100 trëndafilë për nënë Savën… nga Jozef Radi

0
14
Sava Kuqeshi Zguri (1 mars 1913)
Sava Kuqeshi – Zguri (1 mars 1913)

100 trëndafilë për Nënë Savën…

dhe mungesa e opinionit human ndër ne…

nga Jozef Radi

Dhe ai urimi ynë aq i zakonshëm, të cilin e shohim si ma të lartën mundësi njerzore: “U bëfsh 100 vjeç!”, për këtë Nënë, s’ka asnji pikë kuptimi dhe mbetet krejt i pavlerë!
Urimi ynë duhet të jetë tjetër dhe duhet të shfaqej si nji kor i madh solidariteti njerzor ndaj kësaj Nënë, dhe jo thjesht, veç për Atë!
Përfytyrimin tim të festës së kësaj Gruaje dhe Nëne të Madhe, për të cilën s’do të lodhem kurrë së thëni se: fjalët për Të s’janë kurrë të mjafta… e kam paksa heroik! Me mendjen time shoh nji festë solemne dhe Ajo në nji karrige të artë vendosur mbi nji vig në supet e 8 fëmijve të saj, pesë djemve dhe tri vajzave, 24 nipave, 36 stërnipave dhe 4 fëmijëve të stërnipave, duke shetitur mes nji sheshi të madh plot njerëz… ku prej të gjitha anëve derdhen trëndafilë… trëndafilë pafund…
E shoh me mendje si Festë e Madhe Dashurie nën Harkun e Triumfit të Jetës… Nji Grua, nji Nënë, një Zonjë që ka fituar betejën ma të madhe në histori… Betejën me Jetën! Ajo është Fitimtare!
Edhe pse tashmë përtej shekullit, Nënë Sava mbetet nji grua e thjeshtë shqiptare… nji nënë si shumica e nënave tona, të cilat në betejën e ashpër të jetës, dëshmuan e dhuruan gjithçka pozitive që mund të ketë shpirti njerzor… veç lotëve! (jo pse lotët s’janë njerzorë)…
Ishte mars edhe atëhere kur ia morën burrin: Kiço Kuqeshin, ia gjykuan e më pas pushkatuan në Leskovik, me 15 dhjetor 1959.
Ishte vetëm 45 vjeçe, nënë e tetë fëmijëve, ku më i vogli s’kish mbushur akoma vitin. Dhe shtetit përbindësh, s’i mjaftoi pushkatimi i burrit të familjes, as sekuestrimi i pronës dhe i pasurisë, po e mori kët Grua, ashtu si kish bërë edhe me qindra Gra të tjera, para dhe pas saj, dhe e degdisi vetëm me rrobat e trupit kampeve të internimit në Myzeqe, bashkë me tetë fëmijët e saj…

Nënë Sava ditën e 100 vjetorit
Nënë Sava ditën e 100 vjetorit

Vërtet, prej asaj dite ajo u vesh me të zeza dhe asnji ngjyrë tjetër s’njohu trupi i saj, po s’u bë lot, as trishtim, as dëshpërim… U bë forcë dhe simfoni heroike… Mbas asaj veshje të zezë, ndriste shpirti i bardhë i Nënë Savës…
Në kampin e famshëm të Savrës, ajo i rriti me bukë e pa bukë fëmijët e saj, po askush s’e pa të qahet, as të trokasë ndokund për ndihmë… Askush s’e dëgjoi rënkimin e shpirtit të saj… Tetë fëmijët, njëri mbas tjetrit do t’i bëheshin krahë e shembull pune dhe ashtu njeri mbas tjetrit u martuan të tetë aty në kamp; aty do të lindnin të gjithë fëmijët e tyre… dhe Ajo Grua, ashtu kallogre në të zeza, po heroike dhe e paepur në shpirt: burrë dhe grua bashkë, shërbëtore dhe fisnike, e ashpër dhe e dhimbsur, krenare dhe bujare… do të ishte gjithkund…
Thuaj Nënë Savë, dhe i ke thënë të gjitha!
Sot kjo Grua e mplak shekullin e saj, atje… në kampin skëterrë të Savrës, me një prej tetë fëmijve të saj… Sigurisht s’i mungon asgja, sigurisht jeton nji pleqëri të bardhë e të qetë, ku djemtë e vajzat, nipat e mbesat, stërnipat dhe stërmbesat, herë mbas herë vijnë nga e gjithë bota dhe te ajo Grua e Shenjtë prekin mrekullinë e duarve të Saj, që s’u lodhën kurrë nga pesha e jetës dhe e vuajtjeve, që s’u mposhtën kurrë, duke u bërë gëzim, jo vetëm për familjen e saj tëmadhe, po edhe për gjithë ne që patëm fatin ta njihnim dhe ta donim si Nënën tonë…
Prandaj do të them gjithnji se: fjalët mbeten të pamjafta përballë kësaj nëne Shenjtore…

