back to top
12.5 C
Tirana
E hënë, 14 Tetor, 2024

A humbi shqiptarizmi në skëterrën komuniste?! Eduard M. Dilo

Gazeta

Eduard M. Dilo Autor i shkrimit
Eduard M. Dilo

A humbi shqiptarizmi në skëterrën komuniste?!

Eduard M. Dilo (Illyria 2011)

I deleguari i Komitetit Qendror në festimin e përvjetorit të Brigadës së 8-të Sulmuese K.P., iu drejtua shokut të tij të luftës Dh. Mandilit me një ton kërcënues: “A ke marrë pjesë në varrimin e Margaritit ti?”.
Dhimitri e pa drejt e në sy ish shokun e tij të fëminisë, bashkëluftëtarin që dikur luftonin në një llogore, por që tani ishin të diferencuar: K.P. në krye të nomenklaturës partiake e shtetërore, kurse Dhimitri i çmobilizuar nga radhët e ushtrisë dhe puntor në kooperativë bujqësore.
Mos më shiko në sy i foli rëndë-rëndë i deleguari, partia është vigjilente.
Po shoku K., – ju përgjigj Dhimitri i vendosur, – përcolla mësuesin në banesën e fundit. Ju, a nuk na kini mësuar që të respektojmë mësuesin… vazhdoi ai me një ton të qetë.
I deleguari e pa dhe njëherë në fytyrë, i ktheu shpatullat dhe u ngjit drejt tribunës.
Ish partizani i Brigadës së 8-të, mbeti aty në rresht mes shokësh, krenar për veprimin që kish kryer.
Disa duar nga prapa i rrahën shpatullat, por ai shikonte përpara me sytë ngulur tek ish shoku i tij në tribunë.
Sa i vogël i dukej, sa i tjetërsuar ishte.
Familjarët mbanin mbi supe arkivolin e Qirjakos dhe të heshtur ecnin në rrugët bosh të fshatit.
Në shkallët e shtëpisë së kulturës, një turmë njerëzish po dëgjonin tingujt e një kënge revolucionare të atyre viteve që shpërndanin altoparlantët e qendrës së zërit…
Stavro Pina, një burrë krenar hodhi sytë nga turma si për t’i parë se cilët ishin dhe me një zë kumbues foli: “Do ta mbaj dhe unë Qirjakon!”.
Dhe i vuri supin arkivolit, e me hap të vendosur eci bashkë me familjarët. Turma e njerëzve me shpejtësi u fut brenda në shtëpinë e kulturës dhe altoparlanti pushoi tingujt revolucionarë të këngës! “Kjo është shpata që u rri te koka…!” Dikush e tërhoqi kabllin nga rrëmbimi i futjes brenda: me apo me dashje?!
Kortezhi i paktë ecte i heshtur drejt varrezave me njeriun e tyre të dashur mbi supe.
Unë, nxënës gjimnazi në ato vite, me arkivolin mbi supe mendohja: “Kaq i madh është xhaxhai im, sa përcillet në varreza vetëm nga familjarët?

Margarit Dilo me femijet
Margarit Dilo me femijet

Ish punonjësi M. P. të Brendëshme, I. D., në inspektimin që bënte në birucat e hetuesisë së burgut në Kalanë e Gjirokastrës, në Maj të vitit 1970, mbeti i shtangur në një nga qelitë e kësaj hetusie…
-Po si je katandisur kështu more Koço? – iu drejtua shokut të tij të viteve studenteske, dhe shokut të tij të luftës, që kish ndihmuar pa rezerva për çlirimin e vendit…
-Pyet shokët e tu që ke në krah, – iu përgjigj Koçua…
Ish kryetari M. K., dhe shefi kriminel (se i zhdukjes së krimeve s’mund të quhet) V. T. e shikuan si bisha të egërsuara.
Nëqoftëse të lirojmë, – i tha I..i, – a do të jeshë Koçua i luftës që ndihmove lëvizjen pa rezerva?
-Jo unë, por asnjë nga këta që kaloni në këto biruca nuk është më me ju! – i tha Koçua ish shokut të tij.
Të nesërmen ish hetuesi H. P., e mori në hetim dhe i njoftoi mbylljen e procesit hetimor.
-Një moment, – na tregonte Koçua – m’u afua pranë me dosjen hetimore para syve dhe më tha: “Lexo Koço, cilët janë ata që kanë deklaruar për ty!” I lidhur këmbë e duar siç isha në karriken e betonuar në mur lexova deklaratat me emrat dhe firmat e spiunëve të fshehtë… – vazhdoi Koçua. Pas pak, hetuesi shkeli butonin e ziles dhe polici i shërbimit më shoqëroi për në qeli.

