back to top
17.5 C
Tirana
E premte, 4 Tetor, 2024

24 orë në rrethin e së keqes… Gjergj Kola

Gazeta

Gje-ze-ko (Gjergj Kola i ri)
Gjergj Kola i ri…

24 orë në rrethin e së keqes… Gjergj Kola

1
Në art, s’ka fort randsi kallximi në vetvedi, aq sa ka nevojë mënyra e veçantë se si na e kallzojmë….

2
Në 6 të nadjes, kur Sulejman B, u tremb në shtrat prej erës së murlanit qi po e rrihte pa mëshirë dritaren, ai u ngrit shpejt, u pa para pasqyre, i mbylli veshët, tuj u nisë  prej fjalëve të hallkut qi e merrnin për shkurtabiq e tan bare,  sikur t’ishte nji peshngritës turk.
Ne orën 7, Marjan K, sapo asht hjedhë në kambë për me kapë trenin e 7 e nji çerekut,  me shkue me nanën për me takue të jatin në burgun e Ballshit, ku asht i dënuem për aksident në punë, me maksimumin e dënimit ngaqë gjykatsi, s’kishte qenë i ngopun me rrushfetin.
Në orën 8, kur Sulejman B, u drejtue në zyrën e vet në Komitetin e Partisë së rrethit, u kujtue se sapo i kishte kapërcye të 40 dhe merrte 14 mijë lek rrogë, e para tij shfaqej nji karrierë ma e fuqishme se ajo e parardhësve të vet të lavdishëm.
Në orën 9, ndërsa treni po i afrohej Lezhës, Marjan K, mendon se sapo i ka mbushë të 17 vjetët dhë dëshira e tij me u marrë me basketboll, ka mbarue njiherë e mirë, qysh se i jati ka ra në burg. Tash ai asht detyruem me punue në fermë t’Oblikës, për 4 mijë lek në muej.
Në orën 10, kur Sulejman B, shfletonte në zyrë “Zërin e Popullit” dhe gëzohej pa masë se tashma standarti e kishte fshi njiherë e mirë gegnishten… shkroi nji letër për mësuesit e gjuhës, që ta thellonin luftën ndaj elementeve reaksionarë, ndër të cilët ishte edhe gegnishtja.
Në orën 11, në dalje të Laçit, Marjan K, ndezi radion Iliria me bateri dhe sapo ndeshi në nji stacion të huej qi trasmetonte Celentanon, ndjeu diçka dhe me sytë e mëdhej e andrrues, këndoi me të “Il Ragazzo della via Gluck!”.
Në orën 12, udhëheqsi i naltë i Partisë dhe Pushtetit, Ramiz A, e mori në telefon Sulejman B, dhe i tha të prëgatiste nji listë për pastrimin e qytetit nga elementi reaksionar, sidomos ata të rinj me “leshra në kokë e mbi kokë”!!
Në orën 13, Marjan K, s’bashku me nanën e sëmunë prej diabetit, hyjnë në kryeqytet dhe nxjerrin nga strajcat bukë, djathë e domate të fresketa të kopshtit, për me drekue te stolat me kambë të ndryshkuna e në plehun qi mbushte stacionin e hapun.
Në orën 14, Sulejman B, mblodhi shefat e Sigurimit, të hetuesisë, të policisë, të gjykatës, të Komitetit ekzekutues dhe ju dha orientimet e Partisë, ku me pak fjalë ju kërkoi qi në çdo rrugicë, pallat ku nuk kishte nji komunist të arrestohej nji i ri me “leshra në kokë e mbi kokë”, ndërsa në lagjet reaksionare ku numri i t´prekunve ishte i konsiderueshëm, të arrestohej pa ndonji parim të nevojshëm…
Në orën 15, treni po kalon Durrësin dhe deti dukesh ma i zemëruem se kurrë, kur nana e Marjan K, pëson krizën e parë dhe ai kërkon më kot nji pikë ujë midis njerzve qi kishin mbushë trenin në çdo qoshe e birë, pa lan kënd me lëvizë.
Në orën 16, Sulejman B, i sillej rreth hartës demografike të qytetit dhe me lista në dorë kalonte emnat sa në nji anë në tjetrën, tuj kërkue nji ekuilibër, si prej moshe ashtu edhe prej sjellje… e sidomos nga preardhja e familjeve,  të djemve dhe vajzave të nënvizueme.
Në orën 17, Marjan K, sapo mbrriti në Fier, kërkon nëpër stacion nji mjet udhëtimi për në Ballsh, sepse në orën 17 kishin takimin e afruem nji herë në muej me të burgosunin, bashkëshort dhe baba.
Në orën 18, Sulejman B, i telefonon së shoqes dhe ja ban të qartë se at natë kishte me ardhë shumë vonë, për vetë karakterin delikat që i kishte besue Partia, në spastrimin e qytetit prej mbeturinave qi po ja merrshin frymën dhe po e infektonin klasën punëtore në misionin e saj, për realizimin e shoqnisë komuniste dhe diktaturës së proletariatit.
Në orën 19, Marjan K, bjen në krahët e t´jatit dhe familja në tre vetë, shkëmben njato pak ushqime, qi ja ka hjekë gojës së vet me ja pru të burgosunit për aksident në punë, e që ka marrë maksimumin prej 4 vjet e 4 muejsh nën akuzën e “dëmtimit të pronës socialiste!”.
Në orën 20, gruen e Sulejman B, e dërguen me ambulancën e ushtrisë në spitalin e lindjes sepse ajo sapo kishte hi në muejin e nantë dhe simbas mjekëve dhimbjet kallxonin nji lindje të shpejtë.
Në orën 21, Marjan K, së bashku me Nanën e vet po qeshin me fatin se sapo kanë gjetë nji makinë me rimorkio, qi bart kollomoq për në Shkodër, dhe hypën në karroceri tuj u mbulue me mushamanë qi mbronte drithin nga era.

