back to top
12.5 C
Tirana
E mërkurë, 17 Prill, 2024

Sa larg të gjallë por sa afër të vdekur! – nga Klodi Stralla

Gazeta

Komuniteti shqiptar i Amerikës mes tyre Kostë Cekrezi
Komuniteti shqiptar i Amerikës mes tyre Kostë Cekrezi

 Sa larg të gjallë por sa afër të vdekur!

nga Klodi  Stralla

Boston, 16 janar 1959.
Kortezhi i përmortshëm me trupin e Kostë Çekrezit, la qytetin dhe mori rrugën drejt vorrezave të Forest Hills Cemeterry.
Arkivoli kaloi afër varrit të bashkëkombasit të tij Faik Konica, ku gjashtë vite më vonë, ngjitur tij, do të prehej edhe Imzot Noli.
Nëse të tre mendjet e zgjuara do të kishin bashkëpunuar, sa qenë gjallë, do t’i kishin sjellë shërbime tepër të çmuara Kombit, mirëpo shumë energji, shumë kohë dhe shumë faqe gazetash shpenzuan duke sharë njëri-tjetrin, si agjent, spiun, tradhëtar, antikombëtar…
Ja sa thatë e përcolli këtë ngjarje gazeta shqiptare “Dielli” organi i shoqatës “Vatra”, ku ai gjithë jetën kish qenë redaktori legjendar i saj:
“Kostë Çekrezi vdiq në Washington. Trupi i tij u soll në Boston, ku do të varoset në 16 janar, ora 2 pasdreke”. Vetëm kaq!
Në kontrast me të, gazeta e njohur amerikane “Washington Post” do të shkruante: “Kostë A. Çekrezi, një patriot shqiptar, i cili, në vendin e tij, fillimisht ka qenë gazetar, pastaj shtetar dhe në fund u rebelua dhe u burgos nga regjimi, vdiq prej një ataku kardiak.
.
Fan Noli mes shqiptarëve të Amerikës
Fan Noli mes shqiptarëve të Amerikës
Zoti Çekrezi, 66 vjet, i lindur ne Ziçisht, Shqipëri, studioi fillimisht në Korçë dhe Selanik, dhe u diplomua në Harvard më 1918, për histori dhe drejtësi. Që në 1914, ai ishte një mbrojtës i flaktë i pavarësisë të Shqipërisë dhe pas LDB u emërua Komisioner i Shqipërisë në SHBA. Kthehet në atdhe në 1922, ku botonte tre gazeta të njohura. Fillimisht përkrahës i Monarkisë, shumë shpejt rebelohet ndaj saj dhe merr pjesë në Kryengritjen e Fierit në 1935, duke e akuzuar Zogun se, me lëshimet që po i bënte Italisë, po dorëzonte sovranitetin e vendit. Në 1941, kthehet në SHBA ku themelon lëvizjen “Shqipëria e Lirë”. Gjatë LDB zoti Çekrezi vazhdon avokaturën e lirisë të Shqipërisë përmes artikujve kundër regjimit komunist të Tiranës.
Ai është autor i disa librave si “Shqipëria – e shkuara dhe e tashmja”, “Plani i tretë i coptimit të Shqipërisë”, fjalori “Anglisht-Shqip” si dhe i një numuri pafund artikujsh kritikë në gazetat dhe revistat që drejtoi, si Dielli, Hylliria, Telegraf etj. Varimi do të bëhet privat…”.
Jam menduar gjatë por pa mundur të gjej një përgjigje bindëse:
Çfarë na mungon ne shqiptarëve që e kemi kaq të vështirë të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin për një kauzë të përbashkët?
-Shembulli i Fan Nolit, Faik Konicës dhe Kostë Çekrezit, të tre të studiuar në Harvard na tregon se shkaku nuk është niveli arsimor.
-Pak vite pas vdekjes të tij, Noli do të shprehej për të: “Vdiq fukara një burrë i madh i Shqipërisë”; pra nuk qenka as grindja për pasuri.
-Po ashtu që të tre nuk ishin në ndonjë kabinet të përbashkët qeveritar që shkak rivaliteti të ish lufta për pushtet.
Atëhere, Përse?!..
.
Marrë nga Muri i Fb i Klodi Strallës, 4 shtator 2018
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.