back to top
15.5 C
Tirana
E mërkurë, 1 Maj, 2024

Njerëzori Prokop Mima… nga Anissa Markarian

Gazeta

Anissa Markarjan & Prokop Mima
Anissa Markarjan & Prokop Mima

Njerëzori Prokop Mima…

nga Anissa Markarian

100 vjetori i lindjes (07.07.1920 – 07.07.2020)

.
Me kalimin e viteve, më shumë se malli për të mitë, më brengos tretja e kujtesës familjare. Bashkë me fotografitë e renditura në albumet kapakrënda që shfletohen rrallë e më rrallë, po zbërdhulen edhe ngjarjet e jetuara apo të rrëfyera ndër vite.
Barkëza me vela direk e busullthyera, kujtimet lundrojnë tashmë oqeanit të harresës. Mbetur në breg, moskokëçarës e të pandjeshëm, u japim lamtumirën duke tundur në ajër shamitë e bardha prej letre. Hajt, një barrë më pak! Kush ka nge t’i mirëmbajë?! Duhen shpluhuruar, kontrolluar, shkruar, klasifikuar e përcjellur brezave. Mund i kotë! Të zhvoshkur nga kujtimet, ndihemi të lehtë si ajri e të ripërtërirë. Të rilindur, madje!
Nostalgjikët janë një gjini në shuarje…

Prokop Mima në një nga rolet e tij
Prokop Mima në një nga rolet e tij
Në 100-vjetorin e lindjes së dajës tim, Nderit të Kombit, Prokop Mima, hodha në letër një grusht kujtimesh nga xhevahiret e zhbiruara nëpër galeritë e kohës. Pa ndihmën e dy udhërrëfyeseve të jashtëzakonshme, tezes së vogël, Aristea Mima Shvarc, dhe nusedajës së madhe, Elisaveta Karalli Mima, respektivisht 87 e 88 vjeç, s’do të kisha mundur të bëja dritë mbi disa fakte familjare që i kujtoja përgjithnjë të harruara. Ju falemnderit nga zemra, vajza!
Të mbledhura pirg në Portat e Kujtesës, relikte të tjera presin identifikimin.
 

