Dosja gjyqsore e…
Profesor Pashko Gjeçit dhe Profesor Arshi Pipës…
Kur lexon sot dosjen gjyqsore të dy profesorëve të nderuar Pashko Gjeçi dhe Arshi Pipa, edhe pse ajo bahet publike mbas 70 vitesh, të mbërthen nji e rrënqethun që asht e vështirë me pshtue prej saj… Të dy të doktoruem në Letërsi dhe filozofi në Universitet ma te njoftuna italiane, të dy figura të pedagogjisë dhe kulturës shqiptare, të dy djelmoça n’lule të rinisë dhe energjive… të dy tashma të nëpërkambun në trajtat ma të ulta, dhe po të dy mbas burgimeve dhe atij terrori të ushtruem mbi ta, ia mbrritën me e ngrejtë në kambë veprën e tyne… e sot pa diskutim, si Profesor Gjeçi edhe Profesor Pipa, zanë vend nderi në Panteonin e kulturës shqiptare… jo për vuejtjet e tyne stoike, po për veprën e tyne madhështore, për të cilën kombi shqiptar duhet t’u jetë mirnjoftës në jetë të jetëve…
Po unë, desha me u ndalë pak ma gjatë te kjo dosje gjyqsore ku ndjehet haptas terrori ndaj intelektualëve… ku krahas dënimeve të gjata, asht dhanë edhe nji dënim me burgim të përjetshëm, e ku janë edhe Pipa e Gjeçi dy profesorë gjimnazesh po edhe dy pandehun të tjerë, njerëz të nderuem, që në implikimet e tyne të “gjoja” krijimit të nji Partie Socialdemokrate dënohen randë… Ajo çka ma së shumti m’ra sy asht se në akuzë janë përfshi jo pak, po… aty përmenden rreth 26 persona të tjerë, shumica personalitete, që sigurisht para o mbas këtij gjyqi janë dënue, pra nji sistem zinxhir dënimesh, e gjitha kjo në vazhdën e atij terrori që s’njifte të rreshtun, e ku dhuna fizike e psqike kishte kalue çdo masë, dhe ku asht pranue edhe ajo çka as u ka shkue në mend atyne njerzve që po rrëzoheshin nën prangat e terrorin e dhunës… Sigurisht rreshtat e kësaj akuze u ngjajnë zbrazjes së karikatorëve me plumba mbi këta intelektualë që mund të jepnin shumë për kulturën, edhe sikur mësuesë të thjeshtë t’i kishin shërbyer vendit të tyne…
Kur lexon nji dosje të tillë sot, ndjehesh i trazuem prej nji pafundësie habish, po ajo çka të ngulet e s’të largohet nga mendja asht nji e vetme… A thue ka mbarue ajo kohë… kur njeriu dhe intelektuali shqiptar nuk kishte as vlerën e nji opinge… jozef radi
21 janar 2014
“Pashko Gjeçi frymëzohet nga ndjenjat e klerit katolik”
Emra të njohur si Arshi Pipa, Pashko Gjeçi si dhe më pak të njohur prej publikut si Hysen Ballhysa dhe Preng Kaçinari, dilnin përpara gjykatës komuniste me akuza politike se kishin formuar një grup politik, një parti socialdemokrate. Pavarësisht se ligji i kohës lejonte formimin e partive të reja, asnjë grup veç partisë komuniste nuk mund të ushtronte veprimtari politike. Gjithë inteligjenca e mbetur e vendit, ajo që ishte kryesisht në gjimnaze ishte në qendër të goditjeve në vitet 1946-1948. Inteligjencës së shkollave të mesme të vendit, i quhej “veprimtari armiqësore” edhe bashkëbisedime e mbledhja e saj. Në pushtet ishin ata që e shihnin me sy të keq çdo gjë që bënin të shkolluarit. Në pushtet ishin klasa më injorante që kish njohur ndonjëherë Shqipëria. Kompleksiteti i injorancës e bënte këtë klasë të kalonte në veprime hakmarrëse e primitive.
Përkthyesi i njohur Pashko Gjeçi, punën e të cilit do ta kishte luks çdo vend, dilte para gjyqin, dënohej e më pas dërgohej nëpër kampet e punës për të vuajtur dënimin me punë të detyruar në vende të tilla si Maliqi, Bedeni, etj. Sot në përvjetorin e katërt të vdekjes së përkthyesit të njohur, përkujtojmë dënimin e tij në grup.
Grupi ku bënte pjesë Pashko Gjeçi
Gjykata Ushtarake e Tiranës ka marrë në gjykim të pandehurit:
1-Arshi Mustafa Pipa, 27 vjeç, lindur në Shkodër e banues në Durrës, arrestuar më 27.4.1947.
2-Pashko Kaso (Gaspër) Gjeçi, 29 vjeç, lindur në Shkodër e banues në Durrës, arrestuar më 6.9.1947.
3-Hysen Haki Ballhysa, 21 vjeç, lindur dhe banues në Durrës, arrestuar më 4.12.1946.
