back to top
17.5 C
Tirana
E martë, 16 Prill, 2024

Po sikur të bënim modelin irlandez për historinë! – nga Ndrek Gjini

Gazeta

Ndrek Gjini
Ndrek Gjini

Po sikur të bënim modelin irlandez për historinë!

nga Ndrek Gjini

-Kolë Bibë Mirakaj (1899-1968), ka punuar mësues, kryetar komune gjatë qeverisjes së Fan Nolit dhe Ministër i Brendshëm në periudhën Maj-Shtator 1943. Jeta e këtij Nolisti, “Fashisti”, dhe intelektuali e atdhetari të shkëlqyer meriton tё rishkruhet. Kjo për shkak anatemimit të pamerituar që i është bërë atij për më se pesëdhjetë vjet.
Në vitin 1943, kur forcat gjermane po mbërrinin në Shqipëri, Kolë Bibë Mirakaj ishte Ministër i Brendshëm. Në atë kohë një numër i konsiderueshëm hebrenjsh ndodhej në territorin shqiptar. Jeta e tyre ishte ne rrezik serioz nga nazistët gjermanë. Por çfarë bëri Kolë Bibë Mirakaj, në atë kohë ministër i Brendshëm, për t’u shpëtuar jetën këtyre hebrenjve.
Këto dy faksimile të bëra të njohura nga Dr. Nevila Nika dhe Faik Quku, autori i librit “Qëndresa Shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botnore” (1941-1944) që po i ribotojmë sot flasin flasin vetё.
Një urdhër i tij i datës 31 gusht të vitit 1943, detyronte pajisjen me pasaporta shqiptare për të gjithë hebrenjtë që ndodheshin në territorin e vendit tonë në atë kohë. Përmes pasaportave shqiptare ata mund të udhëtonin e të gjenin strehim në Italinë jugore, pjesë e çliruar në atë kohë prej forcave aleate anglo-amerikane. Me këtë gjest Kolë Bibë-Mirakaj, u shpëtoi jetën mbi 2000 hebrenjve që ndodheshin në Shqipëri, të cilët u pajisën me pasaporta shqiptare dhe udhëtuan drejt Italisë.
Këto fakte shprehin nevojën urgjente te rishkrimit jo vetëm të historisë së jetës së Kolë Bibë Mirakajt, por të krejt historisë së Shqipërisë. Thënë me saktë, shprehin domosdoshmërinë për të pasur një tekst realist të historisë së Shqipërisë. Tekst i cili mund dhe duhet patjetër të jetë jashtë ndikimeve politike, qoftë në trajtimin e këtyre 30 viteve demokraci, ashtu dhe në trajtimin e së shkuarës sonë diktatoriale, monarkike apo dhe asaj koloniale.
Shqipëria ka gati 30 vjet që jeton në demokraci. Po të mos ekzistonin reminishencat e sjelljeve autoritare apo servilizmat ndaj politikave të çastit, të drejtuesve të institucioneve përgjegjëse për tekstet e historisë, këto gati tre dekada do të ishin mëse të mjaftueshme për ta zgjidhur përfundimisht këtë çështje. Por kjo çështje fatkeqësisht nuk u zgjidh.
.
09_12_2018_gsh-13-770x433

Ne dhe Europa Lindore

Nuk dua të bëj këtu analizën e faktorëve që e kanë penguar këtë proces në Shqipëri. Por dua të nënvizoj faktin se shumë shtete të Europës Lindore që e përjetuan regjimin komunist e kanë zgjidhur këtë çështje. Metodat dhe institucionet që u përfshinë në rishkrimin e teksteve të historisë së tyre janë nga më të larmishmet. Nuk është rasti t’i rreshtoj këtu. Por një gjë është e vërtetë: ato kanë folur më pak se ne për këtë çështje, dhe kanë punuar shumë më shumë se ne. Ndofta ne si reminishencë të së shkuarës kemi sindromën e të folurit shumë dhe të punuarit pak. Po rreshtoj këtu disa mendime sesi mund të zgjidhet kjo çështje.
.
Kolë Bib Mirakaj - dhe akti i mbrojtjes së hebrenjve...
Kolë Bib Mirakaj – dhe akti i mbrojtjes së hebrenjve…

A mund të adoptohet në Shqipëri modeli irlandez?