* * *

Anissa: Teta Lina, ti je fëmija më i vogël i familjes Dhimitër Mima – një familje ku arti rrinte si në shtëpinë e vet.
Aristea: Artistja e parë e familjes ishte Moma (Aspasia Shundi Mima). Baqi ishte roja vigjiluese e gjuhës amtare. Nëse ndokujt nga ne, në bisedë e sipër, i shpëtonte ndonjë fjalë greqisht apo italisht, e detyronte të merrte fjalorin e të kërkonte fjalën e barasvlershme në shqip.
Anissa: Cilat ishin dhuntitë artistike të Momës?
Aristea: Kishte një vesh absolut për muzikë. Gatuante, punonte në vegjë, qepte e qëndiste gjithmonë duke kënduar. Herë këngë tiranase, herë pjesë lirike. Në festat familjare vishej me kostum kombëtar e i binte dajres. Gjithashtu, pikturonte në pëlhurë dhe vizatonte me pirografi në dru e në lëkurë.
Anissa: Pra, talentin artistik daja Kopi e kishte trashëguar nga Moma.
Aristea: Jo vetëm ai. Të gjithë fëmijët e familjes, do të thoja. Çdokush prej nesh këndonte dhe luante një ose dy instrumenta muzikorë. Në shtëpinë tonë organizoheshin mbrëmje e festa të paharrueshme. Sapo dëgjonin tingujt e parë të kitarës së Kopit, bashkoheshin edhe djemtë e vajzat e komshijve. Kacelët, Kalajat, Bodinakët… Këndonim e kërcenim si të ishim një formacion muzikor i sprovuar.
Anissa: Pas gjimnazit, daja Kopi shkoi në Padova të studjonte për farmaci. Dy vjet më vonë, për arsye ekonomike, u detyrua t’i ndërpriste e të kthehej në atdhe. A mendon se mospërfundimi i studimeve ishte një lloj shenje e fatit? Ndoshta, po të ishte diplomuar, ne do të kishim pasur një farmacist më shumë në familje, por Shqipërisë do t’i kishte munguar një aktor brilant si Prokop Mima.
Aristea: Intuita më thotë se edhe po të ishte diplomuar e të kishte filluar punë si farmacist, dualizmi që përjetonte brenda vetes mes pasionit për artin dhe detyrës së ushtrimit të profesionit do ta kishte shtyrë ta braktiste një ditë këtë të fundit për t’iu kushtuar plotësisht skenës. Kur u kthye nga Italia, i kishte ngarkuar valixhet plot e përplot me libra mbi historinë e teatrit botëror dhe manuale mbi teknikat e shqiptimit, pantomimën e aktorit dhe makijazhin skenik. Kishte parë drama e komedi të Goldonit në Teatrin e Padovës dhe na fliste me shumë entuziazëm.
Anissa: Me një fjalë, pasioni për teatrin i lindi në Itali?
Aristea: Të themi, atje iu kristalizua. Prirjet e para për aktrim i kishte shpalosur në shkollë të mesme. Në vitin e fundit të gjimnazit, Prokopi, Sandër Prosi, Mihal Popi, Lazër Vlashi e Kolë Hoti, interpretuan në dramën “ëilhelm Tell” të Shilerit që u vu në skenë në Teatrin Savoja të sapondërtuar. Kur u kthye nga Italia dhe punonte në Bankë si recepsionist, kohën e lirë ia kushtonte tërësisht aktiviteteve artistike. Këndonte në korin e Kishës Ortodokse dhe recitonte në Radio Tirana.
Anisa: Mimallarët ose Mimësat, siç i thërrisnin shpesh, janë me origjinë durrsake. Ç’kujtime ke me daja Kopin në Durrës?
Aristea: Unë linda pasi familja jonë u transferua në Tiranë. Kështu që në Durrës kaloja vetëm pushimet verore. Kujtoj që shkonim në plazh te Currilat. Moma zgjohej herët në mëngjes dhe përgatiste të ngrënat për të gjithë ditën. Shportat me ushqime i ngarkonim në biçikletën e Kopit. Vreshti ynë ishte në rrëzë të kodrës dhe duhej të bënim një copë rrugë më këmbë. Kur arrinim te “12 shkallët”, Kopi më merrte mbi supet e veta që t’i ngjitja më kollaj. Pastaj më ulte mbi hekurin e biçikletës dhe zbrisnim gjer në breg të detit. Pushimet tona ishin të thjeshta por shumë të lumtura falë harmonisë që kishim në familje.