Ish oficeri i sigurimit të udhëheqjes A. C., arrestuar dhe dënuar me burgim për “veprimtari armiqësore” në intervistën dhënë në vitet e demokracisë, kujton me tmerr torturat që i bëheshin atij dhe ish personaliteteve të larta qeveritare të asaj kohe, nga hetuesi S. K., ministri H. I., etj. por do të kujtonte me dashamiresi edhe hetuesin B. C. që nuk i vuri asnjëherë dorë, ose hetuesin me emër Flamur që në fshehtësi i jepte ushqim të prangosurit duar e këmbë…
Kam qenë prezent në dyert e kampit të Spaçit ku kisha vajtur bashkë me xhaxhanë tim, për të takuar xhaxhanë tjetër që kishim në burg. Ndërkohë që ne prisnim për të takuar njeriun tonë, u hap dera e hekurt e burgut dhe një polic trupmadh shtyti gjithë egërsi një burrë të moshuar, thatim ku në gjithë qenien e tij pasqyrohej tmerri që kishte kaluar në jetë. I sapodali u ul në ledhin e rrugës, nxorri nga çanta ngjyrëkafe një palë këpucë dhe po mundohej t’i vishte.
-Të vogla i ke, – i tha xhaxhai im.
-I ri isha kur me arrestuan, u rrita dhe u plaka burgjeve foli i sapodali.
Xhaxhai mori disa ushqime nga çanta që kishim me vehte për xhaxhanë dhe ia dha.
Pas kundërshtimit të parë, ai i mori dhe e falenderoi. U largua duke na përshëndetur…

Memorial i viktimave të Komunizmit në Pragë
Memorial i viktimave të Komunizmit në Pragë

Isha nxënës në vitin e parë të gjimnazit “J. Kilica” në Fier. Sapo kishte filluar viti i ri shkollor.
Qe një nga ato mëngjeset e zakonshme kur ne si nxënës rreshtoheshim sipas klasave në oborrin e shkollës dhe mësuesit e drejtori ishin në krye, kur ndodhi një e papritur.
Drejtori i shkollës G. B., thërret emrin tim dhe më urdhëron të ngjitem në krah të tyre. Pastaj gjithë arrogancë më drejtohet: “E. D., biri i armikut të klasës M. D., që asnjëherë s’pati triskë Fronti, e që nga dita e çlirimit e deri sa vdiq, e shkoi jetën burgjeve, si i dënuar politik: Përjashtohesh nga shkolla!
“Jashtë armiku nga radhët tona! – foli ai me një zë të çjerrë dhe nisi të duartrokiste. Për çudi ishin shumë të paktë mësuesit që duartrokitën, ndërsa pjesa dërrmuese e nxënësve reagoi: “E..in e duam në mes tonë, është shoku ynë!” Unë hodha një shikim miqësor nga gjimnazistët e rreshtuar në oborrin e shkollës.
“Ej, mor ti, shiko këtej nga unë! – m’u kanos drejtori dhe më kapi nga këmisha e andrrosur. Rrobat e pakta që kishim në shtëpi, na i kishin marrë punonjësit e përmbarimit, kur na kishin dënuar xhaxhanë.
U ktheva drejt tij, dhe e pashë në mënyrë pyetëse.
-Jashtë armik! – më bërtiti drejtori i egërsuar…
Dy pika loti më rrodhën në faqet e mia të njoma dhe ula kokën. Një drithërimë ndjeva në gjithë trupin dhe m’u duk sikur bota po përmbysej.
-Edi, eja mes nesh më folën shokët dhe shoqet e klasës.
Ai më dha dëftesën e klasës së tetë dhe më urdhëroi të largohesha nga shkolla, ndryshe do të më arrestonin.
Dola jashtë shkolle, unë fëmijë i parritur, me baba të vdekur, me xhaxha në Spaç, me një dëftesë të klasës së tetë ndër duar, pa ditur çtë bëja e as ku të veja.
Por, për hir të së vërtetës asnjëherë s’u ndjeva i vetëm…

Pas disa ditësh, me ndërhyrjen shokëve të vëllait tim Xhovasar Cakmaxhian dhe Agim Polovina, në atë kohë mësues në gjimnazin “Qemal Stafa”, u rregjistrova ne gjimnazin “Partizani”, ku nëndrejtori Fredi Nasi, shoku i vëllait tim e priti me kënaqësi kërkesën që ju bë dhe më mbajti shumë afër gjatë viteve të shkollës…

Eduardi në Sheper 2013
Eduardi në Sheper 2013

Punoja si puntor furnizimi në turizmin e Fierit. Po shkarkoja mallin për banakun e barit të këtij hoteli… kur shikimi m’u ndal tek një plak i dukur, por i katandisur skelet…
Ishte ish gjenerali Nexhip Vinçani, shok lufte i dajos tim Pano Xhamballo, i sapoliruar nga burgu, në atë kohë kur kolera komuniste po jepte shpirt.
-Xha Nexhip, – i fola unë dhe e përqafova me dashuri atë burrë që më kishte futur në punë dhe kishte ndihmuar nënën dhe vëllezërit e mi “mbetur lakuriq mes ujqërve”, – me se doni t’ju qiras, i thashe dhe e shtrëngoja nga duart. Ik, bir i xhaxhit ik, – më pëshpëriti ngadalë xha Nexhipi – se këta që kam rreth vehtes të futin edhe tyja, atje ku kishen mua…!
E përqafova edhe njëherë fort atë luftëtar trim që kish luftuar krah për krah me dajon tim, dhe u largova.
Kjo ishte “Koha e madhe” e skëterrës komuniste.
I rreshtova këto grimca jete, lexues i dashur për të mbrojtur idenë se shqiptarizmi nuk humbi në skëterrën komuniste. Çdo të thotë shqiptarizëm? Trimëri, ndershmëri, besë. Le të ruajmë në kujtesën tonë ç’ka na lidh me njeri tjetrin, të bashkojmë fort duart për ta mbajtur lart flamurin tonë…
Marrë nga Gazeta “ILLYRIA”, dt. 4-6 Tetor, 2011

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.