back to top
10.5 C
Tirana
E diel, 8 Dhjetor, 2024

A jemi gati për atë që duam? ese nga Atjon V. Zhiti 


Gazeta

Atjon Visar Zhiti (1995-2014)
Atjon Visar Zhiti (1995-2014)

A jemi gati për atë që duam?


ese nga Atjon V. Zhiti 


18 Shkurt 2014

Atjoni në kujtimin e shokëve…

Një mbrëmje pranvere në Milano, u takuam si bënim shpesh te Naviglio. Kalon një zonjushë e cila na kërkoi një shami se i qe këputur sandalja dhe ishte detyruar të ecte zbathur… “A keni nje shami? – na pyeti vajza- se më vjen shumë turp të ec zbathur mes njerëzve, që më shofin si të jem e cmendur!!” “Zonjushë, shami nuk kemi, por ju premtoj se kurreshtjen dhe habinë e njerëzve do ta marr unë përsipër!” i thotë Atjon flokëkaçubja, me atë rr-në që e tallja gjithmonë… Ai hoqi këpucët bashkë me çorapet dhe e shoqëroi vajzën deri te taksitë duke qeshur e duke i buzëqeshur çdo shikimi kureshtar… “Shifemi pas 5 minutash plako” më tha dhe e tërë rruga atë mbrëmje buzëqeshi me mirësinë dhe alegrinë e gjestit tënd…
Kështu do ta kujtoj gjithmonë ikjen tënde, duke lënë pas vetëm alegri dhe adhurim, o gjigand i bukur me ata flokët si ishe zënë me centrifugën e lavatriçes; dhe kishte fituar lavatriçja kuptohet!! Do të më mungosh gjithmonë Atjon!!
Marrë nga Muri i fb i Denis Kapos