.
Prokop Mima në rininë e tij
Prokop Mima në rininë e tij
Anissa: Teta Eli, si u njohe ti me daja Kopin?
Elisaveta: Në shtator të vitit 1954, në kuadrin e qarkullimit të artistëve kryeqytetas, Prokopin e dërguan në Gjirokastër për të vënë në skenë pjesën e parë teatrale me trupën amatore të Shtëpisë së Kulturës ku aktivizohesha edhe unë. Gjer në atë kohë, grupi ynë artistik jepte vetëm shfaqje muzikore. Prokopi përzgjodhi elementët më të talentuar dhe me ta formoi trupën teatrore dhe të estradës.
Anissa: A të kujtohet titulli i pjesës që vuri në skenë?
Elisaveta: Komedia “Në kopshtin e Jargavanëve” e autorit rus Cezar Solodar. Prokopi bëri regjinë dhe luajti disa herë rolin e drejtorit të kampit të pushimit. Ndërsa mua më besoi rolin e doktoreshës.
Anissa: Një histori dashurie mes regjisorit dhe njërës nga aktoret e trupës…
Elisaveta: Ti e shikon me syrin e sotshëm por, në ato vite, lidhjet dashurore në një qytet provincial nënkuptonin vetëm shkëmbime vështrimesh dhe pak çaste të vjedhura, aty-këtu, për të biseduar kokë më kokë.
Anissa: “Vështrimet janë pusullat e para të dashurisë”, ka thënë Ninon de Lenclos. Cilat ishin veçoritë që të tërhoqën te daja Kopi?
Elisaveta: Më bëri për vete me natyrën e butë, ndjeshmërinë e rrallë, edukatën dhe ndershmërinë e tij. Fizikisht nuk më tërhiqte shumë se ishte tepër i dobët.
Anissa: A kishit ndonjë këngë tuajën që edhe sot po ta dëgjosh, të kujton kohën kur ishit të dashuruar?
Elisaveta: Ja, të mendohem… Sa thellë gërmon ti, o gocë?!… Më duket se ishte një këngë italiane. … Po! Titullohej “Da Trieste fino a Zara”. Prokopi e këndonte duke i rënë kitarës.
Anissa: Të mbahet mend si bënte kënga?
Elisaveta: Eeh, s’më vjen tani…
Një kërkim i shpejtë në YouTube dhe e gjej këngën e tyre. Ia vë ta dëgjojë. Sytë e teta Elit fiksojnë në hapësirë një imazh që vetëm ajo e sheh. Në anën tjetër, me whatsApp, e dëgjon edhe teta Lina.
“Da Trieste fino a Zara,/ go impegnà la mia chitara,/ Amor, amor, amor!/ Amor, amor, amor!/ Da Trieste fino a Zara,/ go impegnà la mia chitara,/ Amor, amor, amor!/ Chè Trieste xe un bel fior!» (P.S. Kërkojeni dhe dëgjojeni; do t’ju ngrejë peshë!)
Anisa: Teta Eli, ti vije nga një familje myslimane, ndërsa daja Kopi ishte i krishterë ortodoks. Keni qenë, besoj, ndër çiftet pioniere të lidhjeve me fe të ndryshme. A patët ndonjë problem në familjet tuaja?
Elisaveta: Asnjë problem. Aq sa u habitëm edhe ne vetë. Kur erdhi Prokopi për të kërkuar dorën time, im atë i tha që e vetmja gjë e rëndësishme në sytë e tij ishte respekti dhe dashuria e dy të rinjve për njëri-tjetrin. Ndonëse i fesë myslimane, babai na kishte vënë mua dhe motrës së vogël emra të krishterë: Elisaveta dhe Adelina. Ndërsa Mimat, falë nivelit të tyre kulturor dhe mendësisë europiane, e konsideronin fenë si një pasuri shpirtërore e jo si element përçarës.
Aristea: Shoqëria shqiptare e atyre viteve ka qenë shumë më e përparuar se ç’thuhet. Tkurrja ndodhi më vonë. Ndalimi i fesë në 67-ën, ashpërsimi i diktaturës, dënimet për ndikime të huaja në art e në letërsi dhe zbatimi i normave të moralit komunist gjer në mënyrën e të veshurit e të të krehurit të popullatës, shkaktuan një regres shoqëror në krahasim me vitet ’40-’50.
Anisa: Në ç’moshë i lindi pasioni për lulet daja Kopit?
