa forca të huaja e kanë përshkue qytetin verior dhe gjithë Shqipërinë, duke lënë gjurmë shkatërruese në vlerat e qytetit dhe duke zëvendësuar me emrat e tyre.
I tërhequr pas bukurive të qytetit dhe njerëzve artdashës shkruante: “Në çdo familje ku pata shkelur… oborret, dhomat e miqve, korridoret, shkallët dhe të gjitha kthinat shkëlqenin nga pastërtia, oborri me lulet shumëngjyrëshe, lule vila aromatike që mbulonte avllitë dhe derën e oborrit të shtëpisë….!”
Nga këngët e shumta për lulet që shumica  simbolizojnë lulet njerëzore nuk harroi të shënojë vargun e këngës “Karafilat që ka Shkodra medet sa të bukur janë“ ku i bën jehonë dashurisë njerëzore.
“Një fotografi të vjetër e shikoj me gëzim të madh, më kujton mikpritjen e rrallë të shokëve shkodranë, ‘manin e jabanxhinjëve’ Simbol i kësaj mikpritje…” J. Milaj
Shënim (Mani i Jabanxhinjëve lidhet me emrin e zotni Sadikut i përmendur në librin  Kujtimet… për  shoqërinë e sinqertë, për mikpritjen e ngrohtë  në familjen e tij. Milaj e  kujtonte bahçen e Milotëve në Perash me pemë frutore. Ishte traditë në Shkodër, kur vinte koha e pjekjes së manave të ftoheshin   shokë e miq, shumica jabanxhinj për të shijuar atë frut të veçantë. Ishte si festë që e kalonin me shoqëri ditën e ‘Shkundjes  Manit’, ku  vetë të ftuarit merrnin pjesë për të mbajtë ragun ose çarçafët e bardhë ku nën breshërinë e manave, bulonte humori e të qeshurat… E veçanta në kët rast ishte që e Zonja e shtëpisë, njerin nga manat më të mirë e kishte emëruar “Mani i Jabanxhive” i zgjedhur enkas për shokët e djalit që ishin larg familjeve tyre. Ndaj, nderimi për Jabanxhijtë ka hyrë në fjalorin e mirësive të shkodranëve, P. Leka)
Mikpritjes, Dr. Milaj si shenjë mirënjohje i ka kushtuar një kapitull të veçantë “Kulti i Jabanxhiut” I ftuar në familjet e shokëve në raste festash familjare ka shijuar edhe gatimet e amvisave: “Ishin gatimet vendore – orientale – përendimore, që i bënin me art dhe të shijshme”  
Ai përshkruan një drekë feste të veçantë në familjen e shokut të ngushtë Abdyl Bekteshi,(vëllai i Dr. Maliq Bekteshit) “…gjellët s‘kishin të mbaruar, edhe pas bakllavës të servirur në sini, që mezi e zuri dera, ata që shërbenin të nxisnin për të ngrënë – merre edhe një kashatë për mue, edhe  një për mue…’’ – edhe ushqimi në sofër përcillesh me humor të këndshëm.
Duke e çmuar edhe më tepër  këte visar shpirtëror te “Kulti i Jabanxhiu”, Milaj tregon një ngjarje nga zakoni i gjakmarrjes, se  Jabanxhinjtë në Shkodër ishin të përjashtuar  nga ky gjykim…
Këto vlera njerëzore autori i transmeton me mirënjohje si humanist i  vërtetë, janë thesare të dobishme edhe për sot !

Shkodra qytet artistësh në përshkrimin e Milajt 
“Dekori dhe zbukurimet dukeshin që në hyrje të shtëpisë të binte në sy gryka e pusit e gdhendur në çdo oborr që i mahniste të ardhurit.
Brenda shtëpisë dalloheshin zbukurimet në: tavanet, dollapët, sergjenët e skalitur në dru.
Shumë familje zotëronin koleksione armësh  të argjendta, veshje karakteristike, enë bakri, piktura të Kolë Idromenos dhe Simon Rrotës… Shumë familje kishin biblioteka të pasura me libra të vjetër me revista e gazeta  sepse atje ishin 5 shtypshkronja, sa nuk kishte në gjithë qytetet e tjera.
