back to top
20.3 C
Tirana
E shtunë, 6 Qershor, 2026

Aquarel me figurën e Fotaq Filipeut – nga Jozef Radi

Gazeta

Fotaq Filipeu (1915-1992)
Fotaq Filipeu (1915-1992)
Aquarel me figurën e Fotaq Filipeut
nga Jozef Radi

Fotaq Filipeu i përket asaj gjenerate intelektuale shqiptare që u shkollua shkëlyeshëm në Perëndim dhe që menduan e besuan se duke qenë të devotshëm për vendin e tyre, do të ishin edhe mjaft të dobishëm për të ardhmen e tij artistike…
Po nuk ndodhi kështu. Ndodhi krejt e kundërta! Çka kishin besuar këta idealistë të lindur, shumë shpejt do të ishte zhgënjimi më i madh i jetës së tyre! Ata do të ishin kontingjenti  më i freskët për të mbushur burgjet dhe hapsanat e shumta të diktaturës… ku sigurisht nji ndër tyre do të qe edhe Profesor Fotaq Filipeu… edhe pse gjuha e vetme me të cilën fliste profesori ishte muzika, e në veçanti violina… Ajo futesh dhe dilte prej shpirtit të tij me ngjyrosjet magjike të nji virtuozi, i cili për vite e vite shërbeu si mësues, shpjegues dhe inspirues i palodhur i shumë fëmijve të qytetit të Lushnjes, që prej tij do ta donin edhe muzikën.
Lushnja e kohës së Filipeut ishte përplot me “armiq” të ndritshëm që mbikqyreshin çdo sekondë. Krahas muzikantit Fotaq Filipeu, ishin edhe arkitekti Gaqo Mosko, aktori dhe shkrimtari Hekuran Zhiti, shkrimtari kosovar Kapllan Resuli, gjeneralët Hulusi Spahiu dhe Iljaz Ahmeti,  komunisti Pandi Kristo, përkthyesi Seit Selfo, piktori Lek Pervizi, juristi Lazër Radi, agronomët me cen Ali Ypi dhe Zyber Juka, drejtuesi Myfit Bega e Mërkur Omari, inxhinjerët Mërgim Korça e Hysen Sinoimeri; dizenjatori Vango Lezo, doktorët me cen Mimoza Selfo, Vasil Kuli, Prrenjo Ymeri dhe Ihsan Çabej, e plot e plot të tjerë… Pra, qyteti i Lushnjes do të ndrydhte e do të shtypte në heshtje vlera të mëdha njerzore dhe intelektuale, për të cilat sot do të duhet një ndjejë e thjeshtë si pjesë e dhimbjes po edhe e krenarisë së saj…!!
Unë s’e kam pasur fatin të jem nxënës i profesor Fotaq Filipeut, por di të them se kam pasur fatin ta shihja e ta ndiqja nga afër të përditshmen e tij energjike, ta kundroja pamjen dhe ecjen e tij serioze, të dëgjoja vlerësime me superlativa ndaj tij, të merrja pjesë në koncerte e festa që s’mund të nisnin pa praninë dhe hijen e tij dinjitoze… po edhe të kuptoja se Fotaq Filipeu ishte njeri i shenjuar nga regjimi, i cili i hedhur mes së keqes më të madhe bëri më të mirën e mundshme për një qytet të vogël si Lushnja. Filipeu mbolli pa lodhje dashuri për muzikën, pasionin për violinën, korrektesë profesionale të pashoqe, disiplinën artistike ndaj kujdo, fëmijë a burrë që merrte guximin ta mbështeste mjekrën mbi violinë dhe merrte kordën ta rrëshqist mbi ata katër tela përgjegjshëm dhe me pasion…
Fotaq Filipeu edhe me pamje edhe me qëndrimin e tij, të jepte përshtypjen e hekurt të një gjermani tip Wagneri, i lidhur shpirtërisht dhe fizikisht me muzikën… së paku në kujtimet e mia vizive të rinisë së hershme i tillë ka mbetur dhe sot ndjehem vërtet keq  që s’mund të kujtoj asgjë, nga ndonjë raport apo bisedë konfidenciale me Profesor Fotaq Filipeun, njeriun që e mbushi me muzikë një qytet që strehonte të ndëshkuarit… 
15 korrik 2014

Fotaq Filipeu me nxёnёsit e tij te violinёs ,1967
Fotaq Filipeu me nxёnёsit e tij të violinёs,1967

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.