***
Iu riktheva për së dyti Nënë Savës, këtij personazhi tashma historik, për të cilin jo shumë muaj ma parë shkrova nji prej artikujve të mi ma të ndjemë, i cili edhe pse u vërtit mjaft nëpër media, veçanërisht ato online, s’prodhoi asgja ma shumë se nji solidaritet njerëzor, ndërkohë që mendoja se shteti, institucionet, shoqatat duhet të ishin ma të ndjeshme e të reagonin ma me dinjitet… Asgja… Vetëm heshtje… Deri kur… kjo heshtje?!?!
E trishtë sa s’thuhet, po kjo është e vërteta jonë! Si duket ndër ne s’ka lindur ende institucioni i indinjatës, i ngritjes së zërit, i frymës së protestës dinjitoze, i rebelimit ndaj çdo padrejtësie që ndodh nën sytë tanë; si duket ne s’jemi tjetër veçse opinione të përgjumura, të flashkëta, të çoroditura… dhe harrojmë se me pësimet e kapërcyera në heshtje pa at zemëratën e domosdoshme, lejojmë dhe u japin zemër padrejtësive të reja që do të peshojnë pa mëshirë sot dhe në ditët dhe vitet që do të vijnë…
Kjo është e dhimbshme, fort e dhimbshme dhe me pasoja… Nji shoqëri emancipohet vetëm kur guxon të mos u nënshtrohet padrejtësive!
Sepse lehtësisht mund t’i mbledhësh njimijë vajza të veshura me stinën e luleve dhe t’i ngresh në protestë mes sheshit kundra dhunës ndaj grave dhe vajzave, po a s’do të kishte njimilion herë ma shumë vlerë, sikur të gjithë bashkë t’i dilnim në mbrojtje kësaj Nane, kësaj gruaje, kësaj heroine 100 vjeçare, pa asnji vepër heroike, të përdhunuar sistematikisht jo prej nji njeriu, as prej dhjetë njerzve, as prej njimijë syresh, po prej nji shteti të tërë, me krejt paftyrësinë dhunave të tij! Ai shtet që s’u mjaftua me vrasjen e burrin, as me sekuestrimin e pasurisë dhe pronës, as me degdisjen kënetave të kësaj Nëne me tetë fëmijve të saj… Më thoni a ka dhunë ma të madhe se kaq për nji grua, për nji nënë, për nji motër…??
JO! Jua them unë: Nuk ka!!!
Prandaj këtij vendi i bëhet e domosdoshme të lindë herë mbas here Nënë Tereza, Nënë Sava e kushedi sa Nëna të tjera që ne i shtyjmë përditë në harresë me heshtjet tona të turpshme: gra shenjtore dhe gra të shenjta, monumente të gjalla të genit dhe shpirtit shqiptar, përballë të cilave të gjithë ne duhet të biem në gjunjë, po, po në gjunjë dhe ta kuptojmë se në qëndresën e këtyre grave vërtet s’ka asgja heroike dhe as trimëri të bujshme, por ajo njerzorja: vuajtja, sakrifica, vetmohimi, shembulli janë të nji lartësie kaq të epërme, sa asnji lloj heroizmi burrash s’mund të matet me vlerën e tyre…!
Nënë Savë, ti je shenjtorja e gjithë vuajtjeve tona, ti je nji prej 61 grave shqiptare, që jetuan dhe pësuan terror vetëm në kampin e Savrës; që i rritën si stoike fëmijët tuaj, ashtu pa burra… Ti je sot nëna e munguar e secilit prej nesh; je dhimbja që s’na shkulet prej shpirti; je respekti që s’do të vdesë asnjiherë; je mirnjohja jonë e larë me lavdi… ndaj heshtja e këtij shteti dhe e gjithë mekanizmave të tij, përpara dashurisë sonë, para respektit tonë, para mirënjohjes sonë të madhe… është nji zero e madhe… dhe e turpshme!!!

Nene Sava midis djemve vajzave dhe nipave
Nene Sava midis djemve vajzave dhe nipave

***

Njiqind trëndafilë për ty Nënë Savë dhe për gjithë nënat shqiptare, pse mbeteni monumente të pavdekshme të jetës sonë…!
Njiqind trëndafilë për ty Nënë Savë dhe për ato qindra nëna e gra që mbetën pa burra: rrugëve, kampeve e burgjeve, nji gjysëm shekulli sakrifica të paimagjinueshme dhe sot askush s’kujtohet për Ju…
Njiqind trëndafilë për ty Nënë Savë, në emër të gjitha nënave, grave, vajzave dhe motrave që edhe sot dhunohen edhe prej pafuqisë së shtetit për t’i mbrojtur prej duarsh kriminale…
Njiqind trëndafilë për ty Nënë Savë për familjen tënde të pafundme, për të cilën ti edhe pse në të zeza, u dhe shpresë, shpirt, dritë ëndrra dhe forcën për të ecë përpara…
Njiqind trëndafilë për ty Nënë Savë, nga ne që të njohëm e të deshëm, ne që jetuam në jetën tënde dhe mësuam prej teje dhe shembullin tënd e kemi të gdhendur në kujtesë, për sa të jetë jeta…
Njiqind trëndafilë për ty Nënë Savë, edhe pse shteti, institucionet, shoqatat, fondacionet heshtin në braktisje, pse ti je dhe do mbetesh dëshmi e gjallë e mjerimit të tyre…
Njiqind e nji trëndafilë prej meje Nënë Savë, sepse në at kopshtin tënd të luleve, më të bukurin e kampit të Savrës, nji mbrëmje të këputa pa lejen tënde nji trëndafil… për t’i dhuruar nji buzëqeshje dashurisë sime… Sot po guxoj të ta kthej… për po at dashuri që ta kam “vjedhur” dikur…

(28 shkurt 2013)

Related Images:

Artikulli paraprakFoto Galeri për Botimet Lazër Radi
Artikulli tjetërSavra Monamour teksti Jozef Radi-muzika Grigor Kokali

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.