Kishte shoqëri kulturore, artistike, sportive: “Bogdani” – për teatër e muzikë, “Rozafati” – kulturë dhe muzikë harqesh; Dy shoqëritë sportive “Juventus” dhe “Vllaznia” që kishin grumbulluar sportistët më të aftë, por mbi të gjitha përmend muzikën e qytetit duke veçuar Palokë Kurtin, që drejtonte fanfarën   dhe të birin Zef Kurtin që shkonte deri në Vlorë për të drejtuar Bandën e Shoqërisë Bashkimi në qytetin e Flamurit.
(emrat e përmendur të Kolë Idromenos, me origjinë nga Çamëria, i vlerësuar si  “Mikelanxhelo Shqiptar”, ishte edhe fotograf, pionier i Marubëve, ishte muzikant  instrumentist, miku më i ngushtë i Palokë Kurtit, (martuar me Angjelinën e bija e Anastas Papanikut nga Çamëria) të parët në krijimin e fanfarës në Shkodër, që luajtën himnin e Lidhjes së Prizrenit, më 1878. Vetëm familja Kurti në Shkodër kishte 5 piano, sipas aktores Tinka Kurti)
Duke jetuar në atë qytet të zhvilluar kulturor, ka njohur shumë instrumentistë që vinin nga shtresa të ndryshme: shumica zejtarë, nëpunës, arsimtarë, studentë… Ishin Kurtët e Naraçët, deri në shtresat më të larta që  merreshin me muzikë. Merrnin pjesë edhe në orkestra të vogla, ku e veçanta ishte  se “violinisti e mbante qemalen në gju dhe i binte si rapsodi lahutës…”
Si antropolog kulturor, Milaj bënte krahasimin me qytetet e tjera si Tirana, Elbasani, Berati, Durrësi ku me muzikë  merreshin më shumë egjiptianët ndaj ai thekson: “Shkodranët kishin shpirt artisti…Kjo është arsyeja që Shkodra ishte, “Djepi i Muzikës” ku dolën kompozitorët dhe këngëtarë të shquar…” J. Milaj 
Kët mendim kishte shprehur edhe antropologia angleze Edith Durham, studiuse e popujve të Ballkanit, humane, piktore e fotografe po edhe mike e shqiptarëve.
Nuk ndalet Milaj si etnograf kur zbulon në folklorin e ditës bukurinë e shpirtit  të shkodranit. Përmend Nastradinin e Shkodrës, Kolë Tivarin. Me një memorje të admirueshme Milaj citon në libër vargje që improvizonte rrobaqepësi i varfër me humorin e çastit për të atraktuar klientelën dhe për të kënaqur miqtë. Ndaj e lartëson kët virtyt natyral duke e quajtur Shkodrën. “Kryeqytet i Humorit”
“Të zinte veshi këngë të hareshme, kallxime e anekdota të këndëshme, për çudi këto përbënin shumicën. Duket se shkodranët  – shprehet autori – edhe mjerimin, – kafshatën që s’kapërdihet, – përpiqeshin ta kapërdinin me të qeshura e humor, u ngjallte shpresën se shpejt do të vinin ditë më të lumtura…”  fq. 107  
(Hyrja e sllavokomunizmit në Shkodër  kërkoi t’i shkatërrojë këto vlera, rrëmbyen sendet e çmuara, pasuritë jetike, burgosën  e zhdukën fizikisht mendimtarët  përparimtarë, por nuk e mposhtën dot shpirtin krijues të tyre. Shkodra gjeneroi  kulturë e art, edhe në varfëri. P. Leka

Kujtimet nga Gjimnazi 
Një vend të spikatur në libër zë  shkolla, profesorët, aktivitetet kulturoro-sportive… 
Miqësia e “Toskës Vogël” me mësuesin e vjetër (kështu e thërriste zotni Kolë Kraja nxënësin e tij) – zë fill me një histori interesante për të riun. Zotni Kola ishte  njohur në Berat me një intelektual plak, Islam Vrioni, që kishte ardhë në Shkodër për të rregulluar dhëmbët te dentisti Hasan  Kaduku. Zotni Kola kishte nevojë për një dëshmi vjetërsie në punë nga z. Vrioni. Ishte njohur me të kur kishte qenë pedagog në gjimnazin rumun të Beratit për të përhapur shkrimin e gjuhës shqipe, nën drejtimin e Babë Dudë Karbunarës. Në atë kohë ishin shumë të rrezikuar nga përndjekjet  e armiqëve të gjuhës shqipes.
