back to top
19.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

19 Vjeç – 19 Mendime – nga studenti Atjon Zhiti

Gazeta

Atjon Visar Zhiti (1995-2014)
Atjon Visar Zhiti (1995-2014)

19 Vjeç – 19 Mendime

nga studenti Atjon Zhiti

“Studenti i përhershëm” Atjon V. Zhiti, siç e njohin shokët dhe shoqet e brezit të tij, një i ri me dëshira të mëdha, që donte jetën dhe gëzimet e moshës, nismëtar në veprime, i dashur dhe i bukur, me një buzëqeshje “kryevepër” siç thonë ata që e kanë njohur, ka 4 vjet që na vëzhgon nga Qielli, na ndjek dhe na do përherë.
Fjala e tij e mënçur ishte një dritë në udhën e të rinjve. Dhe vërtet në Tiranë ka një rrugë me emrin e tij “Rruga e Atjonit”, që bashkohet me rrugën “Faik Konica, të cilin ai e adhuronte.
Ndërkaq dhe Atjoni ka lënë një libër me ese, “Për atë që dua(m)”, por dhe një album me pikturat e fëminisë dhe adoleshencës së tij, “Opera Atjon”, i vlerësuar edhe jashtë vendit, po kështu jepen dhe dy çmime ndërkombëtare me emrin e ti, ai i Festivalit të Filmit “Giffoni” dhe për poezi nga “International Writers Association ‘Pjetër Bogdani”.
Zërin e Atjonit e ndjejmë ashtu siç dilte i çiltër dhe pasionant nga krahërori i tij i gjerë dhe na vë në mendime. Ai i printe moshës së tij.
Zgjodhëm 19 thënie të tij, aq sa pati dhe moshën, të nxjera nga esetë e tij, i grupuam, që kumbojnë aktuale, si të shkruara tani…
.
Visar Zhiti me të birin Atjonin
Visar Zhiti me të birin Atjonin

-Tirania

1.Fasada është e bukur plot shpresë, rrënjët janë të njëjtat, të kalburat…
-Shtetari pa shtetasin është një hiç.
 
2.Në një regjim gati-tiranik nuk është tiranik vetëm ai që është në krye të shtetit.
-Tirania nuk është asgjë tjetër veçse një shtet i servilizmit absolut, jo vetëm servilizëm i qytetarit ndaj detektorëve të fuqisë e pasurisë, por një servilizëm total, servilizëm i arsyes ndaj instinktit dhe ky servilizëm i jashtëm nuk është asgjë tjetër veçse një shprehje e servilizmit të brendshëm.
 
3.Vendi ynë që nga rënia e perandorisë romake perëndimore, e cila ndërtoi teatro, amfiteatro, rrugë, tempuj e shkolla, ku kanë studiuar “ars militaris” emra si Cezari e Augusti, vazhdon deri më sot të jetë prehë e depredimeve të barbarëve, prehë e nepotizmit, prehë e korrupsionit, prehë e inkompetencës së burokracisë dhe administratës, është dhe prehë e një demokracie fiktive, shpesh të munguar.
.

-Lideri

 
4.Lideri ka prirje që nën ndikimin e mediatizimit, të bjerë në narcizëm, pra t’i pëlqejë vetja dhe mendimet e tij në mënyrë të atillë që të mos pranojë asnjë dialog me të tjerët, të mos pranojë gabime, të mos tregojë kufijtë e dijes së vet, përballë së cilës nis injoranca e tij.
A nuk mendoni se ky pohim u përshtatet drejtuesve tanë, kur flasin… për ato që vetë nuk i bëjnë dhe nuk flasin për ato që bëjnë?
.

-Korrupsioni

5.Korrupsioni është një krim ndaj kolektivit, një plagë ndaj të mirave të saj materiale dhe jo. Gjithsesi. Jepet rasti që shoqëria jonë që prej hapjes së tregut të lirë është kthyer në një konglomerat privatësh dhe partikolarësh ku pasioni civil nuk ka zënë rrënjë. Kuptohet që në këtë habitat korrupsioni është i toleruar, bile i mirëparë edhe nga kush nuk ka asgjë tjetër në dorë përveçse të humbasë.
 
