back to top
14.5 C
Tirana
E diel, 28 Prill, 2024

Shkatërrimi i fshatrave Nivicë Bubar, Shën Vasi dhe Belush, 1798 – nga Gezim Zilja

Gazeta

 

Gëzim Zilja
Gëzim Zilja
Shkatërrimi i fshatrave Nivicë Bubar, Shën Vasi dhe Belushi, 1798

nga Gezim Zilja

Në planet e Ali Pashë Tepelenës, për t’i vënë nën sundimin e vet hynin fshatrat e Nivicë Bubarit, Shën Vasisë dhe Belushit, e gjithë bregdeti i Himarës; fshatra të begatë, të pavarur, që qeveriseshin nga bejlerë vendës, në rrëzë të maleve Akrokeraune. Dhjetë vjet pas masakrës së Hormovës, më 1798, ai do të jetësonte pushtimin e tyre. Ngushtica e Korfuzit patrullohej nga anijet franceze dhe nga kjo anë banorët e bregdetit ishit të sigurt se nuk mund të kryhej një pushtim nga deti prej pashait të Janinës. Veç kësaj Aliu, me qëndrimin e tij u jepte të kuptonin, që as kishte ndërmend t’i pushtonte ato vende. Ja si na vjen poezia:

Ali Pasha s’është i marrë,
Nuk nget Bregdet e Himarë,
Se i ka trima me pallë.

Por gjithsesi ai i paralajmëron banorët e atyre fshatrave:

Po të rrini me hudut! / Ndryshe do harxhoj barut,
Do t’u shtroj t’u bëj raje,/ Si bujqit në Myzeqe!

Sidoqoftë, banorët e Bregut të Detit, të regjur në luftëra, ishin të gatshëm të zmbrapsnin çdo orvatje të ushtrisë së Aliut. Të lirë, krenarë, gjithmonë të qeverisur nga bejlerët e tyre shqiptarë, ashtu si dikur hormovitët shprehen jo pa ironi:

Ali Pashë Tepelena (vaj në kanavacë Agim Sulaj)
Ali Pashë Tepelena (vaj në kanavacë Agim Sulaj)

Ali Pasha i kalave,/ Mos pandeh se u flet grave!
Ali Pashë festekuqi,/ Nuk merret kollaj Belushi!
Belushi nuk merret dot,/ As me det e as me tokë.
Falu o Shëvasi e shkretë,/ S’falemi sa jemi vetë!

Më tej duke ironizuar pashanë e Janinës, jepet gatishmëria e banorëve dhe e trimave të tyre:

Ç’e pandeh o Ali Pasha,/ Mos jemi çengi nga Narta,
Të lozësh me to për nata?/ Na jemi kapetanata,
Major Lima kordhëshpata,/ Pilo Bitun kushullata.
Thotë Spiro Qafëgjati:/ Dëgjo Memush zorrëthati,
Nuk na tremb Ali lugati!

Duke mos guxuar të bëjë një sulm ballas nga toka, Ali Pasha, përfiton nga një marrëveshje e çastit me francezët. Ata e lejuan flotën e Aliut të kalonte ngushticën e Korfuzit dhe të zinte në befasi banorët e fshatrave të mësipërme, që ishin duke festuar pashkët.

Pashk’e Krishtit mos ardhç kurrë,
As për turq, as për kaurë,/ Si na bëre detin urë?

Në një variant tjetër çmohen cilësitë e banorëve të atyre anëve si trima, krenarë, të pamposhtur e racë luftëtarësh, por që fati nuk u ndihmoi atë ditë kiameti. Ja si vijnë vargjet:

Pashkë e Krishtit mos ardhç kurrë,
Për niviciotët me vulë,/ Dhe për Shëvasi fodullë!
Ti na i vure në gjumë,/ Gjithë ata trima magrurë ,
Të Delvinës e Bregdetit,/ Të pashait e miletit,
Në natën e kiametit.

Urrejtja dhe mallkimi i banorëve për francezët (frënqtë) që bënë atë pabesi është e pakufi. Ja si shkon mallkimi:

Na u bë urë deti,/ Korfuz të raftë rrëmeti!
Dhe u shofsh me frënq e frënga,/ Na i solle hasmin brenda!

Të zënë në befasi banorët e guximshëm të atyre anëve nuk arritën dot të bënin qëndresë dhe u shpartalluan. Aliu arriti të shfarosë një pjesë të popullsisë së atyre fshatrave në rrëzë të maleve Akrokeraune, që atë kohë llogariteshin me mbi 8.000 frymë. Duke përfituar nga befasia u orvat të pushtonte Himarën por nuk ia doli. Shumë banorë të Shën Vasisë, Nivicë Bubarit e Belushit emigruan në Itali e deri në Spanjë.

PS: “Këto dy fshatra Nivicë-Bubari dhe Shën Vasia të vendosura në vargmalin bregdetar Keraunian ishin të lira dhe nën mbrojtjen e vezirit të Beratit, të cilit i paguanin një taksë të vogël vergjie. Banorët e tyre, sipas një zakoni të moçëm, mërgonin për të shërbyer nën flamujt e Burbonëve të Napolit në regjimentin mbretëror maqedonas, duke mos harruar vendin e tyre ku ktheheshin pas shërbimit ushtarak. Jetonin me punë, me kursimet e shërbimit ushtarak dhe me prodhimet bujqësore” François Pouqueville, “Ali Pashë Tepelena”. (faqe 79-80)
Nivicë Bubari dhe Shën Vasia janë fshatra bregdetare afër Sarandës. Belush ose Bulush ishte fshat në perëndim të Shën Vasisë me rreth 800 shtëpi. Pas djegies shumë familje kaluan në Itali. Sot topogërmadhë.

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.