Kët dëshmi ia besoj për ta korrektuar  nxënësit tij “Toska i Vogël”, të cilit ia kishte dalluar talentin, që shkruante bukur dhe  kishte aftësi letrare e gjuhësore. Vënia në dukje e dentistit Kaduku vlen për t’u  theksuar se Shkodra edhe në shërbimet mjekësore qëndronte e para…
(Dr. Hasan Kaduku, 1865-1948, teolog, dentist, i pari stomatolog shqiptar që vuri Bazat e Sherbimit Stomatologjik Modern  në Shkodër, ku kuroheshin edhe konsujt e huaj dhe të tjerë përtej kufijve, profesion të cilin  e vazhdoi i biri, studenti i Austrisë Dr. Haki Kaduku, nipi…) fq. 32
Gjimnazi ku kaloi pesë vite, sipas Milajt, ishte një qendër e bashkimit kombëtar, studionin atje nga shumë krahina shqiptare, nga Kosova, Ulqini, Çamëria… ndaj ka evidentue disa momente që manifestonin  forcën rinore për t’u bashkuar jo vetëm në  organizime me një objektiv të caktuar, por edhe në lëvizje spontane, kur ngacmoheshin  ndjenjat kombëtare.
“Ishte Nëntor i  vitit 1927, kur po bëheshin përgatitjet për festën e Flamurit, papritmas  shetitja e mbasdites e të rinjëve në Pjacë  mori përpjestime sepse në ndërtesën e Bankës Kombëtare ishin ngritur dy flamuj:  Ai i Shqipërisë në krah të majtë, kurse ai i Italisë në vendin e nderit… ky moment nënvleftësimi për Flamurin Shqiptar qarkulloi shpejt, lajmëronin njeri-tjetrin. Kështu grupi i vogël zmadhohej si orteku  dhe brenda pak orësh në Rrugë të Madhe u grumbullua  pjesa më e madhe, shumica  nxënës të Gjimnazit  të Shtetit’’  J. Milaj, fq. 43  
(Është interesante, përshkrimi që i bën Milaj kësaj ngjarje nuk ka ndryshim me shënimet që ka lënë im Atë  J. Domnori, në atë  kohë maturant. Në librin e kujtimeve lexova  shënimin: se A. Shestani, J. Domnori, J. Kazazi, etj. ishin ndër organizatorët e aksionit, të cilët me anë të një shkalle u përpoqën ta hiqnin flamurin italian, por u arrestuan nga policia në përpjekje e sipër)
Protesta ja arriti qëllimit. Vetë autoritetet e vendosën Flamurin Shqiptar në vendin e duhur…
Janë fakte bindëse që pasurojnë historinë e  arsimit, ishin profesorët, qytetarë të nderuar,  që përgatisnin nxënës të aftë, me ndjenja patriotike, në sherbim të Atdheut. Milaj i përshkruan me admirim mësuesit e tij, duke i dhënë vlerësimin e merituar, Drejtorit të Gjimnazit, Prof.  M. Ivanajt.
Në vazhdimësi të edukimit mësimor e patriotik në shkollën laike, një tjetër   organizim nga gjimnazistët në emër të virtytit më të lartë, “Besa Shqiptare’’, kishte lënë mbresa të thella në memorjen e të riut: 
“Shkodra kishte tradita të vjetra për formimin e shoqërive. Rreth vitit shkollor 1928-29, gjimnazistët hodhën mendimin për të formuar një shoqëri, që të ushtronte  veprimtari kulturore e sportive, e cila u aprovue njëzëri, ku ndihej shumë nevoja e vëllazërimit  midis katolikëve, myslimanëve, ortodoksëve; gegëve e toskëve… komisioni i nxënësve hartoi statutin nga ku u zgjodh kryetari  R. Neziri dhe kryetar nderi Drejtori Mirash Ivanaj… 
Aktiviteti  i parë u kurorëzue me vënien në skenë të Dramës “Besa” e Sami Frashërit. Një organizim që kërkoi shumë punë, financë, personazhe, orë provash për ta shfaqur dhe që u realizue vetëm me forcat  studentore. Duke qenë aktiv në shfaqjen e ideve pozitive si vazhdim i traditës krijuan premisat për të vepruar si shqiptarë të vërtetë. Shkolla me nxënës nga të gjitha krahinat e Shqipërisë forconte idenë e bashkimit me besnikëri, duke zgjedhur emrin e vitytit më të çmuar të shqiptarëve, Besën, që më vonë Dr. Milaj e analizoi, në veprën shkencore “Raca Shqiptare”.
