back to top
15.5 C
Tirana
E martë, 16 Prill, 2024

Kongresi i Triestes 1 – 4 Mars 1913

Gazeta

Dervish Hima, Mark Kakarriqi, Faik Konica, Stefan Curani, Fan Noli, Masar Toptani, Hilë Mosi në Kongresin e Triestes, Itali, 1913
Dervish Hima, Mark Kakarriqi, Faik Konica, Stefan Curani, Fan Noli,
Masar Toptani, Hilë Mosi në Kongresin e Triestes, Itali, 1913

Kongresi i Triestes 1 – 4 Mars 1913

110 vjetori i Ngjarjeje të Rëndësishme në Histori

Me kët shkrim pak më të plotë mbi Kongresin e Triestes e mbyll këtë faqe
të historisë që ndoshta në shkollat në Shqiperi as nuk njihet fare…

Kongresi i Triestes u mbajt në qytetin e Triestes nga 1-4 Mars 1913. Ai i përfundoi punimet në prag të rënies së Janinës.
Në kongres morën pjesë 120 delegatë shqiptarë, italianë, arbëreshë, austriakë, rumunë, vllehë etj. Qëllimi i Kongresit të Triestes ishte mbrojtja e Shqipërisë nga copëtimi. Kjo u shpall më hollësisht në programin e tij prej katër pikash që ishin:

1.“Kërkesat per nji Shqipni të madhe, të till qi të mund jetojë e pamvarshme politikisht e ekonimisht.
2.Tue marrë para sysh se Vllahët qi jetojnë në rreth të Shqipnis dishirojnë të jen unjisuem me shtetin e rij të lir, na tue i pëlqye me zemër i përshndesim vllaznisht së bashku me të tjerë kombsije së ndryshme qi dishrojnë me jetue në Shqipnin e re.
3.Tue dijtë se Fuqit e Mdha kan njoftun si parim formimin e nji Shqipnije të lir e se dhe qeverija e jonë asht diftue asnjanse në kët luftim, na n’emen të Drejtsis, lypim qi t’u epet fund luftës e rrethimevet.
4.Shkoqitje mbi formën e qeveris”.

Kongresi i Triestes 1- 4 Mars 1913
Kongresi i Triestes 1- 4 Mars 1913

Kryetar i Kongresit ishte Faik Konica.
Anëtarë të kryesisë së kongresit ishin Dervish Hima, Fazil Toptani, Hil Mosi, Pandeli Evangjeli dhe Stef Curani.
Delegatët e kongresit në diskutimet e tyre folën rreth gjendjes tragjike të Shqipërisë, nevojën për bashkim dhe domosdoshmërinë për t’i treguar botës pjekurinë e shqiptarëve.
Dervish Hima, Leonidha Losi dhe Orazio Irianni përshëndetën nxehtësisht Qeverinë e Përkohshme të Vlorës dhe kërkuan që Kongresi të mos njohë tjetër qeveri pos asaj të shpallur nga Ismail Qemali.
Nga kongresi iu drejtuan telegrame falenderimi Kontit Berchold, Markezit Di San Giuliano dhe Ministrit të Jashtëm të Rumanisë.
Delegatët në kongres u shprehën kundra armiqve të Shqipërisë dhe veprave të tyre barbare që po kryen në tokën shqiptare.
Në kongres morën pjesë tre pretendentë për fronin e Shqipërisë. Ata ishin Princi Albert Gjika, Baroni Franc Nopcsa dhe Markezi i Auletës.
Gjithashtu, morën pjesë në kongres Konti Taffe, i biri i ish-kryeministrit austriak dhe inxhinjeri Haessler. Ky i fundit i grishi kongresistët të çojnë zërin për të kërkuar kufijtë e vërtetë të Shqipërisë.
Nga arbëreshët e Italisë në kongres ishte i pranishëm Prof. Zef Skiro që në fjalën e tij hodhi poshtë thëniet se shqiptarët janë barbarë e refraktarë të qytetërimit, duke i paraqitur armiqëve kolonitë e lulëzuara të shqiptarëve që gjenden në shtete të ndryshme…
Ai foli për dobinë që i vjen Austrisë e Italisë nga nji Shqipëri e madhe dhe e mbylli bisedën duke thënë: Na jepni dhjetë vjet liri e keni per të pa kush janë shqiptarët.
Në kongres morën pjesë disa figura përfaqësuese vllahe si At Epaminonda Ballamaçi, Foti Ballamaçi, publicisti Vasil Djamandi nga Janina dhe Dr. Pattajo nga Amerika. At Epaminonda Ballamaçi përshëndeti mbështetjen e kongresit për vllahët e shtypur të Maqedonisë. Ai shprehu gatishmërinë për të jetuar me vëllezërit e një gjaku e feje nën flamurin shqiptar si dhe besimin se vetëm nën popullin bujar e fisnik të Shqipërisë ata kanë për të gëzuar liri të plotë.
Shqiptarë me banim në Rumani pjesëmarrës në kongres ishin Jan Lehova drejtor i gazetës shqipe “Atdheu” dhe Pandeli Vangjeli. Dr. Shunda prej Bukureshtit u shpreh për simpatinë e rumunëve ndaj shqiptarëve dhe tha se vëllezërit e tij, vllahët, kishin dëshirë me të gjithë fuqinë që të bashkohen në flamurin shqiptar. Ai premtoi se ky vëllazërim do të vihet në veprim fill pas luftës kur qeveria rumune do të filloi të hapë shkolla shqipe në Shqipëri.

Kongresi i Triestes 1913
Kongresi i Triestes 1913

Arbëreshi Pal Gjergji nga Borgo Erizzo foli kundër parimit “Ballkani balkanasvet” dhe shpjegoi se kjo fjalë nuk është veç një mburojë për të coptuar Shqipërinë.
Pjesëmarrës në Kongresin e Triestes si Nikollë Ivanaj, Hil Mosi, Idriz Manushi, Haki Florina, Fan Noli, Mark Kakarriqi, Pal Gjergji, Fadil Toptani, Dervish Hima dhe Frano Kinigo etj. kundërshtuan fuqimisht copëtimin e viseve shqiptare të Kosovës dhe Manastirit. Gjithashtu, termi “Shqipëri e Madhe” i përdorur në diskutime u kundërshtua si i papërshtatshëm dhe u kërkua të flitet për një Shqipëri të njëjtë për nga historia, gjuha dhe zakonet. Në lidhje me këtë çështje u kërkua që Shqipëria të përbëhet nga katër vilajete. Ky mendim u pranua me votim prej delegatëve të kongresit.
At Fan Noli me një bisedë të gjatë shprehu kënaqësinë duke vërejtur bashkatdhetarët e të gjitha krahinave të vëllazëruar në dashurinë e Atdheut. Kënaqësi e kryelartësi i shkaktoi atij prania e shqiptarëve të Italisë të cilët edhe pse tash sa shekuj larg Shqipërisë kanë të njëjtën dashuri për flamurin kombëtar… Ai u kujtoi kongresistëve se kjo është nji orë gëzimi e trishtimi: Shqipja u ringjall mbas sa qindvjetësh por ajo është e shitur. Shqipëria mbas sa vite martirizimi po vihet dhe një herë n’udhë të lirisë e të përparimit; sa gjak i pafaj po derdhet e sa zjarmi është duke shkrumuar vende shqiptare! Historia – thotë – na kujton se sikur Skanderbeu pati miq papën e Romës dhe Huniadin e Hungarisë ashtu ne kemi mbrojtësit tonë në Vjenë e Romë.
Marre nga Kult plus

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.