4-Preng Vlash Kaçinari, 37 vjeç, lindur në Mitrovicë e banues në Durrës, arrestuar më 6.9.1947.
Akuzoheshin
Akuzoheshin si anëtarë të “organizatës së gjerë agjento-sabotatorë dhe pjesëtarë të grupit socialdemokrat” për të rrëzuar me dhunë (në origjinal “llun”) “pushtetin popullor”.
-Preng Kaçinari, akuzohej se ishte bërë anëtar i Partisë Fashiste, se ishte udhëzuar nga Faik Quku për organizatën Balli Kombëtar, se pas lufte ishte lidhur me Sulo Klosin e Ruzhdi Barbullushin.
-Arshi Pipa akuzohej se gjatë kohës së luftës kishte “drejtuar revista me ideologji fashiste për të mashtruar popullin dhe për të maskuar okupacionin fashist”. Ai akuzohej se kishte vazhduar aktivitetin e tij me studentët duke e akuzuar pushtetin komunist si terrorist
-Hysen Ballhysa akuzohej se e kishte filluar aktivitetin kundër pushtetit kur kishte qenë nëpunës në Komitetin Ekzekutiv të Durrësit.
-Pashko Gjeçi akuzohej se kishte qenë “anëtar i Partisë Fashiste dhe ka propaganduar për fashizmin”, është bërë anëtar i Ballit Kombëtar, në bashkëpunim me Faik Qukun e Preng Kaçinarin. Pas lufte akuzohej se kishte marrë pjesë në mbledhje të kryesuar nga Gabriel Meksi, i cilësuar si “anëtar i Komitetit Qendror të Tiranës dhe që lidhej direkt me Gjergj Kokoshin”
Vendimi
Për këtë arsye, gjykata vendoste më 24.12.1947 dënimin e “grupit” si më poshtë:
-Preng Kaçinari me burg të përjetshëm.
-Arshi Pipa me 20 vjet burg.
-Hysen Ballhysa me 15 vjet burg.
-Pashko Gjeçi me 5 vjet.
Vendimi i formës së prerë
Gjykata e Lartë Ushtarake me vendimin e datës 24.2.1948 modifikonte vendimin e gjykatës së shkallës së parë. Ndryshohej vetëm dënimi me burg të përjetshëm të Preng Kaçinarit, të cilit dënimi i kthehej me 20 vjet burg. Të gjithë të dënuarit dënoheshin me punë të detyruar nëpër kampet e punës së regjimit, konfiskim të pasurisë dhe heqjen e të drejtës zgjedhore për 3 vjet.
Fletë-akuzë ndaj Pashko Gjeçit
I pandehuri Pashko Gjeçi nga Shkodra, banues në Durrës, me profesion profesor i shkollës unike. Mësimet e para i pandehuri i ka bërë në shkollën jezuite në Shkodër, mësimet e mesme i ka kryer po në Shkodër, i ndihmuar nga kleri katolik, pastaj ka vazhduar studimet në Universitetin e Romës me ndihmën e Luogotenencës që ishte në Tiranë. Mbasi ka mbaruar mësimet në vitin 1942, është emëruar profesor në shkollën normale të Shkodrës. i pandehuri Pashko Gjeçi që në vogëli është frymëzuar nga ndjenjat e klerit katolik dhe më vonë nga ndjenjat e fashizmit, kështu që ka qëndruar besniku i tyre në besimin më të madh.
I pandehuri Pashko Gjeçi gjatë luftës deri në kapitullimin e Italisë ka qenë anëtar i Partisë Fashiste dhe i ka shërbyer asaj në formë të hapur. Më vonë hidhet në radhët e Ballit Kombëtar dhe bashkëpunon me profesor Prenk Kaçinarin, Paulin Palin e të tjerë elementë ballistë. Në këtë kohë propagandon me studentët e shkollës për Ballin Kombëtar. Mbas çlirimit të Shqipërisë i pandehuri emërohet profesor në Tiranë, ku merr lidhje me profesorët e tjerë reaksionarë si Gabriel Meksi. Veprimtaria e të pandehurit kundër pushtetit popullor ka nisur nga viti 1945, ku ka ranë në kontakt për herë të parë me Gabriel Meksin, i cili ka folur për Partinë Socialdemokrate dhe i pandehuri ka pranuar të jetë anëtar i kësaj partie. I pandehuri Pashko Gjeçi ka marrë pjesë në mbledhjet e njëpasnjëshme të profesorëve të Partisë Socialdemokrate ku kanë bërë pjesë Gabriel Meksi, Vedat Kokona, Ali Hashorva, Luigj Ljarja, Gaspër Jakova e Osman Myderrizi.
Në këtë mbledhje kanë shtruar çështjen e politikës së jashtme e të brendshme, çështjen e organizatës kundërshtare, kanë shtruar programin, planin e punës për shtimin e radhëve të organizatës. Grupi i sipërpërmendur kryesohej nga Gabriel Meksi, i cili ka patur lidhje direkt me komitetin qarkor të Tiranës.