Fryma bashkëpunuese mes studentëve  sa vinte e forcohej…
Ishte inisiativa e të rinjve të gjimnazit që  arritën ta “shqiptarizojnë kishën sllave në Shkodër”.
Toleranca fetare si faktor i rëndësishëm i harmonisë fetare i afronte studentet me tre besime të ndryshme për këtë, Milaj shkruan: “Në pranverën e 1929-ës, Gabriel Meksi na mbledh ne, nxënësit ortodoks të Gjimnazit dhe na këshillon që të organizonim një kor të vogël për të psallur shqip vajtimet e përmbivarrëshme të Premten e madhe… na e mbushi mendjen si akt patriotik në një ambjent që zyrtarisht e mbante veten sllav dhe mesha thuhej vetëm sllavisht…”

Jakov Milaj (1911-1997)
Jakov Milaj i ri (1911-1997)

Si u mobilizuan të rinjtë, megjithëse pa eksperiencë në muzikën fetare, duke pyetur  e kërkuar gjetën dy furrtarë: Risto Pleveneshin e Pjetër Kostandini, që mirrnin vesh nga muzika fetare Bizantine dhe së bashku me Dhimitër Pingulin, Thoma Qereshnikun, Vasil Konomin, Vasil Fotin, bënë përgatitjet e momentit: “Kur shkuam në kishë të këndonin shqip mendonin se do të kishim kundërshtim, por aty ishin mbledhur shumë studentë myslimanë, katolikë e ortodoksë për të gëzuar së bashku dhe për t’na mbrojtur në rast kundërshtimi. Edhe pse nuk erdhën kryesorët si proti, konsulli jugosllav, “shkjave” (ortodokësve) që ishin prezent, u qeshi buza se besuan se edhe në gjuhën shqipe mund të bisedosh me Zotin, kështu kori i riformatuar i zgjeruar para pashkëve të 1930-ës, këndonte shqip. Pa u larguar nga gjimnazi më 1931…  Kisha sllave e Shkodrës u shqiptarizue, u prish edhe Shoqëria Obeliq dhe anëtarët e saj u bashkuan me vëllezërit katolikë e myslimanë ku morën pjesë në shoqëritë e vendit…” J. Milaj

Akt patriotik i grupit studentor që vepruan si  Fanolistë
(Me 1924, në Kongresin e Beratit me përfaqësues të Komunitetit Ortodoks, Fan Noli, shpalli: “Kishën Autoqefate Shqiptare” – ku morën pjesë përfaqësues të komunitetit ortodoks, ndër to edhe Gjergj Nikolla, babai i Migjenit (Millosh Gjergj Nikolla)! Çfarë shembulli i lartë edhe për sot, për gjithë institucionet të të gjitha religjioneve pa dallim, që t’i bëjnë lutjet vetëm shqip.

Nga jeta politike, një kapitull i veçantë “Opozita dhe Popullorja”
Konfliktualitetin politik të kohës  Milaj e ka  përjetuar rëndë në Shkodër.
Në libër përshkruan momente tronditëse që ndikuan në gjendjen shpirtërore të të riut Milaj. 