Aristea: Që në vogëli. Kur shkonim për piknik në mal të Dajtit a në kodrat e Tiranës, mblidhte gjethe, lule, fryte dhe i sillte me vete në shtëpi. Pastaj, shfletonte Enciklopedinë e Shkencave të Natyrës dhe mundohej të gjente emrat e bimëve që kishte mbledhur. Pak nga pak, dashuria për lulet iu kthye në një pasion-obsesion të vërtetë.
Elisaveta: Pasi u njohëm, Kopi më paralajmëroi: nëse pranon të bëhesh shoqja ime e jetës, s’duhet të jesh xheloze që dashuroj edhe lulet.
Anissa: Oh, sa bukur!
Elisaveta: Më kujtohet kur, shtatzënë me Ajkanën, më zunë dhimbjet e lindjes në shtëpi. Ishte një pasdite dimri, muaji shkurt, dhe bënte shumë ftohtë. Vishemi për të shkuar në Maternitet e, në korridor, Kopi më thotë: duro pak! Më shoqëroi në kuzhinë e pastaj u zhduk. Prit e prit, e s’po bëhej i gjallë. E kërkova lart e poshtë dhe më në fund e gjeta në bahçe. Ishte përkulur mbi zymbylat dhe po ua mbështillte kërcejtë me fije kashte për t’i mbrojtur nga ngrica.
Aristea: Ditën që lindi Florjoni, binte shi me gjyma. Kopi u kthye nga Materniteti e në vend që të hynte brenda për të na dhënë sihariqin, filloi të mbulonte një për një kalat e bahçes me qese plastmasi në mënyrë që t’i ruante për buqetën që do t’i çonte Elit kur ta nxirrte nga Materniteti pas 3-4 ditësh.
Anissa: Po ju tregoj edhe unë një kujtim. Kur isha në Fakultet dhe afrohej sezoni i provimeve të qershorit, daja Kopi më sillte 2-3 tufa të vogla me lule me të cilat zbukuroja dhomën ku ngujohesha për të mësuar. Në mënyrë që lulet të qëndronin të freskëta sa më gjatë, më linte udhëzime me shkrim se sa ujë duhej vënë në vazo, si duheshin rifreskuar bishtat çdo 2-3 ditë dhe pastruar petlat e vyshkura të trëndafilave. Një vit, provimet i dhashë në maj dhe pastaj u nisa në zbor, në Mamurras. Në kthim, lulet ishin ende në vazot por të thara. Në vend që t’i hidhja, i vendosa në raftin e bibliotekës. Ju s’mund ta përfytyroni lumturinë e daja Kopit kur ia tregova. U paske dhuruar atyre luleve përjetësinë, më tha.
Aristea: Lulishtarët e Tiranës vinin rregullisht te ne për të admiruar bahçen dhe i sillnin Kopit lloj-lloj fara lulesh, qepujka zambakësh e filiza për të kryer shartimet.
Anisa: Të kthehemi pak te Prokopi aktor. Sipas jush, cili është roli i tij më i arrirë?
Elisaveta: Për mendimin tim, Zbisheku te “Morali i zonjës Dushka”.
Aristea: Ndërsa për mua, luleshitësi Xhivola tek “Arturo Ui”. I paarritshëm! I vetmi rol i dramës që nuk ishte i dubluar. Pra, e interpretonte vetëm Kopi. Në vitin 1982, kur e thirrën në Teatër me rastin e rivënies në skenë të pjesës, pas 10 vjetësh, publiku e mirëpriti me “standing ovation”. S’do të më shlyhet kurrë nga kujtesa! Isha në sallë me Bertin dhe na u mbushën sytë me lot. Aty e kupton se sa e rëndësishme është për artistin dashuria që i dhuron publiku. Është limfa frymëzuese e krijimtarisë së tij.
Anissa: Në qershor të vitit 1968, në familjen Mima hyn një dhëndër i ri, Robert Shvarc. Si lindi bashkëpunimi i tij me daja Kopin për dramën “Arturo Ui”?
Aristea: Berti dhe Kopi njiheshin përpara se të bëheshin kunetër sepse frekuentonin që të dy Klubin e Artistëve. Në mbrëmjet letrare që organizoheshin atje, Kopi recitonte shpesh poezi të Gëtes e të Shilerit të përkthyera nga Roberti. Dramën “Arturo Ui” e kishte lexuar në italisht dhe, kur Berti i tregoi se kishte ndër mend ta përkthente, Kopi vendosi t’ia propozonte këshillit artistik të Teatrit që ta vinin në skenë.