Nga udhëzimet që merrte Pashko Gjeçi në këtë grup, punonte me elementë të tjerë kundërshtarë të paorganizuar që i kishte në rrethin e tij. Ai arrin formimin e një grupi të organizatës kundërshtare që e kryesonte vetë, në të cilin bënin pjesë: Pjetër Gjini (në burg), Nush Radovani (në burg), Kolë Ashta (profesor në Berat), Ndrekë Dema e Çesk Laca. Të gjithë këta elementë ishin kundër pushtetit popullor e njëkohësisht anëtar të organizatës kundërshtare. Në mbledhjen që bënte ky grup Pashko Gjeçi shpinte vijën dhe parimet e organizatës kundërshtare e i përgatiste për t’u punuar me elementë të tjerë kundërshtarë, për ta shtrirë vijën e kësaj organizate në masë dhe të ngjallnin pakënaqësi në popull kundër pushtetit në fuqi. Veprimtaria e të pandehurit Pashko Gjeçi nuk mbaron këtu. Ai transferohet në Durrës, merr lidhje me Vasil Ziun e me armikun e populli Selim Kokalari. Në Durrës i pandehuri merr pjesë në një mbledhje të grupit të profesorëve, që përbëhej nga Stavër Frashëri, Vasil Ziu, Simon Deda, Prengë Kaçinari, etj.
Në këtë grup është shquar puna e organizatës kundërshtare, programit dhe qëllimet e saj, e cila kryesohej nga Stavro Frashëri.
I pandehuri Pashko Gjeçi është ngarkuar me detyrë që të pranojë elementë studentë kundërshtarë. Me këtë aktivitet ka shtrirë në rrethin e tij të pakënaqurit si dhe ndër studentët e shkollës.
I pandehuri Pashko Gjeçi ka zhvilluar aktivitetin e tij kundërshtar të vazhduar kundër pushtetit popullor, e cila vërtetohet mirë edhe në procesin e armikut të popullit Selim Kokalari, i cili ndër të tjera thotë se në grupin e Partisë Socialdemokrate bënte pjesë edhe profesor Pashko Gjeçi.
Në procesin e armikut të popullit Sulo Konjari thuhet se profesor Pashko Gjeçi ka bërë pjesë në partinë socialdemokrate. Në procesin e armikut të popullit Gjon Vlashi thuhet se ka propaganduar kundër pushtetit popullor. Duke u mbështetur mbi faktet e sipërpërmendura si dhe nga deponimet e tij, i pandehuri Pashko Gjeçi ka qenë anëtar i Partisë Socialdemokrate dhe ka bashkëpunuar me armiqtë e popullit për të përmbysur pushtetin popullor.
Skeda Biografike Prof. Pashko Gjeçi
U lind në Shkodër më 7 shtator të vitit 1918. Mbaroi shkollën dhe gjimnazin Jezuit në qytetin e lindjes. Në shkollë nisi të mësojë mirë italisht, më pas në gjimnaz, greqishten e vjetër dhe latinishten, gjuhë në të cilat përktheu thesaret e letërsisë botërore. Që në moshë të re, aty nga viti 1934, përktheu disa poezi të poetit italian, Xhakomo Leopardi. Në vitin 1938 regjistrohet në Fakultetin e Letërsisë dhe Filozofisë në Romë me gjysmë burse nga qeveria e asaj kohe. Më 15 korrik të viti 1942, diplomohet me gradën doktor shkencash në letërsi. Pjesëmarrja në leksionet e Ernest Koliqit do të ishin një arsye më tepër për ta dënuar me të kthyer në Shqipëri.
Pas lirimit e transferojnë në Fushë-Krujë, ku punoi gjatë për përkthimin e “Komedisë Hyjnore” të Dante Aligerit, Purgatorit dhe Parajsës. Menjëherë pas botimit të “Komedisë…” në vitet ‘60 të kantikut të parë të Ferrit nisi të përkthente një tjetër vepër të madhe të letërsisë botërore, “Odisenë” e Homerit. Shoqata italiane “Dante Alighieri” në vitet e 70-ta vlerësoi ndërkombëtarisht shqipërimin e Gjeçit si njërin ndër tre përkthimet më të mira në botë të “Komedise Hyjnore”. Gjeçi u dekorua nga Presidenti Italian Çampi më 2004 me “Ordine della stella, della solidarietà italiana” për përkthimin e Dantes. Po ashtu Pashk Gjeçi është laureat edhe i disa çmimeve të tjera kombëtare dhe ndërkombëtare. Në 90-vjetorin e lindjes, Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve e Shqipërisë i akordon Çmimin Kombëtar të përkthimit “Fan Noli”, për përkthimin e veprës “Fausti” të Gëtes.
Pashko Gjeçi vdiq më 20 janar 2010.
Marrë nga Gazeta “55” 20 janar 2014