Ishin ngjarjet e Kryengritjes së Dukagjinit, më 1926. Autori i ka analizue ngjarjet me detaje   në pozicionet mes opozitës dhe popullores,  duke vënë në dukje edhe shkaktarët e kësaj përleshje të përgjakur. (Kjo ngjarje i ishte fikësuar në kujtesë dhe kur ndodhi më 1935, “Kryengritja e Fierit”, la përgjysmë universitetin në Itali dhe iu bashkua kësaj  lëvizje, ku mori dënimin më të rëndë…)
“Ndarjet dhe mëritë politike në klasat e pasura, – shkruante Milaj, – vazhdonin nën rrogoz dhe shtoheshin gjersa unë mora maturën. Nxitëse të këtyre intrigave ishin dy konsullatat kryesore të vendit, ajo italiane dhe ajo jugosllave, secila nga këto për llogari të vet bënte propagandë dhe shpërndanin të holla…” J. Milaj
Vrullin rinor për t’i shërbyer të ardhmes e sheh te Brezi i Ri, te vetvetja, në shkrimin “Salo Halili që kam njohur” shkruan: “Sala  ishte një shok besnik i dashur, gjithnjë buzagas… dallohej si një nga nxënësit më të mirë të klasës sonë… i cili duke nisur nga asgjë, çan përpara, thyen fanatizmin dhe moskokëçarjen e shoqërisë që e rrethon për t’u bërë fanar që do t’u ndriçojë udhën miqve e shokëve të njohur e të panjohur për atë që po largohej dukshëm nga fanatizmi..” J. Milaj
Duke përmendur këto veti të mira njerëzore të Salo Halilit, që po përparonte në drejtim të emancipimit të shoqërisë, vëren edhe disa  ndryshime në familjen e tij. Sala ishte djalë hoxhe, por njëherë, kur i kishte ftuar shokët   në shtëpi u kishte servirur birrë… Motra e tij e martuar kishte filluar të vishej “alla franga”, kur gratë e tjera dilnin me perçe. Sala në shoqëri me shokët e përsëriste shprehjen “të çelen arkapijat…” Shumë veprime në shkollë i kishte ndryshuar… ndaj Milaj shprehet: “Nuk ishte nje evolucion, por revolucion shpirtëror te Sala!”
 Milaj ishte mjaft progresiv, duket kjo nga mendimet që jep, për ndërrimin e formave të shoqërisë nga një kundërvënie e brendshme, sepse fanatizmi i mbante njerëzit në anën e kundërt të përparimit. Autori, dëshirën e ndryshimit e shihte te rinia, te vetja e tij për të ecur drejt zhvillimit dhe përparimit social. Këte  përpjekje e shihte te drejtori Ivanaj, te trupi mësimor i gjimnazit, të cilët kishin studiuar në universitete evropiane  dhe mbartnin po ate kulturë për të ushqyer rininë studentore në Gjimnazin Laik të Shtetit… ndaj në libër ndeshemi me shprehje migjeniane të përdorura me kuptimin metaforik si “kafshatë që s’kapërdihet”, “të çelen arkapijat” …  

Milaj u  largua nga Shkodra më 1931, ndërsa  Migjeni u emërua mësues në Vrakë 1933.
Milaj e takoi  Milloshin me 1937,  kur shkoi të vazhdojë studimet në Itali… Atje në spitalin e Torre Pellices në Torino, i qëndroi pranë  Migjenit deri në momentet e fundit të jetës. Kur u kthye në Atdhe solli me vete amanetin që i la në frymën e fundit. Ishin  shkrime të Migjenit të cilat Milaj ia dorëzoi motrës tij, Ollgës. Si publicist i njohur, Milaj, shumë prej tregimeve të Migjenit u kujdes, që t’ia botonte në shtypin e kohës.  
Duke cituar Migjenin, nxiste ndryshimet  në shërbim të së ardhmes, sepse shkrimet e tij  kanë në qendër, njeriun me hallet e vuajtjet  e kohës dhe sa kohë do të jenë të pranishme  këto probleme sociale, Migjeni do të jetë aty.
Kanga “Himni e Rinisë”, që këndohet në dekada, ende është larg shpërthimit saj. Të rinjtë po dalin nga Shqipëria por u duhet të kalojnë dy herë kufijtë e tokës amë, sepse kufijtë natyrorë janë copëtuar, prandaj  Shqipëria mbeti e rrethuar me vetveten.
Besimi te Rinia ishte motivi kryesor i shkrimeve të Milajt, që të arrijmë të kemi Shqipërinë e bashkuar. Të bashkohen forcat e punës në pasurinë e trashëguar që rinia të hyjë e të dali nëpër Europë, jo për një krodhe buke, por si banorë të natyrshëm të së cilës janë, me identitetin shqiptar të bashkuar kombëtarisht  dhe me krenari për gjuhën shqipe si gjuhë ndër më të vjetrat në botë.