Holokausti i Foshnjave - Tepelenë (skica Lek Pervizi)
Holokausti i Foshnjave – Tepelenë (skica Lek Pervizi)

Në orën 22, Sulejman B, i kishte në dorë listat me tanë emnat e të rinjve “qafleshë”, qi do internoheshin tuj e pastru qytetin verior nji herë e mirë… e ndërsa peshonte listën me dorë, përsëriste at vargun e poetit, Kryetar të Lidhjes “kështu si pastron deti leshterikët… kështu t’i fshijmë reaksionarët!”
Në orën 23, Marjan K, po hante darkë, të njejten bukë me djathë qi i kish teprue prej misditës dhe të dy pijshin nga shishja e përbashkët e ujit, qi asht ba valë prej rrugës, porse asht i pazevëndsueshëm për me shtye ushqimin teposhtë… e ama i mshef lotët nëpër terrin e thellë të natës si me kenë Rrugët e reja Tamlit nëpër qiell.
Në orën 24, Sulejman B, mori në telefon spitalin dhe u informue mbi gjendjen e së shoqes, mandej thirri guzhinjerin, t’i sillte peshk të freskët dhe nji shishe raki skraparit mbasi “…sonte kishte miq, dhe nata do të ishte më e gjatë se netët e tjera…!”
Në orën 01, Marjan K, me nanën qi i flente në krahë po e hapin pak mushamanë dhe po dallojnë siluetën e Kalasë së Shkodrës që mbron si nji zanë mali qytetin prej maktheve të bajlozëve të zinj të përtej diellit…
Në orën 02, Sulejman B, i la sytë t’i mbylleshin prej asaj ndjenjës së kënaqsisë së njeriut qi e ka krye provën e madhe që i ka caktue Partia, i mbushun me vetëdijen se kishte ba diçka marksiste-leniniste, jo aq të kapshme njerzore porse thellësisht të drejtë për kauzën e Madhe.
Në orën 03 (të natës po edhe ditës), Marjan K, dhe Nana me diabet, sapo e gjetën shtratin, njashtu nëpër natën pa drita tuj prekë me dorë shenjat e njoftuna të shpisë, u futen sejcili nën mbulesat e ftofta e të pangjyra dhe po flejnë thellë e  pa andrra…
Në orën 04 të nadjes, Sulejman B, hap sytë dhe kërkon ujë, dhe meqi e shoqja s’ishte aty u ngrit vet dhe në ecje e sipër i ra me gju karriges, e njiherit i shau randë sabotatorët borgjezë për mungesën e dritave po edhe për shumë gjana të tjera…
Në orën 05, të ditës së re makinat e policisë sapo e kanë mbërthye Marjan K, njashtu në pizhama dhe e kanë përplasë në zi-s-in e ndërhymjes së shpejtë tuj i ra sa munden, me shkopij gomet në gjunjtë e tij të brishtë të cilët hala s’e kanë plotësue procesin e të pjekunit të plotë.
Në orën 06 të sabahut, Sulejman B, e lajmërojnë se e shoqja asht futë në dhimbjet e lindjes dhe e kërkon patjetër në spital… por ia nuk pranon pa krye detyrën e naltë deri në fund dhe pa e përcjellë makinën me të internuemit e rinj me “leshra në kokë e mbi kokë” deri në dalje të Shkodrës.
Në orën 06 e nji cerek, kur makina sapo e kishte kalue urën mbi lumin Drin dhe i kishte kthye shpinën qytetit nji herë e mirë, ndoshta përgjithmonë, në spitalin e lindjes, sapo kish përshëndet ditën e qamja e nji foshnjeje, të birit të Sulejman B.
Rrugës Marjan K, i pyet policët se “Ku po e çojnë?!” dhe ata i përgjigjen: “Për në Kep të Rodonit”, për me punue në bujqesi e blegtori, me fitue vetë bukën e gojës me shkop e me dhunë! – porse ai ndjehej tepër i ri për me e kuptue se në këtë ditë, po shënohej përfundimisht: Humbja e  rezistencës ndaj jetës.
Në të njejtën kohë në spital, mjekët e pyetën Sulejman B, se “ç’emër do t’i vinte djalit?”, – dhe ai ju përgjigj jo pa krenari se “Sot ishte nji ditë e mirë për Qytetin e Veriut…” dhe e quajti: Ditmir B!

3
30 vjet mbas ksaj ngjarje, postkomunistët e kanë prap pushtetin tuj ngritë atë djalin qi kishte le në ditën e internimit të minorenëve, në rangun e figurave të nalta të shtetit dhe kjo ishte  shenja e pakundërshtueshme se e keqja kishte nisë pezmatimin e kockës dhe gangrena po rritej hovshëm tredimensionalisht.
4
Marjan K, aktualisht asht në gjendje shtrati, në Australi, i shkatrruem prej pasojave të internimit në nji rast të pashembullt për historinë e njerzimit, ku pushteti internon vetëm minorenë, nën pretekstin, se kishin “leshra në kokë e mbi kokë”, siç motivohej çdo dëshirë rinie n’at kohë…
01 qershor 2014.

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Kur Sulejman B. u emrue sekretar i I-rë në K. P. Shkodër në darkë, në shtrat i thotë së shoqes: “A e din moj gru se me kë po flen sonte?” Ajo i përgjegjet: “Me burrin tem mor, ç’asht ky muhabet!”. Sula i përgjigjet: “Po flen me sekretarin e I-rë të K. P. Shkodër… (Humor i atyne ditëve)

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.