Atjon Visar Zhiti
Atjon Visar Zhiti

***

A është vërtet vendi im i gatshëm për atë çka aspiron dhe, a e ka kokën midis shpatullave të veta, të cilat duhet të mbajnë peshën e përgjegjësisë së ambicies dhe të veprimit të duhur, apo e ka zhytur mes reve në një qiell ëndrrash? Një përgjigje e njëanshme nuk do të duhej, sepse o do ishte disfatiste, ose optimiste në mënyrë trashanike, se ashtu siç ka faktorë pozitivë ka dhe negativë. Unë kam një si kumt, të marrë herët. Po e tregoj si.
Kur isha fëmijë, një ditë vere do të më ndodhte diçka, e cila do ngelej gjithmonë e gërvishtur në kujtesën time. Isha “mysafir” në shtëpinë e një miku të tim eti dhe papritshmërisht na ndodhi që një harabel a diçka e ngjashme të përplasej në dritaren, nga e cila po vështronim mendimet tona. Zogut të vogël i ishte thyer krahu, dhe po prapë papritshmërisht zbulova se një nga pasionet e tashmë mikut tim e jo vetëm të tim eti, ishte ornitologjia, dhe detyrimisht dinte gjithçka mbi zogjtë dhe se si ta kuronte krahun e atij. Si çilimi më dukej pabesi e madhe ndaj natyrës që një krijesë kaq e brishte të mos lihej e lirë mbas kurave dhe me insistimin e kokëfortit ngulmoja në çrobërimin e tij, aty në çast dhe pa e ditur mora mësimin e parë mbi vendin tim.
Me një çiltërsi e thjeshtësi të hatashme m’u shpjegua se do të ishte mizori t’i jepej liria në atë gjendje atij zogu të pambrojtur dhe i pamundur për t’i përmbushur nevojat vetes. Më përpara se liria, duhej ndihma, kurimi dhe kujdesi, mbështetja e plotë si paraliri ose si pjesë e lirisë utilitare. Këtë po e ndjeja si fëmijë, por si më i rritur, e kam të qartë se liria e vendit tim është e para dhe më e çmuara. Por, a jemi gati për atë që duam?
Faktorët pozitivë i njohim e i kemi dëgjuar shumë herë, si pozita gjeografike, pasuria natyrore, klima, fakti që jemi popull i ri e energjik dhe që ka plot hapësira për investime etj., etj. Por përsëri më lind një pyetje tjetër që, a jemi ne ata, të cilët kanë krijuar këtë pozitivitet apo thjesht është një dhuratë, të cilën o e kemi shfrytëzuar shumë pak, ose e kemi shfrytëzuar keqazi? Ndërsa faktorët negativë kërkojnë një listim më të gjatë, por do të zgjedh për t’i diskutuar e që më duken më të dhembshmit, sipas meje. Jemi një popull që na duhet më shumë kujtesë dhe si rrjedhojë edhe më shumë ndërgjegje që vjen prej saj, që të jemi më të ndërgjegjësuar mbi atë çka na ndodh rreth e rrotull e ky nuk është një proces i jashtëm, të cilin ne duhet ta kërkojmë tek e nga të tjerët gjithmonë, por është një udhëtim i brendshëm. Mua më duket e habitshme si populli im është i gatshëm për të pranuar ofendime, shtypje e padrejtësi. Vendi ynë që nga rënia e perandorisë romake perëndimore, e cila ndërtoi teatro, amfiteatro, rrugë, tempuj e shkolla ku kanë studiuar “ars militaris” emra si Cezari e Augusti, vazhdon deri më sot, në 2014, të jetë pre e depredimeve të barbarëve, pre e nepotizmit, pre e korrupsionit, pre e inkompetencës së burokracisë dhe administratës, është edhe pre e një demokracie fiktive, shpesh të munguar. Por ajo çka do të qe më e dhimbshme, do të jete nëse shqiptari nuk do të bënte asgjë për ta ndryshuar. Duket sikur premtimi i pambajtur e abuzimi i vazhdimtë ndër vite ndaj vetes dhe vendit, i pozitës janë kthyer në rutinë dhe ajo çka është fatale është fakti se si mirësia e integriteti intelektual të duken si risi. Sot globalizimi na ka kthyer në një “mega-qytet”, dhe ne hidhërimisht duhet të kuptojmë se jemi një rrethinë e errët e saj, që ka plot mundësi përmirësimi, se ka bërë hapa përpara e nuk është më geto, por është ende rrethinë e largët, gjithsesi.
Gjatë viteve të fundit, po t’i hidhet një sy qendrës e rrethinës botërore, shohim se si ka tentativa të vazhdimta për përmirësim, e cila është gjë tipike e egoizmit pozitiv të njeriut, ndërkaq shohim liderë që arrestohen, p.sh kryeministri në Kroaci për korrupsion, në Gjermani – liderë të Europës, ministra dorëhiqen nga politika për skandale që u kanë ndodhur me diplomat, etj., etj, ndërsa ne bëjmë sikur jemi shumë engjëllorë për të reaguar denjësisht mbi imazhe, video, shantazhe, kriminalitet e vjedhje, jo vetëm në Bankën e Shqipërisë sonë dhe mëkatarët gjithashtu janë tepër naivë për të ditur se ç’bënin e ç’bëjnë e jo më për të pranuar fajet e tyre.
Shohim qeveri diktatoriale në vendet e Magrebit që rrëzohen, shohim një popull të tërë të ngrihet që të mos eci me ritmet e korrupsionit e padrejtësive në Kiev, në kryeqytetin e një vendi të ish-“URSS”, ku problemet dhe vuajtjet janë disi të ngjashme me tonat. Duket sikur në atdheun tonë rregullat e natyrës dhe ato primordiale të njeriut nuk funksionojnë si kudo, sepse ne si qenie njerëzore jemi të aftë të prodhojmë histori dhe ky është një proces shumë i rëndësishëm në evoluimin e vetë njeriut dhe të prodhosh histori, do të thotë të kesh kujtesë. Ne kujtesën kolektive e kemi të mangët, të dëmtuar keqazi, në disa fraksione mungon totalisht dhe nuk kemi bërë më të rëndësishmet për ta rikuperuar dhe nuk bëjmë atë që duhet për të tashmen. Një mungesë e tillë sjell pengesa të tjera dhe ngadalëson procesin tonë evolutiv si popull.
Shqipërisë, e po flas për atë realen, nuk duhet t’i mjaftojë Kryengritja e Skënderbeut e dalim tek Lidhja e Prizrenit, tek Ismail Qemali e zbresim te Dhjetori i ’90-ës dhe pavarësia e Dardanisë. Duhet të ndërgjegjësohemi e së bashku duhet të bëjmë një kryengritje morale, të vazhdimtë. E ardhmja është e sigurt, po po, është e sigurt që do vijë, ajo nuk vonon, por duhet t’i shtrëngojmë më fort frerët e fatit në duart tona me përvojën e asaj çka kemi mësuar këto njëmijë vitet e fundit. Po, fati është i shkruar e nuk ndryshohet, besojnë, por manipulohet.
Dhe së fundmi kam një pyetje torturuese. Filozofi antik Plotini thoshte se që të duash të mirën, do të thotë ta njohësh të mirën (intelektualizmi etik). Po ne, a e njohim?
*Student në Filozofi, Universiteti “Sacro Cuore” Milano.
Burimi: mapo.al/

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.