Këto ishin kërkesat e Milajt për kët e dha shembullin që i duhet rinisë sot; mori mësimet në Europë dhe erdhi t’i zbatojë në Shqipëri. U konfrontue, kur ishte në rang Ministri në qeverinë e Maliq Bushatit, sepse kundërshtoi  që pyjet shqiptare duhet të administroheshin nga shqiptarët dhe jo nga koncesione të huaja. Bënte kujdes për të ruajtur ekonominë vendore. Nuk e ndali punën për zhvillimin  e ekonomisë në profilin e Veterinerit edhe në kushte persekutimi, në qeverinë e Diktatorit. Kur ia dhanë mundësinë të ushtronte  profesionin pati një kontribut të vyer në studimet shkencore në profilin e tij, që u lejua t’i publikonte, se ishin me interes për zhvillimin e ekonomisë bujqësore e blegtorisë.(njihet lista e botimeve deri 1944, publikime  pas këtij viti kanë mbetur në revistat e kohës )
 Dr. Milaj shquhet si publicist në një shtrirje  kohore shumëvjeçare derisa jetoi.    
Ishte ithtar i edukimit arsimor me metoda të përparuara që ishin praktikuar në Gjimnazin e Shkodrës, si metodika dhe programet  franceze. E shihte arsimin si vatër zhvillimi  për të përgatitë mendjet rinore drejt  emancipimit social – kulturor dhe përparimit shkencor në shërbim të mëkëmbjes së Atdheut jo vetëm për ekonominë por edhe për  vllazërimin kombëtar. 
Mbasi mori maturën në Shkodër, ushtroj profesionin e mësuesit për pak kohë në Fier, sepse vazhdoi në Itali studimet Universitare, për Veterinari. Dhuna komuniste e ktheu  përsëri në Fier jo si Mësues as si Doktor Veterinar, por si punëtor krahu. Si i internuar bënte gërmime ne parkun arkeologjik të Apolonisë (aty ku dikur lulëzoi qytetërimi ilir, aty ku ekzistonin institucione të larta arsimore, aty ku studioi Oktavian Augusti, nga Roma e lashtë, e nipi i Jul Çezarit, 44 p.e.s.)
Sot nuk mund t’i kthejmë një përgjigje pozitive Dr. Milajt për sistemin e edukimit  shkollor pa bërë pyetjet: Në çfarë niveli është arsimi sot?! Po ekonomia, po kultura a do ta marri Shkodra ndonjëherë lavdinë e dikurshme?!
Libri i Kujtimeve për Shkodrën, nga Dr. Milaj, është shprehje e mirënjohjes me vlera njerëzore për shkodranët prej të cilëve mori shumë dashuri. U shkri me gjuhën e tyre,  duke na dhënë një gjuhë përbashkuese të dialekteve, përdori ato fjalë që i kanë tingllue bukur për të shprehur edukatën e tyre të trashëguar si fjala “Zotni” duke i dhënë perlës veriore për të gjitha vlerat një status të veçantë “Kryeqytet”. 
Si antropolog kulturor për sa ka pasë mundësi njohje, i ka naltësue shkodranët jo për me i lavdërue nga nostalgjia që kishte për ata, por me tregue sesa të dobishëm kanë qenë për vendin e tyre, me cilësitë morale njerëzore si  Besa, Trimëria, Bujaria… Mikpritja  dhe shpirti artistik! 
Sipas Dr. Milajt, ishte pasuria mendore e tyre, që u jepte forcë të ngriheshin edhe pas shkatërrimeve, nga lakmitë e fqinjëve. Të njerëzishëm e punëtorë, përsëri Shkodranët  në krahasim me qytetet e tjera, mbanin vendin e parë, në tregti, bujqësi, blegtori, muzikë, pikturë, fotografi, kinema, mjekësi… Zemërgjerë në miqësi dhe të dalluar me humorin e tyre karakteristik. 
Që Shqipëria, ky vend i bekuar, të ndryshojë   duhet të atraktojë shkencëtarë, filozofë, profesorë, akademikë, doktorë… që të shndërrohen Universitet tona në lartësinë e Universiteteve të Evropës dhe të Botës. Në të vërtetë është rritur numri i vizitorëve që vijnë për bukuritë e natyrës e kulinari, por turistët më të mirë do të jenë studentët që do të vijnë  të mbushin shkollat dhe universitetet tona. Investimi në arsim do të jetë bazë e zhvillimit ekonomik. Dëshirë kjo e gjithë rilindësve tanë dhe e pasuesve tyre.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.