back to top
25.5 C
Tirana
E diel, 16 Qershor, 2024

Arbëreshi Regis Philbin – Legjenda e Televizionit Amerikan – nga Mal Berisha

Gazeta

Regis Philbin (25 gusht 1931-24 korrik 2020)
Regis Philbin (25 gusht 1931-24 korrik 2020)

Arbëreshi Regis Philbin – Legjenda e Televizionit Amerikan

nga Mal Berisha

Regis Philbin, një legjendë e televizionit amerikan, ka ndërruar jetë dy ditë më parë. Emri i tij është shumë i njohur, jo vetëm në televizionin amerikan por edhe në botë, pasi karriera e tij e gjatë përbën një shkollë më vete për të gjithë televizionet e vendeve demokratike, perëndimore.
Vdekja e tij, natyrshëm ka prekur ndjenjat e miliona fansave të tij, anë e mbanë botës. Për ne shqiptarët emri i tij ka një rëndësi tejet të veçantë. Ai është i biri i një nëne arbëreshe nga fshati Greci i Italisë, e cila quhej Filomena Boscia dhe ishte një emigrante italiane nga Campania. Përkatësinë e tij arbëreshe nga e ëma ai e ka deklaruar shumë herë në televizionin amerikan. Ai e vuri emrin e tij në median amerikane në vitin 1999, kur shqiptarëve nga të gjitha trojet tona arbnore iu bashkuan edhe arbëreshët e Italisë, sidomos ata në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të ndihmuar çlirimin e Kosovës. Regis Philbin në atë kohë, demonstroi mbështetjen për Kosovën pasi e dinte mirë se emri i tij i madh ndikonte tek opinioni amerikan. Në një nga emisionet e tij të asaj kohe, në një intervistë me një nga artistet më të mëdha të Hollivudit, ai deklaroi se ishte lindur nga një nënë arbëreshe madje shqiptoi edhe fjalët shqipe që ia kishte mësuar e ëma në fëmijëri. Bukë dhe ujë.
.
Regis Philbin - Ikona e Ekranit Amerikan
Regis Philbin – Ikona e Ekranit Amerikan
Ky personalitet i madh amerikan me gjak arbëresh e ka një degë të rrënjeve të tij nga fshati arbëresh Greci. Ai fshat është i njohur për bashkësinë arbëreshe si dhe për figurat që ka nxjerrë. Ndër to shquhen ish Kongresmeni amerikan, Joseph DioGuardi, i cili ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për çështjen shqiptare në Shtetet e Bashkuara si dhe e bija, Kara DioGuardi, një kompozitore bashkëkohore shumë e njohur në atë vend. Më parë nga ai fshat kishte dalë edhe Leonardo De Martino.
Regis Philbin ka lindur më 25 Gusht 1931 në New York dhe është një ndër personalitetet më të shquara të medias amerikane. Ai ishte aktor, këngëtar, mjeshtër i bisedave dhe shfaqjeve televizive.
Philbin njihet si punëtori më i madh i show biznesit në Amerikë dhe mban edhe rekordin e Regjistrimeve të Guinnes Botërore, si njeriu që ka kaluar më shumë kohë përpara kamerave televizive në transmetim të drejpërdrejtë në historinë e televizionit. Deri në vitin 2010 ai kishte qëndruar 16.100 orë në transmetim.
Philbin ka studjuar në Universitetin Notre Dame dhe ka shërbyer në ushtrinë amerikane. Ai ka filluar të shfaqet në televizionin amerikan në vitin 1950, në programin “Show i Natës Vonë”. Pasi provoi, eksperimentoi dhe performoi një numër programesh, të gjitha më të shikuarat në Amerikë, ai erdhi tek emisioni i drejpërdrejtë “Regis & Kathie” dhe më pas “Regis & Kelly”. Ai ka drejtuar versionin amerikan të emisionit: “Kush dëshiron të bëhet milioner?”, “Fjalë-kalimi – një milion dollarësh” dhe sezonin e parë të emisionit “America Got Talent”.
.
 Legjenda e Televizionit Amerikan - & Presidenti Amerikan - Legjende
Legjenda e Televizionit Amerikan – & Presidenti Amerikan – Legjende
Priit Vesilind, një ndër autorët më të njohur të revistës “The National Geographic Magazine”, e ka vizituar Grecin dhe i ka kushtuar një artikull të posaçëm historisë së atij fshati në atë revistë, në vitin 2000. Ai tregon edhe se si është ruajtur tradita gjuhësore dhe kombëtare shqiptare aty. Ai shënon se ka zona të tëra në Sicili, Kalabri, Kampania dhe Puglia që banohen nga arbëreshët. Gjatë shekujve, thotë ai, arbëreshët kontribuan në jetën italiane me një Papë, tre kardinalë si dhe kryeministrin e burrwshtetasin Francesco Crispi. Ata e ruajtën kulturën shqiptare gjatë sundimit otoman dhe studiuesit e tyre ishin ndër të paret që e shkruan Gjuhën Shqipe. Nga Italia arbëreshët u shpërndanw anë e mbanë botës. Këtu Priit Vesilind tregon edhe historinë e familjes së ish kongresmenit Joseph DioGuardi dhe lidhjet e tij me fshatin e babait të tij Greci, emigrant në Bronx të New Yorkut. DioGuardi udhëton atje dhe mëson për “Gjakun e Shprishur”.
Me interes është të shihet sesi Martin Camaj në një shkrim rreth vizitës së tij në fshatin Greci në vitin 1961 shprehet: “Përpara se të lëvizja për në Monaco, gjatë ditëve të para të Janarit të vitit 1961, në murin e dhomës së apartamentit tim të vjetër, në periferi të Romës, kisha një hartë të fshatrave shqiptaro-italiane. Unë kisha vendosur t’ja dedikoja një pjesë të jetës time studimit të gjuhës dhe zakoneve të arbëreshëve. Sytë e mi shpesh ndalonin në një emër në hartë, një vend i izoluar diku në pjesën verilindore, me emër Greci. Mblodha informacion për të nga bibloteka të ndryshme dhe zbulova se At Leonardo de Martino, një prift françeskan dhe shkrimtar i njohur, i cili e kaloi gjithë jetën e tij në Shqipërinë e veriut si mësues, e sidomos mësues i poetit të madh shqiptar Gjergj Fishta, ishte nga Greci.
Më lejoni të shpreh diçka për vlerën atdhetare shpirtërore të atij fshati. Greci është unik në botë dhe në fakt në asnjë fshat nuk flitet ekzaktësisht siç flitet në Greci. Greci është një fshat shqiptar dhe unë jam Shqiptar po ashtu.” Martin Camaj, Ph.D.
.
Regis Philbin (1931-2020)
Regis Philbin (1931-2020)
Mendohet se të ardhurit e çuditshëm arbëreshë të kohës pas Skënderbeut, banorët vendas italianë i morën për grekë. Kështu ata i vunë fshatit emrin Greci, por që në fakt nuk ka asnjë lidhje me Greqinë.
Artistë të mëdhenj amerikanë e kanë deklaruar origjinën e tyre arbëreshe siç është rasti i Roberto de Niros.
Në fakt vdekja e Regis Philbin, përbën një ndër humbjet e mëdha dhe dëshminë e rradhës së lidhjes së diasporës italiane në Amerikë me arbëreshët e Italisë, pas humbjes së emrave të tillë të mëdhenj, si sopranoja Licia Albanese, e cila vdiq në vitin 2014, në moshën 105 vjeçare.
.
 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.