Modeli irlandez mendoj se do të ishte i përshtatshëm për një vend si Shqipëria. Irlanda ka përjetuar një pushtim gati 700-vjeçar nga Anglia.
Tekstet e historisë se këtij vendi nga vitet 1922-1923 e deri në mesin e viteve 1960, kanë vuajtur nga patetizmat, megalomanitë dhe shabllonizmat në favor rrymave nacionaliste, apo nga e kundërta e tyre, në mënyrë ekstreme. Sa herë ndërronin partitë në pushtet ndërronin edhe tekstet e historisë, rishkruheshin ngjarjet sipas orekseve të politikës së çastit etj. (tamam si në Shqipëri në këto 30 vitet e fundit).
Aty nga mesi i viteve ’60, Parlamenti mori një vendim, dhe qeveria akordoi fonde, të cilat iu dhanë Universitetit të Oxfordit për të shkruar tekstet e historisë së Irlandës. Këto tekste shërbyen si tekste bazë për shkollat fillore dhe të mesme, ndërkohë që në shkollat e larta u lejuan dhe lejohen përveç këtyre teksteve edhe tekstet alternative. Por, gjatë gjithë kësaj periudhe, asnjeri nuk pengoi, apo dhe nuk pengon, asnjë historian të majtë apo të djathtë të shkruajë e botojë tekste historie sipas oreksit apo bindjeve që ka.
Çfarë gjelle mund të na gatuajnë historianёt e komanduar nga politika?
Personalisht, mendoj se Edi Rama, apo cilido kryeministër shqiptar, do bënte punën më të mençur po t’i akordonte fondet, materialet dhe infrastrukturën e nevojshme një universiteti mirënjohur në Britaninë e Madhe, Gjermani apo SHBA, për të shkruar tekstet bazë të historisë së Shqipërisë.
E them këtë, pasi kam bindjen më të plotë që, po t’i pajisë Edi Rama me fonde, materiale dhe infrastrukturë të bollshme institucionet që merren me shkrimin e historisë sot, nesër Basha, apo kushdo tjetër qoftë Kryeministër i së Djathtës, do të japë prapë fonde të tjera, për po këto institucione, të drejtuara nga të tjerë drejtues, për t’i rishkruar nga e para këto tekste historie. Dhe kështu, sa herë që do ndërrohen partitë në pushtet, do të rishkruhen tekstet e historisë së Shqipërisë sipas orekseve të politikës së çastit. Dhe, për fat të keq, ky rishkrim do të prekë jo vetëm kapitujt e historisë së katër apo pesë shekujve të fundit, por do shtrihet deri në epokën e gurit. Kjo pasi, këta historianë shqiptarë të paguar, dhe me lidhje personale apo farefisnore me politikën qeverisëse, nuk mund të jenë kurrsesi objektivë.
E them këtë, pasi për arsye dhe motive të panumërta, shqiptarët nuk janë çliruar ende nga zelli i të shërbyerit verbërisht dhe as nga vetëmburrja (në kuptimin e asaj që thonë se “jam unë ai që i di gjërat më mirë se ti…).
Shqipëria, si çdo komb tjetër i qytetëruar, e meriton t’i ketë tekstet e historisë së saj të shkruara në mënyrë objektive dhe shkencore. Ndërgjegjja profesionale e historianëve shqiptarë, për njëmijë e një arsye, nuk e ka arritur ende atë stad për t’i shkruar këto tekste me paanësi, dhe larg vesit të të shërbyerit ndaj politikës qeverisëse me pasion dhe verbërisht. Kjo është arsyeja se pse mendoj që adoptimi i modelit irlandez është më i përshtatshmi për momentin aktual.
.
Marrë nga Milosao – Suplement i Gazeta Shqiptare 09.12.18

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.