6.“…korrupsioni rrjedh nga fort-e-dashura shoqëria civile: që ka pushtuar botën e sipërmarrjes, të kreditit dhe të informacionit, ka kalbur privatin gati po aq sa gjënë publike.
 
7.Dhe vatra e problemit është politika, sepse e tillë është bërë veshja, por prapë nga vatra mund të vijë ndryshimi, në këtë rreth ku i përbashkët është fillimi dhe fundi.
.

-Për “Opininon-in”

8.Sot në shoqërinë tonë, tërë jeta e shoqërive, ku mbretërojnë kushtet moderne të prodhimit, prezantohet si një akumulim i madh spektaklesh.
Spektakli nuk është më një bashkësi imazhesh, por një raport social që ka imazhin si medium. Realiteti kështu lindte spektaklin dhe spektakli bëhet real.
Imazhi është mall dhe malli kështu ngarkohet me imazhe, imazhe spektakolare, të cilat e mbushin mallin plot jetë dhe çojnë konsumatorin e pamundur për shumë në iluzion.
 
9.Ky mall i kthyer kështu nuk e ka çliruar njeriun nga nevoja, por i ka ushtruar një presion të ri, një kusht të ri, konsumizmin. Në sajë të kthimit të mallit në parësi, malli ngarkohet me alegori e kuptim simbolik. Malli konsumohet me dukjen, nuk duhet më për mbijetesën dhe kështu pra kemi një mbijetesë të mbingarkuar. Akoma më e shterpët se nevoja e mbijetesës.
Në shoqërinë tonë është dramatike se si të qenit, zëvendësohet nga dukja.
.

Atjoni dhe nëna e tij Eda
Atjoni dhe nëna e tij Eda

-Për shkollën

10.“…ndjej një antipati për shkollën. Më duken orë të humbura. Mos ma përmend fjalën shkollë. E urrej shkollën dhe librat që na jep për të lexuar…
 
11.Shkolla ime nuk më stimulon, nuk më mëson gjë të re, nuk mendon në nivelin tim, më fal(ni) për modestinë…
 
12.“…Të bësh mirë ti e di ça dmth, nuk flitet vetëm për nota e sjellje. Flitet për pasion, dëshirë, këmbëngulje, sakrifica ndoshta dhe vuajtje, por pasioni është kryesori.
.

-Përgjegjësia për ndryshimin

13.Por ajo çka do të ishte më e dhimbshme, do të ishte nëse shqiptari nuk do të bënte asgjë për të ndryshuar. Duket sikur premtimi i pambajtur e abuzimi i vazhdimtë ndër vite ndaj vetes dhe vendit, i pozitës janë kthyer në rutinë dhe ajo çka është fatale është fakti se si mirësia e integriteti intelektual të duken si risi…
 
14.Ne i futemi thellë të vërtetës. Sa thjeshtë e zhveshim atë. Preferojmë sinousitetin e elegancën ndaj mbulesës, por në fund del që lëkura lakuriq është më e komplikuar se mbulesa dhe fundi pastaj bëhet i thjeshtë… Por rruga është keq. Ka shumë gropa. Kërkimi është zhveshje.
 
15.Kur padrejtësia e përgjithshme bëhet rrugë, rezistenca është detyrë.
 
16.Duhet të ndërgjegjësohemi e së bashku duhet të bëjmë një kryengritje morale, të vazhdimtë…
 
17.Duhen patur si burim force e njëkohësisht “thembër Akili” vlerat e paqes e të kulturës, mbrojtjen e të drejtave civile e të lirisë dhe mbi të gjitha një shoqëri më e përbashkuar, pa harruar një patriotizëm erudit e jo një nacionalizëm të shterpët që kemi adoptuar dekadat e fundit, tipik i popujve të vegjël.
.

-Liria

18.Liria e vendit tim është e para dhe më e çmuara. Po a jemi gati për atë që duam?
 
19.Të bësh të kthehen gjërat në shërbim të lumturisë së njeriut.
.
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.