Anissa: Ç’kujton ti nga ajo periudhë?
Aristea: Në atë kohë ne banonim te shtëpia e Momës dhe për të dy ishte shumë e lehtë të diskutonin e të këshilloheshin orë e pa orë. Berti i hyri përkthimit me idenë fikse që Xhivola ishte rol i shkruar për Prokopin. Sapo i përkthente, ia jepte fletët me dialogje Kopit që i lexonte me zë të lartë, si të ishte në skenë, për të provuar rrjedhshmërinë e tekstit. Ndonjëherë i dëgjoja të debatonin me tone të ndezura edhe për një fjalë të vetme, gjer sa binin dakord mbi mënyrën më të përshtatshme për ta përkthyer. E them me plot gojën që bashkëpunimi mes të dyve ndihet në çdo rresht. Drama u botua fillimisht si libër e një vit më vonë u vu në skenën e Teatrit Popullor me regji të Pirro Manit.
Anissa: Edhe pse trupimët, daja Kopi kishte një prezencë skenike prej kolosi. Mendoj se ia jepte zëri kumbues dhe diksioni i tij i përsosur.
Aristea: Absolutisht!
Elisaveta: Ushtrimet për të mirëmbajtur diksionin ishin të përditshme. Çdo mëngjes, përpara pasqyrës, stërvitej duke bërë vokalica dhe mimika të ndryshme me muskujt e fytyrës. Kur kishte shfaqje, të njëjtat ushtrime i përsëriste edhe në kabinë duke u veshur e u makijuar për rolin.
Aristea: Kumbonte shtëpia nga vokalicat e Kopit. Ba, be, bë, bi, bo, bu, by! Da, de, dë, di, do, du, dy! Ga, ge, gë, gi, go, gu, gy! E me radhë bashkëtingëlloret e tjera, sidomos dygërmëshet, gj, nj, sh, th, xh, zh, që të mos i ngecte gjuha kur ishte në skenë.
Elisaveta: Pak vite përpara se të dilte në pension u detyrua të vinte një protezë të plotë dhëmbësh dhe këtë fakt e përjetoi me shumë trishtim. Nuk e komandoj më gojën time, më thoshte. Prandaj i trefishoi ushtrimet. Bënte vokalica duke punuar në bahçe, kur shkonte të peshkonte, kur rruhej e lahej në banjë, në dhomën e gjumit… Kudo!
Anissa: Teta Eli, cili është kujtimi yt i fundit i bukur me daja Kopin?
Elisaveta: Eehh… Ti e di mirë si qenë 2-3 vitet e fundit të jetës së Prokopit. E vuajti tmerrësisht largimin nga skena dhe u mbyll në vetvete. Rastet e rralla që e bënin të vinte buzën në gaz ishin gëzimet familjare. Martesa e Ajkanës, diplomimi i Florjonit dhe, sidomos, lindja e Jolit, mbesës së parë. Më kujtohet që djepin prej kashte të Jolit e kishim vënë në dhomën tonë në mënyrë që Kopi të përfitonte sa më shumë nga prania e saj. I pëlqente ta shikonte kur flinte. Ose flinin të dy pranë e pranë, në krevatin e madh. Gjynah që s’kam ndonjë foto të atyre çasteve unike. Një mëngjes, hyj në dhomë dhe e gjej Kopin në këmbë me Jolin bebe në krahë. I ndrisnin sytë si të një fëmije që për herë të parë ia del mbanë të bëjë diçka me forcat e veta. Në ato kohë ishte dobësuar shumë dhe me zor mbahej në këmbë. Jam akoma i fortë, më tha, dhe i rrodhën lotët. Ishin lot lumturie.
Anissa: Teta Lina, çfarë të mungon më shumë nga daja Kopi?
Aristea: Më mungon alegria që krijonte me praninë e tij; mbrëmjet me miqtë dhe familjarët në stolat e bahçes kur i binte kitarës dhe ne këndonim në kor. Më mungon timbri i zërit dhe të qeshurat e tij kumbuese nëpër shtëpi. Për fat që mbeten disa drama të regjistruara dhe filmat ku ka luajtur. Më ndihmojnë të çmallem hera herës me tim vëlla.
Anissa: Fati më i madh është që e patëm mes nesh. Jo vetëm ne, familjarët e tij, por edhe publiku shqiptar që e ndoqi në skenë dhe vazhdon ta vlerësojë e ta nderojë edhe sot. .
I ndrittë shpirti!
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.